22/12/2024

SHTEGTIMET E NJË DORËSHKRIMI

0
large_Gjerasim-Qiriazi-Pengu1

Ose: Si ndodhi që dorëshkrimi i romanit të vetëm të shkrimtarit Gjerasim Qiriazi “Pengu i kaçakëve” të gjendet në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit në Angli

Nga Sinan GASHI

Histori e veprës së gjetur

Njëqind vjet iu desh rrugëtimit të dorëshkrimit të romanit “Pengu i kaçakëve” të shkrimtarit tonë Gjerasim Qiriazi, për të komunikuar me lexuesin e kombit të vet. Madje – madje për këtë vepër as që dinte kush deri në ditët e vona, por përmendeshin të dhënat e tjera për aktivitetin e rrallë të tërë familjes Qiriazi nga Tërnova e Manastrit të Maqedonisë, e cila kishte dhënë burra e gra të shquara intelektuale të dalluara në aktivitete ardhetarie, si: Gjerasimi, Gjergji, Parashqevia e Sevastia. Ata gjithçka patën dhënë për çështjen kombëtare qoftë duke u angazhuar në programin e saj, qoftë duke hartuar e shkruar libra që shërbenin për shkollat e para, qoftë duke udhëhequr drejtpërdrejt hapjen e shkollave në gjuhën tonë. Ndër të tjera dihej se Gjerasimi merrej me krijimtari të mirëfilltë letrare, por assesi që kishte lënë në dorëshkrim një roman. Ndonëse fati i shkrimtarit ishte mjaft i rëndë dhe me plot peripeci, sikurse gjasonte me fatin e veprës së tij.

Dorëshkrimi, pra, nuk dihej se si ishte zhdukur ose si ishte gjetur nga ndonjë zyrtar anglez që kishte shërbyer atyre viteve të mbrapshta në tokën shqiptare dhe ishte sjell në Angli. Sqarimin për diçka të tillë na e arsyeton gjetja e dorëshkrimit, madje në gjuhën angleze. Ky roman ishte botuar në gjuhën angleze në Londër nga J.W. Berdi nga shoqata Religious Tract Society, më 1902. Vepra sigurisht se e kishte jetuar kohën e vet dhe e kishte mbuluar heshtje mjaft e gjatë, kur këtë dorëshkrim, jo shqip, por anglisht, e gjeti Nikolas Smith në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit. Kështu në 100-vjetorin e vdekjes së Gjerasim Qiriazit ky roman i përkthyer në gjuhën tonë nga Edmond Seferi u botua nga Shtëpia Botuese “Kartë e pendë” e Tiranës.

Ç’tematikë ka kjo vepër

Vepra është një kronikë romancore apo një roman kronikë, ku përshkruhet realisht jeta gjashtëmujore e autorit Qiriazi në mesin e kaçakëve shqiptarë, të cilët e kishin arrestuar dhe e mbanin peng për kompensim material. Ai me gjithë vuajtjen që hoqi u njoh nga afër me format e vrazhdta të një jete, si edhe me tragjikën shekullore të shqiptarit. Ai shpreh në vepër tri arsye pse ata lanë jetën e ngrohtë familjare: ikja nga gjakësit dhe hakmarrja si motiv, shmangia nga shërbimet e huaja ushtarake dhe mungesa e kushteve jetësore, pra kushtëzimi i varfërisë. Vepra është ndërtuar në dymbëdhjetë kapituj dhe nis me kapjen rob të autorit, pastaj përshkruhen netët e para me kaçakët, përjetimi i së dielës së parë me ta, të ndjekur nga ushtarët, sqarimi se përse dalin njerëzit kaçakë, përshkrimi i vuajtjeve personale, në shërbim të një kaçaku, jeta në shpella, kalimi në kasolle, shikimi i një drite pas dyzet ditësh dhe përfundon me ditën e lirimit, që në të vërtetë janë titujt e kapitujve të romanit.

Për të qenë më bindës duhet thënë se fillesa e ngjarjes është e datës 12 nëntor 1884, kur ai kapet rob në rrugën Manastir – Korçë, kur Qiriazi bënte ecejaket për detyra atdhetare e arsimore. Kështu nis vepra – kronikë, por përshkrimet plot ndjenjë ngjyrosin artistikisht veprën dhe e bëjnë tërheqëse për lexim.

Krajatat që hoqi mes kaçakëve Gjerasim Qiriazi janë të rënda, ngjethëse, më shumë kur kihet parasysh personaliteti i ndjenjës së hollë intelektuale që fati e hodhi mes personave të pagdhendur e batakçinj. Kjo pjesë e jetës së autorit – personazh sqaron shumëçka në raportet e shoqërisë shqiptare të kohës, kur injoranca ishte në përqindje të shtuar krahas asaj të vetëdijësimit kombëtar. Kjo ishte ngatërresa dhe hutia që krijohej kur insistohet për organizimin e prezentimin e çështjes sonë në përmasa ndërkombëtare të zgjidhjes së drejtë të fatit tonë.

Presonazhi – autor torturohet me ëndje nga ata, duke e bartur zvarrë nëpër fshatra, duke e vendosur në kasolle, në ahure e shpella, pa e ditur se ku e shpienin. Shpesh ia lidhnin sytë me shami, shpesh ia dyllosnin veshët që të mos dëgjojë e të mos dijë se çka bënin dhe ku shkonin. Kishte raste kur maltretohej me të rëna e të shtyra, kur ndiente dhembje nga këmbët e enjtura e të mavijosura nga udhëtimet kohë e pa kohë, në terrene të thepisura e në lëvizje të mëshehta.

Sa e rëndonin vuajtjet personale Qiriazin, po aq e lëndonte shpirtërisht gjendja e mjerë e shqiptarëve, të cilët i kishte pllakosur padituria, mosorganizimi, të cilat krijonin një mjegullnajë jetësore.

Vazhdon ngjarja me ngjyrime e inskenime të ndryshme veprimi, përplot provokacione, deri në 28 prill 1885, kur ai lirohet pasi i sjellin treqind lira si kushtëzim. Me këtë datë edhe mbarojnë vuajtjet fizike si, duke ia vënë gurin në qafë për ta mbytur në lumë natën ose duke e tërhequr zvarrë me një copë litari në qafë, i cili nga një intelektual i hershëm përfundon në një mjeran fizik, me rroba të leckocura sa i duken edhe mishtë, por moralisht i pathyeshëm qoftë edhe në momente kur i jepet lajmi për pushkatim në një natë të errët.

Fragmente tekstesh si dëshmi të konstatimeve të autorit

Kur përfundojnë rrëfimet për ngjarjet, në veçanti kur heroi i veprës është me kotësinë e tij, shpreh edhe diçka nga botëkuptimet e tij për jetën, për njerëzit, për fenomenet. Në aso rastesh shprehen konstatime të kohëzgjatjes aktuale për kohë të tëra. Ja disa nga ato për ta përmbyllur shkrimin dhe njëkohësisht për t’i saktësuar konstatimet e mëparme lidhur me këtë roman dhe autorin e tij: “A ka ndonjë që nuk vjedh, nuk gënjen e nuk lakmon? (…) Gënjeshtra, hajdutëria dhe lakmia maten me kute të ndryshme dhe shpesh fajtorët rrinë rehat në shtëpitë e tyre e gjëllojnë në, mes të atyre që gërthasin për drejtësi”. Apo: “Poshtërsia, sado e ëmbël t’i duket të ligut, mbaron me turp e rrënim për të tërë”. Një rast tjetër: “Ata hanin bukë e djathë sa herë t’u donte qejfi, kurse për mua linin kothere që m’i hudhnin në prehër sikur të isha ndonjë qen. Kur më grinte uria, kërkoja bukë, por me frikë të madhe, se shpesh në vend të bukës më jepnin dajak”.

Dhe së fundi: “Bora poshtë meje shkriu, por për fat isha mbi degë. Ata fjalosëshin për gjahun e zënë dhe ëndërronin me kënaqësi për paratë që do i merrnin. Unë isha zhytur thellë në mendime, duke vuajtur për Shqipërinë e gjorë, që kishte fatin e zi të rriste bij të tillë…”

Biografike

Gjerasim Qiriazi (1858-1897) u lind në Tërnovë të Manastirit të Maqedonisë. Si gjashtëvjeçar u regjistrua në shkollën greke. Si trembëdhjetëvjeçar punoi çirak te një këpucar. Kolegjin Amerikan e kreu në Samakov të Bullgarisë. Punoi për shoqërinë British and Bible Sociaty, e cila merrej me shqipërimin e librave fetarë. Më 1884 kaloi në Stamboll, ku pasuroi aftësitë intelektuale e gjuhësore, ngase ra në kontakt me atdhetarë të devotshëm, e në veçanti me Konstantin Kristoforidhin. Me lejen që e nxori me ndihmën e Naim Frashërit në Stamboll, motra e tij Sevasti Qiriazi, që kishte mbaruar Fakultetin Amerikan për vajza, hap shkollën e parë shqipe për vajza në Korçë më 1891. Pasi që e përjetoi  rëndë vdekjen e gruas nga tuberkuloza, e cila ia la një djalë, ky iu përkushtua më me ngulm shkrimit dhe arsimit shqiptar. Jetën e përmbylli në Athinë, në ditën e dytë të janarit të acartë nga tuberkulozi.

Veprën e parë “Hristomathi e udhëheqës për çdo shtëpi shqiptari” e botoi në Sofje më 1902, me pseudonimin “Një mëmëdhetar”, ndërsa romani “Pengu i kaçakëve”, i mbetur dorëshkrim, që konsiderohej deri vonë i humbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok