14/12/2024

Shqiptarët e Ulqinit festuan së  bashku  festën e Bajramit të Madh

0
Bajrami-Bashke

Familja Mehmedoviq, nga Zogajt e Ulqinit

Nga Gjekë Gjonaj

Besimtarët e fesë islame  në Komunën e Ulqinit , pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit , kremtuan  festën e Fitër Bajramit (  Bajramit të Madh). Kjo festë për besimtarët islamë është një moment shumë i gëzueshëm, sepse  afron familjen, farefisin, miqtë,  shokët e të tjerët.

Derisa dy vitet e kaluara shumica e ceremonive të kësaj feste u zhvilluan në shtëpi për shkak të pandemisë COVID- 19, këtë vit qindra besimtarë morën pjesë në ceremonitë e  faljes  së Bajramit  të Fitrit në  xhamitë e   kësaj komunë.  Kjo festë   e shenjtë sivjet   u  kremtua  në një atmosferë  festive si dikur , duke shijuar  mirësitë e saj, me vizita të ndërsjella të të gjitha   besimeve fetare, duke uruar dhe përgëzuar njëri-tjetrin.

Ditëve të Bajramit të Madh  në Ulqin me rrethinë  festuan së bashku  shqiptarët e besimit  të krishterë dhe  islam, sipas traditës shumëshekullore. Familjet shqiptare  pa dallim  feje  vazhdojnë ta ruajnë frymën e tolerancës e harmonisë fetare.  Shumë familje katolike ishin për vizitë   tek familjet e vëllezërve të tyre të besimit islam, për të  kremtuar së bashku këtë festë, duke iu uruar  të gjithë njerëzve  që festojnë  begati, paqe, rehati e mirëkuptim.  Dhe, nuk ka vlerë më të madhe se kjo e cila  përshkruan dhe dëshmon  tolerancën fetare tek shqiptarët, pikërisht ashtu siç thoshte  Atë Gjergj Fishta “ vërtetë ne kemi bajram dhe pashkë, por shqiptarin e kemi bashkë”.

Ky respekt  i shqiptarëve  të të  dyja feve që t’ua kthejnë  festat njëri-tjetrit, kryesisht Pashkët dhe  Krishtlindjet ( Kërshëndellat) me festën e Bajramit, por edhe festa të tjera që në këtë komunë nuk janë të pakta,  nuk ka munguar kurrë  dhe kjo traditë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ulqini gjithmonë ka qenë shembull i tolerancës etnike dhe fetare, ndërsa ky mozaik është pasuri e çmuar e shqiptarëve, të cilëve  as kësaj here, si përherë, nuk i ka munguar kënaqësia vëllazërore.  Qytetarët e  Ulqinit përmes festave çdoherë e më shumë po i forcojnë  vlerat e përbashkëta në shërbim të paqes e mirëqenies.

Kjo festë  solli atmosferë gëzimi në çdo familje të besimit islam, pavarësisht kushteve financiare. Kështu ishte edhe në familjen e  Sadik Mehmedoviqit nga fshati Zogaj, i cili jeton në Ulqin.  Familja e tyre brez pas brezi e ka trashëguar mikpritjen e gjithkujt, që do të thotë të  presin njerëz edhe të  besimeve tjera.

“Ne Bajram e Pashkë i  kemi festuar gjithmonë bashkë. Kështu vazhdojmë t’i  festojmë  edhe sot sepse jemi të gjithë vëllezër”, thotë kryefamiljari  Sadik Mehmedoviq. Ai shprehet se u gëzohet të gjithë  njerëzve të besdimeve tjera të cilët e vizitojnë  për   festa fetare,  njëlloj sikurse   më të afërmve dhe farefisit të tij. Shton se ajo që i bën të bukura festat  është respekti dhe dashuria për njëri-tjetrin.

Ndërkohë  bashkëshortja e tij Zuhraja, nënë e dy djemve binjakë, Fatit  dhe Florit,  e lindur në fshatin Kllezën-vendbanim i përzier muslimano-katolik, i njohur për respektimin e feve,  na tregon   për përgatitjet dhe gatimet tradicionale që sipas traditës   janë ruajtur  ndër vite për  këtë festë shumë të bukur.    “Sipas traditës që është ruajtur me vite, për këtë festë  përgatisim sofër të pasur  me disa gatime tradicionale siç janë japraku,  pite të ndryshme, mishi i qengjit dhe kecit me pilafë e supa të shijshme.  Ëmbëlsirat po ashtu   janë pjesë të rëndësishme të kësaj  feste dhe ato  nuk do të duhej të mungojnë në tavoilën ( tryezën) e asnjë besimtari të fesë islame. Ndër ëmbëlsirat më tradicionale që përfaqësojnë këtë festë janë bakllava, “ mbreti “ i sofrës”,  kadaifi, tuhafija, hallva, tullumbat, trileqet…”, rrëfen Zuhraja.

Ky çift bashkëshortor   mban mend   që e festonin shumë festën e Bajramit edhe më parë.  Ata i kanë të freskëta kujtimet kur prindërit e tyre u blinin gjëra të reja  dhe vizitat që shkëmbenin me të afërmit. Me mall flasin edhe për të kaluarën kur si fëmijë u janë gëzuar ëmbëlsirave dhe parave të cilat u dhurohen fëmijëve  për Bajram.  Kjo familje e ndershme shqiptare  dëshiron që të gjitha traditat e  kësaj feste t’ua  përcjellë  pasardhësve të saj, siç e do tradita.

Vlen të përmendim se  në kohën kur shqiptarët  e  Ulqinit dhe të tjerët  në Malin e   Zi  shijuan mirësitë e kënaqësitë e kësaj feste , në shumë shtete  të botës kemi konflikte, luftëra e gjakëderdhje, ku popullata e pafajshme po përballet me padrejtësi, shktaërrime, vrasje e dëbime.  Prandaj, shqiptarët të gjithë së bashku, krahas urimeve e përgëzimeve,  bëjnë thirrje për solidaritet e paqe  në këto kohë të vështira që po kalon  njerëzimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok