Diktatura në demokraci, produkt i autokracisë!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Autokratët erdhën në pushtet me parulla populliste dhe premtime megalomane, duke i shfrytëzuar pakënaqësitë e qytetarëve dhe dështimet e pushtetarëve paraprakë, duke mohuar të gjitha të arriturat e qeverive paraprake, duke mohuar themeltarët e shtetit, bashkë me ketë edhe ngjarjet historike ku u vunë themelet e Republikës së Kosovës.

Rruga e ardhjes në pushtet, pengesë e mbajtjes së pushtetit

Sikurse në të gjitha rastet kur autoktratët vijnë në pushtet, edhe në Kosovë erdhen me premtime joshëse, kinse duke promovuar vlerat demokratike, ndërsa menjëherë pas ardhjes në pushtet filluan nga brenda minimin e sistemit të demokracisë. Me gojën plotë demokraci e instaluan një diktaturë të re dhe të paparë deri më tani!

Kohëve të fundit është bërë sfiduese publikimi i ndonjë shkrimi në rrjetet sociale kundër pushtetarëve aktualë. Menjëherë të vërsulen si çakejt militantët e partisë (ve) në pushtet, me sharje e fyrje, akuza dhe kërcënime nga më të ndryshmet!

Autokratët përmes “ç’kapjes” së institucioneve të pavarura fillimisht e kapen sistemin e drejtësisë, pastaj të gjitha hallkat e sistemit qeverisës në vend.

Autokratët e ngritur në karrierë politike përmes protestave dhe trazirave, pas ardhjes në pushtet, janë duke e përdorur sistemin e drejtësisë dhe policinë e shtetit për të shtypur rivalët politik.

Pra, rruga e ardhjes në pushtet e autokratëve (përmes protestave dhe trazirave) bëhet pengesa kryesore e qeverisjes së tyre. Këtë e vërteton më së miri shpërblimi i policëve të sakatosur me dorën e tyre në protestat e dhunshme si opozitarë.

Prandaj me të gjitha mjetet mundohen të pengojnë dhe shtypin me forcë kërkesat e drejta të qytetarëve, lirinë e shprehjes dhe veprimtaritë afariste të atyre që mendojnë ndryshe nga pushtetarët.

Hipnoza dhe dezinformimi, mjeti kryesor i sundimtarëve autokrat

Hipnoza e mrekullisë së premtuar dhe dezinformimi janë bërë mjeti kryesor i vënies në gjumë të qytetarëve nga ana e autokratëve, të cilët drejtojnë shtetin bashkë me oligarkët ekonomik, bashkë me njerëzit me të kaluar kriminale dhe militantët partiak të cilët i vënë në vijën e parë të frontit kundër rivalëve politik.

Autokratët janë njerëz të zgjuar, nuk e kapin “zjarrin me dorë”, por i përdorin veglat (hajdutët) me përvojë në zhvatjen e buxhetit të shtetit për mbushjen e llogarive të tyre në “Parajsat Fiskale”!

Mashtrimi dhe propaganda e autokratëve është e tejët e sofistikuar, ajo e ka për qëllim mbajtjen sa më largë të qytetarëve nga e vërteta dhe realiteti i krijuar.

Për këtë shkak në autokraci (diktaturë) mediat futen nën “grilat e pushtetit”, kurse gazetarët përndjeken dhe kërcënohen për mos publikimin e së vërtetës dhe mos zbardhjen e aferave korruptive.

Dekorimi me “medalje” i “herojnëve” inekzistent dhe shpallja e “armiqëve të brendshëm janë manipulimi më i madh që ju bëhet qytetarëve të ndershëm!

Me shkatërrimin e familjes po bëhet shkatërrimi në embrion i shtetit. Futja e përçarjes mes anëtarëve të së njëjtës familje është një ugur i keq për të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur në një familje katër anëtarëshe janë futur pesë parti!

Përgjatë qeverisjes autokrate, kundërshtarët politik konsiderohen si armiq, kurse lideri autokrat si “babai dhe shpëtimtar” i kombit! Të gjithë ata që nuk e përkrahin, në veçanti ata që e marrin guximin ta kundërshtojnë “babain e kombit”, përveqse shpallen armiq të shtetit, anatemohen edhe në shoqëri!

Për themeltarët e shtetit e mundimshme ishte periudha e rezistences paqësore kundër okupimit klasik të Serbisë, e vështirë lufta, zhgënjyese paslufta, por akoma më e rëndë po del të jetë periudha e autokracisë në të cilën po injorohet çdo e arritur dhe çdo vlerë e luftës dhe e paqes. Të lumtur do të jenë ata që e kapërcejnë edhe këtë sfidë!

11.05.2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok