27/12/2024

Shqiptarët e rajonit të Odesës në Ukrainë, një gjurmë tjetër e mërgatës mesjetare shqiptare

0
u1_sambli-folklorik--Karakurt

Nga Elvi Sidheri

Në vazhdën e shkrimeve për mërgatat historike shqiptare, kryesisht në Lindje, sot do të përqendrohemi te shqiptarët e Ukrainës, pikërisht në fshatin Karakurt në rajonin e Odesës.

Në muzeun e fshatit Karakurt, ose Zhovtnevoe siç është quajtur për 72 vite nga 1944 deri në 2016, në krahinën Bolgrad, tregohen krenarisht eksponate në muzeun vendor, ku spikatin veçanërisht ngjyrat e qëndismave karakteristike të popullatës së këtij fshati historik, e që jo rastësisht janë pikërisht e kuqja dhe e zeza.

Nuk përbën aspak habi sakaq, që e zeza shpërfaq dhimbjen për mëmëdheun e humbur e të largët, kurse e kuqja, derdhjen e gjakut të tyre amtar.

E mëmëdheu i tyre është padyshim Shqipëria, por prej shekujsh atdheu i tyre është edhe ky fshat në Ukrainë, i vetmi në rajonin e Odesës, dhe një nga katër fshatrat syresh në krejt Ukrainën që banohen nga shqiptarët.

Të mërguar shumë kohë më parë nga toka e të parëve të tyre, këta shqiptarë të largët, prej më shumë se dyqind viteve kanë vijuar me vetëmohim ta ruajnë gjuhën amtare dhe veçoritë kryesore të qenësisë së tyre kombëtare, që përmblidhen të gjitha mrekullisht në këtë fshat kaq unik, më tepër se thjesht të rrallë.

Karakurti, i ndodhur mes stepave të zonës së Buxhakut dhe bregut të lumit Karasullak, në pamje të parë ngjan kryekëput me dhjetra fshatra të tjerë të Besarabisë. As nga konstrukti i shtëpive, as nga petkat që veshin banorët vendas, prapëseprapë nuk mund të dallohet menjëherë vetvetiu përbërja etnike e popullatës.

Por ndërkaq, pyetjes për kombësinë, një në dy banorë i përgjigjen me krenari se janë shqiptarë.

Në Karakurt në ditët e sotme jetojnë rreth 2600 banorë. Në shifra të përgjithshme, 60% syresh deklarohen si shqiptarë, 25% si bullgarë, 10% si gagauzë (popullsi turqisht-folëse e fesë ortodokse, me origjinë të njëjtë si shqiptarët e Ukrainës, nga Bullgaria), ndërsa pjesa e mbetur, rreth 5%, janë të kombësive të tjera, rusë, ukrainas, etj, larmi etnike tejet karakteristike për Besarabinë historikisht.

Por gjithësesi, shifra të sakta është e pamundur të kihen, sepse në këtë fshat jetojnë prej 200 vitesh pjesëtarë të kombësive të ndryshme, që gjithnjë janë përzier njëri me tjetrin. E kështu, shpesh mund të qëllojë që dikush të ketë nënën shqiptare, duke e konsideruar edhe veten shqiptar, por sakaq dikush tjetër mund ta ketë të ëmën bullgare, dhe veten rrjedhimisht ta quajë bullgar, pavarësisht kombësisë së babait.

Kultura e shqiptarëve të Besarabisë është zhvilluar sidoqoftë nën ndikimin e fuqishëm të fqinjëve të tyre bullgarë. Për shembull, ushqimet janë karakteristike sipas traditës bullgare (një lloj gjelle me djath fshati), e gjithaq edhe vallet për festa janë të ngjashme mes dy kombësive fqinje.

Por gjithësesi, kujtesa historike e shqiptarëve të Karakurtit është ruajtur në nivel të mahnitshëm.

Në shtëpitë e shqiptarëve vendas, në veçanti tek njerëzit më të moshuar, mund të hasen akoma qëndisma me ngjyrat tradicionale të kuq e zi, si jastëqe, shtroja dhe petka të ndryshme.

Ndërkaq, gjer në vitet 1990, në Karakurt ishte ruajtur e paprekur dhe e pandryshuar edhe ceremonia tradicionale martesore.

Shqiptarët vendas kremtonin dasmën për pesë ditë me radhë, nga e premtja në të martë. Por tashmë, asnjë nga banorët nuk mundet ta përballojë një kremtim kaq të gjatë. Për këtë arsye, tashmë festohet dy ditë e pastaj shtrohet banketi.

Gjithashtu, në ditët e sotme në ceremonitë festive janë arritur të ruhen veç disa elemente të caktuar të kremtimit sipas traditës kombëtare shqiptare.

Si traditë, kur dasmorët shkojnë të marrin nusen, dhëndri i shpie mblesit “Gël-Gël”, që është një lloj ene e mbushur me verë, të cilën e gjerbin në çast. Gël- gëli është një lloj shtambe me dy doreza tek të cilat varet një rrip lëkure. Ditën pasuese të gjithë bashkë me krushqit e miqtë gjerbin me ëndje vodkën e kuqe, të quajtur ndryshe, pikërisht “raki”.

Kjo lloj vodke me ngjyrë kuqe, përgjithësisht është më e udhës të pihet ditën e hënë, pas natës së parë bashkëshortore të të porsamartuarve (për të kremtuar zhvillimet përkatëse), por meqë tanimë ditët e kremtimeve janë shkurtuar, gjerbja e rakisë së kuqe bëhet ditën e dielë.

Banorët shqiptarë të Karakurtit, janë duke u orvatur ta ngjallin nga hiri i harresës traditën martesore dhe ritet përkatëse të të parëve të tyre, duke folur me të moshuarit e fshatit, me nënat dhe gjyshet e tyre.

Në Shtëpinë e Kulturës së fshatit, është vënë në skenë gjithaq një version teatral i dasmës shqiptare, që është shfaqur gjer në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, në një koncert ku përfaqësohej kultura e rajonit të Odesës.

Vetë Shtëpia e Kulturës e Karakurtit është shndërruar në një fortesë të përhershme të kulturës tradicionale shqiptare të këtij fshati. Aty punojnë në vazhdimësi ansambli popullor vokal dhe i valleve “Kolorit”, që vijon traditën e këngëve dhe valleve shqiptare, veprimtari e vyer kjo, përkundër faktit se në fshat pakkush ka mbetur që mundet të këndojë diçka në gjuhën amtare shqipe.

Banorët e fshatit nuk arrijnë më dot të mbajnë mend as përrallat kombëtare, as fjalët e urta apo thëniet popullore apo tekstet e tjera gojore shqiptare, për shkak të kushteve dhe ndikimeve të forta asimiluese nga mjedisi dhe kombësitë fqinje krah të cilëve jetojnë prej shekujsh shqiptarët e Karakurtit.

Vetë gjuha shqipe e Karakurtit, është një gjuhë që mbetet përherë e pashkruar.

Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët e këtij fshati nuk flasin në gjuhën amtare mes tyre, në shtëpi e kudo tjetër!

Por ndërkaq gjendja e kësaj gjuhe mund të cilësohet tërësisht si unikale: sepse banorët shqiptarë të Karakurtit e përçojnë dhe trashëgojnë gjuhën amtare në formë gojore në mungesë të plotë të traditës së shkruar.

Gojë më gojë, nga prindërit te bijtë e tyre!

Askush në fshat nuk di të shkruajë në gjuhën shqipe, aq më shumë që shqipja shkruhet me gërma latine. Rrjedhimisht, kur banorët vendas nevojitet të shkruajnë diçka në gjuhën e tyre, vargje apo çfarëdoqoftë, ata përdorin gërmat cirilike për të shkruar në shqip.

Kjo situatë do të mund të ishte përmirësuar ndopak nëse gjuha shqipe do të mësohej në shkollë nga shqiptarët vendas, ashtu siç ndodh me ngulimet fqinje moldave, bullgare apo gagauze, ku gjuhët e tyre janë pjesë e sistemit arsimor.

Gjithaq, jo vetëm në rajonin e Odesës, por në tërë Ukrainën nuk ka një specialist të vetëm të gjuhës shqipe. Në këtë vend mungon gjithashtu ndonjë shkollë shkencore që të përqendrohet te fusha e Albanistikës, ndërkohë që botohen herë pas here veç hulumtime të caktuara në këtë aspekt.

Thellime serioze lidhur me gjuhën dhe doket shqiptare, të shqiptarëve që jetojnë në Karakurt dhe tre fshatrat e tjera shqiptare në rajonin e Zaporozhjes, prej më shumë se njëqind vitesh mund të hasen nga specialistët përkatës të universiteteve të Shën Peterburgut dhe Moskës.

Gjatë viteve të fundit, studimet dhe ekspeditat shkencore në këtë fushë janë ndërmarrë kryesisht nga Katedra e Gjuhësisë së Përgjithshme e Fakultetit Filologjik e Universitetit të Shën Peterburgut (ku ekziston edhe një degë për Gjuhën Shqipe).

Interes të theksuar për mërgatën historike shqiptare në Ukrainë shfaqet edhe nga studiues nga Shqipëria dhe Kosova. Siç vënë në dukje krerët e fshatit, delegacione të ndryshme nga Kosova kanë propozuar që studentë nga ky fshat të ndjekin studimet në universitet në Kosovë, që paskëtaj të kthehen dhe të japin mësime në gjuhën shqipe në fshatin e tyre të lindjes.

Disa vite më parë, me nismë të konsullit të nderit të Shqipërisë në Ukrainë, ishte hapur edhe Qendra e Kulturës Shqiptare. Në fillim ishte çelur në Odesa, e më tutje ishte shpërngulur gjer në Karakurt. Tashmë aty mund të gjendet letërsi nga Shqipëria, piktura me pamje nga mëmëdheu, flamuri shqiptar, etj. Mes dhuratave të tjera, janë edhe kostumet kombëtare që përdoren nga ansambli Kolorit.

Por sakaq, askush nuk është kujtuar që t’u paguajë këtyre artistëve udhëtimin për të marrë pjesë nëpër festivale folklorike në Shqipëri.

Duke ditur se në Ukrainë nuk ka ambasadë të Shqipërisë, funksionin e ambasadorit shqiptar në Ukrainë e kryen ambasadori ynë në Poloni.

Por, do theksuar se Karakurti nuk është aspak fshati tipik i ligështuar i zhytur në humbëtirat e Ukrainës. Në këtë fshat veprojnë sipërmarrje të vogla bujqësore, si dhe një gjiganti i prodhimeve bujqësore në Jugun e Ukrainës, që merret me rritjen dhe shitjen e derrave.

Në fshat ka një infrastrukturë tejet të zhvilluar sociale, ka një shkollë vendore, një kopsht fëmijësh model, një Shtëpi Kulture me një sallë të madhe të mrekullueshme që është rikonstruktuar për 200 vjetorin e themelimit të fshatit në vitin 2011.

Në fshat ka edhe një klinikë veterinare, një ambulator, si dhe një laborator, dhe për këtë arsye fshatarët vendas u janë mirënjohës drejtuesve të mëparshëm të fshatit dhe kolkozit të tyre në periudhën sovjetike, falë të cilëve gëzojnë si trashëgimi këtë mirëqenie.

Njëlloj si fqinjët e tyre bullgarë dhe gagauzë, shqiptarët e Karakurtit janë ortodoksë. Në kapërcyellin e shekujve XV-XVI, paraardhësit e tyre patën mërguar nga trojet amtare në Shqipëri për në Bullgari, për t’i shpëtuar osmanëve dhe për të mos e ndërruar fenë.

Rrugëtimi i shqiptarëve të Karakurtit gjer në Besarabi ka qenë i gjatë dhe shpesh herë tragjik. Siç e thamë, në kapërcyellin e shekujve XV-XVI, mijëra shqiptarë ortodoksë qenë larguar nga zgjedha osmane për në Bullgari. Në fillim të shekullit XIX, kur shtypja ishte bërë e padurueshme edhe në Bullgari, banorët e dy ngulimeve pranë Varnës (shqiptarë, bullgarë dhe gagauzë) ndoqën rrjedhën e Danubit gjersa arritën në ish vendbanimin tartar të Karakurtit. E në vitin 1811 do të themelohej ky fshat.

Më në fund këta shqiptarë ngritën shtëpinë e tyre pra! Por vuajtjet e tyre nuk mbarojnë me kaq. Në vitin 1856, pas Luftës së Krimesë, Perandoria Ruse ia mori një pjesë të Besarabisë Principatës së Moldavisë. Si pasojë, në vitet 1861-1862, shumë bullgarë, gagauzë e shqiptarë mërgojnë gjer në zonën Priazovje – buzë detit Azov, të shtyrë nga autoritetet perandorake ruse. Këta banorë ortodoksë nëpër stepa zunë vendbanimet e dikurshme të popullsive turkofone.

Në territorin e rajonit të Zaporozhjes, ka akoma tre fshatra shqiptare – Georgievka, Devinskoe (si fshati Devnia, pranë Varnës, ngulim i vjetër shqiptar në Bullgari) dhe Gamovka, të themeluar nga shqiptarët e mërguar nga Karakurti.

Këta janë shqiptarët e Ukrainës, që veten e quajnë shqip “Nga tanët”, pasi fjala “Shqiptar” nuk ka ekzistuar në kohën e mërgatës së tyre të pabesueshme larg trojeve amtare.

Copëza shqiptarësie, që pak i njohim, por që gjithësesi ekzistojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok