23/12/2024

SHQIPTARËT DHE ORGANIZIMI KISHTAR BIZANTIN NË POLLOG

0
Syrja-Etemi

Shkruan Syrja ETEMI

Në gamën e shumë pyetjeve dhe “xiglimeve”  të mbarsura me kurreshtje të hazdisura, për shumë kohë – janë hamendjet prafulluese që kanë të bëjnë me çështjen e zhvillimeve, përcaktimeve dhe organizimeve të jetës  fetare në Pollog (ku ka gëluar edhe elementi arbëror), duke bërë një digresion nga paganizmi Ilirian – për të ezaurur shkrimet që kanë të bëjnë me krishtërimin, qoftë të ritit perëndimor, qoftë të ritit lindor.

Feja gjithnjë ka luajtur dhe po luan një rol parësor në mbijetesën e një kombi apo të një populli, sidomos të një populli të lashtë e autokton, si që është populli ynë shqiptar, i cili gjithnjë ka qenë në kacafytje me prapëtitë e shekujve. Këtu e kam poentën, sidomos për pjesën shqiptare të mbetur jashta kufinjve zyrtarë të Shqipërisë etnike, e në veçanti – të shqiptarëve indigjenë të  Maqedonisë së Veriut, ku organizimi i jetës fetare ndër shekuj është mveshur me tisin e një mjegullnaje të dendur që precipiton në shpjegime dhe interpretime me shumë të panjohura e të dyzuara, për të prërfunduar madje edhe në një  amallgamë të padeshifruar sa e si duhet. Pikërisht në këtë dimension do të mundohem që sado pak të hedh dritë në tërë këtë “skëterrë” të pllakosur, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët e Pollogut –  këtë mjedis ku kanë ndërvepruar e bashkëjetuar shumë bashkësi etnike e fetare, ku secili ka mëtuar e po pretendon të favorizojë “të vetin” e, secili të kundërshtojë e t’i dumatet  tjetrit. Për këtë “eklipsim” jo të beftë, fillimisht u përcaktova t’u referohem atyre pak dokumenteve të shkruara të kohës, por – në veçanti – disa shkrimeve të autorëve apo hartuesve të monografisë: “Tetovo i tetovsko niz istorijata” (Tetova me rrethinë nëpër histori), Tetovë, 1982, me pretendimin për t’ iu shmangur interpretimeve paushalle apo diletanteske. Meqë u përcaktova për monografinë që flet për Tetovën, me këtë rast do t’i referohem kreut IV që ka të bëjë me shënimet e radhës: Pronat feudale të zotërimeve kishtare.

  1. Kishat dhe manastiret

Në Pollog, në mesjetë, ka patur shumë kisha të reja të ndërtuara dhe shumë sish – të renovuara apo rindërtuara. Në një përfundim të këtillë indicojnë shënimet nga gramotat dhe regjistrat e pasurive të manastireve që kanë patur prona. Për këtë flasin edhe shumë lokalitete me posede e zotërime të quajtura Kishëtare (Crkvishte) dhe Manasterine (Manastirishte).

Motivet e ndërtimit të objekteve kishtare kanë qenë të ndryshme dhe, janë ngritur, para së gjithash “për përshpirtshmëri të amshueshme”.  Themeluesit apo ktitorët e kishave zakonisht i përkisnin radhëve të feudalëve , shtresës së pasur dhe njerëzve të fuqishëm. Para fillimit të ndërtimit të kishës, më së pari është kërkuar “vend i përshtatshëm” , e mandej – pozicion më të favorshëm e më panoramik rrëzë kodrinave, afër ndonjë lumi apo burimi, si ka qenë rasti me kishën Hyjëlindësja e Htetovës (Bogorodica Htetovska). Kisha ndërtohej në bazë të përgatitjes së planit me dimensione të projektuara paraprakisht, si: gjatësia, gjërësia dhe lartësia. Në ndërtim, përveç mjeshtërve (muratorëve), mirrte pjesë edhe popullsia lokale, puna e të cilëve ishte e detyrueshme dhe pa pagesë.

Kompleksin manastiror e kanë përbërë kisha, konaku dhe këmbanarja e cila ka qenë e ngritur zakonisht në hyrje. Ndonjëherë ka ndodhur që, edhe nëse nuk ka mundur të pritet ndërtimi i stërzgjatur shumë kohë, është ndërtuar kishë “me drurë”. Kisha zakonisht ka qenë e mbuluar me bakër, por, rëndom – me tjegulla (të zeza). Muret e saja të brendshme, rregullisht janë pikturuar me freska apo ikona. Manastiri, zakonisht ka qenë ndërtuar me mur të trashë.

Në Pollog, në kohën e zhvillimit të fuqishëm të feudalizmit, ka qenë e fuqizuar dukshëm edhe pasuria kishtare. Për këtë ka edhe shumë të dhëna  e shënime të ruajtura  në përmendoret zakonore. Në sh. XIV në Luginën e Pollogut janë shquar me pasurinë e tyre tre manastire: i Modriçës, Tetovës dhe Gostivarit. Për të parin dhe të tretin dihet se janë kufizuar me fshatin Stençë dhe se Igumenët e tyre shumë lartë janë ranguar në hierarkinë kishtare. Pikërisht, autoritetet kishtare të këtyre manastireve kanë qenë të përfshirë në Kuvend në vendin e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë. Pas këtyre vijnë  në rend Igumenët e manastireve tjerë, edhe atë: i Dibrës, Nagoriçanit dhe Shkupit.

Në Luginën e Pollogut kanë patur prona edhe disa manastire  –

fqinj më të afërt, por edhe më të largët, si:

1.Manastiri i Shkupit: Shën Gjeorgji (Georgi) që nga themelimi i tij fitoi si pronë fshatin Reçicë  të Pollogut, bashkë me vëneshta, ara, mulli, bahçe , livadhe, zabele pyje “të ruajtura” dhe male (për gjueti). Përveç kësaj, ai ka poseduar edhe fshatin Toçillë me të njëjtin emër të malit, mandej fshatin Banicë (në afërsi të Tetovës) me vëneshta, mullinj, si dhe  një fshat emri i të cilit është fshi në gramotën me arat, mullinjtë dhe vëneshtat.

  1. Ipeshkvia (Episkopia) e Prizrenit ka patur prona në Pollog “që nga lashtësia”. Gjatë zhvillimeve politiko-ushtarake që kanë ngjarë në këtë territor, ka patur raste që të “shkëputet” ndonjë pjesë apo pronë nga feudalët shenjtërorë. Megjithatë, në kohën e sundimit të perandorëve, Stefan Deçanski dhe Dushani, pjesë të pronave përsëri i kthehen Ipeshkvisë, qoftë përmes forcës, qoftë përmes dokumenteve pronësore të sajuara. Pasuria të cilën e posedonte Ipeshkvia e Prizrenit në Pollog, në pjesën e parë të sh. XIV ishte e përbërë nga këto objekte: Kisha Shën Vraça në Potoçan, (tani është një vendbanim i shkretë – në afërsi të fshatit Gjorgjevishtë) bashkë me kopshtet dhe arat, vëneshtat, të cilët ose janë blerë, ose janë dhuruar “për shpirtë”; mandej prona (stasi) priftërore në Gjorgjevishtë, bashkë me banorët vendasë, madje edhe kisha Shën Hyjëlindësja (Sv. Bogorodica) me tre prona priftërore në Leshkë, si dhe arat kishtare pranë Tërhallës (Trhale), të kishës Shën Hyjëlindësja (Sv. Bogorodica) në Trebosh.

 

  1. Manastiri Shën Nikolla në Malin e Zi të Shkupit kah fundi i sh. XIII dhe në fillim të sh. XIV në Pollog ka zotëruar pronë që ka qenë në kuadër të fshatit Nerasht, si dhe vendin e quajtur Radevë – me vëneshta, mullinj dhe tokën e Vratisavës.
  2. Manastiri Graçanica në dekadat e para të sh. XIV në Pollog i ka poseduar këto prona: Kishën Shën Dhimitri (Sv. Dimitrija) në Our (me siguri: Odër), me banorët e Podbregjes, po ashtu edhe në Leshkë – gjithçka që ka qenë në Borkovë.
  3. Manastiri Bogorodica në vendin Treskavec afër Prilepit, më 1335 ka shfrytëzuar pronë (metohi) në Kërpenë (Neproshtenin e sotëm, S.E.) afër Tetovës – me mullinj, ara, vëneshta dhe zabele.
  4. Manastiri Arangjel (Shqip: Engjëllkraharti, S.E.) (Arhangell) në Prizren në mesin e sh. XIV ka zotëruar f.Sellcë, me Majën e Naltë (Veli Vrh) me fshatëzin dhe vëneshta.
  5. Manastiri Hilandar më 1348 fitoi pasuri të majme në Pollog edhe atë: kishën Hyjëlindësja të Htetovës (Sv. Bogorodica Htetovska) me fshatin, paskësaj edhe kishën Shën Nikolla (Sv. Nikolla) në Jeduarcë, Pop Dragën me fis dhe tokë, Mllaçicën me tokë, gjysmën e Zhelinës së Moçme me kishën, fshatin Htetovë, Hrashtan, si dhe fshatrat: Drenovec, Brodec, Sallarevë (Sedllarevo) dhe Izbicë, ndërsa në Pollogun e Epërm – fshatrat: Stençe dhe Vollkovijë.
  6. Krijimi, struktura dhe organizimi i pronave kishtare në Pollog

Krijimi, struktura dhe organizimi i pronave kishtare në Pollog mund më së miri të përcillet dhe shqyrtohet me shembullin e manastirit Hyjëlindësja e Tetovës (Bogorodica Htetovska). Shënimi më i vjetër për këtë manastir rrjedh nga një letër e arqipeshkvit (arhiepiskopit), Dhimitër Homatianit (Dimitar Homatijan). Në të, në mes tjerash shkruan për murgun (monah) Gjerasim (Gerasim)… nga manastiri Hyjëlindësja e Tetovës (Bogorodica Htetovska). Ky shënim vërteton faktin se manastiri ka ekzistuar në fillim të sh. XIII. Më vonë, me siguri në përplasjet ndërkufitare, objekti sakral është shkatërruar, ndërsa pasuria kishtare është vjedhur nga “njerëzit e këqinj”. Nën qeverisjen serbe, manastiri është rindërtuar dhe me këtë është lejuar e drejta që ia kanë mundësuar autoritetet kishtare greke. Manastiri i rindërtuar gradualisht fitoi prestigjin që kishte dikur dhe, njëkohësisht e fitoi rangun e arkimandritisë (arhimandritija). Igumeni i tij në Këshill mbante vendin e dhjetë. Së shpejti, pas rimëkëmbjes, manastiri Hyjëlindësja e Tetovës (Bogorodica Htetovska), përmes “të dhënave”  bëhet pronë (metoh) e manastirit të Hilandarit. Kjo gjë ndodhi më 1348, në kohën kur në Pollog e më gjërë po pllakoste murtaja dhe kur u krijuan komplekse të mëdha të manastireve , si që ishte Hilandari dhe Arangjel (Shqip: Engjëllkraharti, S.E.) (Arhangell) të Prizrenit.

Prona e manastirit Hyjëlindësja e Tetovës (Bogorodica Htetovska), ka qenë formuar nga donacione të zotëruesit të Pollogut dhe individë tjerë, si dhe sipas procedurave të shitblerjes. Motivet e donacioneve kanë qenë, para së gjithash, për “varr dhe për shpirt”, madje edhe për “kujtim për mirëbërje”.

Manastiri ka zotëruar apo poseduar edhe “të ardhura për altar”, fshatra dhe vendbanime, shumë ara e livadhe dhe shumë objekte të ndryshme ekonomike. Ky, patjetër se ka patur edhe bagëti, pasi që i janë dhuruar edhe bjeshkë me kullota e zabele. Janë të njohura edhe emrat e fshatrave që i posedonte manastiri, edhe atë: Htetova, Hrashtani, Gari (me siguri: Gajra, S.E.), Mllaçica, Leskovjani, Shtençe, Krpena (Neproshteni i sotëm), Zhelina e Moçme (Staro Zhelino), madje një të katërtën e fshatit Sallarevë (Sedllarevo) dhe një të shtatën e fshatit Falishtë (Hvalishte), si dhe fshatin Brod.

Vazhdon…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok