SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË

0

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Dy fjalë

Në nderim të Ditës së Kujtesës së Holokaustit, mendojmë të ravijëzojmë sadopak ndihmesën e thjeshtë të shqiptarëve, dhe më ngushtë akoma të banorëve të qytetit të Vlorës, në mbrojtje të hebrenjve, që kanë kaluar një persekucion shembullor gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB: 1939-‘45), luftë, e cila u zhvillua midis dy blloqeve të mëdha: Fuqive të Boshtit dhe Aleatëve. Kontributi human i vlonjatëve, banorëve të një qyteti bregdetar jugperëndimor shqiptar u bë jetik për hebrenjtë, përshtatur në rrjedhat e shekujve për bashkëjetesë me vendasit. “Dora e ngrohtë” e vendasve ndihet besueshëm, sidomos kur rrjedha e kësaj lufte u përmbys dhe diktatori nazist Adolf Hitler (1889-1945), në timon të makinës luftarake të përkryer shfarosëse të kohës, shpeshtoi masakrat masive, të cilat arritën kulmin me holokaustin çifut. Nuk mund të shlyhet nga kujtesa e të mbijetuarve apo dhe e të moshuarve, që përjetuan keq përndjekjen në rritje të hebrenjve dhe politikat agresive të zgjerimit të socialistëve nacionalistë, 1938. Kalvari i rëndë i hequr nga çifutët në Europën naziste nga viti 1933 deri më 1945 nuk mund të quhet thjeshtë një damkë skllavërie; ai njihet me emrin famëkeq Holokaust dhe është njollë ekstremisht e turpshme e poshtërimit dhe mizorisë barbare; një vulë e zezë turpërie, ku dëshirat njerëzore të një individi të shkalluar, (është pak ta quash psikopat i shkallës së lartë), denigrojnë e degradojnë çdo cak të konceptueshëm nga truri ynë, saqë tejkalojnë edhe instiktet e kafshëve të egra. Holokausti zakonisht ndahet në dy faza, para dhe pas vitit 1941. Në periudhën e parë, u morën masa të ndryshme antisemite në Gjermani, e më pas në Austri. “Në Gjermani, sipas Ligjeve të Nurembergut (1935), çifutët i humbën të drejtat e shtetasit, të drejtën për të zënë funksione publike, për t’u martuar me gjermanë, ose për të përdorur shkollat publike”. Nga dokumente historike mësojmë se prona dhe veprimtaritë e tyre u regjistruan dhe në disa raste  u sekuestruan. Akte të vazhdueshme dhune u kurdisën kundër tyre, kurse propaganda zyrtare bënte thirrje për t’i urryer e për t’i frikësuar.

  1. Hebrenjtë dhe Holokausti

Sikundër pritej, përfundimi qe emigrimi masiv, dhe fillim i LDB e gjeti popullsinë çifute gjermane e austriake gjysmë milionëshe të përgjysmuar. Faza e dytë, që zë periudhën  e LDB nga viti 1941, u shtri në Europën e pushtuar nga nazistët dhe përfshinte punë të detyruar, vrasje masive dhe kampe përqëndrimi, këto të fundit bazë e “zgjidhjes përfundimtare” naziste (Entlósung) të të ashtuquajturit problem çifut me anë të shfarosjes masive në dhoma gazi. Etapat e fundit të zgjidhjes përfundimtare u vendosën në konferencën e nazistëve të mbajtur në Wannsee më 1942. Në këtë konferencë u hartuan plani i përçudshëm dhe grafiku i realizimit, që do të zbatohej nga Otto Adolf (Karl) Eichmann (1906-’62), një prej organizatorëve më të mëdhenj e më katilë të Holokaustit, që nga deportimi masiv i çifutëve në geto deri në asgjësimin e tyre aq makabër, ku viktimat ishin gazuar në kampet shfarosëse të vendeve të pushtuara nga nazistët në Evropën Lindore . Është e llahtarshme shprehja e këtij krimineli lufte, në fund të asaj kasaphane të përbotshme, tek thotë se do të: “kërcejë duke qeshur në varr, sepse ndjenja se kishte pesë milion njerëz në ndërgjegjen e tij do të ishte për të një burim i kënaqësisë së jashtëzakonshme”. Administratori gjerman ishte fajtor për zbatimin e vendimeve përfundimtare të Hitlerit dhe për administrimin e kampeve të përqëndrimit, ku humbën e u shuan çifutët, më kafshërisht sa as thuhet dot e as bëhet dot më keq. Është llogaritur që gjatë Holokaustit kanë vdekur 6 milionë çifutë. Edhe pse Eichmanni, administratori tiran gjerman, pas luftës vajti e u fsheh në Argjentinë, ai u dikua nga agjentët e Izraelit, u rrëmbye, u nxorr në gjyq dhe më pas u ekzekutua. Nga popullsia prej tre milionë çifutësh në Poloni, më 1945 kishin mbetur më pak se gjysmë milioni, ndërkohë që humbje të mëdha patën edhe Rumania, Hungaria dhe Lituania. Holokausti ka ngritur shumë probleme për natyrën e qytetërimit europian dhe ndikimin e krishterimit. (Shkrimet e kohës thonë se Kisha Katolike e dinte ç’po ngiste, por nuk e ngriti zërin e protestës). Duke e zbërthyer në kontekstin historiko-social, antisemitizmin që sipërpërmendëm, duhet ta kuptojmë si qëndrim armiqësor ndaj popullit çifut dhe diskriminimin  e tij. Në fund të shekulli XIX dhe në fillim të shekullit të XX ka qenë shumë veprues në Francë, Gjermani, Poloni, Rusi e gjetkë. për të shpëtuar nga përndjekjet ose pogromet në Europën Juglindore, shumë emigrantë çifutë u arratisën në Britani e SHBA. Pas Luftës së Parë Botërore propaganda e fillimit e nazistëve në Gjermani e nxiti antisemitizmin, duke i fajësuar çifutët për disfatën e vendit. Nga viti 1933 përndjekja e çifutëve  mori hov në të gjithë vendin. “Zgjidhja përfundimtare” që përpunoi Hitleri ishte Holokausti ose shfarosja e krejt racës çifute. Kampet e përqëndrimit u bënë shtëpia e fundit e hebrenjve të përndjekur deri kur u shpartallua nazizmi më 1945. Duke ardhur tëhu në kohë, mund të themi, se antisemitizmi ka qenë tipar i theksuar i shoqërisë  brenda ish Bashkimit Sovjetik, veçanërisht pas LDB. Për fat të keq, antisemitizmi mbetet problem ende në Europën Lindore dhe në republikat e dikurshme, ndonëse çifutët tashti lejohen të emigrojnë nga këto vende. Në fillim të viteve 1990 në Europën Perëndimore, veçanërisht në Francë e Gjermani, ka pasur një rritje të dhunës raciale nga grupet neonaziskine.

Duke u kthyer ngushtë në objekt, e gjykojmë të nevojshme, ndoshta s’është e tepërt të sqarojmë se shqiptarët nuk kanë sulmuar të tjerët asnjëherë, veçse kanë luftuar në territorin e tyre, në mbrojtje të trojeve, trashëguar nga të parët. Në territoret shqiptare kanë luftuar të tjerët dhe shqiptarëve u janë tkurrur kufijtë herë pas here. Kurse, për hebrenjtë dimë se janë njerëz që në fillim kanë qenë ngulur në Palestinën e lashtë, sipas legjendës që nga Koha e Bronzit (ndërmjet viteve 3500-3000 p.e.r), që më pas u shpërnda në vende të ndryshme të botës. Emërtimet hebre dhe çifut janë sinonimik, por cilësimi çifut shpesh herë përdoret në kuptim keqësues. Të gjithë kanë dijeni se Palestina është territor në Lindjen e Mesme në brigjet lindore të Detit Mesdhe që quhet edhe “Tokë e Shenjtë”, për arsye të lidhjeve me jadaizmin, krishterimin dhe islamin. Në kohët biblike Palestina përfshinte mbretëritë e Izraelit dhe të Judesë. Përmban disa vende të shenjta për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët. Të dhënat zyrtare tregojnë se hebrenjtë përbëjnë shumicën e grupeve etnike që popullojnë Izraelin, shtetin e sotëm, dalë nga përpjekjet zioniste për shtet çifut në Palestinë dhe nga Deklarata e Balfourit (1917), me të cilën Britania i jepte mbështetje kërkesës së çifutëve për të patur atdheun e tyre, sepse inicoi një migrim hebre të përmasave të mëdha në trojet historike palestineze, favor që mundësoi themelimin e shtetit izraelit në 1948.

  1. Hebrenjtë në Shqipëri

Shqiptarët janë një popull i vjetër, banorë vendës të Shqipërisë, që banojnë  në një vend të vogël në Europën Juglindore, në  brigjet e Adriatikut e Jonit të Gadishullit të Ballkanit, që kufizohet në veri dhe në lindje me Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë dhe me Greqinë në Jug. Izraeli është një vend i zhvilluar në Azinë jugperëndimore, në skajin lindor të Detit Mesdhe. Banohet nga popullsi çifute në masën 83 % dhe arabe (16.8%). Kufizohet në veri nga Libani, në lindje nga Siria e Jordania dhe në jug nga Egjipti.

Si grup, Hebrenjtë janë dukur në Shqipëri në v. 70 të e.r. Në Fterrë ka një varg toponimesh hebraike. Në Sarandë është zbuluar dhe një sinagogë (1971) dhe në njërën nga shtresat e një mozaiku gjendet edhe një fragment shandani hebraik, që i përket shek. V-VI të e.r. Në shek. XIII hasen Hebrenj edhe në Durrës. Në fund të shek. XV, kur shpërtheu inkuizicioni spanjoll e portugez, shumë Hebrenj erdhën në Shqipëri dhe u vendosën në Vlorë, Elbasan, Berat, Lezhë etj. Edhe bashkësitë hebraike në Shqipëri krijuan institucionet fetare e administrative-gjyqësore të vetat, të cilat rregullonin punët civile dhe fetare. Në qytetet jetonin në lagje të veçanta dhe gëzonin të drejtën e kultit. Në Vlorë dhe Elbasan edhe sot gjenden gjurmë të faltoreve dhe sinagogave të tyre. Në shek. XVII taksat e rënda osmane i detyruan të largoheshin, sidomos për në në Selanik. Një pjesë e Hebrenjve të Elbasanit qëndruan dhe u asimiluan. Në gjysmën e dytë të shek. XIX erdhi një grup tjetër Hebrenjsh nga Greqia e u vendos në Delvinë, Gjirokastër e sidomos në Vlorë. Ata u pasuan nga të tjerë të ardhur në vitet 1915, 1925 dhe 1935, të cilët u vendosën në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër etj. Në vitet 1933-’34, kur në Gjermaninë naziste filloi fushata anti-Semite, Komisariata i Lartë për Refugjatët i Lidhjes së Kombeve, si dhe një numër bashkësish hebraike në botë, i drejtuan sytë nga Shqipëria për të prurë këtu qindra familje Hebrenjsh. Por presioni i qeverisë italiane nuk lejoi qeverinë shqiptare që t’i pranonte në shumicë. Me intesifikimin e përndjekjeve naziste dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve 1938-’39 erdhën në Shqipëri rreth 200 Hebrenj nga Gjermania, Austria, Franca, Polonia, Hungaria etj. dhe u vendosën në Tiranë, Durrës, Korçë etj. Pas Konferencës së Vansees (Wansee) më 20 janar 1942, ku u vendos shfarosja e Hebrenjve në të gjithë vendet e pushtuara nga nazistët, në Shqipëri u lëshuan urdhëra të rrepta kundër Hebrenjve. U bë regjistrimi i përgjithshëm i tyre në prill 1939, i cili u pasua nga dy regjistrime të tjera më 1941 dhe 1943. Gjendje veçanërisht e rëndë u krijua për Hebrenjtë e Prishtinës që rrezikoheshin të binin në duart e nazistëve. U krijua një shqetësim i thellë në opinionin shoqëror shqiptar. Një pjesë e mirë e tyre me urdhëra shoqërimi të qeverisë shqiptare u sollën në Shqipëri. Kontigjenti i parë prej 100 vetash u vendos në Berat më 5 prill 1942, kontigjenti i dytë prej 79 vetash u vendos në Fushë-Prezë dhe kontigjenti i tretë prej 69 vetash u vendos në Krujë, Shijak, Kavajë dhe Burrel. Shumë të tjerë erdhën ilegalisht dhe me dokumente false. Deri në verën e vitit 1943, numri i tyre në Shqipëri arriti në mbi 1000 veta. Gjatë pushtimit ushtarak gjerman populli shqiptar i strehoi dhe i mbrojti Hebrenjtë nga përndjekjet shfarosëse të nazistëve. “Shqipëria ishte i vetmi vend në Europën e pushtuar, – shkruhet në botimet enciklopedike shqiptare – ku Hebrenjtë nuk u dorëzuan dhe nuk u shfarosën. Shteti i Izraelit e ka vlerësuar këtë veprim human dhe e ka vendosur Shqipërinë në krye të listës në murin memorial në Yad Washem, po ashtu në Mazuzoleun e ngritur në SHBA. Hebrenjtë e ardhur gjatë luftës, menjëherë pas çlirimit u kthyen në vendbanimet e tyre të mëparshme, kurse pjesa tjetër, me kërkesën e tyre dhe të shtetit të Izraelit, u larguan më 1991, duke marrë me vete edhe ndjenjat e miqësisë dhe të vëllazërimit”.

Sipas dokumenteve zyrtare të kohës, dëshmitarëve okularë, vendas dhe hebrenj, sipas të gjitha burimeve të mundshme të informacionit të derisotëm, jo vetëm të gjithë studiuesit, por të gjithë banorët e vjetër të qyteteve, ku të rrezikuarit për shfarosje nga hitlerianët gjetën stregëzën e ngrohtë, pohojnë të njëjtën gjë: Shqipëria ishte një arkë shpëtimi për hebrenjtë e përndjekur. Gjurmët e provave ekzistojnë në qytetet dhe fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit apo dhe Gjirokastrës etj.

Me qindra u larguan nga Europa në drejtim të Shqipërisë dhe rajoneve shqiptare, sepse ata e dinin se atje nuk do të persekutoheshin as nga njerëzit dhe as nga qeveria. Kanë kaluar rreth 80 vjet që nga koha kur L.II. B. përfundoi dhe studimi i Holokaustit po kthehet gjithnjë e më shumë në një disiplinë shkencore të mirëfilltë edhe në Shqipëri. Është bërë e njohur ndërkombëtarisht tashmë se numri i hebrenjve që gjetën shpëtim në Shqipëri shkon më shumë se 2.270.

Sipas disa përllogaritjeve, shifra e qartësuar me shtesat prej “pjesës së fshehtë”, që nuk gjendet në listat emërore, duhet ta çojë numrin e hebrenjve të shpëtuar deri në 3.240. Ndërmjet viteve 1933 dhe 1944, Shqipëria në juglindje të Evropës shpëtoi jo vetëm hebrenjtë e vet, por edhe çdo hebre që mund të arrinte në kufijtë e saj. Ata nuk u dëbuan dhe as nuk u dorëzuan. Hebrenjtë nuk u grabitën dhe askush nuk e mori pasurinë e tyre. As edhe një ligj zyrtar nuk i shqetësoi ata. Studimi dhe kërkimi i listave të tjera të hebrenjve të shpëtuar vazhdon ende.

Kush i shpëtoi hebrenjtë? Dilemat mes kodit etnozakonor shqiptar dhe vullnetit për të shpëtuar ‘tjetrin’ në rrezik

Gjatë dy dekadave të fundit, opinioni publik dhe ai shkencor ka treguar një interesim të shtuar për këtë pjesë historie. Por së bashku me trajtimet shkencore, pati edhe qasje neoekzotike lidhur me kultin e Besës apo ndryshe Kodin e Nderit. Studiuesi dhe etnologu Nebi Bardhoshi, mendon se ka dy grupe studiuesish kur argumenton mbi këtë çështje. Një grup, i cili mendon se shqiptarët janë pragmatistë dhe pragmatizmi sipas tij ka nuanca të ndryshme. Në këtë kontekst shqiptarët mund të quhen si njerëz pa ideale, si njerëz të veprimit dhe jo të ideve, si jo besimtar dhe mbi të gjitha materialistë. Në krahun tjetër, qëndron një grup studiuesish, të cilët ndërtojnë një tjetër profil të sjelljes së shqiptarëve lidhur me Kodin e Nderit. I përkrahur kryesisht nga filo-shqiptarë ky lloj profili, e paraqet njeriun shqiptar para së gjithash me një mori vlerash humane me burim tradicional.

Prej këtu, pranohet se ata kanë disa zakone jo të mira, por dominohen prej një sjellje me akte vlerore. Pjesë e kësaj “kozmologjie albanologjike”, sipas antropologut të Kanunit prof. Nebi Bardhoshi është ideja e mikpritjes dhe e Besës, e Nderit dhe kuptimit të jetës. Kodi, në të cilin besohet se vjen statusi më origjinal i Besës dhe i mikpritjes është atje ku vepron e drejta zakonore. Veç autorëve vendas, këtij shpjegimi i përmbahet edhe studiuesi hebreo-amerikan Harvey Sarner si dhe Muzeu i Historisë së Holokaustit në Yad Vashem, i cili shqyrton rastet dhe bën shpalljen zyrtare të fisnikëve johebrenj. Në të njëjtën mënyrë është organizuar edhe ekspozita e fotografit hebre Norman Gershman “Besa: Kodi i Nderit – Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”, një ekspozitë që ka qarkulluar deri tani, gati në një të tretën e botës. Si pjesë themelore e Kanunit, ky Kod është shumë i vjetër në mesin e shoqërisë shqiptare. Bazuar aty, shtëpia e shqiptarit është shtëpia e Zotit dhe e mikut në çdo orë të ditës dhe të natës. Për fatin e mirë të refugjatëve hebrenj që kërkonin strehim në mesin e shqiptarëve – “mysafiri” i porsardhur në vend do të ishte një mik po aq i mirëpritur edhe në shtëpinë e tij. Kodi i Besës, sipas disa studiuesve të huaj ndikoi te shqiptarët e feve të ndryshme për t’u siguruar hebrenjve të rrezikuar, strehë të fshehtë gjatë atyre viteve të vështira të terrorit nazist. Në veprën e tij “Shpëtimi në Shqipëri”, filantropi Sarner shkruan se në Kanun nuk ekziston koncepti modern i perëndimit për “të huajin”, ndërsa flitet për një koncept tjetër, ai i “mysafirit”. Prandaj, gjatë L.II.B. në Shqipëri nuk kishte hebrenj “të huaj”, por vetëm hebrenj “mysafirë“, që duhej të strehoheshin dhe të mbroheshin edhe duke rrezikuar jetën. Ai pohon se 100 % e hebrenjve në Shqipëri  kanë shpëtuar nga Holokausti dhe e rrëfen si Histori të patreguar të Fisnikëve Shqipëtarë, të cilët i shpëtuan hebrejtë nga Holokausti, nga ai Holokaust i mallkuar që shpiku kryeçmëndaku i botës Hitleri për të zhdukur disa popuj nga faqja e dheut, si hebrenjtë, romët dhe sllavët që sipas tij nuk i përkisnin racës së parë ariane. Edhe para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore Shqipëria ishte nje parajsë për hebrejtë të cilët përpiqeshin të shpëtonin nga kthetrat e nazistëve. Janë me mijëra ata që mundën të merrnin visa për të kaluar nëpër Shqipëri, ose edhe për të qëndruar, sipas dëshires. Hebrejtë gjendeshin në Shqipëri që në fillim të erës së re, duke u shtuar në prurjet më të mëdha në shekullin XIX. Kur nazistët i kërkuan listat e hebrejve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi t’i dorëzonte ato. Si përgjigje ndaj kësaj, populli shqiptar, musliman apo kristian pa dallim, iu dha strehe, bukë e mbrojtje dhe bëri që asnjë prej tyre të mos bëhej prè e Holokaustit. Deri vonë, Shqipëria, vendi i mbyllur i Ballkanit ndoqi një politikë izoluese, kështu që askush nuk mundi t’i bënte të njohura veprimet e fisnikëve shqiptarë. Në vitin 1991, shumica e bashkësisë hebreje u vendos në Izrael. Ata sollën me vete dokumente të cilat tregonin se si shqiptarët i kishin shpëtuar duke rrezikuar veten e tyre e që pikërisht ky akt i madh unik, njerëzor duhej të gëzonte nderin që i takonte, sepse kështu po shkruhej një histori e kulluar e humanizmit midis dy popujve.

Eksperienca historike dëshmon një bashkëjetesë pa komplekse dhe të zhveshur nga superioriteti apo inferioriteti mes shqiptarëve dhe hebrenjve për më shumë se 2000 vjet. Lehtësirat që gjetën në shtetin shqiptar hebrenjtë nxitën lëvizje të dukshme të hebrenjve të këtij vendi. Shumica e studiuesve të huaj janë të mendimit se hebrenjtë në Shqipëri kishin gjithë autoritetin zyrtar të mbrojtjes veç traditës zakonore që tek shqiptarët e gjen edhe sot, traditën e mikpritjes. Kodi i mikpritjes ka bërë të vetën, ai ishte shfaqur dukshëm. Shqiptarët e kanë konsideruar si detyrë që të mbrojnë dhe të fshehin hebrenjtë që i ikin persekutimeve, në një kohë kur kombe të mëdha europiane i largonin.

Që një i huaj të entuziazmohet prej kulteve shqiptare tradicionale, kjo nuk përbën më ndonjë çudi, por shqiptarëve u takon të jenë më realistë. Është e vërtetë dhe lehtësisht e faktueshme se ka një lloj konvergjence në sjelljen e shqiptarëve ndaj hebrenjve. Ata janë ndihmuar si prej myslimanëve ashtu dhe nga të krishterët; si prej antifashistëve ashtu edhe prej profashistëve; si prej partizanëve ashtu dhe prej ballistëve; si prej të pasurve ashtu dhe prej të varfërve; si prej popullit ashtu dhe prej autoriteteve qeverisëse. Pa nënçmuar aspak virtytet e larta tradicionale të popullit shqiptar, argumentimi i çështjes duke u bazuar vetëm mbi të drejtën etnozakonore është i pamjaftueshëm.

  1. Hebrenjtë dhe shqiptarët në rrjedhë të shekujve sipas albanologut Shaban Sinani

Studiuesi i njohur Shaban Sinani, autor i disa librave në lidhje me hebrenjtë në Shqipëri, të botuar midis tyre në shqip (“Hebrenjtë në Shqipëri, prania dhe shpëtimi”, 2009) dhe anglisht (Albanian and Jeës), mbas një pune shumë vjeçare, vjen me botimin e plotë, i katërti i derisotëm “Shqiptarët dhe Hebrenjtë: mbrojta dhe shpëtimi” (bot.1 – 2014, bot. 2 – 2017)”, por ndoshta jo shterues për autorin mbi këtë çështje sa humane aq të diskutuar.

3.1. Lidhjet historike-kulturore shqiptaro-hebraike
Në vitet 1930 kanë ekzistuar projekte ndërkombëtare për krijimin e një etniteti hebraik në Shqipëri dhe qeveria mbretërore i është përgjigjur pozitivisht këtij vullneti. Hebrenjtë hynë në Shqipëri me dokumente të ligjshme dhe me identitet të fshehur. Në Shqipëri nuk u miratuan kurrë ligje antihebraike dhe nuk ka pasur kampe përqendrimi për hebrenjtë. Shqipëria dhe shqiptarët shpëtuan jo 200 hebrenj vendës, por afro 15 – fishin e tyre, të ardhur nga Europa Qendrore dhe Ballkani. Një listë prej 2265 emrash të hebrenjve të ardhur në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet qysh prej muajit gusht të vitit 2005 në Memorial Museum of Holocaust. Në periudhën naziste qeveria dhe Regjenca e quajtën “çështje të brendshme” dhe pjesë të “pavarësisë relative” mbrojtjen e hebrenjve dhe nuk i dorëzuan listat e tyre (shtator 1943, prill 1944, qershor 1944). Rajhu u tërhoq përballë refuzimit të Tiranës. Pati një konvergjencë tërësore të të gjithë krahëve dhe orientimeve: antifashistë dhe profashistë; laikë e klerikë; muslimanë e të krishterë; komunistë e nacionalistë; në veri e jug për të mos lejuar prekjen e hebrenjve të strehuar në Shqipëri. Divizioni SS “Skanderbeg” i krijuar në Kosovë nuk ka marrë pjesë në ushtrimin e holokaustit. Në listën prej 801 personash të shoqëruar prej këtij divizioni në gusht 1944 drejt kampit të Saimište-s, i vetmi kamp shfarosjeje në Ballkan, vetëm 35 janë hebrenj dhe nuk është vërtetuar se këta i janë nënshtruar zhdukjes përfundimtare. Qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë ka qenë i njëjtë.

Ndryshe nga shpjegimet e dhëna deri vonë, të motivuara kryesisht nga pozicione romantike, që mbështeten vetëm në atë që është quajtur virtyti shqiptar [besa, nderi, ndorja, kulti i mikut etj.]; që janë shoqëruar dhe me shtrembërime prej frikës për të thënë të vërtetën për qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, autori, akad. Shaban Sinani ka arritur të realizojë një vepër të plotë shkencore, ku çështja kthehet nga rrëfenjë në faktologji, dhe kjo është merita kryesore për të cilën mund të çmohet.

Në librin “Shqiptarët dhe hebrenjtë: mbrojtja dhe shpëtimi” autori ka përfshirë dhjetëra ilustrime të argumenteve me dokumente origjinale, foto e dëshmi, si dhe qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Burimet që janë shtuar janë nga arkivat e ish-Jugosllavisë, nga arkivat italiane e gjermane, nga arkivat amerikane, nga arkivat e institucioneve të specializuara si banka të kujtesës së dokumentuar.
Autori ka një meritë të veçantë sidomos për zbardhjen e plotë të fatit të hebrenjve të Kosovës. Për ta, deri vonë, ishte formuluar akuza se ishin dorëzuar tek nazistët nga shqiptarët e mobilizuar nga Gestapo. Në kapitujt 8 dhe 9, nën titujt përkatës “Divizioni SS Skanderbeg dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste” dhe “Ku u zhdukën hebrenjtë e Kosovës” autori zbardh enigmën e sjelljes gjoja të dyfishtë të shqiptarëve ndaj hebrenjve. Duke dashur ta izolojnë meritën e mbrojtjes së hebrenjve vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë shtetërore, edhe sot botohen studime për një qendrim ndryshe të shqiptarëve në Kosovë dhe për një fat ndryshe të hebrenjve atje. Sipas studiuesit Shaban Sinani, një rol vendimtar në sjelljen historike të shqiptarëve ndaj hebrenjve ka luajtur etnotipi i tyre, i shpjeguar ky jo vetëm me tolerancën e mirënjohur ndërfetare të shqiptarëve, por dhe me sjelljen e tyre mbrojtëse ndaj të huajve, sidomos në kohë rreziku. Dhe kjo shpjegon dhe qëndrimin e njësojtë të tyre ndaj hebrenjve.

Albanologu Shaban Sinani, në këtë libër me 11 kre, shtjellon hollësisht lidhjet historike-kulturore shqiptaro-hebraike që nisin dy mijë vjet më parë, ndoshta dhe më shumë. Studiuesit e albanologjisë, që rregullisht u janë drejtuar dy kulturave të lashtësisë: qytetërimit helen dhe atij romak, për të provuar se kemi qenë këtu që nga antikiteti, të njëjtën gjë mund ta kishin bërë me kulturën hebraike, e pranishme në dëshmitë historike, në epikën legjendare, në toponomastikë dhe në forma të tjera.

Sipas Profesorit “Gjatë dymijë vjetëve, ardhjet më të mëdha të hebrenjve në hapësirën shqiptare dëshmohen në kohërat kur ata kanë qenë më të rrezikuar.

  1. Hebrenjtë romaniotë, siç dëshmon Flavius Joseph, autor i veprës De Juadica Bellum, janë më të hershmit, qysh në shek. I. Ata u vendosën në viset jugore proto-shqiptare. Në Sarandë hebrenjtë kishin sinagogën e tyre qysh në shek. V në të njëjtën ndërtesë me bazilikën e të krishterëve. Kjo prani dëshmohet edhe në arkeo-toponimi.
  2. Hebrenjtë sefardë apo sefardikë u vendosën në Arbanon pas inkuizicionit në Spanjë e Portugali. Sipas disa studiuesve, si Alain Ducellier e Bogumil Hrabak, në shekullin XV në Vlorë popullsia hebreje ishte popullsi shumicë.
  3. Hebrenjtë sabethazevistë u vendosën në Shqipëri pas vitit 1666, kur kryengritja mesianike e udhëhequr nga Sabetha Zevi dështoi.
  4. Hebrenjtë ashkënazi janë grupimi i fundmë i hebrenjve që u vendosën në Shqipëri, pas shpalljes së doktrinës final solution.

Me përjashtim të hebrenjve sefardë, që ishin më shumë, secili prej grupimeve të tjera të hebrenjve ka pasur afërsisht 3 mijë persona.

Një pjesë më e madhe e hebrenjve të ardhur janë ungjillizuar. Një pjesë janë konvertuar si maranos, një pjesë në rendin dönme të bektashinjve”.

Në tekst ai paraqet faktet sesi në vitin 1931 qeveria mbretërore e Shqipërisë urdhëroi regjistrimin e plotë të popullsisë. Me këtë rast hebrenjve iu njoh e drejta e komunitetit. Siç vërejnë Giovanni Cimbalo e Berndt Fischer, ky ka qenë një akt i rrallë në Europën e asaj kohe, të pushtuar nga antisemitizmi.

Në kohën kur antisemitizmi në Europë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontintent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë asaj kohe të errët.

E drejta e komunitetit inkurajoi ambasadorin amerikan në Tiranë Herman Bernstein, një figurë qendrore e lëvizjes sioniste botërore (bashkë me A. Einsten-in dhe Ben Gurion-in), që të niste menjëherë negociatat me ambasadorin shqiptar në SHBA Faik Konica për të arritur një marrëveshje ndërshtetërore shqiptaro-amerikane për pranimin në Shqipëri të 500 familjeve hebreje. H. Bernstein e vizitoi kuadrat për kuadrat, me hartë në dorë, gjithë territorin e pabanuar të Shqipërisë bregdetare, që nga Buna deri në Vjosë, me qëllim që instalimi i familjeve hebreje të realizohej pa cenuar asnjë interes individi, asnjë pronë private, pa shkaktuar asnjë provokim.

Misionarë të Kongresit Botëror të Hebrenjve, të Komisariatit të Lartë të Refugjatëve dhe të Lëvizjes Sioniste negociuan intensivisht me qeverinë mbretërore gjatë viteve 1933-1935, duke vijuar të njëjtin projekt të ambasadorit Bernstein. Në vitin 1935 Tiranën e vizitoi misionari i mandatuar Leo Elton, i cili pati bisedime me dy ministra, të ekonomisë dhe të oborrit mbretëror, dhe me ta arriti marrëveshjen që Shqipëria të pranonte masivisht hebrenjtë e rrezikuar dhe ata të vendoseshin në territore të lira, në formën e ngulimeve, të ngjashme me kibutz-et e sotme. Raporti i misionarit Leo Elton iu dorëzua Rektorit të parë të Hebreë University prof. Judah Leib dhjetë vjet më vonë, ku ruhet edhe sot pjesërisht i sekretuar. Ato pak fakte që kanë dalë nga ky raport prej rreth 50 fletësh bëjnë të njohura të njëjtat të dhëna që përmbajnë burimet e arkivave shqiptare. Siç ka shkruar para disa vjetësh Nir Hasson në të përditshmen Haaretz, në këto dokumente Shqipëria cilësohet atdhe i dytë dhe atdhe rezervë i hebrenjve. Ndërsa një pjesë e shtypit europian të asaj kohe shkroi me panik se Shqipëria po izraelitizohej.

Pikërisht kjo është koha kur për herë të parë Italia fqinje, e cila, me një vendim të posaçëm të Konferencës së Ambasadorëve (1921), kishte fituar paketën e privilegjeve mbi Shqipërinë, filloi të alarmohej. Një informator i posaçëm iu shtua në personelit të Ambasadës së Italisë në Tiranë, për të raportuar vetëm për hyrjen e hebrenjve. Në një prej teksteve të shifruar të informatorit (1936) thuhet: Pa dashur të shkaktoj alarm tek ju (në Farnesina), duhet t’ju them se simpatia shqiptare për ne shumë shpejt do të mbarojë dhe vendin tonë do ta zënë hebrenjtë. I njëjti informator, në një radiogram tjetër të mëpasmë, shkruan: Sot, si çdo ditë, shkova në kafe “Kursal” në kërkim të të rejave për hebrenjtë. Por, sa isha ulur në tryezë, brenda hyri një hebreje polake aq e bukur, sa u shastisa fare dhe s’kam fare çfarë të raportoj. Ardhja e hebrenjve në Shqipëri u lehtësua edhe nga marrëveshja midis qeverisë austriake dhe asaj të Tiranës për heqjen reciproke të vizave (1931).

Në vitin 1932 në Shqipëri kishte 200 hebrenj rezidentë të vetëdeklaruar. Deri në prag të luftës numri i hebrenjve të ardhur ishte gati 1000. Pati presione nga Roma për të përshtatur ligjet anti-semite që ishin miratuar në Itali dhe Gjermani, por jo me ton urdhërues. Dy aktet më restriktuese për hyrjen e hebrenjve në Shqipëri janë të muajve shkurt dhe mars 1939. Janë dy vendime të qeverisë për ta kushtëzuar hyrjen e hebrenjve me deklarimin se kanë 250 franga dhe në vendimin e dytë – 500 franga pasuri me vete.

Politika italiane edhe gjatë luftës iu përshtat realitetit shqiptar. Në vitin 1942, në shërbimin e xhenios në Durrës, që e komandonte pikërisht një prej presidentëve të ardhshëm të Italisë republikane, Carlo Aseglio Ciampi, në atë kohë i mobilizuar ushtarakisht në luftë, kishte së paku 20 hebrenj të punësuar. Slogani i mëkëmbësisë fashiste për hebrenjtë në Shqipëri ishte: “Sorvegliare, non toccare, non punire”.

Gjatë viteve 1939-1943 në brendësi të Shqipërisë së vjetër shtetërore kanë hyrë afro 2000 hebrenj. Grupet më të mëdha janë tre: 94 familje dhe 87 individë nga Kosova (1942); 182 hebrenj nga Mali i Zi (1942) dhe 350 nga Dalmacia (1942). Për paradoks, hebrenjtë e Dalmacisë edhe sot konsiderohen të zhdukur. Por ruhen listat e pranimit të tyre në Durrës dhe pastaj të shpërndarjes nëpër vendbanime të sigurta. Në listat e hartuara prej nesh afro dy dekada më parë, gjatë periudhës fashiste janë shenjuar 3265 emra hebrenjsh. Tashmë kjo listë është pasuruar dhe në të gjenden 3750 emra. Asnjë prej tyre nuk është deportuar, kallëzuar apo dorëzuar. Më pas nuk ka pasur më listime. Në Shqipërinë e viteve të luftës, së cilës i ishin bashkuar edhe tokat e lirueme, s’ka pasur as kampe pune, as kampe përqendrimi, as kampe shfarosjeje. Ka pasur vetëm kampe tranzitimi. Hebrenjtë e ardhur regjistroheshin, sistemoheshin në ndërtesa shtetërore të përshtatura si rezidenca të përkohshme (klinika, posta, nënprefektura etj.) dhe pastaj zhvendoseshin në hinterland, larg rrezikut. Gjatë këtyre viteve, hebrenjtë që qendronin përkohësisht në kampe.

Në shtator të vitit 1943, kur ish-ambasadori i Reich-ut në Beograd Herman Neubacher, që mbulonte edhe Shqipërinë, në bisedimet me katër përfaqësuesit e bashkësive fetare për të pranuar formulën pavarësi relative kundrejt neutralitetit relative, lejoi çdo diskutim, me përjashtim të tre kushte të panegociueshme: 1. dorëzimin e listave të hebrenjve; 2. dorëzimin e arit monetar që ruhej në Romë dhe 3. dorëzimin e dy ungjijve të shenjtë (dy kodikët e Beratit). Katër negociatorët refuzuan kategorikisht fillimin e bisedimeve nëse do të mbetej kusht dorëzimi i listave të hebrenjve (dhe listat e të gjithë të huajve që gjendeshin ndërkaq brenda në Shqipëri), sepse u konsideruan të domestikuar e të hospitalizuar tashmë. Katër negociatorët po atë ditë pranuan dorëzimin e floririt dhe heshtën për dy kodikët (por fshehurazi njoftuan mitropolinë e Beratit për rrezikun). Listat u kërkuan edhe dy herë të tjera: në prill 1944 dhe në qershor 1944 (Pinkas Hakehillot). Më pas qendrimi i Reich-ut ka qenë: Me shqiptarët nuk merremi vesh dot në këtë pikë, prandaj kjo çështje të mos hapet më.

Në tetor të vitit 1943, në takimin midis përfaqësuesve të lartë të Gestapo-s Mueller dhe atij të ministrisë së punëve të jashtme Thaden zhvilluar në Berlin, u vendos që për të gjitha vendet që sapo kishin hyrë nën kontrollin e Reich-ut, pas kapitullimit të Romës, të zbatohej formula final solution. Rasti i Shqipërisë u trajtua më vete. Në procesverbal thuhet: “Autoritetet e Shqipërisë kanë një ndjeshmëri shumë të lartë ndaj kësaj çështjeje. Ata konsiderojnë se pavarësia relative që u kemi njohur është demagogjike nëse preken hebrenjtë dhe të huajt që gjenden në shtetin e tyre, që ata e kuptojnë “nën mbrojtjen e tyre”. Duke qenë se ata e quajnë këtë një çështje të brendshme, hë për hë të mos ndërmerret asnjë veprim. Dhe, nëse do të parashihet një ndryshim qendrimi, asnjëherë nuk do të veprohet pa njoftuar dhe pa marrë pëlqimin e autoriteteve shqiptare. Në periudhën naziste në Shqipëri për hebrenjtë kishte names, no numbers: qysh më herët të gjithë hebrenjtë ishin të listuar dhe këto lista i kishin në duar qeverisësit. Populli kishte mundësi t’u jepte hebrenjve bukë e punë, plis e qeleshe dhe kostum popullor, një emër shqiptar dhe një lidhje të shpikur farefisnie, por listat nuk ishin në duart e popullit.

Një prej pikëpyetjeve më problematike për rolin e shqiptarëve gjatë Holokaustit lidhet me fatin e hebrenjve në Kosovë. Pyetja dyshimtare, e shtruar edhe nga studiues seriozë (Kosta Savich), është nëse ka pasur dy qëndrime të ndryshme shqiptare ndaj hebrenjve. Siç thuhet në Talmud, kush shpëton një jetë ka shpëtuar një botë, që ka të njëjtin kuptim me thënien kush çon në rrezik një jetë çon në rrezik një botë.

Në pranverë të vitit 1942, mbështetur në statutin special të Mitrovicës, që i lejonte ushtrisë naziste hyrjen pa autorizim në ato hapësira që quheshin territori liberi (tokat e lirueme) të Kosovës, një ekspeditë e trupave speciale të Reich-ut mori detyrë të arrestonte të gjithë burrat hebrenj që jetonin në Prishtinë. Drejtori i spitalit të këtij qyteti mjeku Spiro Lito bëri marrëveshje me të sëmurët shqiptarë të shtruar për shkaqe lëngimesh të rënda që ata të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe të lironin shtretërit, ku u strehuan si të sëmurë burrat hebrenj të Kosovës. Për të penguar hyrjen në spital për kontroll, drejtori vendosi shpallje kudo nëpër qytet se popullata duhej të ruhej prej epidemive të rrezikshme infektive. Asnjë nga shqiptarët që u kthyen në shtëpitë e tyre për të bërë të mundur fshehjen e hebrenjve nuk dekonspiroi!

Nuk ka pasur ndonjë dallim në qëndrim ndaj hebrenjve midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve. Monsinjor Vinçens Prennushi ishte një prej klerikëve që ungjillizoi grupe hebrenjsh pa katekizëm dhe pa kurrfarë praktike kishtare, vetëm për t’u dhënë identitet të krishterësh. Kodi i nderit kanunor, besa dhe mikpritja tradicionale malësore shqiptare, ishin faktorët që i shpëtuan hebrenjtë në Shqipëri. Pa dyshim që ishin ndër shumë faktorë të tjerë, por jo përjashtimorë. Mbrojtja dhe shpëtimi i hebrenjve është një virtyt i pandashëm. Proverbial është rasti i arrestimit të katër hebrenjve nga Shkodra. Ekziston një letërkëmbim midis qeverisë bashkëpunuese shqiptare dhe komandës naziste, në të cilën kërkohet lirimi i tyre, meqë qeveria e ka paguar tashmë kushtin e komandës prej 1500 napolonash flori për secilin.

Vlen të theksojmë edhe një fakt shumë domethënës që përmend Profesori: 16 hebrenjtë që kanë rënë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë, që meritojnë memorial, ndër të cilat infermierja hebre Berta Ruben Zenuni, e cila ra dëshmore për lirinë e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Statusi “Dëshmorit i Atdheut” u është njohur 16 hebrenjve, por ata mund të jenë më shumë. Sinani thotë se rënia e tyre si dëshmorë për atdhe, duhet të studiuar më thellë nga historianët. 200 hebrenj ishin rezidentë, por Shqipëria shpëtoi plot 3750 hebrenj të ardhur nga rajonet më të rrezikuar të Evropës. Ky fakt tashmë studiohet në kurrikulat e shkollave të mesme të Izraelit, por kjo ende nuk ka ndodhur në sistemin tonë të mësimdhënies.  Historia e mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore mendojmë se vlen të do të mësohet përmes vendit tonë.

3.2. Vlerësime për këtë vepër humane dhe shkencore

Vuajtjet e sakrificat e hebrenjeve për të krijuar shtetin e tyre janë të njohura e të dokumentuara e po ashtu janë të njohur e të dokumentuara edhe sakrificat që kanë bërë shqiptarët për të ekzistuar, për mos u zhdukur dhe për të qenë të pavarur. Ajo që i bashkon hebrenjtë dhe shqiptarët është dashuria për vendin dhe gaditshmëria për sakrificë ndaj idealeve për atdhedashuri. Historia e shqiptarëve në Ballkan nuk është vetëm gjeneza e fillimit të gjitha besimeve për herë të parë në këtë Rajon e jo vetëm, por edhe porta e takimeve të mëdha të civilzimeve të Mesdheut, që padyshim mbeten gjeneza e civilizimeve më të rëndësishme botërore që njohim e pranojmë sot. Të gjitha këto informacione dhe mjaft të tjera të dobishme i marrim nëpërmjet studimit të këtij punimi shkencor të autorit, që ndërkohë gëzon statusin “Personel Akademik i ftuar” i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.

Për punën shkencërisht dhe bujarisht madhore të akad. Shaban Sinanit mbi Shqiptarët dhe Hebrenjtë, kanë bërë vlerësime shumë  studiues  shqiptarë e të huaj dhe figura të njohura, nga të cilët po shkëpusim Çfarë shprehin dy personalitete:

“Puna juaj e thellë kërkimore dhe njohuritë e gjera rreth ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në lidhje me hebrenjtë në Shqipëri e në trevat, janë të një cilësie unike dhe një pasuri për kujtesën kolektive dhe historinë e asaj periudhe të errët në Europë. Ne e njohim dhe vlerësojmë lart ndihmesën tuaj. Iniciativa juaj u bë faktori kryesor për njohjen e publikut me faktet historike. Në emër të qeverisë dhe të popullit të Izraelit ju falënderoj për përpjekjet tuaja, për kohën e investuar dhe për përkushtimin ndaj çështjes më të rëndësishme në historinë tonë.”

Amira Arnon, ambasadore e Izraelit (2008)

“Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e Holokaustit nuk është i njohur aq sa meriton. Është diçka me të cilën të gjithë shqiptarët mund të krenohen. Shqipëria mund të bëjë gjithmonë më shumë për t’i treguar botës historinë e vet të shkëlqyer për të parandaluar persekutimin e hebrenjve në tokën e saj. Disa shqiptarë janë duke bërë pikërisht këtë. Për shembull, profesor Shaban Sinani. Punimet e tij të shumta dokumentojnë që, edhe në vitet më të errëta të Holokaustit, në Shqipëri ndodhi një bashkim i të gjitha kaheve politike dhe besimeve fetare – antifashiste dhe profashistë, komunistë dhe nacionalistë, myslimanë dhe të krishterë, besimtarë dhe jobesimtarë – për t’u siguruar që asnjë hebreu të strehuar në Shqipëri nuk do t’i hynte gjemb në këmbë.”

John L. Withers ll, ambasador i SHBA në Shqipëri (2010)

  1. Vlora dhe hebrenjtë e “saj”

Meqenëse kemi patur mundësinë e njohjes së disa familjeve vlonjate, që ndihmuan hebrejtë gjatë asaj lufte të pashembullt gjakatare, po sjellim në këtë konferencë të nderuar shkencore të përmasave ndërkombëtare (7-th International Conference) fragmente grimcëzash humane nga historia e këtyre njerëzve. Ndoshta shprehemi sadopak mbi kontributin e Shqipërisë europiane në funksion të lirisë, me krahët e përmasave humane universale.

Në Shqipëri e dinë që Vlora është një nga ato qytete, ku Hebrenjtë gjetën përkrahje e strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB). Në Vlorë, prej shekujsh ka jetuar një komunitet i konsoliduar hebrejsh, ndërsa gjatë LDB, asnjë prej tyre nuk u dorëzua tek nazistët e Hitlerit, pasi qytetarët vlonjatë u kujdesën për ta,e siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “i fshehu nën gjuhë”, që të mos i kapte armiku. Për t’u futur sadopak në situatë të lëndës që po trajtojmë mund të shprehemi, se gjatë pushtimit të Granadës, Ferdinandi i Napolit përzuri nga territoret e reja, nga Kastilja, hebrejtë sefaradi, të cilët emigruan drejt Ballkanit. Në këtë periudhë, ose më saktësisht në vitin 1526, Vlora u shndërrua në një destinacion kryesor për hebrenjtë sefaradi. Nga 5000 banorë që kishte qyteti në atë kohë, 3600 ishin hebrej dhe për këtë arsye, Vlora është përfshirë në Enciklopedinë Hebreje, mes 13 qyteteve të tjera botërore. Ka një cilësim biblik dhe kuranor për popullin izraelit, që ne e shikojmë në kufijtë e legjendës. Në rrafshin e përafërsive gjeografike e antropologjike, çifutët i përkasin të asaj popullate e rrace të emërtuar arabike. Për ata ende qarkullon legjenda e “popullit të mallkuar”, që, gjithsesi, antropologjikisht nuk qëndron, sepse nuk mund të themi “popull i keq” apo “popull i mirë”, por, “njeri i keq” ose “njeri i mirë”.  Ana tjetër që na shtyn të thellohemi në këtë punim, është se përse Hitleri realizoi atë platformë famëkeqe ndaj një popullate nga më emigrantet në botë, pothuaj përherë në lëvizje, ndaj të cilëve qarkullon opinion si të ditur, të pasur e të djallëzuar.

Interesantë janë faktet që vijnë mbi praninë  e vazhdueshme të hebrenjve në qytetin e Vlorës, një nyjë nevralgjike e këtyre shtegtimeve sa me të drejtë besohet “se në një shesh të vogël në rrugën Ceno Sharra kishte pas qenë një sinagogë” e pajisur me Libra të Shenjtë të shkruar në hebraisht, madje në një burim shënohet, se “Bashkësia hebraike e Janinës, që tani zyrtarisht i përket Greqisë, pjesë e Shqipërisë, ka një Sefer Tora shumë të vjetër që i përket sinagogës së Vlorës, rreth 500 vjet më parë…”, gjë të cilën e konfirmon dhe Enciklopedia e Përgjithshme Hebraike, duke njoftuar praninë e hebrenjve në Vlorë rreth 500 vjet më parë, ku natyrisht ka pasur një mjedis komunikues madje miqësor me popullsinë vendase, duke shkëmbyer miqësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

Studime të shumta njoftojnë një lëvizje të vazhdueshme të grupe të caktuara hebrenjsh, të cilët siç njihen në traditën e tyre të shtegtimit dhe të krijimit të jetesës në vende dhe me popuj që mund të bashkëpunojnë, e reflektojnë në këto këndvështrime historike dhe burime të rëndësishme Vlorën dhe bregdetin shqiptar një vend të lakmueshëm, ndërsa popullsisë e tyre një popullsi të hershme me fizionomi sociale të formuar dhe të qëndrueshme. Kronika e Vlorës, si e tillë është shumë e pasur me historinë e shtegtimit të hebrenjve në qytetin  lashtë të Vlorës, por edhe të rrethinave përreth, jo vetëm në kohët e hershme, kur hebrenjtë nuk përndiqeshin, por edhe më vonë, kur ata Lufta e Dytë Botërore i vuri në shënjestër për t’i zhdukur nga faqja e dheut.

Gjatë kësaj kohe, jo vetëm nga burimet shkrimore, por edhe të qytetarëve të Vlorës të shumta janë familjet vlonjate që u erdhën në ndihmë familjeve hebreje që në momentet e para ku heretizmi nazist u shfaq në të gjithë Evropën kundër tyre. Në kujtesën qytetase përmenden ende Muhedin Haxhiu (djali i Osman Haxhiut), një familje me tradita të njohura patriotike dhe atdhetare, kryetar i Bashkisë së Vlorës, i cili bashkë me Qemal Xhuherin  i pajisën çifutët me pasaporta, ku shënohej emri i tyre si myslimanë apo i krishterë, siç ishin Matheo Josefi, Mateo Matathia, Pepe Levin, Nesim Levin; rastin kur Shqipërinë e pushtuan nazistët gjermanë, në ditët e Betejës së Drashovicës, në shtatorin e vitit 1943, Froni Antifashist Nacional – Çlirimtar i këshilloi hebrenjtë të largoheshin nga Vora dhe të strehoheshin në fshatrat Trevllazën, Babicë, Llakatund, Lubonjë Nartë, madje dhe në Bashaj e Vermik.

Në këtë situatë tragjike për hebrenjtë kudo ku ata ishin, populli i Vlorës iu kthye në mbrojtje jetës së tyre. Familja e Jakov Solomonit u strehua te Kasëm Koçerri në Vermik, duke i siguruar jetën. Vajza e tij, Zhaneta, u vesh me çitjane, djali, Miosi, u vesh me rroba fshati dhe me qylaf. Ndërsa mësuesi Nuro Hoxha nga Tërbaçi strehoi familjen e Ilia Solomonit si dhe ata të Moise dhe Elizar Negrinit. Vite më parë së bashku me gazetarin Harilla Koçi kemi bërë një bisedë të gjatë me të birin e ish-mësuesit Nuro Ahmet  Hoxha, mësuesin e ndjerë Sazan Hoxha. Ilia Solomoni u arrestua nga nazistët, por ai u shpëtua nga vlonjatët, ashtu siç Qamil Xhyheri shpëtoi nga nazistët Vitori dhe Eftimi Jakool, Jose Jakool, kurse familja Kohen u strehua në Trevllazër,  te familja Lazaj, një histori e cila zë një vend të rëndësishëm edhe në një libër të rrallë me kujtime nga një vajzë hebreje, lindur dhe rritur në qytetin e Vlorës

4.1. Kujtimet e një vajze hebreje të rritur në Shqipërinë komuniste

Vetëm pak javës më parë, në Vlorë u zhvillua një veprimtari e veçantë përurimi i librit “Lulja e Vlorës” (bot. Shqip) = “The flover of Vlora” (bot. Anglisht) i zonjës Anna Kohen, një shqiptaro-hebreje nga Vlora.

Sipas autores, historia fillon në vitin 1938 me prindërit e mi. Në atë kohë, gjyshi dhe gjyshja dhe babai i saj , atëherë një djalë i ri, kishin shkuar në Shqipëri dhe gjetën disa familje të tjera hebrenjsh Romaniotë, që kishin shkuar nga Janina në Vlorë. Ishte një komunitet shumë i vogël dhe ata u bënë pjesë e tij. Kur komunistët erdhën në pushtet, ata nuk mund të largoheshin edhe pse ishin shtetas grekë, kështu që u bllokuan në Shqipëri ku lindëm ne katër fëmijë, pas luftës…

Prof. Bardhosh Gaçe në shkrimet e tij e paraqet Anën si një “përmendore” të gjallë të shpirtit human vlonjat dhe hebre. Ai thekson se Anna Kohen, duke botuar librin “Lulja e Vlorës”, natyrshëm ka vënë në lëvizje kujtesën e kohës, jo vetëm atë të Luftës së Dytë Botërore, por edhe më herët, lidhur me historinë e udhëtarëve të huaj në Shqipëri, por jo vetëm kaq, ku një vend të rëndësishëm zë kujtesa dhe tradita e shtegtimeve të hebrenjve, të cilët falë aftësisë për të njohur kohën, tregtinë, kulturën e komunikimit të popujve, nevojën për të vënë në punë intelektin e tyre në çdo kohë dhe çdo veprimtari ekonomike më së dukshmi, shtegtimet e të cilëve evidentohen shekuj më parë. Kjo, jo vetëm rrëfimin e Kohen e bën të rëndësishëm, por të gjithë historinë e shtegtimit të çifutëve në Shqipëri, të cilët u trajtuan si qytetarë, e për më tepër në mbrojtësit më të rëndësishëm të jetës së tyre. Kjo traditë e hershme e shqiptarëve, duket se zë vend që opinionin e shkrimtarit të madh të shekullit II p.e.s Apollodari apo gjeografit të lashtësisë Scymni, të cilët sjellin fakte interesante mbi marrëdhëniet iliro-hebraike, por dhe Zaharia Majani, i cili shënon se “filistinët i përkasin trungut ilir”.

Njoftime interesante vijnë përmes historianëve Meillet dhe Kohen, të cilët thonë se në Epir (Iliri) ka ekzistuar një qytet i quajtur Paleiste (Palasa e sotme në Himarën e Vlorës), ndërsa njoftime të tjera iliro- hebraike vijnë në Dhiatën e Vjetër te filistinët, ndërsa gjurmë të tjera hebrenjsh në Shqipëri gjenden në zbulesën e hershme të emrit Finiq dhe shumë njoftime të tjera autentike të historianëve si Josephus Flavius (viti 135 të mbretit të Laqedemonisë), prani të heronjve hebraikë në kohën e sundimit romak, apo njoftime të tjera të vitit 1281 në arkivat e Raguzës. Pastaj në vitet e fundit të shekullit XV dhe burimet e Historisë së Shqipërisë që njoftojnë për gati 528 familje hebraike në Vlorë, po ashtu dhe 25 familje hebraike në Berat e gjetkë. Këtë kronikë të pranisë së vazhdueshme të hebrenjve në Shqipëri, veçmas në Vlorë e sjellin edhe burime të tjera si diplomati amerikan Herman Bernstein, po ashtu dhe në Elbasan, Berat, Krujë, Janinë dhe ndonjë qytet tjetër shqiptar.

Në këto kushte, libri “Lulja e Vlorës” e ka kapërcyer “cakun” e të qenit një monografi apo një jetëshkrim. Anna Kohen ka jetuar një kohë të rëndësishme të jetës së saj në Vlorë dhe në Shqipëri, pikërisht kur ajo arrinte të kuptimësonte në një plotësi të qartë fëmijërinë dhe moshën rinore, kohën kur arrinte të kuptonte dhe të ruante kodet e komunikimit mes familjes dhe mjedisit, po ashtu dhe të nxënit të edukimit mbi origjinën dhe historinë e familjes së saj. Duke qenë një libër më shumë se i tillë, sepse ai ka një kontekst të gjerë të nënkuptuar dhe (jo) të shkruar, Anna Kohen përçon një realizëm të qartë në tregimet e saj, natyrisht ajo shfaqet e mirinformuar për gjithçka vjen familja dhe ajo. Po ashtu edhe si ku ajo jeton, libri merr një vlerë të çmuar, pasi në të rrëfehet për një familje hebreje, në kohën e një antisemitizmi të shpallur nga fuqia më e madhe e kohës, nazizmi, i cili kishte ngritur krematoriumet e vdekjes për çdo hebre të kapur kudo dhe kurdo.

4.2. Libri si një roman autobiografik

Kushdo që ka lexuar librin e autores, përjeton emocionet njësoj sikurse rrëfimtarja, e cila, na tregon mrekullisht mbi mbijetesën e një pjese të familjes së saj në një vend të vogël, të varfër dhe të pazhvilluar, ku kryqëzatat e kulturave, luftërave dhe reformacioneve të besimit kristian kishin lënë shenjat e veta, pra Shqipëria e vogël, e cila përmasohet jo vetëm nga Anna Kohen, por gjithë kujtesa e mbijetesës së hebrenjve, vendi dhe njerëzit e të cilit arritën të tejkalojnë “heretizmin” e besimit, arritën të refuzojnë praktikisht dhe shpirtërisht fuqinë e vdekjes më të madhe të kohës së nazizmit, duke mbrojtur çdo hebre që i rrezikohej jeta. Pra, siç edhe mund të kuptohet, libri ka një kontekst të gjerë, që autorja është përpjekur ta sendërtojë në detaje të shumta jetësore dhe të nevojshme për të krijuar një komunikim të besueshëm dhe të dëshiruar prej saj. Dhe përballë kësaj furtune vdekjeprurëse .

Libri “Lulja e Vlorës” është shkruar në kohën më optimale nga Anna Kohen, ku kuptohet lehtësisht, pasi në të sundon një arsyetim i thellë, një pjekuri e nevojshme për të reflektuar kohën në të gjithë marrëdhëniet që ajo kishte me hebrenjtë në Greqi dhe në Shqipëri me familjen Kohen dhe vetë Anna Kohen. Familja e saj i përket një dege të njohur dhe të madhe hebraike të romaniotëve të Greqisë, një degë e njohur e dyndjeve hebraike prej kohësh në zemrën e kontinentit të vjetër. Mjedisi hebre në Shqipëri, veçmas në Vlorë, e bën rrëfimin dhe librin e autores dëshmi dhe relikte të çmuar.

Psikologjia dhe praktika hebraike për të ndërtuar një raport jetësor me vendin ku banojnë, edukimi tradicional hebraik në një qytet bregdetar, ku kohët kanë lënë shenjat e tyre, ruajtja e raportit me besimin si një veti dhe kod mbijetese më së shumti për hebrenjtë, gjithashtu dhe triumfin e shpirtit hebraik. Në të gjithë larminë e thyerjeve dhe ngjarjeve jetësore, induksionet dhe deduksionet që  Kohen sjell për lexuesin e saj, ajo nuk i shmanget realitetit shqiptar. Një realitet i veçantë, herë i ashpër dhe herë i propozuar si sfidë për shqiptarët dhe çifutët.

Duke zënë një kohë të konsiderueshme, libri është gjithashtu edhe një memorie për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët, është një ftesë për të njohur njerëz, kohë, kulturë, traditë, mjedis social dhe familjar, psikologjinë e një populli i cili më mirë se çdo popull tjetër në botë di ta përdorë besimin e tij si humanizëm, një ftesë për të njohur kodet e lashta të familjes shqiptare mbi parimet humane mbi të cilët është ngritur. Është një ftesë për të njohur Trevëllezërin e malësisë së Vlorës, streha ku familja Kohen arriti t’i mbijetojë “murtajës” naziste. Përmes një raporti të tillë, më së pari jetësor, pastaj dhe mjaft intelektual, Anna Kohen ka përçuar me realizëm një kronikë të kohës, e cila kurrsesi nuk është e kufizuar në perimetrin e saj fizik, por në të ka kaq shumë kulturë nga trashëgimia e lashtë dhe ajo historike që popujt e Ballkanit kanë pasur me kulturën e lashtë antike, veçmas shqiptarët, paralelet e njohura iliro – çifute, iliro – greke, ku kodet  lashta klasike u përthithën shoqërisht dhe ishin vepruese brenda familjes gati gjithmonë, ndryshe grekëve të mëvonshëm, pasi kodet e shprishura të besës dhe të humanizmit bënë që pjesa më e madhe e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore t’u dorëzoheshin nazistëve për t’i eliminuar, siç ndodhi me pjesën tjetër të familjes Kohen në Greqi, e cila u eliminua nga furtuna naziste.

Një libër i shkruar nga një hebreje për një temë dhe një çështje të mprehtë, e cila vazhdon të jetë ende një raport i rëndësishëm diplomatik i botës së qytetëruar, sjell në vëmendje një mjedis shqiptar, për shumë arsye thith vëmendje dhe përcjell një vlerë të çmuar në të gjithë botën e qytetëruar. Anna Kohen duke respektuar sakrificën dhe jetën e familjes dhe jetën e saj, i bën një shërbim të çmuar Vlorës dhe Shqipërisë, sakrificës dhe mendjes së kulluar të shqiptarëve, të cilët arritën që në një kohë plotë mjegull dhe të errët të shohin përtej saj.

Ajo ndjen përkushtim për Shqipërinë, pasi ajo i lejoi asaj t’i mbijetojë shpirti hebre romaniot, i rëndësishëm për një familje tregtare, pasi siç shkruan Anna Kohen: “Familja ime shiste pëlhura dhe gjithashtu i lyente copat me bojë”, ashtu siç ajo kujton mbijetesën fizike të familjes së saj, pasi “Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin po të njëjtat familje myslimane [shqiptare: shën. ynë, E.Ç, A.H]  që fshehën familjen time nga Holokausti – ata (shqiptarët) na dhanë emra myslimanë dhe na ndihmuan për t’u hequr sikur ishim të tillë. Anëtarët e familjes sonë, të cilët në Greqi, përfshinë të gjithë familjen e nënës, u vranë në kampet naziste të shfarosjes”, një përkushtim që e përshkon të gjithë librin e saj.

Duke kujtuar dhe sjellë në vëmendje lëvizjet e para hebreje në Shqipëri që nga “revolta hebraike në Jude” (vitet 66-73 të erës sonë) dhe përgjatë kohëve të mëvonshme, ku ajo i përshkruan si qytetet mikpritëse Vlorën Beratin, Elbasanin, Tiranën, Shkodrën, Sarandën dhe Kosovën gjithashtu, ajo nuk harron të përshkruajë tipare dhe cilësi shqiptare të kodifikuara madje si besën e shqiptarëve, por dhe unitetin e besimeve fetare, pavarësisht masës në të cilën ata janë në vend, njërin nga motivet që ajo e konsideron të rëndësishëm është besa, për të cilën shënon: “Besa përmban disa kuptime, duke filluar nga besimi, besimi i pathyeshëm dhe traktati, deri “fjala e nderit”. Ajo do të thotë, që dikush ka bërë një zotim të shenjtë për të mbajtur premtimin e tij si dhe për të ofruar mirëseardhje dhe siguri”.

Në libër nuk mungojnë konstatimet e qarta, mjaft të rëndësishme për kohën, por edhe raportet e popujve në Ballkan. Rëndësi merr konstatimi i saj kur shkruan: “Ndryshe nga Greqia, Shqipëria arriti t’i shpëtonte hebrenjtë e vet gjatë Luftës së Dytë Botërore,...”, e cila gjithashtu i kishte krijuar familjes së saj mundësi mbijetese dhe integrim social gjatë gjithë kohës kur ajo ka jetuar në Vlorë dhe është arsimuar në kushte të barabarta me të tjerët në Shqipëri. Janë mjaft të rëndësishëm mjediset fshatare që përshkruan Anna Kohen në fshatin Trevllazën të Vlorës, në familjen Kadri Lazaj, ku ndër të tjera ajo arrin ta përçojë mjaft mirë sakrificën e kësaj familjeje përmes një pasazhi të tillë: “Kadriu dhe gruaja e tij, Vera, morën në dorëzim dhe strehuan me vetëmohim familjen time në shtëpinë e tyre. Në atë shtëpi jetonte edhe gjyshja e tyre, Ankoja, së bashku me dy fëmijët e çiftit Lazaj, Dalipin edhe Nailen,… Musa Sinani, i vuri të gjithë pjesëtarëve të familjes sime nga një emër mysliman…” dhe në sakrificën përballë pushtimit nazist kjo ishte sublime për këtë familje tradicionale myslimane shqiptare, e cila detyrimisht kishte sakrifikuar vetveten për të mbrojtur dhe fshehur familjen çifute Kohen.

Ashtu siç shkruan edhe Anna Kohen, se familja e saj “e ndjen plotësisht të mirëpritur në atë fshat bujar shqiptar”, sakrificën dhe bujarinë e të cilëve Kohenët nuk do ta harronin kurrë, do të kujdesej të shkonte dhe pas shumë vitesh në Trevllazën, rast për të cilin shkruan ndër të tjera: “…munda të takoj djalin e Kadriut dhe Verës, Rokon. Ai dhe nipërit e tij kishin ruajtur traditën e kultivimit dhe përpunimit të ullirit në Trevllazër. Rokoja më çoi në shtëpinë e vjetër ku jetuan prindërit  e mi duke u fshehur, e cila tani ishte e lirë dhe e rrënuar. Ishte përtej lëvizjes për mua të hyja në shtëpinë dhe dhomën e saktë ku ishte fshehur familja ime”.

Shqipëria dhe Vlora nuk i ka penguar aspak që familja e Anna Kohen dhe ajo vetë të bënin jetën e tyre me traditat dhe zakonet çifute romaniote greke ku ata jetuan, mjaft e rëndësishme për edukimin tyre sipas traditës çifute, aq sa ata i kanë quajtur edhe “Lulja e Vlorës”, pasi siç shkruan vetë Anna: “Gjatë gjithë fëmijërisë sonë, ne dukej se lulëzonim si lule, duke thithur nga dielli entuziazëm si dhe duke sjellë hare dhe gjallëri në çdo vend apo veprimtari në të cilën morëm pjesë”.

Libri “Lulja e Vlorës” prek një dimension të gjerë tematik, ai është një sy i mprehtë dhe i hollë i një intelektualeje çifute, e cila zbulon jetën dhe marrëdhëniet e familjes së saj në një mjedis ku më së pari i është dashur të mbijetojë nga nazizmi dhe pastaj të jetojë në harmoni dhe marrëdhënie të mira më shqiptarët, deri kur arrin të largohet nga Shqipëria për të jetuar në vendet e tjera të Evropës dhe në SHBA, ku ajo jeton aktualisht, por duke mos e harruar kurrë Vlorën dhe Shqipërinë. Nëse libri më së pari është një kronikë jetësore për familjen, ai është një dëshmi dashurie për Vlorën, Shqipërinë dhe njerëzit e saj.

  1. Dita e Kujtesës së Holokaustit

27 janari, është regjistruar si dita Ndërkombëtare e Holokaustit, që jo vetëm hebrenjtë, polakët, romët, edhe shqiptarët të mos harrojnë të shfarosurit  nga nazistët.  Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945.Vetëm në kampin e Aushvicit u vranë mbi 2.000.000 hebrenj, rreth 22.600.000 polakë, 750.000 rusë, 750.000 rumunë, 402.000 hungarezë, 180.000 holandezë, 104.000 lituanezë etj. Të burgosurit vriteshin në katër dhoma gazi dhe më pas digjeshin në furra të mëdha.

27 janari është Dita e Kujtesës për të mos harruar përpjekjet sistematike të shfarosjes naziste të gjashtë milionë hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie. Në kampin Auschëitz vdiqën miliona njerëz të pafajshëm, të llahtarisur, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.

Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton dhe duhet t’i kujtojë brez pas brezi, që të mos harrojë historinë.

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit është i ditur botërisht.

Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.

27 janari shënohet si dita e Kujtesës së Holokaustit të popullit hebraik e të çdo gjenocidi tjetër. Kremtimi i Ditës së Kujtesës, kushtuar viktimave të Holokaustit, sulmit shfarosës të nazistëve kundër hebrenjve, kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë. Jo vetëm Dita e Kujtesës së Holokaustit vlen të jetë homazh për Të Drejtët, për lirinë dhe qëndresën e së mirës.

  1. Muzeu Kombëtar Hebraik i Vlorës dhe përfundime

Nderimi ndaj hebrenjve në Vlorë është sa shpirtëror aq dhe  i regjistruar. Njihet nga të gjitha emërtimi “Rruga e Hebrenjve” që lidh Sheshin e Flamurit me Qendrën Historike.  Gjithashtu, në Vlorë po ngrihet Muzeu Kombëtar Hebraik, si simbol për krenarinë shqiptare, besën

Ky muze tregon mishërimin e një miqësie e historive njerëzore të shqiptarëve dhe hebrenjve, historinë e një miqësie që ka lindur shumë vite më parë, atëherë kur ndërtoheshin kisha, xhami e sinagoga së bashku por që u përjetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore në atë që shqiptarët bënin më së miri, të ndanin shtëpinë e tyre të vogël, por të mbushur me shumë dashuri.

Në këtë muze janë historitë e atyre mijëra hebrenjve që gjetën një derë të hapur jo vetëm në shtëpitë e shqiptarëve, por gjetën një derë të hapur në zemrat e tyre. Ky muze tanimë është edhe një tempull kujtese, një vend rrëfimi për historitë edhe të atyre mijëra shqiptarëve që si askush tjetër në botë dëshmuan se nuk ka rëndësi as numri i vogël i popullsisë as varfëria për sa kohë ke një zemër të madhe të mbushur plot me dashuri për njeriun.

Muzeu hebraik i Vlorës, është i pari, por jo i vetmi. Mendohet për të pasur një qendër të hebraizmit në Tiranë, e cila duhet të jetë një hapësirë ku edhe historia të tregohet, por edhe të kultivohet miqësia jonë me Izraelin, me popullin e Izraelit, me bashkësinë e hebrenjve, si një miqësi, e cila ka pasur një periudhë jo ndërprerje, por një periudhë që nuk është karakterizuar nga i njëjti intensitet i atyre viteve të mëparshmë se këta janë bërë shumë të pasur tani, ky është problemi. E kur njerëzit pasurohen shumë, kanë problem me memorien, por e kuptojmë këtë dhe do bëjmë çmos që të jemi sa më bindës për ta fuqizuar këtë marrëdhënie.

Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve dhe kjo shkruhet nga vetë të dërguarit e këtyre komuniteteve.

Megjithatë, historia e Luftës së Dytë Botërore pastaj është kulmi i gjithë kësaj historie shumë të gjatë lidhje mes shqiptarëve dhe hebrenjve sepse Shqipëria është jo vetëm vendi i vetëm në Europë ku pati më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë  Botërore se pas Luftës së Dytë Botërore,  por është i vetmi vend në botë ku nuk ka asnjë rast të vetëm të dorëzimit të një hebreu tek nazistët, madje ka edhe raste të jashtëzakonshme, të kundërta, kur shqiptarët kanë dorëzuar fëmijët e tyre apo janë dorëzuar vetë, duke u paraqitur si hebrenj për të mbrojtur hebrenjtë që kishin marrë në mbrojtje.

Bibliografi:

AKADEMIA e Shkencave e Shqipërsë: Qendra e Enciklopedisë Shqiptare: Fjalor Enciklopedik Shqiptar: vëll. 2; Tiranë, 2008 [zëri përgat.: Zija Shkodra, Aposton Kotani].

BARDHOSHI, Nebi: Antropologjia e Kanunit; Botimet Albanologjike, Tiranë, 2015.

GAÇE, Bardhosh: “Anna Kohen, “Përmendore” e shpirtit human vlonjat dhe hebre”, shih: gaz. “Dita”, viti XI i bot., nr. 3435, e shunë, 26 nëntor 2022.

ENCIKLOPEDIA  e përgjithshme e Oksfordit, Tiranë, Instituti i Dialogut &Komunikimit, 2006.

KOHEN, Anna: “Lulja e Vlorës: kujtimet e një hebreje, të rritur në Shqipërinë komuniste”; Tiranë: AIIS, 2022.

SARNER, Harvey: “Shpëtimi në Shqipëri: një qint përqint e hebrejve në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”, përkth. Mal Berisha, Tiranë, Koha, 1998.

SINANI, Shaban: “Shqiptarët dhe Hebrenjtë: Mbrojtja dhe shpëtimi”; Tiranë, 2017.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok