22/12/2024

SHQIPËRIA ETNIKE U BË NGA NACIONALISTËT

0
Exif_JPEG_420

Exif_JPEG_420

Njeriu i mënçur nuk kënaqet se i’u zgjat jeta e tij, por nëse ka bërë diçka për jetën e të tjerëve, të popullit të vet. Agim Shehu. (Poet).

Gjet Ndoj në librin, “Qeverisja e Shqipërisë, 1939-1944”.

Nga Kadri Tarelli

Mirënjohje autorit Gjet Ndoj për këtë libër të madh në dukje, (640 faqe) dhe të rëndë në peshë për mendimet dhe kumtin që përcjell, për atë pjesë të historisë së Shqipërisë, në pesë vite të pushtimit, gjatë Luftës së II-të botërore, 1939-1944.

Shpesh themi, e lexova me një frymë, ose nuk e lëshova librin nga dora, etj, etj. Ndërsa unë them që në fillim të fjalës dhe mendimit, se: është vetë libri që nuk më lëshon nga dora. Diku-diku, duke lexuar për të dytën apo të tretën herë, pasi, megjithëse i diplomuar për histori më duhet ta mësoj, sepse këtu ndesh me të dhëna historike të pa njohura më parë. Njohuri që bien në kundërshti me ato ç’na kanë thënë dhe ç’u kemi thënë nxënësve tanë. Propaganda dhe historia e pas luftës, ka hedhur aq shumë baltë mbi këtë periudhë historike, në veçanti për personalitetet që u përfshinë në jetën politike të kohës, sa llumin nuk e lan as lumi dhe as deti, edhe pas 80-vjetësh.

Nuk them për 7 prillin 1939, dhe luftë për mbrojtjen e mëmëdheut, ku përmendim vetëm Mujo Ulqinakun, ndërsa bashkë me të, në Durrës u vranë edhe disa të tjerë, ndërsa në gjithë vendin janë vrarë rreth 160 luftëtarë shqiptarë dhe afërisht 400 ushtarë të ushtrisë pushtuese. A nuk meritojnë këta heronj vullnetarë, që t’u ngrihet përmendore në qytetet tona, ku ata dhanë jetën? Secili në vetvete është simbol qëndrese atdhetarie.

Ndryshe nga sa na është thënë në historinë tonë të shtrembëruar, nëpër faqe të librit do të ndeshim me figura të shquara, si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi e shumë të tjerë, që kanë bërë emër, jo thjesht për kulturën e tyre, por më shumë si personalitete pjesëmarrës në ngjarjet e shënuara  të historisë kombëtare, si Kongresi i Manastirit, shpallja e Mëvetësisë 1912, Kongresi i Lushnjës 1920, etj, etj. Në këtë libër të gjithëve u shënohet përbri, arsimi dhe kontributi i tyre në çështjen tonë kombëtare, për t’u shtuar edhe veprimtaria gjatë qeverisjes së vendit në atë kohë të turbullt dhe të vështirë të pushtimit, ku nuk pushuan veprimet luftarake dhe trazirave politike. Lexuesi me pa tjetër duhet të futet në lëkurën e kohës që të bëjë vlerësimin e dokumenteve, të punës dhe qëndrimit të tyre, për t’u dhënë hakun, si nderim apo ndëshkim.

Nuk kam ndërmend të bëj analizën e librit, pasi është bezdi për këndonjësin, ndaj po mjaftohem të përmend disa nga vlerat e veçanta që ngrenë krye në këtë libër me peshë në letrat shqipe. Që në ballinë është shkruar: “Shqipëria Etnike u bë nga nacionalistët”, (Mendoj ky duhet të ishte edhe titulli i librit), sepse ngjarjet që pasuan njëra-tjetrën, flasin me një gjuhë tjetër. Pikërisht në “Tokat e lirueme”, siç u quajtën trojet shqiptare të pushtuara nga fqinjët dhe të dhëna si peshqesh lufte, rreth 30 vjet më parë, (Konferenca e Ambasadorëve, në Londër 1913), u vendos administrata plotësisht shqiptare. De fakto, ( Shqip, në të vërtetë) u bë bashkimi kombëtar i një pjese të madhe të territoreve të banuara nga shqiptarët, si Dardani,  Maqedoni dhe Mal i Zi. Askush nuk mund të dyshojë, se kjo ishte arritja më e madhe e nacionalistëve shqiptarë, në ato kushte kur i tërë vendi ishte nën pushtimin italian, ndërsa drejtimi i shtetit kishte autonomi të kufizuar, por me nëpunës tërësisht shqiptarë, duke filluar që nga kryeministrat, prefektët dhe me radhë nëpunësit e tjerë, deri te xhandari, mësuesi dhe drejtori i shkollës.

Logjika të shtyn të besosh se ishte kërkesa e këtyre burrave të shquar, kundërshtarë të Mbretit Zog i I-rë, jetuar në mërgim, për shumë kohë nëpër Europë. Burra shteti që mendja dhe zemra u rrihte për atdhe e komb, aq sa brenda pushtimit gjetën mundësinë të përfitojnë dhe të realizojnë bashkimin kombëtar, si ëndrrën më të madhe të të gjithë kohërave, të shqiptarëve dhe në veçanti të nacionalistëve shqiptarë.

Nuk ka nevojë për shumë kulturë historie, që të kuptohet se brenda pushtimit u bë e mundur të zbatohen disa kërkesa në interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Po përmend vetëm dy më të dallueshmet, që lanë gjurmë, njëkohësisht dhanë pasoja edhe për kohën që pason.

. Që në fillim, gjatë pushtimit italian, Shqipëria u trajtua si shtet me autonomi të cunguar, pasi nuk i lejohej të kishte forca të armatosura dhe Ministri të Mbrojtjes, njëkohësish nuk kishte Ministri të Punëve të Jashtme. Ndërsa gjatë vitit 1943-1944, nga pushtuesit gjerman, që deklaronin se jemi vetëm kalimtarë, Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me të gjitha simbolet kombëtare (Flamur dhe stema e shtetit), përfshirë edhe detyrimet që ka një shtet, jo vetëm si administratë, por edhe në shërbimet bankare, etj.

Dokumentet flasin me gjuhën e heshtjes. E gjitha kjo ishte arritje politike madhore, ndryshe e baltosur nga historiografia jonë e kohës. Si  njohës i historisë nuk më lejohet të pyes, madje as të guxoj të mendoj, pasi historia nuk bëhet “me sikur”. Ndërsa si lexues, mund dhe kam të drejtë të pyes: – Ç’do të ndodhte, sikur çlirimtarët tanë fill pas luftës të lidheshin me perëndimin, SHBA, Britani e Madhe dhe jo me lindjen sllave Serbinë dhe Bashkimin Sovjetik, si forca të koalicionit fitues…..?

Së pari: Është shkruar gjerësisht, për arsimin shqip në “Tokat e Lirueme”, por pa i dhënë hakun autorëve që bënë të mundur ta realizojnë këtë vepër madhore. Ndodhi që, sapo u njoh çlirimi atyre tokave, më 1941, menjëherë me vendim qeverie u dërguan 200 mësues nga Shqipëria dhe u hapën me qindra shkolla fillore, përfshi edhe “Normale”, ku të përgatiteshin mësues. Dokumentet flasin, se ishin më shumë 285 mësues, nga këta 35 mësuese. Edhe sot pas kaq vjetësh, duket si e pa besueshme kjo vepër, po ja që kështu ka ndodhur, arritje falë mendjes së ndritur të drejtuesve të shtetit shqiptar (megjithëse nën pushtim). Besoj më lejohet të bëj një kapërcim në kohë: Ç’do të ndodhte sikur të mos ishte mbajtur Kongresi i Manastirit, që me të drejtë e quajmë “Kongresi i shkronjave Shqipe”, vallë do të mundësohesh mëvetësia e shtetit Shqiptar 1912. E të tjera hamendësime, që lindin vetiu kur gjykojmë gjurmët e arsimit shqip dhe vlerësojmë ngjarjet e kohëve të fundit: “Mëvetësia e Dardanisë”, më: 17, të shkurtit 2008. Etj.

Së dyti: U ngrit “Instituti i Studimeve Albanologjike”, me drejtues dhe përfaqësues shqiptar, nga më të njohurit, që përbënin elitën e kohës. Dhimitër Berati, Eqerem Çabej, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Bej Vlora, Lasgush Poradeci, Mati Logoreci, Ilo Mitko Qafzezi, etj, etj, E gjitha, që sipas programit, do të merrej me gjuhën, kulturën, arkeologjinë, trashëgiminë, artet dhe letërsinë shqipe. Edhe kjo një çudi e madhe….! Shpesh nëpër biseda tavolina dhe kuvendime mes miqsh e shokësh, thuhet pa e vrarë mendjen: -“Pushtuesi na e dha se kishte interes…”. Pikë e zezë për ne  dhe ca më shumë për historianët tanë. – Po ç’ interes kishte Italia për këtë institut, kur i kishte të vetët ku e ku më të mirë. A thua, ne do ta nxirrnim nga sikleti kulturën dhe artin italian…..!?

Ajo që më shtyn të theksoj është arsimi shqip brenda hapësirës mbarë shqiptare. E them këtë se gati më shumë se gjysma e librit i kushtohet kësaj fushe të veprimtarisë sa shtetërore aq edhe kombëtare, me gjithë vështirësitë, mangësitë, buxheti, kuadri drejtues e mësues, organizimi, rregulloret dhe të drejtat e mësuesve, deri te punëtoret e shërbimit dhe kuzhinierët nëpër konvikte. Më tej arritjet (Arsimi i njësuar kombëtar), u hapën kurse kualifikimi për mësuesit, shtesë buxheti për mësuesit që bëjnë orë shtesë, përfshi edhe ndërtimi i shkollave të reja, kryesisht nëpër qytete. Janë do punë që edhe në kushte normale të qeverisjes, shpesh bëhen të pamundura.

Në libër, vetëm kuadrit mësimor gjatë këtyre viteve i kushtohet rreth 100 faqe, (541-636), pa llogaritur shkrime dhe vendime nga qeveria, ministritë dhe zyrat e arsimit.

Mbasi mbarova librin, i bëj pyetje vetes, më pas edhe të tjerëve: Ç’qëndrim duhet të mbaj dhe duhet të mbajmë ndaj nacionalistëve shqiptarë, që punuan në drejtimin e shtetit Shqiptar, në kushte e vështira të pushtimit dhe të “Luftës civile”, për çlirim dhe pushtet!? Këtu më ndihmon dijetari Viktor Hygo, që diku thotë: “Njeriu e ndërton vetë piedestalin. Koha i vendos përmendoren”. Ju i nderuar Gjet Ndoj, në këtë libër, u ngritët monument nacionalistëve. Edhe unë jam në një mendje me ju.

Mendoj, që me lejen e autorit, mbi shkrimin tim të hedh pak kripë deti nga Durrësi, për t’i dhënë pakëz jetë. Pasi disa prej emrave të mësuesve që hasen në për faqe të librit, i kam njohur si nxënës i tyre, disa nga leximet nëpër libra, disa nga studimet e historikëve të shkollave ku kam punuar si mësues dhe drejtues. Po përmend vetëm disa:

Bajram Sali Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, gjatë viteve 1937-1941, me rrënjë nga Istogu u Dardanisë. Sot “Dëshmor i atdheut” dhe “Hero i Kombit”, pasi në shkurt 1945, në krye të 300 luftëtarëve dardanas, u vra në luftime me forcat ushtarake serbe, që ripushtuan Dardaninë. Sot shkolla 9-vjeçare e fshatit Fllakë, mban emrin e tij, “Bajram Gashi”. Më tej mësuesin Haki Taha, me origjinë nga Gjakova, mësues në Shënavlash të Durrësit, në vitet 1938-1941, i cili së bashku me drejtor Bajramin, “fluturuan” drejt Dardanisë në shërbim të arsimit dhe shkollës shqipe. Hakiu është mësuesi, i cili në Prishtinë kreu atentatin ndaj Miladin Popoviçit, mik i komunistëve shqiptar. Ai u vra në mars të vitit 1945. Sot për të dy këta heronj, janë shkruar dy libra nga Bajram Halil Gashi, ish drejtori i shkollës së Shënavlashit.

Më tej përmend mësuesin Vasil Ziu (Një shkollë mban emrin e tij), mësuese Angjelina Qeraxhija, si pjesë e arsimit në Durrës, etj, etj. Me nderim të veçantë kujtoj mësuesen time Ksanthipi Syka, në shkollën “29 Nëntori”, e cila vite më parë, 1941, bashkë me mësuesin Sulejman Lakavaja, hapën shkollën fillorë në “Ranishte”, (Plazh), të Durrësit, toponim i vjetër që përmendet vetëm nga durrsakët e hershëm. Sot kjo shkollë mban emrin Shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri”. Duhet thënë, pasi pak përmendet në shkrimet tona, se në vitin 1941 e në vazhdim, u hapën edhe shumë shkolla në mbarë vendin, por unë dua të veçoj Durrësin dhe rrethinat e tij. Ndaj po përmend mësuesin Arif Halili (Gashi), që hapi i pari shkollën fillore në Katund të Ri, shtator 1941, sot Shkolla e Mesme “Jusuf Hoti”, shkollë ku pas shumë vitesh shërbeva edhe unë për afro 20 vjet me radhë, 1972-1992.

Besoj se nuk e kam gabim…! Kjo pjesë e librit, si vlerë e shtuar,  është pjesë e historisë së shumë familjeve në mbarë vendin, më tej në mbarë trojet shqiptare, pasi nipat dhe mbesat kanë ç’të kujtojnë me krenari për paraardhësit e tyre, si mësues dhe “Misionarë të dijes”, që i dhanë jetë arsimit shqiptar, si shtyllë e fuqishme e kombit.

I nderuar miku ynë Gjet Ndoj, ju falënderoj sinqerisht për librin, në veçanti për të gjithë shtetarët dhe për të gjithë ata që shërbyen në ngritjen dhe forcimin e arsimit kombëtar. Ju i bëtë të pavdekshëm, duke i vendosur në libër, që unë e quaj “Arka e kujtesës”.

Urime dhe suksese në libra të tjerë, me po kaq vlerë shkrimtarie dhe atdhetarie.

Kadri Tarelli

Mars 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok