06/11/2024

NGA NIKË GASHAJ

Në procesin e rënies së Perandorisë Osmane, Serbia e ka pushtuar Kosovën në vitin 1912, edhe pse Kushtetuta e Mbretërisë së Serbisë kërkonte që ndryshimi i kufijve të miratohej në Asamblenë kushtetuese, ajo nuk e bëri një gjë të tillë dhe as aneksimi nuk u legalizua me traktate ndërkombëtare. Vetëm mbretëria SKS-së (ose Jugosllavia) i përfshinte ligjërisht banorët e Kosovës në mesin e qytetarëve të saj.

Partia komuniste e Jugosllavisë, e cila udhëhoqi kryengritjen gjatë luftës së Dytë Botërore, parashikoi vetëvendosjen e Kosovës në vitin 1943. Duke marrë parasysh historinë e mëparshme të Kosovës dhe perbërjen kryesisht shqiptare të popullsisë së saj, nuk ishte e vështirë të parashikohej se cili do të ishte rezultati i vendimit për vetëvendosje.

Mirëpo, kjo u braktis për të tërhequr më lehtë popullsinë serbe në vetë Serbinë në anën e lëvizjes partizane të Titos. Kosova u bë  rajon autonom brenda Serbisë. Amendamentet e fundit të viteve 1960 në Kushtetutën e RSFJ-së përcaktuan për Kosovën sovranitetin parësor të krahinës, e cila me Kushtetutë u përcaktua si një entitet, i cili njëkosisht ishte pjesë përbërëse e republikës federale të Serbisë dhe drejtperdrejt dhe kryesisht pjesë perbërëse e federatës jugosllave. Kushtetuta e RSFJ-së e vitit 1974, pranonte shprehimisht se federatën jugosllave e përbëjnë popujtë dhe kombësitë, duke përfshirë edhe shqiptarët, të cilët i takoshin kategorisë së kombësive. Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974. konfirmoi statusin e Kosovës si territor, i cili është pjesë e Serbisë, por edhe njësi e plotë e federatës jugosllave, dhe e perfaqësuar në organet federale pa ndërmjetësimin e Serbisë. Mirëpo, autonomia e tillë e Kosovës u heq me dhunë nga pushteti politik i Millosheviqit në vitin 1989. Donë me thënë, në mënyrë jokushtetuese me grusht shteti.

Diskriminimi ndaj popullatës shqiptare është konstante në Kosovë. Ai shpesh ka qenë i percjellur me krime, përndjekje dhe dëbime të detyruara me qellim të zbatimit të programit të nacionalizmit serbomadh. Pastrimi etnik i Kosovës nga shqiptarët është shënuar edhe më heret – qysh në vitet 1877-1878, me vendim të Beogradit, të gjithë shqiptarët nga lugina e Moravës janë dëbuar. Ndërsa, në periudhën 1918-1941, nga Kosova janë dëbuar në botën e jashtme: 90.000-150.000 shqiptarë.

Pesekutimi i shqiptarëve nga UDB-ja në kohën e konfliktit me përkrahësit e Kominformit i çoi në emigrim 100.000 shqiptarë të tjerë nga Kosova. Mizoria ndaj shqiptarëve dhe dëbimi nga territori nuk është një fenomen i kohëve të fundit. Këtë e dëshmojnë dhe të dhënat e Leon Trockit, i cili ishte korrespodent rus nga luftërat ballkanike dhe socialisti serb, Dimitrije Tucoviq, si dhe Komisioni ndërkombëtar i dërguar në terren nga Carnegie Endowment(fondacioni) në vitin 1914.

Vrasja e shqiptarëve në Kosovë filloi në një numër më të madh kah fundi i viteve tetëdhjetë kur njësitë e forta të ushtrisë jugosllave hynë në Kosovë. Edhe para ndërhyrjes së NATO-s, në vitin e fundit, llogaritet se nga Kosova janë dëbuar rreth 200.000 shqiptarë dhe rreth 2.000 konsiderohen se e kanë humbur jetën. Prandaj, persekutimi i shqiptarëve ishte i planifikuar më heret, dhe nuk ishte pasojë e ndërhyrjes së NATO-s. Po të mos ishte nderhyrja ushtarake e NATO-s, spastrimi etnik i Kosovës në çdo rast do të kishte vazhduar.

Sa i përket situatës në Kosovë, në vitin 1989. autonomia e Kosovës u hoq me dhunë dhe kështu u nxorrën ligje dhe u futën politika që përbënin shkelje të Konventës Ndërkombëtare për Ndalimin dhe Dënimin e Krimeve të Aparteidit nga viti 1975. Në Kosovë u nxjerrë legjislacioni    që kufizonte disponimin e tokës në baza nacionale. Shqiptarët i largoshin në mënyrë masive nga vendet e tyre të punës – në miniera, kompani, institucione shëndetësore, kulturore dhe arsimore.  Mësimi në gjuhën shqipe hiqet në të gjitha nivelet. Protestët paqësore u ndaluan brutalisht, jo pak njerëz humbën jetën në burgje, gjatë shërbimit ushtarak dhe gjatë kërkimeve për armë nga torturat dhe personat e arrestuar.

Deri te Marrëveshja e Dejtonit në fund të vitit 1995, rezistenca ndaj aparteidit bëhej me mjete paqësore dhe me rezistencë pasive. Që nga viti 1996, organizohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës(UÇK). Në vitin 1998. pati konflikte më të gjera ndërmjet policisë së Serbisë dhe Ushtrisë jugosllave me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në të cilat u kryen krime masive mbi civilët shqiptarë.

Shkelja e Konventës së Aparteidit dhe shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut në Kosovë e justifikuan veprimin e Këshillit të Sigurimit në vitin 1989, për t’i dhënë fund asaj situatë, sepse edhe atëherë ishte“kërcënim për paqën“.

Në Rezolutën 1199 të 23 shtatorit 1998, Këshilli i Sigurimit konstatoi se 230,000 njerëz duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre, nga të cilët 50.000 civilë mbetën të pastrehë dhe pa ushqim(në male dhe pyje). Ndodh vala e parë e refugjatëve drejt vendeve fqinjë. Po ashtu në disa fshatra ka masakër ndaj civilëve, përfshirë fëmijë dhe gra, veçanarisht në fshatin Reçak,ku mbetën të vrarë 45 civilë shqiptarë, mes tyre gra dhe femijë. Kjo masakër ishte një moment kyç për vendimin e forcave të NATO-së për të nisur një ndërhyrje ajrore kundër RFJ.

Njëkosisht me fillimin e aksionit të NATO-s me 24 mars 1999, i cili zgjati për shtatë javë, filluan masakrat e civilëve dhe dëbimi i popullësisë në një masë të paparë: rreth një milon refugjatë u larguan në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Aksioni ishte i planifikuar paraprakisht dhe u zbatua sipas planit. Më shumë se gjysma e banorëve të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Shumë fshatëra u dogjën deri në themel. Andaj, duhet të konstatohet se aksioni i NATO-s nuk çoi në eksodus, por eksodi masiv ishte planifikuar më parë, dhe i pari ishte planifikuar një vit më parë. Prandaj, është e sigurt se fushata ajrore e NATO-s plotësonte të gjitha kushtet e një ndërhyrjeje kolektive humanitare dhe se, si veprim i armatosur i ndërmarrë në rrethana të jashtëzakonshme, ishte i justifikuar në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Në lidhje me të, disa ekspertë theksojnë se gjatë fushatës ajrore pati dhe viktima të padëshirura civile, por ato nuk mund të shmangeshin. Këto kanë qenë disa objekte që mund të dyshohej se paraqesin “qëllim ushtarak”.

Për Tony Blaire, qëllimi i ndërhyrjes është i qartë në këtë drejtim :”Ne  hyjmë në mijëvjeçarin e ri, në të cilin diktatorët duhet  ta dinë se nuk mund të shpëtojnë pa u dënuar në rastin e spastrimit etnik ose represionit të popullit të tyre. Në këtë konflikët, ne nuk jemi duke luftuar për territor, por për vlera”.

Nënkryetari i atëhershëm i Qeverisë federale jugosllave, Vuk Drashkoviq, deklaroi, se sikur të ishte nënshkruar marrëveshja e paqës për Kosovën nga ana jugosllave të cilën e afruan përfaqësuesit e fuqive të mëdha botërore në takimin në Rambuje-Paris, me siguri nuk ishte ardhur deri te bombardimi i NATO-s në RF të Jugosllavisë, por Millosheviqi e refuzoj për ta nënshkruar një Marrëveshje të tillë. Më tej Drashkoviqi thotë: “Se është bërë një terror i paparë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe se ai nuk e dinte në atë kohë: “Se civilët shqiptarë po vriten dhe kufomat dërgohen fshehurazi në Serbi dhe varrosen fshehurazi në poligonet e policisë në Beograd, dhe në lumenj dhe liqenj, nga forcat policore dhe ushtarake serbe”.

Dr. Zharko Koraq, profesor i fakultetit filozofik të Beogradit në pension dhe nënkryetar i dikurshëm i Qeverisë së Serbisë, thotë: „Serbia praktikisht i aboloi-fali të gjithë kriminelët e saj të luftës duke përfshi dhe ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë. Mbi krimet e luftës të policisë dhe ushtrisë serbe gjatë viteve 1998. dhe 1999. mbi shqiptarët në Kosovë, pothuaj se nuk flitet në opinionin serbë. Përkundrazi, qeveritarët e serbisë i mohojnë krimet të cilat i ka bërë ushtria dhe policia serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Retorika e Millosheviqit e përdorur pas bombardimit të NATO-s është identike me retorikën e sotme të regjimit politik në Serbi“.

„Mund të thuhet se Qeveria aktuale në Serbi përfaqëson rivendosjen e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Këta janë kryesisht të njëjtët njerëz që ishin në pushtet gjatë bombardimeve në vitin 1999. Vuçiqi ishte Ministër i Informacionit në atë kohë. Regjimi aktual në Serbi, ndryshe nga Millosheviqi, shmang përballjen e drejtëpërdrejtë me komunitetin ndërkombëtar dhe në vend të kësaj përpiqet të balancojë mes Perëndimit dhe Lindjes“, thotë Erik Gordi, profesor i të drejtave ndërkombëtare, Londër.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në RF të Jugosllavisë, gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, Vesli Klark, i cili ishte kreu i forcave të NATO-s në vitin 1999, deklaroi: “ Jam krenar për atë që NATO ka bërë për të parandaluar fushatën e spastrimit etnik të drejtuar kundër shqiptarëve në Kosovë”. Kurr nuk do ta harroj kur isha me Presidentin Sllobodan Millosheviq, në nëntor 1999, ne nënshkruam marrëveshjen përfundimtare për tërfeqjen e forcave serbe nga Kosova, të cilën OKB-ja në rezolutën e saj e kërkoi tërheqjen.

Presidenti Millosheviq më tha: “Ne dimë t’i zgjidhim problemet me shqiptarët, e kemi bërë edhe më parë”. Une e pyeta – Si e zgjidhni, dhe ai u përgjigj: “Ne i vrasim ata të gjithë”. Në lidhje me këtë nuk ka nevojë për koment, se strategjia politike  serbomadhe, nacionaliste-shoviniste e Serbisë gjatë historisë kundra shqiptarëve është e njohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok