11/05/2024

Shpirti i shitur i Emir Kusturicës

0

Nga Bardhyl Mahmuti

Pas dështimit për të parandaluar agresionin rus kundër Ukrainës, shumica dërmuese e shteteve të botës dënuan luftën pushtuese të Rusisë dhe dolën në mbështetje të Ukrainës. Meqenëse kemi të bëjmë me një çështje që nuk është vetëm çështje politike, intelektualë, artistë, shkencëtarë dhe  sportistë me famë botërore ngritën zërin kundër agresionit ndaj Ukrainës dhe rrezikut që paraqet për njerëzimin logjika absolutiste e Vlladimir Putinit.

Dhe pikërisht në kohën kur edhe politikanë, intelektualë, artistë, gazetarë, sportistë rusë dolën hapur kundër luftës që synon pushtimin e Ukrainës dhe në protestat e shumta që shpërthyen në disa qytete të Rusisë u arrestuan mbi 1700 persona, Serbia si shtet, politikanë të saj, intelektualë, gazetarë, artistë dolën në mbrojtje të Vlladimir Putinit, duke dalë haptas kundër sanksioneve që bota demokratike vendosi kundër Rusisë autoritare.

Dhe pikërisht në kohën kur aktori dhe regjisori amerikan Sean Penn erdhi në Kiev për të xhiruar dokumentarit që do t’i tregojë botës të vërtetën për agresionin rus, regjisori serb Emir Kusturica, laurat i dyfishtë i Festivalit të Filmit në Cannes, u vu në shërbim të Vlladimir Putinit.

Për ta shpërblyer besnikërinë e regjisorit serb, Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu ia besoi Emir Kusturicës të udhëheqë Kompaninë e Armatës së Kuqe në Teatrin e Akademisë Ushtarake të Rusisë!

Ndodh që dikush nga lexuesit e huaj, që nuk e njeh të kaluarën e Emir Kusturicës, të shprehë habi me shërbimet që u bëjnë artistë të tillë regjimeve diktatoriale. Mirëpo, të gjithë ata që kanë pasur mundësi të ndjekin zhvillimet politike dhe ushtarake gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, e dinë fare mirë se regjisori me origjinë serbo-myslimane, Emir Kusturica, shkoi deri në atë shkallë sa që mohoi gjysmën e prejardhjes së vet etnike dhe u vu në shërbim të Sllobodan Millosheviqit, Radovan Karaxhiqit, Ratko Mlladiçit, Aleksandar Vuçiqit…

Ai nuk hezitoi të kritikonte aktorët e mëdhenj të  Holliwood-it: Richard Gere-in, Penelope Cruz-in dhe Angelina Jolie për rolet që kishin luajtur në “filma shumë të këqij, sepse nuk bëhet vepër e madhe mbi bazën e materialeve të rrejshme.”

Madje ai premtoi se do të xhirojë “një film për tregtinë me organet e njerëzve në Kosovë, si njërën nga temat më të mëdha të këtij shekulli”.

Emir Kusturica kishte plotësisht të drejtë kur thoshte se Kosova është një temë e denjë për letërsi e filma. Emir Kosturica dhe të gjithë ata që e njohin realitetin tragjik të gjenocidit që ka përjetuar populli shqiptar në Kosovë, e dinë fare mirë se me tema të trilluara dhe dosje të rrejshme për tregtinë me organe njerëzish nuk bëhet vepër e madhe. Përkundrazi, me sajime të tilla përpiqet të mbajnë gjallë MASHTRIMIN E MADH me opinionin publik.

P.S.

Uroj që regjisori Sean Penn të realizojë projektin e tij për të vërtetën e asaj që ndodh në Ukrainë. Mirëpo askush nuk duhet të habitet nëse dokumentari i Sean Penn-it të cilësohet nga Emir Kusturica si “dokumentar shumë i keq…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok