Shoqëria Kulturore Artistike “Tradita”, prezantuese e denjë e vlerave autoktone trashëgimore të Anës së Malit
Nga Gjekë Gjonaj
Me këtë emër, në kuadër të Biznis Klubit “ Ana e Malit” ( BKA-së) në vitin 2013 u themelua ky ansambël me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kulturore dhe artistike të zonës së Anës së Malit. Kryetari i kësaj shoqëria artistike Selatin Gjeloshi, na njoftoi se të gjithë anëtarët e tjerë të kryesisë janë anëtarë të ish-grupeve të shoqërive kulturore-artistike të mëparshme “ Buna” , “ Lipoja” dhe Zgjimi” të cilat kanë vepruar e kontribuar në këtë trevë, sikurse edhe anëtarë të rinj me synimin që të bashkohen si një trup i vetëm, i përbashkët për ruajtjen e kulturës sonë. Gjatë veprimtarisë së saj të suksesshme disavjeçare ka marrë pjesë në manifestime kulturore të organizuara në Anë të Malit , Komunën e Ulqinit dhe në festivale të ndryshme kombëtare e mbarëkombëtare, ku u shpërblye me mirënjohje e çmime, si vijon:
1.Në prill të vitit 2014 SHKA ” Tradita” ka marrë pjesë në ” Lojnat Popullore Fest” – edicionin e 7-të, që u mbajt në Oblikë ( Shkodër ) me ç’rast dy shoqëri artistike nga dy pjesët e Anës së Malit, SHA ” Tradita” nga Komuna e Ulqinit, bashkë me SHKA ” Ana e Malit” nga Shkodra, u paraqitën dhe konkurruan në këtë festival me emrin e përbashkët “Ana e Malit e Bashkuar”. SHKA ” Tradita” si përfaqësuese e Anës së Malit të Komunës së Ulqinit fitoi dy çmime. Vendin e parë për ansamblin më të mirë dhe çmimin e dytë për vallen me motive folklorike ” Rituali i ceremonisë së dasmës” .
- Në qershor 2014 SHKA ” Tradita” ishte pjesëmarrëse në Festivalin e Këngëve dhe Valleve ” Gurra Popullore” i cili u mbajt në Gjilan të Kosovës ku morën pjesë 12 ansamble dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare. Në këtë festival, SHKA ” Tradita” fitoi çmimin për punë në kontinuitet dhe ruajtjen e traditës.
- Me ftesë të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Ana e Malit” – Nju Jork kjo shoqëri ka marrë pjesë në ceremoninë e festave të Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë në SHBA, respektivisht në Mbrëmjen Festive të 102 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 23 nëntor 2014 në hotelin Hilton Garden në Staten Island.
- Ky ansambël ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër ( 10-16 maj 2015). Në këtë festival, në të cilin nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi morën e pjesë edhe SHKA “ Ana e Malit “ dhe SHKA” Buzuku”, kënga tradicionale e Anës së Malit e interpretuar në Gjergjef në kuadër të “Dasmës së Anës së Malit” të prezantuar nga ansambli “ Tradita” e kënduar nga Egzona Salaj, u vlerësua nga juria profesionale e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës me çmimin e parë.
Këngëtarja Egzona Salaj mori çmimin e parë me motivacionin “Këngëtari më i mirë i Festivalit Folkorik Kombëtar Gjirokastër 2015″. Ajo me prezantimin e melosit tradicional të Anës së Malit u vlerësua këngëtarja më e mirë në mesin e 1.300 pjesëmarrësve të FFKGJ 2015. Shoqëritë “ Tradita”, “ Ana e Malit” dhe “Buzuku” në këtë festival zunë vendin e tretë.
- Shoqëria Artistike “ Tradita” ka fituar Çmimin e Dytë në Festivalin Folkorik Mbarëkombëtar, “I këndojmë lirisë – Klinë 2015”, i cili mbahet për nder të ditëlindjes së komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi. Gjatë tri netëve konkurruese në skenë janë ngjitur 33 shoqëri kulturore nga të gjitha trojet shqiptare me mbi 700 artistë.
- SHKA “ Tradita” në Festivalin “ Oda Dibrane” i cili u mbajt nga data 17-19 nëntor 2015 në Peshkopi të Shqipërisë, u shpërblye për lojën popullore të kitrrës.
- Kjo shoqëri kulturore gjatë punës së saj gjashtëvjeçare u shpërblye edhe me disa mirënjohje në Strugë( 2015), Shkodër ( 2015), në Austri ( 2015) etj.
- Po ashtu është pjesëmarrëse në Festivalin e Arteve e Kulturës Tradicionale ,,ETNO FEST’’ në Prishtinë në fshatin Kukaj përballë Kalasë së Artanës ( 7 gusht 2015) , në Festivalin Mbarëkombëtar “ Rapsha” në Vitojë – Malësi e Madhe.
8.SHKA “ Tradita, ka shpalosur disa herë vlerat e trashëgimisë kulturore autoktone të trevës edhe në Katërkollë me rastin e manifestimeve kulturore siç janë: “ Pranvera në Anë të Malit”, “ Dita e Shegës” dhe në Ulqin me rastin e hapjes së sezonit turistik, manifestimeve të ndryshme kulturore që janë organizuar në këtë qytet.
Nga ajo që thamë mund të nxjerrim përfundim se falë punës aktive të stafit drejtues dhe përkushtimit të solistëve dhe valltarëve në ushtrime dhe prova ky ansambël shpejt u bë vendi më i pëlqyeshëm i adhuruesve të ruajtjes së vlerave të mirëfillta folklorike të zonës së Anës së Malit.
Për gjashtë vjet ky ansambël shpalosi vlerat më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore dhe artit shqiptar. Pas shumë performancave në festivale, koncerte e evente të ndryshme brenda dhe jashtë me karakter kombëtar e ndërkombëtar , ky ansambël bëri që të shpërblehet dhe të vlerësohet kudo që është paraqitur.
Veprimtaria aktive e këtij ansambli të suksesshëm folklorik, i cili denjësisht prezantoi vlerat folklorike të kësaj zonë në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, është pezulluar para diç më shumë se tri vitesh në mungesë të mjeteve të qëndrueshme financiare. Ky ansambël figuron vetëm në letër.