23/12/2024

SHOQATA “PEJA”, FAKTOR PËR AFIRMIMIN E VLERAVE KULTURORE KOMBËTARE NË LONDËR…

0
1

Në Londër u mbajt manifestimi kulturor i Shoqatës “Peja” në të cilin u promovuan veprat e krijuesve pejanë, Sejdi Berisha, Reshat Nurboja dhe Ryzhdi Baloku

Nga Sejdi BERISHA

Në Londrën e ngjarjeve ndër më të rëndësishmet historike në Evropë mbase edhe në botë, në Londrën e vlerave të rralla kulturore dhe historiografike, tani e sa decenie,  edhe shumë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe nga gjitha trojet etnike tjera shqiptare, janë bërë pjesë jo pak e rëndësishme e zhvillimit të kësaj metropole. Këtë e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë shumë kuadro të cilat punojnë në vende edhe shumë të rëndësishme, kudo dhe në të gjitha fushat e zhvillimit londinez.

Në kuadër të tërë kësaj, peshën e tyre të veçantë e kanë edhe shumë shoqata, të cilat, përmes punës dhe aktiviteteve të nduarduarta të tyre, gjithnjë dhe në mënyrë fanatike i afirmojnë vlerat e përgjithshme kombëtare shqiptare dhe jo vetëm kombëtare. Në gjirin e tyre i bashkojnë shumë mërgimtarë, të cilët punojnë gjithandej Londrës dhe më gjerë. Po ashtu, bëjnë punë të mirë edhe për ruajtjen e identiteti kombëtar, sidomos tek fëmijët dhe gjeneratat e reja, që janë atje, që janë lindur dhe shkollohen në Britani të Madhe.

Një prej këtyre shoqatave është edhe Shoqata “Peja”, në gjirin e së cilës veprojnë shumë anëtarë por edhe intelektualë e figura të dalluara shoqërore dhe politike e kulturore. Për këtë arsye, thuaja se aktiviteti i kësaj shoqate, e ka veçantinë, sepse, deri me tash, përveç punës që bën në afirmimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore kombëtare, ajo, më mundësitë e saja, kontribuon dhe ndihmon në mënyra të ndryshme komunitetin, qoftë në vendlindje, por edhe atje ku jetojnë dhe veprojnë. Dhe, kur e analizojmë emërtimin e kësaj shoqate me emrin “Peja”, nuk ka se si të mos “kapërthuret” mendja për Pejën, njërën ndër qendrat më me peshë dhe më me ndikimin nëpër të gjitha periudhat kohore dhe historike, siç është qëndresa dhe lufta shekullore për liri, zhvillimi ekonomik, kulturor dhe historiografik. Këtë e dëshmojnë vetë figurat e shquara historike e kulturore, që kam frikë se do t’ua harroj ndonjërit prej tyre emrin, e që sot e kësaj dite janë bazament dhe themel i zhvillimit dhe i krenarisë të qytetit buzë Lumbardhit dhe përbri bukurive të Grykës së Rugovës.

Por, megjithatë, por përpiqem t’i përmendi disa nga emrat e tyre, e nëse ndonjë më kalon nga mendja kërkoj falje, dhe tek e fundit ky është një shkrim i thjeshtë që nuk do të ndikojë në vlerat historike të njerëzve të kësaj treve. Pra, si është: Sali Gjuka, Emrush Miftari, Bedri Pejani, Ali Hadri, Dërvish Rozhaja, Syrja Pupovci, Riza Sapunxhiu, Akademik dr. Musa Haxhiu, Akademik Dr. Osman Imami. Pastaj, nga fusha e kulturës, historisë, letërsisë dhe e arsimit: Istref e Faruk Begolli, Azem Shkreli, Ramiz Kelmendi, Shefqet Riza, Jahja Drançolli dhe shumë e shumë të tjerë të gjeneratave të ndryshme por edhe të gjeneratës më të re, që po japin kontribut në zbardhjen dhe vënien e themelit të vlerave të njëmendta dhe të drejta të historisë. Ka edhe shumë e shumë të tjerë, siç është edhe Shefqet Meha, Riza Sapunxhiu, pastaj, inovatori dhe shkencëtari, Rifat Gjota e të tjerë.

Ndërkaq, lista e luftëtarëve, e dëshmorëve dhe e heronjve për lirinë e atdheut, është edhe më e madhe, duke filluar nga koha e sundimit turk e deri në ditët e sotme.

I theksova të gjitha këto, jo pa shkas. Ngase, Shoqata “Peja”, e cila vepron në Londër, me 01 mars 2020, në Londër organizoi një manifestim të rrallë, (në kuadër të shtatëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të saj) ku përveç vlerësimit të punës së shoqatës, aty u bë edhe promovimi i veprave të tre krijuesve pejanë, Sejdi Berishës, Reshat Nurbojës dhe Ryzhdi Balokut, por, po ashtu, të pranishmi u njoftuan edhe me ecuritë e zhvillimit të komunës së Pejës.

Në këtë manifestim festiv, morën pjesë shumë figura dhe personalitete jo vetëm kulturore, pastaj edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, znj. Xhenet Syka-Kelmendi dhe Drejtori i Administratës të komunës së Pejës, z. Fatmir Asllani.

Të pranishmit, përkitazi me të arriturat dhe me zhvillimin e komunës së Pejës, i njoftoi kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri. Ndërsa, përkitazi me krijimtarinë letrare të krijuesve pejanë, Sejdi Berisha, Reshat Nurboja dhe Ryzhdi Baloku, disa të dhëna thelbësore i shpalosi, z. Fatmir Terziu, i cili jeton e vepron në Londër, e që është një prej penave dhe krijuesve më të spikatur jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe të fushave të tjera historiografike. Për veprimtarinë krijuese të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha, foli edhe znj. Xhenet Syka, drejtoreshë për zhvillimin ekonomik, e që një kohë të gjatë ka qenë edhe gazetare dhe redaktore e Radiotelevizionit Dukagjini.

Ndërsa, përkitazi me krijimtarinë e Reshat Nurbojës, foli znj. Linda Olloni-Gashi, anëtare e shoqatës, kurse për veprat e Ryzhdi Balokut, foli Alban Beqiri, anëtar i Kryesisë së Shoqatës.

Pastaj, shoqata ndau edhe mirënjohje në shenjë respekti për krijuesit, Sejdi Berisha, Reshat Nurboja dhe Ryzhdi Baloku, të cilatnë mungesë të tyre, i pranuan, z. Muhamet Mulhaxha, dr. Besnik Nurboja dhe Jehona Baloku.

Në kuadër të këtij manifestimi, disa të pranishmëve iu dhuruan edhe veprat e krijuesve nga Peja, si z. Besnik Sahatçiut, babait të Rita Orës, i cili kishte bërë çmos që të jetë pjesë e këtij evenimenti kulturor.

Disa fjalë për Shoqatën “Peja”

Shoqata “Peja” në Londër, u themelua me 06 prill 2003, me iniciativën e Burhan Latës. Me që kjo shoqatë është edhe asociacion që mundësisht ndihmon edhe persona me nevoja dhe kushte të vështira ekonomike, ajo ndihmat e para i filloi në Shkup, duke i ofruar ndihmë një vajze(F. F.).

Duke e zgjeruar aktivitetin e vetë, Shoqata “Peja”, në bashkëpunim me Shoqatën “Faik Konica”, me 21 maj 2006 arritën të themelojnë Forumin e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare në Britani të Madhe.

Meqenëse, Burhan Lata kishte qenë iniciator për themelimin e këtij asociacioni, në këtë manifestim, në shenjë respekti dhe nderimi iu nda një mirënjohje e veçantë nga Shoqata “Peja”.

Manifestimin e madhështoi edhe prezenca e z. Imer Berisha, diplomat, këshilltar dhe përfaqësues i Ambasadë së Kosovës në Londër; z. Talat Pllana, Kryetar i Forumit të Shoqatave Shqiptare në Angli dhe kryetar i Shoqatës “Faik Konica”; z. Lutfi Vata, ish kryetar i Forumit të Shoqatave Shqiptare në Britani të Madhe dhe kryetar i Shoqatës “Ardhmëria”, dhe e znj. Melisa Beqirit, intelektuale nga Peja.

Dhe, kjo ngjarje e Shoqatës “Peja”, që ka mesazh shumëdimensional, le të jetë një nismë e mbarë që në të ardhmen për t’u takuar së bashku të gjitha shoqatat shqiptare, të cilat, kështu edhe më shumë dhe më me sukses e afirmojnë praninë dhe punën e shqiptarëve në Britani Të Madhe dhe kudo në mërgatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok