18/04/2024

SHKUPI – NGA PERIFERIA KAH QENDRA SHQIPTARE?…

0

Nga Jusuf Buxhovi

Një ngjarje kulturore e këtyre ditëve – hapja e librarisë Nobel Bookse në qendër të Shkupit si dhe vëmendja e madhe e opinionit rreth saj, me të drejtë, rikthyen paradigmën historike rreth Shkupit si qendër shoqërore, kulturore dhe politike të botës shqiptare nga antikiteti, mesjeta e deri te privimi prej saj nga viti 1912 e këndej, fillimisht nga pushtimi serb, pastaj ai jugosllav, dhe së fundi, nga viti 1992, nga maqedonocentrizmi mbi të cilin u ngrit shteti i Maqedonisë, që shqiptarët i ktheu në pakicë kombëtare edhe me fajin e vetë klasës së tanishme të papërgjegjshme politike, që për interesa të ndryshme, hoqi dorë nga projekti i shtetit të barabartë të përcaktuar në Referendumin e vitit 1992!

Kjo paradigmë gjithsesi ka të bëjë me atë që kujtesa historike dhe shpirtërore, në të gjitha dokumentet meritore botërore,  Scupin antik e ruan si kryeqytet historik të shqiptarëve që nga  mbretëria e  dardane, pastaj gjatë mesjetës së hershme siç ishte në kohën e  perandorit dardan Justinianit, që vinte pikërisht nga këto pjesë dhe ndërtoi qytetet e rëndësishme (Justiniana Prima dhe Justiniana Seconda) për të vazhduar me këtë rol edhe gjatë Perandorisë Osmane ( si qendër e Vilajetit të Kosovës),  prej nga, shqiptarizmi politik, Lidhjës Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 i dha impulset kryesore, për t’i ruajtur si të tilla, por në formën e kërkesave për vilajetin e  përbashkët autonom (nga katër sosh: i Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe i Janinës), që do të realizohen në gushtin e vitit1912 me marrëveshjen midis  Hasan Prishtinës me gjeneralit osman Ibrahim Pashën me origjinë shqiptare. Me këtë marrëveshje  kemi edhe shfaqjen e asaj që duhet  të quhet  Shqipëri Osmane. Ndonëse historiografia jonë  Shqipërinë Osmane nuk e ka trajtuar si duhet ose e ka anashkaluar nga kriteret e njohura ideologjike dhe mangësitë profesionale, megjithatë, si e tillë, krijesa e Shkupit,⁸ paraqet themelet e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

Meqë historia shpesh din të jetë  e pamëshirshme ndaj atyre që u nënshtrohen përpjekjeve për t’u vetëpërjashtuar prej saj (nga dhuna e jashtme, ose nga amnezitë e ndryshme identitare siç është ky i tanishmi me tendencat që identiteti etnik  dhe kombëtar të zëvendësohet me atë fetar),  asnjëherë nuk ua mbyll rrugën zhvillimeve që çojnë te rikthimi në të, edhe me vonesa dhe dëmtime të mëdha – hapja e një librarie të tillë në Shkup dhe vëmendja e madhe nga të gjitha anët për të, tregon për nismën e një ndryshimi  shoqëror dhe politik nëpërmes vetëdijesimit kulturor, siç ndodhi edhe me rilindësit, po edhe me proceset e mëvonshme kur elitat intelektuale, në rrethanat e kthesave të mëdha (të rrënimit të ish Jugosllavisë)  morën përsipër edhe përgjegjësitë politike, që quan te krijimi i shtetit të Kosovës.

Ky ndryshim, që për parakusht ka vetëdijesimin kulturor dhe identitar, gjithsesi lidhet me rikthimin e Shkupit nga periferia ku ishte lënë edhe me fajin e shqiptarëve, për te qendra shoqërore dhe politike e tyre, kërkon doemos  largimin nga mentaliteti i çajtoreve dhe i servilizmit i intelektualëve hibrid ndaj “elitave” politike, që kanë sjellë defaktorizimin politik të shqiptarëve deri te degradimi në pakicë kombëtare me anatemën  “e popullit të shkëputur” e të tjera.

Kjo kthesë arrihet  po qe se në Shkup ngado dhe kudo dëshmohet kulturalisht identiteti historik dhe etnik shqiptar, prej nga mund të mbrohet pozita e popullit të barabartë shtetformues, që duhet të sanksionohet në kushtetutën e shtetit me gjuhën shqipe në të dhe assesi me mashtrimin e “barazisë ligjore” siç po manipulohet prej kohesh  nga politikanët spekulantë dhe servilë shqiptarë!

Duhet pritur, që libraria Nobel në Shkup të mos mbetet vetëm një veprim simbolik i një rizgjimi shpirtëror nga një qark i vetëdijësuar intelektual rreth gjuhës dhe rolit të madh si pikënisje e saj, por të paraqesë nismë e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, që shqiptarët do t’i kthejë nga periferia në qendër, ku e kanë vendin historikisht dhe etnikisht…

Libri, si i tillë, përherë shfaqet  armë e fuqishme drejtë vetëdijesimit që  i duhet çdo kauzë për t’u vu në binarët e pakthyeshëm historik…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok