21/12/2024

SHKRIMTARJA SHQIPTARE VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ, SI HERTA MULER

1
Exif_JPEG_420

Exif_JPEG_420

“Liria në optikën e letrave të Vilhelme Vranari-Haxhiraj”

Studim nga Prof. Dr. Fatmir Terziu

Nga Kadri Tarelli

Para pak ditësh, Fitim Haxhiraj më dërgoi nga Vlora, librin “LIRIA NË OPTIKËN E LETRAVE TË VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ”, shkruar nga studiuesi i mirënjohur Prof. Dr. Fatmir Terziu. Vetë titulli i librit na kumton edhe përmbajtjen, ku fjala “Liri”, në kuptimin më të gjerë, përshkon gati të gjithë krijimtarinë, (rreth shtatëdhjetë libra) të shkrimtares dhe studiueses vlonjate Vilhelme Vranari-Haxhiraj, ose “Vivra”, siç i pëlqen ta thërrasim shkurt. Ajo sot mban titullin “Mjeshtre e madhe e penës”, njëkohësisht anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York, shtojmë këtu edhe me dhjetëra çmime nderi, këtu në Shqipëri dhe nga disa vende të botës.

Që në faqet e para, këndonjësi kupton se ky libër i “rëndë” është shkruar për një lexues të zgjedhur dhe me nivel të lartë njohurish në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare, sepse nuk bëhet fjalë për një vepër thjesht letërsi, por për një studim të mirëfilltë teorik-letrar, që më së paku kërkon ca njohuri bazë dhe një fjalor të pasur. Duke u përpjekur të mos bëj gabim, mendoj se ky libër është i vlefshëm jo vetëm për “Heroinën” tonë – Vivra, po veçanërisht për studentë dhe pedagogë të fakulteteve të letërsisë, për ata që merren me kritikë letrare dhe, detyrimisht për ata që zgjedhin të futen në thellësi të mendimit dhe vlerësimit teorik, të veprës të çdo autori me vlera.

E thënë shkurt, (nuk jam unë i pari që po e them), mendimi teorik kërkon studim të thelluar edhe në përvojën botërore, qoftë e vjetër dhe, sidomos mendimi bashkëkohor, siç ka bërë autor Terziu, gjatë shumë viteve punë, e pasqyruar më së miri në këtë studim të thelluar. E gjitha kjo, sepse këtu bëhet fjalë për vlerësim të nivelit të lartë të veprës në tërësinë e saj, duke gjetur e kapur tema e tematika të veçanta e përgjithësuese, siç është konkretisht tema e “Lirisë”, e zgjedhur nga autori, por e adhuruar dhe e shprehur shpirtërisht dhe botërisht, nga znj. Vranari.

Krahasimi mbase nuk shkon, por duhet thënë, se këtu nuk është fjala për hyrje, një përshkrim, vlerësim apo recensë të një libri, ku për vetë kushtet “Liria” është e kufizuar në kohë e hapësirë. Ndodh që, veç subjektivizmit të shkruesit, e gjitha të përmblidhet, të ndrydhet e të shtrydhet në pak faqe, siç kam bërë unë dhe shumë të tjerë, mes tyre pena të njohura e të rënda të letrave shqipe.

Nuk janë pak, të gjithë do t’i gjeni në libër, ku emrat e secilit i përmend me nderim vetë autor Terziu, i cili edhe vetë është marrë gjatë me krijimtarinë e znj. Vivra, madje disa shkrime, janë krijime të mirëfillta letrare, të futura edhe në këtë libër, të veçantë në sojin e vet, do ta pagëzoja unë, janë. Do të dëshiroj të jem i gabuar, kur mendoj se mund të jetë i pari në llojin e tij, në letrat shqipe. Të paktën unë nuk kam hasur tjetër.

Jam plotësisht i bindur, se të gjithë këta autorë, sipas rastit e në kohë të ndryshme, janë marrë seriozisht me krijime të pëlqyera, të kërkuara e të dërguara nga znj. Vranari, duke bërë vlerësim dhe shprehur admirim për punën e saj krijuese, disa herë në përmasa që i tejkalojnë fuqitë e një individi.

Them dhe besoj se e vlen që dikush të merret edhe me këtë pasuri letrare, që të përmblidhet në një libër, në atë që unë e quaj shpesh, si “Arka e kujtesës”.

Nuk mund të vazhdoj më tej pa thënë që në fillim atë që ndjej, se mua dhe të gjithë lexuesit që njohin sado pak krijimtarinë e znj. Vranari, na bën të ndjehemi mirë, pse jo edhe të përkëdhelur, sepse autor Terziu, pa mëdyshje, mendon, analizon dhe vlerëson vlonjaten tonë, duke e vendosur në vend nderi në letrat shqipe, duke i dhënë një emër të madh. Gjykoni vetë këto pak fjalë:“Nëse vepra e Vilhelme Vranari-Haxhiraj do të ishte përkthyer në gjuhët kryesore ndërkombëtare, atëherë bota do të njihte letërsinë dhe artin e saj tronditës. Veç pa frikë mund të them, se proza e saj është e një niveli evropian dhe botëror. Unë mund ta vlerësoj shkrimtaren shqiptare V. Vranari si Herta Muleri, e cila fitoi çmimin Nobel për letërsinë, 2009”.

Pa u futur në të thellat e këtij studimi autoritar, librin do ta ndaja në dy pjesë, jo nga sasia e faqeve që zënë, sepse të dyja janë shkrirë organikisht në një të vetme, por nga përmbajtja, përvoja, studimi, vlerësimi dhe mendimi kritik e filozofik:

Së pari, më duhet të them se Prof. Dr. Terziu, është njohës i përkryer i të gjithë mendimit teorik modern që mbizotëron sot në fushën e letrave nëpër botë. Jo vetëm kaq. Ai tashmë është bërë pjesë e diskutimeve dhe krijimeve, si i barabartë mes të barabartëve. – “Unë përdor “Dinamikë e kujtesës kulturore”, jo vetëm duke iu referuar këtij koncepti fleksibël në tekste të ndryshme letrare……”. Faqe. 19. – Thotë Pof. Terziu, i cili më poshtë vazhdon: “Dinamika e kujtesës kulturore” në një tekst…unë e shoh si një efekt të kujtesës….”. Faqe 19. Më tej: – “Përmes tezës sime, bëhet e qartë se vendi siguron peizazhin, për një imagjinatë tjetër të përfaqësimit të lirisë dhe identitetit…. Merrni për shembull Vlorën dhe Kaninën, ku lindi Vranari..”. Faqe. 21. Tezat e hedhura dhe i gjithë studimi, përbën një vlerë të shtuar për autorin, për librin dhe “Heroinën” tonë Vivra, sepse tashmë edhe vepra e saj, ka zënë vend në kritikën dhe vlerësimin teorik të kohës. Besoj nuk është pak…., të futesh në kujtesën kulturore, jo për hatër, por me vlerat që shpalos!

Nuk ka nevojë të jesh i vëmendshëm për ta ndjerë e kuptuar këtë, sepse në disa kapituj, përfshi dhjetëra faqe libër, do të ndeshësh shumë emra personalitetesh, që lëvrojnë kritikën dhe analizën teorike të krijuesve dhe shkrimtarëve të ndryshëm, që kanë bërë emër dhe histori, disa edhe duke marrë çmime e vlerësime nga institucione të ndryshme botërore. Autori jo pa qëllim i kushton një hapësirë të gjerë rrahjes së mendimit teorik dhe mospajtimit të tyre, siç ndodh në shumicën e herëve mes të mëdhenjve, mes kolosëve që përplasin brirët, duke mbrojtur me zë të lartë, idetë dhe pikëpamjet.

Sa për kënaqësi të leximit, po përmend kundërshtitë dhe përballjet mes Jean-Paul Sartëre dhe kritikut kulturor Uellsian, Rajmond Williams, të cilëve autori i le goxha hapësirë. Mos u habisni: Sartëre shprehet: – “Njeriu është dënuar të jetë i lirë”. Pak më tej shton: – “Letërsia është një pakt midis një shkrimtari të lirë dhe një lexuesi të lirë, një thirrje nga liria e njërit tek liria e tjetrit, për të bashkëpunuar……”. Ndërsa Williams kundër-shprehet: – “Një shkrimtar nuk është i lirë dhe gjatë praktikës së tij e di se ai nuk është i lirë”.  Pikërisht të tilla diskutime i duhen Prof. Dr.  Fatmirit, për të thënë një të vërtetë që na pëlqen: Se edhe Vivra jonë, e meriton një analizë dhe vlerësim teorik, praktik dhe filozofik, në dritën e këtyre zhvillimeve. Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të autorit, për të nxjerrë një përfundim logjik plotësisht të pranuar:

– “Ndërsa lexon krijimtarinë e gjerë të Vilhelme Vranari-Haxhiraj, koha në funksionimin e saj filozofik shkon përtej hapësirës dhe vendit……!  Ai më pas vazhdon: – “Liria është liria për të ecur së bashku me këto përcaktime të pjesshme, … ose për të sfiduar me vetëdije presionet e historisë dhe gjuhës, dhe për të shtyrë deri në diçka të re”. Faqe 35.

Së dyti, Autori e njeh mirë të gjithë veprën e znj. Vranari, kur thekson: – “Romanet, novelat, tregimet, poezitë, skicat, publicistika dhe studimet, janë temat tradicionale për një diskutim të “Tranzicionit në krijimtari”, të shkrimtares Vranari”. Faqe. 51. Në këtë hulli mendimi, ai vazhdon të na pikturojë portretin e shkrimtares me ngjyrat më të mira të kohës, të krijimtarisë letrare pas viteve 90, pikërisht kohën  e “Demokracisë”, kur edhe znj. Vranari fillon të botoj pa u ndalur deri në ditët tona.

Pa shumë fjalë, kështu përkufizohet vepra e Vranarit:

  1. Tensioni midis realitetit dhe artit e identifikon qartë veprën, pavarësisht nga përbërësit e saj individual…..
  2. Proza e Vranarit duhet të kujtohet, i paraprin realizmit psikologjik….
  3. Pra, duke lexuar Vranarin në tërë aspektin krijues të saj, del qartë se “proza e jetës” dhe “gjuha e prozës”, janë të lidhura ngushtë për shkrimtaren.
  4. Nga ana strukturore, Vranari në tërësi është një përfaqësuese e përsosur e konventave didaktike…. Faqe. 52

Pas gjithë këtyre vlerësimeve, autori në përfundim shpreh një gjykim të përsosur, njëherazi të bukur e të magjishëm, duke na ftuar të shijojmë ëmbëlsinë dhe fuqinë e fjalës së shkruar: – “Sidoqoftë, ndërsa proza flet një gjuhë natyrore dhe është gjithëpërfshirëse, vetëm të shuguruarit mund të arrijnë gjendjen e bekuar që sjell krijimtaria didaktike….”. Faqe. 53.

Në këto kushte, autori e ka të lehtë të notojë në detin e trazuar dhe të gjejë ”lirinë”, në veprën e Vranarit, si temë madhore të këtij studimi, duke nxitur edhe të tjerë punëtorë të letrave, të njihen me krijimtarinë e kësaj autoreje. Këtu mund të zbulojnë, se vepra e saj është një minierë e pa shfrytëzuar për studim të mirëfilltë kritik, shkencor dhe teorik.

Meqë kam kaluar nëpër duar një pjesë të krijimtarisë së Vranarit, jam i bindur për njohje te plotë e të hollësishëm nga autori, të veprës dhe vlerave gjuhësore, letrare, njerëzore, qytetarë e atdhetare të Vivrës. Jo rrallë, duke ndjekur krijimtarinë e Prof. Terziut, kam parë e lexuar shumë shkrime të publikuar në shtyp, përfshi dhe portalet elektronike, kushtuar librave të saj. Këtu mund të përmend, shkrimin:. “Një vepër shkencore e munguar në trajtesën dhe mënyrën e vet”, kushtuar librit “Autoktonia e Shqipërisë Jugore. Enigma e shekujve”. Vetë zgjedhja e këtij titulli, nga Dr. Fatmiri, përcakton edhe përmbajtjen e shkrimit, që të shtyn të mendosh e të shprehesh me shumë vërtetësi e plot dhimbje, sepse hap plagët e një problemi të pa zgjidhur kombëtar, si në tërësinë e truallit arbëror të ndarë në pesë shtete, në shtrembërimin e historisë dhe për t’u ndalur në qëndrimet politike, që fatkeqësisht çalojnë nga këmbët, por jo nga duart e nga gjuha.

Për kënaqësi po përmend titujt e disa shkrimeve: Pas një botimi ndryshe, kushtuar librit “Pa limit”. Esse-publicistikë. Ose “Romane psiko-sociale”, kushtuar librit trilogji: “Vështroni Meduzën”. Po këtu: ”Dritëhijet e së vërtetës”, kushtuar romanit: “Ankthi i të vërtetës”. Faqe. 109. Ndërsa për romanin “Rikthimi i Ismail Qemalit”, autori shkruan me nerv të ngritur: “Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj është përkushtim. Përkushtim dhe dedikim, sa identitar aq edhe dedikues për krenarinë kombëtare. Ndryshe këtë vepër do ta quaja ”E mnguara në letrat shqipe”. Besoj se ky është vlerësim tepër i çmuar, që meriton përshëndetje.

Ndërsa i gjithë libri të mban lidhur me kritikën dhe analizën teorike, ka disa shkrime që sjellin puhi dhe freski Vlore, me cikërrima jete dhe ndjesi e frymëzim poezie. Nuk më rrihet pa i ngacmuar pak fletët dhe titujt: “Vlora pranë librit të Vranarit”, ku shkruan: “Shkrimtari qëllon në shenjë…. – “Të njoha, të njoha….. Je Fatmir Terziu. Ah, keni ardhur për atë përurimin nesër?”. Pyes! Çfarë do të mendojë cilitdo lexues, kur t’i pëlqejnë këto fjalë, që përcillen përmes shkrimit, “Poema që lind si një poezi”? Ku shkruhet: “Kjo është një shkresë që vjen vetvetiu nga fjala e mbirë dhe e korrur  në të prushtën e Kaninës, në të mushtin e Vlorës, në të kthjelltën e Adriatikut, në të zhurmtën e tërësisë, që i qaset sa vendasit aq edhe mikut”.

Nuk mund të vazhdoj kështu, pasi më duhet të citoj të gjithë librin. Veç në mbyllje më duhet të ndalem pak, sepse Prof. Dr. Terziu, thotë qetësisht: – “Ajo i bëri disa shërbime të rëndësishme letërsisë shqipe”. Ndërsa unë e kam në majë të gjuhës pyetjen, ku dhe si? Pikërisht këtu në libër gjej edhe përgjigjen:

. Së pari, prishi hierarkinë e emrave letrarë të vendosur në mënyrë të pandershme dhe shpesh mediokre nga kritika e orientuar politikisht.

. Së dyti, solli një pasuri të pafundme origjinale të stilit, frazës, gjuhës, duke prishur uniformitetin e një letërsie standarde, gati 50-vjeçare.

. Së treti, ajo shndërroi në letërsi,m vuajtjen e një kombi nën regjimin komunist, duke tronditur nga themelet piramidën letrare dhe psikologjinë që e prodhoi dhe e mbrojti atë.

. Dhe më shumë….! Proza e saj ka përmasat e një drame global. Përmes saj ajo ka ribërë shpirtin e humbur të njeriut dhe të kombit. … Proza e saj është e nivelit Europian dhe botëror. Faqe. 149.

Këtyre fjalëve të thëna shqip dhe botërisht për Vranarin, unë dua t’i shtoj: Edhe ju prof. Dr. Fatmir Terziu, me këtë libër i keni bërë shërbime të rëndësishme letërsisë dhe kulturës shqiptare, duke i ngritur Vivras një “Përmendore” përjetësie, sepse e hoqët nga lista e “Elitave të mohuara”, si plagë e pa mbyllur e kombit dhe e vendosët në Panteonin e letrave shqipe. Besoj se autorit dhe “Heroinës”, i shkojnë përshtat fjalët e shkrimtarit e dijetarit Viktor Hygo, i cili diku thotë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vetë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”.

Më falet nëse e tejkaloj dëshirën, për ta parë këtë libër në tavolinën e punës të pedagogëve, në çantat e librave të studentëve, në bibliotekat e shkollave dhe të çdo familjeje. Vlerat kombëtare, siç është vepra e znj. Vranari, janë krenari dhe pasuri e kombit.

Urime prof. Dr. Fatmir Terziu! Suksese në punën tuaj krijuese! Mirënjohje për këtë vepër “Monument” për shkrimtaren shqiptare Vilhelme Vranari-Haxhiraj, bijë Vlore, rrënjë Kanine.

Kadri Tarelli

Durrës. Mes Gushti, 2022.

 

 

1 thought on “SHKRIMTARJA SHQIPTARE VILHELME VRANARI-HAXHIRAJ, SI HERTA MULER

  1. Pershendetje dhe urime ne udhetimin e bukur drejt lexuesve te shumte shqiptar ne boten e madhe. Ështe hera e pare qe ky portal publikon kete shkrim timin: “Shkrimtarja shqiptare Vilhelme Vranari-Haxhiraj”, si Herta Muler”, kushtuar librit te karitikut dhe studiuesit Prof. Dr. Fatmir Terziu. Është nje analize shkencore dhe letrare, te vepres se kesaj autoreje me permasa te medha ne kulturen letrare-historike shqiptare.
    Mirenjohje.
    Miqesisht!
    Kadri Tarelli
    Durrës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok