10/11/2024

SHËRBIMI PSIKO-SOCIAL SHKOLLOR, RISI NË JETËN E KOMUNITETIT

0

(Përvojë nga Lezha, Mirdita dhe Kurbini)

Nga Ndue Dedaj

Kishte kohë që prisnim “rastin” të shkruanim dy fjalë për stafin e shërbimit psiko-social të Drejtorisë Rajonale Arsimore Lezhë dhe Zyrave Vendore Arsimore Mirditë e Kurbin, me të cilët njihemi nga afër si kolegë prej afro pesëmbëdhjetë vitesh. Kemi parë me kënaqësi si ata janë rritur në profesionin e tyre, duke marrë kualifikime të vazhdueshme universitare e pasuniversitare, si dhe duke kryer trajnime në nivel rajonal e kombëtar, në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe në rrethet përkatëse. Dhe si duket rasti më i mirë ishte tash.

Nuk mund të mos shkruash kur Daniela Lleshi, psikologe në Kurbin, mbledh ndihma për fëmijët në nevojë dhe i shpërndan me korrektesë në komunitet, për çka pati një lajm dhe në “Top Channel”. Kur Alma Shyti Qushku (koordinatorja e këtij shërbimi, Lezhë), krahas linjës së posaçme të komunikimit psiko-social online në DRAP për nxënësit dhe mësuesit në kohën e pandemisë, publikon dhe një speciale kushtuar fëmijëve autikë, me mesazhe ndërgjegjësuese për të gjithë. Kur Pranvera Paplekaj Martinaj, përvojën e saj me fëmijët me aftësi ndryshe, e shpalos në emisionin e pasdites në TV “Klan” etj. Kur pjesë e kësaj trupe janë dhe tre psikologë të zot që e kanë sfiduar si rrallëkush mungesën e shikimit, duke parë me sytë e shpirtit dhe të humanizmit: Besmir Guri, në Rubik, që shkruante këto ditë në revistën “Psikologjia”, si e si për t’i qetësuar fëmijët e mbyllur në karantinë dhe këshlluar në kapërcimin e vështirësive të të mësuarit online; Frrok Gjikola, psikolog e letrar, me dy diploma universitare, të cilit shënimet psikologjike nga jeta në shkollë i “përzihen” me tregimet artistike që shkruan; Bashkim Dervishi, i shkollës “Besëlidhja” Lezhë, që jo vetëm mjediseve të kampusit shkollor lezhian, por dhe të qytetit ecën pa pasur nevojë për shoqërues, duke qenë në radhë të parë psikolog i vetvetes.

Ndër të parët e skuadrës, që u përfshinë në këtë shërbim, me të kryer studimet e larta në profil, ishin: Majlinda Toma, Lindita Paloka, Elona Dodaj, Alma Bela, Ilir Dobrozi, Elira Mergjyli, Suada Zuku, Atlant Picaku dhe më pas, hap pas hapi, të tjerë. Që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e në vijim ata kanë pasur një tjetër qasje ndaj detyrës së tyre si psikologë, punonjës socialë, mësues ndihmës, lokopedistë në institucionet arsimore etj. Nëse karantina i mbylli njerëzit, ky staf nuk rreshti të jepte ndihmesën e vet, krahas mësuesve e drejtuesve të shkollave, duke mbetur kështu një “zyrë” e hapur për të këshilluar, duke krijuar grupe komunikimi mes tyre në ëhatsapp, ndërkohë që rrjetet sociale dhe Televizioni Shqiptar, për herë të parë, morën dhe kuptimin dhe funksionin e një shkolle virtuale. Psikologët shkollorë dhe mësuesit ndihmës kanë filluar të sistemojnë dhe përhapin përvojën e tyre të drejtpërdrejtë nga veprimtaria e përditshme në shkolla, duke mos u dhënë me tepri pas shpërndarjes së materialeve të gatshme marrë me copy paste nga portalet e ndryshme në internet.

Është një trupë e re profesionistësh, krijuar këto 15 vitet e fundit, që sa vjen e bëhet më e aftë në përmbushjen e kërkesave të shkollës gjithëpërfshirëse etj. Një shërbim i specializuar për të cilin kanë nevojë nxënësit, mësuesit dhe prindërit, shoqëria që po kalon nëpër trauma të rënda, shkaktuar nga fatkeqësi natyrore, si përmbytjet, tërmetet, apo së fundi pandemia. DRAP Lezhë, si dhe ZVAP Kurbin e Mirditë, prej vitesh, përmes një strategjie të sukseshme, kanë bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm për trajnimin e kësaj trupe, duke krijuar një frymë miqësore debati, me synimin që kjo të përçohet në shkolla nga secili. Nëse dikur për të bërë trajnime në Lezhë, Rrëshen apo Laç vinin pedagogë nga fakulteti i Shkencave Sociale Tiranë, Ministra e Arsimit etj., sot mund të thuhet pa droje se trajnuesit e vetvetes apo dhe të mësuesve e prindërve për specifika psiko-sociale tashmë janë vetë ata, herë pas here dhe me mbështetjen e ëorld Vision Albania-s.

Kjo përvojë e çmuar disavjeçare është krijuar me mundim, hap pas hapi, duke pasur dhe përkushtimin e drejtuesve të arsimit dhe atyre te shkollave, inspektorëve, koordinatorëve, përgjegjësve të rrjetit psiko-social, urdhërit të psikologut etj., disa prej tyre në pension (si drejtuesi i parë i këtij shërbimi,

profesor Qazim Dushku, ish-koordinatori për disa vite në Lezhë, Ndue Dragusha), në detyra të tjera arsimore, apo dhe jashtë vendit. Në shenjë vlerësimi, Këshilli i Qarkut Lezhë, dhjetorin e kaluar, me rastin e Krishtlindjeve, i sajdisi me dhurata simbolike punonjësit e shërbimit psiko-social.

Në rrethet e tyre sociale ka nisur të flitet për një përkujdesje të këtij shërbimi në shkollë dhe komunitet dhe pas kalimit të pandemisë, kur do ta dalin në pah problematika të tjera të mprehta sociale, si prapambetja në mësime e atyre nxënësve që nuk kanë mundur të ushtrohen në të mësuarit online, veçmas ata me aftësi të kufizuara, por dhe ndër të rriturit, që do të përjetojnë strese nga përballja me problemet ekonomike të krijuara nga “papunësia” e detyruar e karantinës e të punësuarve në sektorin privat. Fundja, në çdo bashki tashmë ekziston një staf lokal psikologësh e punonjësish sociale, që mund të shërbejnë dhe përtej dyerve të insitucioneve arsimore në menaxhimin e krizave apo zbutjen e problemeve sociale.

Këto ishin vetëm pak radhë mirënjohëse, për ata që njohim nga afër, ndërkohë që pjesë e trupës rajonale, me organizimin e ri arsimor, janë punonjësit e shërbimit psiko-social të mbarë Veriut, për të cilët shpresojmë të na jepet rasti të shkruajmë në të ardhmën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok