SHANTAZHI I RAMËS MË KARTËN GJEOPOLITIKE, NJË “PIKË MJALTI” APO NJË FLLUSKË SAPUNI…!?
Nga Ilir Çumani
Vendimi i fundit i Shteteve të Bashkuara për të ngrirë procedurat e vizave për një numër të madh vendesh, përfshirë Shqipërinë, nuk mund të trajtohet si një akt teknik ose formalitet administrativ.
Përtej gjuhës burokratike dhe formulimeve diplomatike, ky është një mesazh politik i qartë, që shpreh mosbesim dhe sinjalizon një realitet që Shqipëria nuk mund ta fshehë më pas një retorike të bukur.
Retorika e fuqisë dhe shantazhit gjeopolitik, për konsum të brendshëm politik, shpërbëhet si një flluskë sapuni sapo preket nga realiteti.
Përfshirja e Shqipërisë në listën e rreth 70 vendeve, shumë prej të cilave ballafaqohen me krizë institucionale, korrupsion endemik, emigracion masiv dhe paqëndrueshmëri politike, rrëzon imazhin e partneritetit të privilegjuar me Uashingtonin.
Një vend anëtar i NATO-s, tradicionalisht proamerikan dhe i vetëpërkufizuar si aleat i palëkundur, tani trajtohet si një partner me dyshime, në të njëjtin nivel me shtete problematike.
Ky zhvillim nuk është i rastësishëm, por produkt i një erozioni të gjatë të besimit, i ndërtuar nga një model qeverisjeje që ka dobësuar institucionet, ka relativizuar ndarjen e pushteteve dhe ka kthyer shtetin në instrument të pushtetit personal.
Në qendër të këtij modeli qëndron Kryeministri Edi Rama, si arkitekt i një sistemi ku vendimmarrja, retorika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare përqendrohen në një diskurs individual, shpesh impulsiv dhe konfliktual.
Politika e ndjekur prej tij ka krijuar një kontrast të thellë mes imazhit që projektohet jashtë dhe realitetit që perceptohet nga partnerët strategjikë.
Në brendësi të vendit, qeverisja akuzohet për korrupsion domethënës të nivelit të lartë, kapje të institucioneve dhe tolerim të kriminalitetit të organizuar.
Jashtë vendit, retorika shpesh shfaq arrogancë, vetëkënaqësi dhe sfidë ndaj standardeve perëndimore. Ky kontrast është një shfaqje e flluskës së sapunit që sa më shumë e fryn, aq më shumë rrezikon të shpërbëhet sapo përplaset me realitetin.
Situata rëndohet nga retorika problematike që përdoret ndaj aleatit amerikan. Referencat ndaj Kinës me metaforën e “pikës së mjaltit”, si alternativë strategjike dhe si “kartë rezervë” që mund të përdoret nëse Perëndimi kritikon, shpërfaqin devijimin nga logjika e një aleance strategjike.
Për SHBA-në, e cila e sheh Ballkanin si hapësirë me ndjeshmëri të lartë strategjike, çdo flirt i tillë interpretohet si paqartësi, mungesë koherence dhe rrezik për stabilitetin rajonal.
Shqipëria nuk shihet më si aleat i besueshëm, por si partner i paqëndrueshëm që luhatet sipas interesit të momentit, si një flluskë që kërcënon të shpërbëhet.
Vendimi i SHBA-së për ngrirjen e vizave nuk është ndëshkim arbitrar, por reflektim i një krize besimi e ndërtuar me vetëdije.
Aleanca nuk mbahet peng me retorikë dhe nuk konsumohet për përdorim politik të brendshëm. Ajo respektohet duke ndërtuar një shtet funksional, me institucione të besueshme dhe qeverisje të përgjegjshme.
Pasojat prekin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë: studentët, profesionistët, familjet dhe bizneset që shohin kufizime në lëvizje dhe paguajnë çmimin e kapriçove dhe aventurave politike të të tjerëve.
Aleanca strategjike dhe kapitali proamerikan i shqiptarëve nuk mund të përdoren si mburojë me retorikë dhe shantazh. Kur politika e jashtme shndërrohet në flluskë sapuni, iluzioni shpërbëhet dhe realiteti godet, e kësisoj besimi është seriozisht i cënuar.
Nuk është çështja nëse SHBA ka vepruar fort, por nëse politika shqiptare, dhe veçanërisht Kryeministri Rama, janë të gatshëm të pranojnë se kjo rrugë ka çuar në izolim dhe jo në forcim të aleancës.
Një vend i vogël nuk fiton duke kërcënuar me alternativa gjeopolitike, por duke ndërtuar besim të qëndrueshëm. Sot, pikërisht ky besim është seriozisht i vënë në pikëpyetje.
