08/11/2024

Semantikat e Ibrahim Rugovës!

0

Nga Enver Bytyçi

Ambasadori austriak, Albert Rohan, ishte përfaqësuesi tipik i shtetit miqësor të shqiptarëve që për gati dy dekada u mor me Kosovën. Ai kujtonte gjatë një interviste të vitit 2008 se në dhjetor të vitit 1995 kishte patur pakënaqësi ndaj Ibrahim Rugovës dhe politikës paqësore të tij në Kosovë. I pakënaqur me vendimet e Konferencës së DAYTON-it ai shkoi në zyrën e presidentit historik në Velani dhe e pyeti për atë se “Çfarë kishte fituar Kosova me këtë lloj politike të lëvizjes paqësore të tij”? Presidenti Rugova i përgjigjet thjesht dhe shkurt: “Po ne jemi këtu zoti Ambasador”!

Nëse rrimë dhe kundrojmë Kosovën e kohës së Rugovës, shohim se filozofia e tij e ruajtjes së elementit shqiptar ishte thelbi i lëvizjes paqësore që ai zbatoi. Rohan thotë se këtë mesazh të Rugovës e kuptova vetëm në pranverën e vitit 1999, kur pashë se çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës, kur ata rezistuan me armë kundër Milosheviçit. Kosova u boshatis prej tyre. Nëse nuk do të kishin ndodhur bombardimet e NATO-s, sot Kosova do të kishte humbur edhe emrin e saj, ngaqë shqiptarët nuk do të ishin më në vendin e tyre. Arsyetimi semantik është: “Ta ruajmë elementin etnik, ta ruajmë popullsinë, sepse pa popullsinë nuk ka territor”! Historiani i shquar gjerman lidhur me këtë shkruan se “Të pushtuar ose jo të pushtuar nuk janë territoret, por njerëzit që jetojnë në ato territore”! Që do të thotë se një Kosovë pa popullsinë shqiptare, pra e banuar me serbë, nuk do të konsiderohej e pushtuar”!

E ndërkohë kjo filozofi nuk është aq origjinale dhe e pandikuar nga krijimtaria artistike. Mitrush Kuteli kishte shkruar prej kohësh poezinë e famshme “Unë jam këtu den baba den” dhe kjo poezi ka fuqinë e saj të magjishme të mdezë mijëra e qindramijë zemra shqiptarësh. Rugova e adaptoi idenë e Kutelit dhe e zbatoi në veprimtarinë e tij politike. Sinteza ishte ruajtja e elementit shqiptar në Kosovë. Semantika është lidhja midis elementit njeri (shqiptarëve) dhe territorit.

Ndërkohë këtë qëllim politik të tij e diktonte edhe njohja nga ana e tij të programeve politike serbe për shpërnguljen e shqiptarëve. Rugova ishte racional. Nuk humbiste në xhunglën e llafollogjive shterpë për “drejtësi”, “barazi” e “liri”, terma këto që shpesh dëgjohen me bezdi edhe nga ata që betohen për këto parime. Por gjeti gjithnjë çelësin e hapjes së dyerve të drejtësisë, lirisë dhe barazisë.  Në rastin konkret ishte pikërisht lëvizja paqësore si mjet për ta ruajtur Kosovën në kushtet e aparteidit serb dhe denoncimi i dhunës e terrorit të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Semantika që Ibrahim Rugova krijoi midis realitetit në Kosovë e në hapësirat shqiptare duket në sa e sa biseda, deklarata në konferenca shtypi e intervista të tij. Por më ka mbetur në mendje një artikull i gazetës gjermane “Die Welt” e fundit të prillit 2001. E gjeta në arkivën e Institutit Gjerman të Kërkimeve për Paqen pranë Universitetit të Kaselit. Ishte koha kur shqiptarët e Maqedonisë nën siglën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare luftonin për të drejta të barabarta me maqedonasit. Pikërisht në kulmin e kësaj lufte presidenti Rugova vizitoi Berlinin dhe u prit nga kancelari i asaj kohe, Gerhard Schroeder. Gazeta shkruante për këtë takim dhe gazetari shpjegonte se Kancelari i kishte folur 30 minuta zotit Rugova me pakënaqësi për revoltën e shqiptarëve në Maqedoni

Zoti Schroeder i kishte thënë presidentit të Kosovës se “Ne vepruam dhe ju çliruam nga regjimi serb i Milosheviçit, ndërsa ju po na krijoni probleme në Maqedoni”, se “Tani problemi jeni ju shqiptarët” etj. Po cila ishte përgjigja e Ibrahim Rugovës. Do të habiteni nga ajo që Rugova thotë në sy të kancelarit gjerman: “Zoti Kancelar mos u mërzisni se do të bëhet mirë”! Semantika e një fjalie me të cilën përmblidhen sa e sa domethënie. Një përgjigje me njëmijë kuptime. Duhej të kishe mendjen dhe guximin e Rugovës të flisje me këtë gjuhë para një kancelari gjerman. Megjiithatë Ibrahim Rugovën askush nuk guxoi ta tregojë me gisht si “anti-gjerman”!

Edhe një shembull tjetër: Diku nga viti 2005 erdhi në Prishtinë një diplomat i njohur amerikan dhe takoi lidershipin e Kosovës për t’i bindur ata se “Pavarësia e Kosovës është alternativë e pamundëshme, pasiqë ka shumë vende, të cilat e kundërshtojnë atë”! Kur u pa se pjesmarrësit në atë takim, të gjithë njerëz të rëndësishëm në politikën kosovare, gati po pajtoheshin me parashtrimin e diplomatit amerikan, ndërhyn Ibrahim Rugova: “Ne do të jemi të kënaqur dhe mirënjohës sikur vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës”! Dhe me kaq ai e mbylli diskutimin e tij, duke nxitur të dërguarin e Uashingtonit që të mbyllë edhe takimin në fjalë. Një fjali me disa kuptime. Semantika e saj është shumë e kuptueshme.

Nga të tre këta shembuj ne mund të konkludojmë se mendja e Ibrahim Rugovës prodhoi gjithmonë sintezën e mendimit politik shqiptar në Kosovë. Gjykimi dhe arsyetimi i tij i tejkalojnë kufijtë e një lideri të zakonshëm. Në fjalët e tij ne gjejmë jo vetëm mendim, arsyetim, filozofi dhe lidhje kuptimësie në semantikë me kohën, ngjarjet, vullnetet, dëshirat, të drejtën dhe të vërtetën e Kosovës e për Kosovën. Ne gjejmë aty artikulimin e një ligjërimi të pa kundërshtueshtueshëm, të pa kontestueshëm dhe të papërballueshëm. Ligjërimi i Ibrahim Rugovës dhe semantika e tij në përballje edhe me kancelaritë e mëdha të Europës na e shfaqin presidentin historik të Kosovës si një personalitet të guximshëm dhe njëkohësisht të urtë e të matur.

Vetëm ai dinte si askush tjetër ta mbyllte debatin me një ose dy fjali pa lënë vend pët debat, diskutime dhe aq më pak për kundërshti!  Kjo ndodhi, sepse semantika që ai përdori në ligjërimin politik ishte e bazuar te mençuria e popullit, të cilit Rugova i përkiste!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok