21/12/2024

SAN MARINO, PERLA E EVROPËS

0
Basha-San-Marino1

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Në vitin 2015, Arta fitoi një bursë për Bolonjë, Itali, për të ndihmuar në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e mësimit me studentët. Kur vendosi të marrë edhe fëmijët me vete, na ftoi që t’i bashkoheshim, dhe ne, me gëzim, menduam se ky ishte një rast i mrekullueshëm për të kaluar më shumë kohë në këtë vend dhe për ta njohur më mirë. E vërteta është se kishim vizituar Italinë disa herë, por tani, me Artën dhe nipërit, udhëtimi kishte një kuptim të veçantë, një ftesë për të jetuar momente të paharrueshme së bashku.

Nga instituti mora pushimet, dhe me një përgatitje të shpejtë, u bëmë gati për rrugën. Këtë herë, vendosëm që udhëtimin ta bënim me makinë. Menduam të kalonim nga Shqipëria, dhe më pas nga Durrësi të hipnim në traget për në Bari, Itali, për të vazhduar më tej. Italinë e njihnim deri diku, dhe mezi prisnim të riktheheshim, të rifillonim rrugëtimin në atë vend që na kishte dhuruar kaq shumë kujtime të bukura.

Në mbrëmje, ngarkuar me kujtime dhe shpresa, hipëm në traget. Deti na priti me qetësi të thellë, dhe gjatë natës dukej sikur valët e tij na përkundnin lehtë, si në një përqafim të butë që na mbante zgjuar mes ëndrrave dhe valëve. Kur mëngjesi nisi të zbardhë, ne ishim të pushuar, të freskët e të gatshëm për të përballuar rrugën që na priste. Agimi na zuri në limanin e Barit, ku dielli lindte me ngrohtësi mbi horizontin italian. Sapo prekëm tokën, në periferi të qytetit na priti aroma e një kafeje të shijshme, një gjest i thjeshtë që shënonte fillimin e një udhëtimi të gjatë nëpër veriun e Italisë.

Edhe pse ishim përgatitur mirë për rrugën, me termose plot me kafe, pemë të freskëta, ujë e gjithçka që mund të nevojitej, mendjen e kishim te Gerti dhe Darsi, të vegjlit tanë që kërkonin vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm. Kilometrat rridhnin lehtë, duke na sjellë gjithnjë e më pranë destinacionit tonë. Qytetet e bregdetit italian kalonin para syve tanë, por me Artën dhe fëmijët në krah, rruga dukej si një skenë e gjallë e një filmi të këndshëm. Nuk kishte vend për monotoni; fëmijët e hareshëm mbushnin çdo moment me gëzim dhe humor, duke e bërë udhëtimin tonë një aventurë të paharrueshme.

Pasdite, Arta mori kthesën e djathtë, dhe përpara nesh u shfaq qyteza e vogël e Belarios. Ishte një vend i gjallë dhe i zhurmshëm, me turistë nga çdo cep i botës që i jepnin  energji të reja këtij qyteti të vogël. Shtëpitë e vogla të fillimit u shfaqën si shenjat e para të këtij vendi të mrekullueshëm, por sa më shumë që përparonim drejt zemrës së qytetit, ndërtesat filluan të rriteshin, deri sa mbërritëm në lagjen ku do të qëndronim, ku ndërtesat shumëkatëshe dhe deti ngjitur ofronin një pamje që të linte pa frymë.

Arta kishte rezervuar një apartament në një nga vendet më piktoreske të rivierës italiane, në një qytet të vogël me emrin Belario. Sapo arritëm dhe u vendosëm, Belario u shfaq para syve tanë si një perlë e fshehur, një vend magjik ku ditët e verës përqafonin turistët nga e gjithë bota, duke i pritur me buzëqeshje dhe det të pafund.

Kur navigatori shënoi destinacionin tonë, u mahnitëm nga afërsia e detit, që dukej sikur na përshëndeste nga dritarja. Pas disa procedurave të shkurtra me pronaren e apartamentit, shkarkuam bagazhin dhe u vendosëm në katin e dytë të ndërtesës. Pronarja, me një buzëqeshje të ngrohtë, na dorëzoi çelësat, na tregoi banesën dhe, me elegancë, na pyeti nëse kishim ndonjë nevojë shtesë para se të largohej, duke na lënë në qetësinë dhe rehatinë e shtëpisë sonë të përkohshme, me detin që na përshëndeste çdo mëngjes.

Banesa ishte në një vend të mrekullueshëm, një strehë e ngrohtë që na priti me krahë hapur. Çdo detaj i mobiluar dhe i rregulluar ishte siç e kishim ëndërruar. Një nga ballkonet na jepte pamjen e rrugës kryesore të qytetit, me gjallërinë e saj të përditshme, ndërsa ballkoni tjetër shikonte me qetësi nga deti, një peizazh që të bënte të harroje çdo shqetësim. Ndërtesa, e re dhe e ndërtuar vetëm dy ose tre vite më parë, kishte një hijeshi që na ftonte të qëndronim gjatë.

Sapo vendosëm gjërat në vendin e vet, Gerti dhe Darsi, me padurimin e tyre të fëmijëve, kërkuan me çdo kusht të dilnim në det. Edhe pse mbrëmja ishte ende e nxehtë, ne, unë, Tefiku dhe nipërit, dolëm për të shijuar atë pasdite të bukur pranë valëve të detit Adriatik. Plazhi ishte aq afër sa vajza na përcolli me sy derisa u vendosëm nën një çadër. Fëmijët ishin të gëzuar tej mase, duke përjetuar një lumturi që vetëm deti mund ta dhuronte.

Të nesërmen, Arta kishte obligime për të përmbushur në Universitetin e Bolonjës, ndërsa ne vazhduam me ritualet tona të përditshme të pushimeve. Çdo ditë në plazh ishte një udhëtim në vetvete, me librat që kishim marrë me vete për të na shoqëruar në momente të qeta. Një ditë, vendosëm të shkonim më herët në plazh, por sapo arritëm, u befasuam. Uji ishte tërhequr për 20 apo 30 metra, dhe përpara nesh shtrihej një breg i zbrazët, me mbeturinat e ujit që kishin mbetur pas. Ku ishte deti? Uji kishte ikur, duke lënë pas një peizazh të çuditshëm e të zhveshur.

Tefiku, me qetësinë dhe dijen e tij prej gjeografi, na shpjegoi për fenomenin e baticave dhe zbaticave. Ai na tregoi se këto janë dy ngritjet dhe dy uljet e nivelit të ujërave të deteve dhe oqeaneve, që ndodhin gjatë 24 orëve e 50 minutave, si pasojë e ndikimit të forcës tërheqëse të Hënës. Ngritja e nivelit të ujit quhet baticë, ndërsa ulja zbatice, dhe këto lëkundje ritmike janë fazat e detit që e formësojnë peizazhin detar. “Ohho,” i thashë, “po na mban ligjërata edhe këtu si studentëve,” dhe qeshëm bashkë, por e gjitha kjo mu duk shumë interesante, një mister i natyrës që po e përjetonim për herë të parë.

Pas një kohe, uji filloi të kthehej ngadalë në vendin e tij, duke mbushur plazhin me gjallërinë e pushuesve. Deti, në mënyrën e tij magjike, kishte rikthyer peizazhin që na kishte lënë pa fjalë më parë, duke na kujtuar se sa e çmuar dhe e ndërlikuar është çdo moment që kalojmë pranë tij.

Vikendi më në fund erdhi dhe Arta na u bashkua në pushimin tonë. Tefiku, me hartën në duar, e shikoja se si po e studionte me kujdes, dhe papritur, gjatë darkës të së premtes, na tha me një entuziazëm të përmbajtur se do të ishte një ide e shkëlqyer të vizitonim San Marinon, atë shtet të vogël dhe të lashtë që ndodhej fare afër nesh. Ne, të gjithë të gëzuar, e përqafuam këtë mendim me zemër të hapur.

Të shtunën në mëngjes, pasi përgatitëm një mëngjes të shpejtë, u futëm në veturë me  fëmijët ende të përgjumur dhe nisëm rrugën. Rrugës, Tefiku na rrëfente për destinacionin tonë, duke na përshkruar me pasion historinë dhe karakteristikat e këtij shteti unik. Republika e San Marinos, e njohur gjithashtu si Republika e Qetë e San Marinos, është një xhevahir i fshehur në jugun e Evropës, i rrethuar nga Italia, si një oazë e vogël brenda kësaj bote të madhe.

Me zërin e tij të qetë, ai na fliste për këtë qytet-shtet që qëndron krenar pranë bregut të Adriatikut, i njohur për kalatë e tij madhështore, veçanërisht për La Guaita-n, një simbol i historisë së tij të pasur. San Marino, një nga republikat më të vjetra në botë, ka ruajtur identitetin dhe lirinë e tij që nga viti 301. Ky shtet, që përbëhet nga nëntë njësi administrative, shtrihet në një sipërfaqe prej 61,2 km², duke u pozicionuar mes maleve dhe luginave të bukura.

Ndërsa na fliste, e ndjeva se ky udhëtim po merrte një formë magjike. Tefiku përmendte vijën kufitare të San Marinos, të gjatë vetëm 39 km, që e bënte këtë vend një oazë të qetë në zemër të Italisë, me një klimë subtropikale të lagësht, ku dimrat janë të butë dhe verërat të nxehta dhe të ndriçuara nga dielli.

Ai na tregoi për relievin e ashpër të këtij shteti të vogël, ku toka ngrihet nga lartësia e Torrente Ausa-s, vetëm 55 metra mbi nivelin e detit, deri në majën e Monte Titano-s, që ngrihet madhështor në 755 metra mbi det. Ndërsa dëgjonim këto detaje, rruga dukej më e shkurtër, dhe pritja për të parë këtë mrekulli të vogël të botës na mbushte me entuziazëm dhe kuriozitet. Ishte një udhëtim që na ofronte jo vetëm peizazhe të reja, por edhe një mundësi për të ndjerë historinë dhe kulturën e lashtë të San Marinos.

Fati na buzëqeshi me një ditë më të freskët se të tjerat, dhe një udhëtim i tillë ishte mase i mirëpritur. Udhëtimi drejt këtij shteti u bë edhe më i lehtë falë navigatorit që kishim instaluar në veturë, një mik i heshtur, por i përpiktë, që na drejtonte me saktësi nëpër rrugët e bukura të Italisë. Rrugët italiane, të rregulluara me përpikëri dhe standarde të larta, meritonin çdo lëvdatë, me një notë të merituar dhjetë për kushtet e tyre të shkëlqyera. Por duhet përmendur gjithashtu se pagesat rrugore ishin mjaft të shtrenjta, veçanërisht krahasuar me ato në vendet përreth.

Navigatori ynë, i dëgjueshëm dhe i kujdesshëm, na udhëzonte me një precizitet të mrekullueshëm, duke na çuar nëpër rrugët më të shkurtra dhe të mirëmbajtura, duke na drejtuar drejt autostradës që na çonte më afër San Marinos. Pas disa kilometrash të kaluara me peizazhe të bukura italiane, ai na drejtoi drejt një rruge tjetër, e cila na çoi në zemrën e këtij shteti të vogël, duke kaluar nëpër një mal që më vonë mësuam se ishte Mali gëlqeror i Titanos, pika më e lartë e San Marinos, vetëm 13 kilometra larg Adriatikut. Ky mal, me tri majat e tij të kurorëzuara me kulla, simbolizonte lirinë e San Marinos dhe që nga shekulli i 14-të, ato ishin shndërruar në një emblemë krenare të këtij shteti.

Pas më pak se 40 kilometrave, para nesh u shfaq San Marino, qyteti-shtet, një ndër më të vegjlit në botë. Për të hyrë në të, nuk na u deshën dokumente të veçanta, as nuk pati kufi të dukshëm për të kaluar. Vetëm kur u afruam më shumë, lexuam se kishim mbërritur në San Marino. Rruga për të hyrë në qytet ishte e mbështjellë si një gjarpër, ngjitje pas ngjitjeje, që dukej sikur s’kishte fund. Por pas një kohe të shkurtër, u gjetëm në zemrën e këtij qyteti të vogël, me një ndjenjë të thellë admirimi për këtë vend të vogël, por plot histori dhe shpirt.

Vetura jonë u parkua pa asnjë vështirësi, sepse qyteti nuk kishte gjallëri të madhe atë ditë. Është për t’u theksuar se San Marino, ky shtet i vogël dhe i veçantë, nuk kishte as aeroport, as hekurudhë. Mund të arrije këtu vetëm me autobus, veturë, apo me motorë të tipave të ndryshme.

Sapo hymë në qytet, qëllimi ynë kryesor ishte të gjenim një vend për të pirë një kafe dhe për të çlodhur fëmijët, para se të vazhdonim me eksplorimin e këtij vendi të lashtë. Sheshi i Lirisë, i cili ndodhej në zemër të qytetit, na u duk vendi më i përshtatshëm. Në këtë shesh të bukur, kishte një restorant që gumëzhinte nga vizitorët. Një kameriere me buzëqeshje të ëmbël na priti me përzemërsi dhe na ofroi menjëherë një tavolinë të vendosur në pozitën më të mirë.

Sheshi, i njohur si Piazza della Liberta (Sheshi i Lirisë), ishte një hapësirë plot hijeshi në qendër të kryeqytetit të San Marinos. Aty pranë ndodhej Statuja e Lirisë, e skalitur në mermer dhe e përshkruar në monedhën prej dy centësh të prerë në këtë vend, dhe gjithashtu këtu ndodhej edhe Palazzo Público, selia kryesore e qeverisë.

Ngela e mahnitur nga pamja e kuvertës së vëzhgimit, një pamje që s’do të mund ta harroj kurrë, një bukuri që shtrihej përpara nesh nga Sheshi i Lirisë. Pasi shijuam kafen dhe akulloren Rafaelo, që ishin aq freskuese dhe të shijshme, nuk mundëm të largohemi pa kapur disa fotografi nga ajo pozitë e përsosur, duke i përjetësuar ato momente të paharrueshme.

Pas pushimit të këndshëm në Sheshin e Lirisë, nisëm ngjitjen drejt majës së qytetit, një rrugë e ngushtë dhe e pjerrët, që sado e bukur, nuk ishte fort e përshtatshme për fëmijët. Me gjithë vështirësitë, kishim një qëllim të qartë: të arrinim në Bazilikën e Shën Marinusit, një monument i lashtë që përfaqësonte thellësitë e historisë dhe shpirtin e këtij qyteti të vogël.

Bazilika neoklasike, e ndërtuar në shekullin IV për nder të shenjtorit mbrojtës të San Marinos, na priti me një hijeshi të qetë dhe një ndjenjë respekti. Në hyrje, një mbishkrim na tregoi historinë e saj: kjo kishë e re ishte ngritur mbi rrënojat e një ndërtese të vjetër, dhe nën altarin e saj të madh, ende ruhej një pjesë e relikteve të shenjtorit të shenjtë. Në vitin 1838, kjo ndërtesë kishte fituar statusin e një bazilike të vogël, duke i dhënë asaj një rëndësi të veçantë në zemrën e këtij vendi të lashtë.

Por San Marino kishte ende shumë thesare historike për të ofruar. Një tjetër vend i shenjtë që vizituam ishte Kisha e Shën Francescos, e themeluar në vitin 1361, jo shumë larg nga porta kryesore e qytetit. Brenda saj, Muzeu i Artit të Kishës dhe Galeria e Arteve na ftonin të shihnim vepra arti që datonin nga shekulli i 13-e deri në shekullin e 19-të, duke na dhuruar një pasqyrë të pasur të historisë artistike të këtij vendi.

Megjithatë, ajo që na la pa fjalë dhe me një ndjenjë të thellë shqetësimi ishte Muzeu i  Kriminologjisë dhe Torturës Mesjetare. I vendosur në qendër të kryeqytetit, pranë portave të San Marinos, ky muze ishte një përvojë e frikshme. Hyrja në muze na ngjallte kujtime të zymta nga historia jonë, pasi ne në Kosovë kishim përjetuar dhe dëgjuar për tortura të tmerrshme që kishin aplikuar okupuesit ndaj popullit tonë, sidomos nga udbashët e pushtetit jugosllav, tortura që do t’i linin në hije edhe metodat mesjetare që paraqiteshin në këtë muze.

Brenda këtij muzeu të errët, pamë ekzemplarë të frikshëm nga shekujt 16 dhe 17, mbi njëqind instrumente torturash dhe pajisje, duke përfshirë çizmet spanjolle, brezin e besnikërisë, Iron Maiden dhe Karrigen e Inkuizitorit. Një mendim na kaloi në mendje: sa mirë do të ishte sikur edhe ne në Kosovë të kishim një muze të tillë, që do të dëshmonte për dhunën dhe mizoritë që kemi përjetuar, dhe që do t’i linte nën hije edhe vendet më të dhunshme në botë.

Në atë ditë të shtunë plot gjallëri, San Marino kishte shumë vende të bukura për të zbuluar, por për fat të keq, disa dyer na qëndruan të mbyllura. Para se të niseshim drejt Belarios, na kishin këshilluar të vizitonim Muzeun e Kurioziteteve, një vend që mbartte emrin e misterit dhe magjepsjes. Pas një ecjeje të gjatë në rrugicat e qytetit, më në fund e gjetëm këtë thesar të fshehur.

Hymë brenda me një ndjenjë pritjeje, dhe menjëherë u zhytëm në një botë të çuditshme dhe të mrekullueshme, ku para syve tanë shfaqeshin gjërat më të rralla dhe më të habitshme që mund të përfytyrohej. Muzeu na priti me ekspozita të pazakonta, ku çdo sallë mbante brenda vetes një tematikë unike, duke na ftuar të zhytemi në kontraste të mëdha dhe fenomene të pabesueshme.

Ndërsa shëtisnim nga një sallë në tjetrën, Gerti, me një buzëqeshje fëmijërore dhe sytë që shkëlqenin nga kureshtja, u mahnit veçanërisht nga figura e njeriut më të gjatë dhe më të vogël në botë. Ai nuk mund të fshihte gëzimin e tij, duke na tërhequr me entuziazëm drejt figurave të njeriut më të trashë dhe më të dobët, duke qeshur e shijuar çdo çast të asaj përvoje të veçantë.

Kënaqësia jonë u shumëfishua teksa shihnim fëmijët të argëtoheshin pa u lodhur, të humbur në atë botë fantastike të çudive dhe kurioziteteve. Aty, çdo qoshe ishte një surprizë e re, një detaj që na ftonte të ndaleshim e të shikonim më nga afër.

San Marino, me të gjitha atraksionet e tij, na dha një ditë të mbushur me të papritura. Çdo vend që vizituam ishte aq afër tjetrit, sa nuk ishte nevoja të bënim shumë hapa për të kaluar nga një mrekulli në tjetrën. Për shembull, Pallati Publik i Republikës së San Marinos, selia kryesore e qeverisë dhe zyra e kryetarit të kryeqytetit, qëndronin me madhështi në Sheshin e Lirisë. Ky pallat, i ndërtuar midis viteve 1884 dhe 1894, në vendin e Shtëpisë së vjetër të Komunave të Mëdha, na priti me hijeshinë e tij.

Edhe pse nuk mundëm të hyjmë brenda, pamja e tij e bukur na mjaftoi. U ulëm aty pranë, duke shijuar një drekë të qetë, ndërsa sytë tanë përkëdheleshin nga pamja e këtij pallati madhështor, dhe mendjet tona humbitnin në reflektime për historinë e gjatë dhe të pasur të këtij vendi të vogël, por plotë magjepsje.

Nuk e kishim planifikuar të vizitonim Muzeun Antik të Armëve, një nga atraksionet më të njohura të San Marinos, i vendosur në zemrën e qendrës historike të qytetit. Por, teksa kalonim pranë tij, na tërhoqi një ndjenjë kurioziteti dhe spontanisht vendosëm të hyjmë brenda, pa shumë hezitim. Biletat nuk na i kërkuan, dhe kështu nisëm shëtitjen tonë mes armëve që mbartnin në vete historinë e kohërave të trazuara.

Sytë tanë shëtitën nëpër këtë muze të mbushur me një koleksion të pasur armësh, duke përfshirë edhe armë moderne të ekspozuara me kujdes. Aty na u shfaqën armët e përdorura gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, secila me një histori të shkruar nën vete, duke përshkruar kohën, vendin dhe mënyrën e përdorimit të saj. Ishte një udhëtim përmes kujtesës së përgjakshme të shekujve, ku armët flisnin me zë të heshtur për kohërat e tyre.

Nga larg, sytë na kapën bukuritë e kullave madhështore, të shpallura zona të mbrojtura nga shteti i San Marinos. Kulla e Parë, Kulla e Dytë dhe Kulla e Tretë, të qëndisura në horizont, qëndronin si dëshmitare të kohërave të kaluara, të mbyllura në një mister që vetëm koha mund ta zbërthente.

Koha jonë, megjithatë, po shteronte, dhe ne ndjenim nevojën për të përshpejtuar çdo hap, duke u përpjekur të kapnim çdo pamje, çdo emocion që ky vend magjik kishte për të ofruar. Ora ecte me shpejtësi, por unë ndjeja një dëshirë të zjarrtë për të blerë më shumë kohë, vetëm që të vazhdoja të përjetoja bukuritë e San Marinos.

Në fund të këtij udhëtimi, na kishte mbetur Muzeu Shtetëror i San Marinos, një vend ku ëmbëlsira vërtetë mbetet për fund. Lexova diku se ky muze, i ngritur nga donacionet e qytetarëve, ishte hapur në fund të shekullit XIX. Në vitin 1982, muzeu ishte zhvendosur në Palazzo Pergani-Belucci dhe, pas restaurimit të ndërtesës, ishte rihapur në vitin 2001. Ky muze shtetëror mbante brenda tij mbi pesë mijë ekspozita historike dhe artistike, që u tregonin turistëve historinë e San Marinos që nga viti 1865.

Në mbrëmjen e vonë, në një restorant që shikonte nga qyteti dhe fushat e San Marinos, darkuam një darkë të shijshme me fruta deti. Ndërsa nata zbriste mbi qytetin antik, çdo kafshatë përmbante shijen e historisë dhe magjinë e këtij vendi të vogël, por të mbushur me madhështi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok