23/12/2024

RUGOVA MIDIS MITIT DHE MOHIMIT…

0
Rugova

(Mos)kuptimi i misionit historik të LDK-së në procesin e shtetndërtimit si dhe i rolit të Ibrahim Rugovës në të, siç po shfaqet në fushatën zgjedhore nga ai i ikonës partiake në anë të ndryshme e deri te mohimi i tij kuturu nëpër studio televizive nga disa opinionistë ikonoklastë, dëmton pikërisht kauzën mbi të cilën është ndërtuar Lëvizja kombëtare misioni i së cilës historikisht ka përfunduar më 12 qershor 1999.

Nga Jusuf Buxhovi*

Ditëve të fundit, fushata zgjedhore, tematizoi Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe dr. Ibrahim Rugovën në të mbi premisat e (mos)kuptimit ose të (keq)kuptimit tek mitizimi i tij, apo mohimi antihistorik i rolit të tij në themelimin e kësaj partie dhe të shtetit të Kosovës, ku ai ka vend meritor.

Ky tematizim bëhet në njërën anë duke u ngatërruar marrja e drejtimit të partisë nga ana e Rugovës në Kuvendin Themelues, që me të shpejtë do të kthehet në Lëvizje kombëtare – tek atributet e “themeluesit të vetëm” të partisë, që shfaqet si slogan në çfarëdo promovimi partiak vend e pa vend (veçmas këto ditë nga liderë të saj militantë), gjë që gjithë projektin politik të disa brezave dhe veçmas të atyre që koha ua ngarkoi përgjegjësinë të merreshin me të – të tillë ishin thuajse e gjithë shtresa intelektuale e Kosovës e të gjitha niveleve që u kyçën në të – e zhvlerëson nga meritat historike të tyre për ta bartur  te kulti i individit. Me këtë rast nocioni “Rugovizëm”, të shumtën me gjuhën e eseve letrare dhe apologjizma, ngrihet jashtë ndonjë doktrinariteti të mbështetur në vepra, që atë do ta kthenin në ideologji, siç ndodhë me marksizmin – me veprat e Marksit, stalinizmin me veprat e Stalinit, enverizmin me veprat e Enverit, titizmin me veprat e Titos e të tjera. Meqë Rugova nuk ishte politolog dhe asnjë shkrim në këtë fushë, ishte programi i LDK-së mbi të cilin u ndërtua Lëvizja Kombëtare, që ai e pranoi pa ia shtuar as një pikë e presë, ku ai mbeti dhe nuk lëvizi fare deri në fund. Ky program, pra është platformë dogmatike, që mbështetet mbi ideologjinë kombëtare analoge me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që filloi me kërkesën për barazi (autonomi  në një vilajet të përbashkët) brenda përbrenda Perandorisë Osmane, për të përfunduar, në Shkup, në gusht të vitit 1912, me 14 pikëshin e Hasan Prishtinës, që si Shqipëri Osmane do ta vërë në binarë historik pavarësinë e Shqipërisë të shpallur më 28 nëntor 1912.

Pra nëse mund të flasim për ndonjë “dogmë rugoviste”, atëherë kjo duhet të lidhet me Programin e LDK-së dhe konceptin e ndërtimit të shtetit mbi platformën e tij. Të tjerat janë pjesë e apologjisë politike për konsume partiake, që nuk i shkojnë rrethanave të kohës, e aq më shumë i shërbejnë ndryshimit për të mirë të gjendjes që pritet nga këto rrethana të kthesave të domosdoshme shoqërore dhe politike në kuadër të një ndryshimi demokratik, ku LDK-ja duhet të ketë rol aktiv me programe për ardhmërinë e shtetit dhe të mirëqenies së tij dhe assesi të “mësuesit të historisë”!

Tematizimi në tjetrën anë i figurës së Rugovës dhe rolit të tij në këtë proces tashmë të kryer historik që e prodhoi shtetin me qëllim të minimizimit ose mohimin e tij, me fjalë boshe dhe fyerje të natyrës ikonoklaste nëpër studio televizive nga opinionistë  gjoja të pavarur por në në vërtetë militantë të maskuar të drejtuar nga partitë politike, lidhet me atë të liderit ndër më të sukseshmit në skenën politike shqiptare të  këtij shekulli që promovoi kulturën intelektuale, vizionin politik si dhe patriotizmin shtetëror. Ishin këto premisa mbi të cilat ai u ngrit dhe  për tetë vite drejtoi lëvizjen institucionale me shtetin paralel në rrethanat e okupimit policor dhe ushtarak serb. Ai këtë rol e ushtroi  si president i parë historik, i zgjedhur me votën e qytetarëve në vitin 1992, në vitin 1998 dhe i rizgjedhur edhe në vitin 2001 dhe 2004. Natyrisht se mohuesit e Rugovës e me të edhe të historisë së shtetit të Kosovës, në konotacion negayiv, përdorin nocionet “rezistencë paqësore”, “gandizëm”, “nënshtrim në shërbim të pushtimit” e të tjera, ku nuk mungon edhe atributi “i tradhtarit” dhe i “tradhtisë”, që prodhoi pasoja të njohura tragjike të cilat edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të jenë përçarëse.

Natyrisht se diskursi i parë – mitizimi për nevoja politike dhe, i dyti – mohimi kuturu i një procesi historik dhe i rolit të partisë së parë plurale shqiptare (LDK-së) në rrethanat pas rënies së Murit të Berlinit dhe fillimeve të rënies së bipolaritetit blokist, dhe të dr Ibrahim Rugovës në të, ka të bëjë me prirjen që koncepti “i çlirimit” si doktrinë  ideologjike-revolucionare të fitojë primatin historik ndaj konceptit të rezistencës institucionale-paqësore gjoja “joefikase” madje “kapitulluese” institucionale e me të edhe të marrjes së pushtetit me dhunë, ose të segmenteve të tij kryesore, siç ndodhi gjatë protektoratit ndërkombëtar, që i hapën rrugë edhe kapjes së shtetit nga grupet kriminale të etabluara edhe në skenën politike, që sollën gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot shteti i Kosovës.

Këtij përcaktimi, si po shihet, për të fituar pushtet dhe hapësirë mediale deri në nivel të propagandës së hapur, i ka ndihmuar mosnjohja e rrethanave kurciale nëpër të cilat kaloi LDK-ja si dhe lëvizja që e drejtoi ajo nga vetë liderët e tanishëm të kësaj partie, ku ajo e kauzës fillestare të programit të kësaj partie e ngritur mbi konceptin e kërkesave për liri, demokraci dhe barazi, e aprovuar në Kuvendin e saj Themelues më 23 dhjetor 1989 shfaqet e turbullt dhe me deficite elementare të njohjes! Natyrisht kjo ka bërë që të  krijohet njëfarë mjegullimi rreth procesit të evolucionit të shpejtë politik në përputhje me zhvillimet siç ishin ato të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik e me këtë edhe të fillimit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni në maj të vitit 1991. Konferenca e Hagës e gushtit të atij viti, ku edhe u mor vendimi për shpërbërjen e federatës jugosllave mbi bazat e të drejtës së vetëvendosje së njësive federative, ishte referenca kryesore e ndryshimit konceptual ndaj çështjes që u përcoll me veprimet e duhura politike mbi të cilat u vendos procesi i pavarësisë, që si i tillë, si atu juridik dhe politik, do t’i shetbejë edhe GJND-së së Hagës për ta shpallur pavarësinë e Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo bëri që edhe LDK-ja, në marrëveshje me subjektet tjera pluralë në hapësirat e ish Jugosllavisë, kërkesën e deriatëhershme për BARAZI në federatën jugosllave, ta riformulojë në kërkesën për PAVARËSI.

Ndryshimi i kërkesës së mirëfilltë nga jo për BARAZI (krahas atyre për liri dhe demokraci, pra për sistem plural me të cilin rrënohej monopoli i partisë komuniste në pushtet dhe i komunizmit si sistem), siç theksohej në programin e aprovuar ditën e themelimit të partisë, pra më 23 dhjetor 1989, në PAVARËSI, që do të aprovohet në Kuvendin e Parë të rregullt LDK-së më 5 maj 1991, ishte në përputhje me ndryshimet radikale të kohës, të cilave duhej përshtatur me të shpejtë me vendime dhe veprime konkrete politike dhe diplomatike, siç ishte edhe kërkesa Komisionit të Badinterit në vitin 1992, që Kosovës t’i njihej e drejta e njohjes ngaqë në Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 kishte shpallë pavarësinë si njësi e pavarur federative.

Parja e Programit të LDK-së nga Kuvendi themelues pa këto ndryshime qenësore dhe vendimet dhe dokumentet me të cilat ato u legjitimuan, është veprim i  njëanshëm dhe jashtë kontekstit të misionit historik, gjë që i shkëputur edhe mund të manipulohet me të madhe siç ndodhi duke iu amputuar shumë të pavërteta dhe se siç po ndodh kur duhet t’i ndajmbathën edhe “mëkate” të tjera!

Por, për t’u kuptuar sa më mirë ky ndryshim, pra kthimi i kërkesës së mirëfilltë BARAZI (ku kritikuesit e saj të sotëm joparimore po mundohen ta lidhin me “jugosllavizmin” e të ngjashme në rrethanat kur ai po binte), të kërkesa për PAVARËSI, mbi të cilën do të mbështetet i gjithë procesi i lëvizjes institucionale-paqësore me shtetin paralel nga viti 1992 e deri më 12 qershor 1999, është e domosdoshme njohja e atyre që quhen parakushte të këtij ndryshimi historik. E këto janë:

– Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990;

– Kuvendi i  Kaçanikut i 7 shtatorit 1990 kur Kosova u shpall Republikë e pavarur në kuadër të federatës Jugosllave si dhe

– Referendumi për Pavarësi të 26 shtatorit 1991.

Këto tri ngjarje që rrumbullakuan infrastrukturën e legjitimitetit demokratik, kanë pasë për bazë vendimin e Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi (dhjetë sosh natyrisht të prira nga LDK-ja si strumbullar i tyre), nga gushti i vitit 1990 rreth tri opsioneve.

I pari opsion kishte të bënte me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, po qe se ajo do ta ruante karakterin e njëjtë që kishte.

Opsioni i Dytë kishte të bënte me formimin e një republike shqiptare në Jugosllavi, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët e shpërndarë në tri republika, po qe se do të ndryshonte karakteri i saj i brendshëm (federal-konfederal)

Dhe opsioni i tretë – lidhej me vendimin se po të shpërbëhej federata jugosllave, atëherë shqiptarët vendosnin pavarësisht për fatin e tyre duke mos u përjashtuar bashkimi me Shqipërinë.

Këto (mos)kuptime sado triviale që shfaqen sot – sa nga mosnjohja e vetë liderëve të tanishëm të LDK-së dhe sa nga (keq)kuptimet e kursit të LDK-së dhe rolit të saj historik  nga mohuesit e saj  nga kundërshtarët e saj ideologjik, nuk mund ta rrënojnë pamjen historike të lëvizjes institucionale, me shtetin paralel, që u ndërtua mbi  obligimet kushtetues nga Kuvendi i Kaçanikut, mbi të cilat u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në vitin 1992 dhe ato të vitit 1998, në rrethanat e luftës.

Por, edhe përkundër kësaj të vërtete, po shihet se disa nga liderët e sotëm të LDK-së, nuk e njohin mirë këtë pjesë të historisë së partisë e as të lëvizjes shtetndërtuese, ose dëshirojnë që atë ta përdorin pjesërisht për qëllime të caktuara, ku duhet të shihet vetëm roli mitizues i Rugovës në të, me ç’rast përjashtohen faktorët tjerë të gjithëmbarshëm që e kanë bërë lëvizjen dhe e kanë bartur atë deri të qëllimi historik, veçmas faktori ndërkombëtar si dhe mbikëqyrja prej tij në të gjitha fazat – të “politikës pa luftë”, pra të shtetit paralel dhe të “luftës pa politikë”, pra të rezistencës së armatosur.

Në këtë diskurs moskuptues të historisë së partisë “mëmë” nga disa liderë të saj, prej nga ata prej vitesh përfitojnë si shumë pa qenë në gjendje t’ia mbrojnë themelet, por edhe mohues nga zhvlerësues të saj me “argumente” të interesave grupore për pushtet ose aso ideologjike, shpatat më së shumti thyhen tek çështja e rezistencës së armatosur si dhe zanafilla e saj nga organizimi vendor i këshillave të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes e pasqyruar  me aranzhmanet e para që ka filluar LDK nga mesi i vitit 1990 të dërgimit të disa grupeve vullnetare për stërvitje në Shqipëri në përputhje me marrëveshjen midis Rugovës dhe Ramiz Alisë në atë një vit më vonë me presidentin Berisha, e deri te obligimi kushtetues, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të themeluar në fillim të vitit1992, kur ajo krahas ministrive të tjera kishte edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit (pra të policisë).

I gjithë ky aktivitet, pra ka qenë fillimisht në kuadër të strukturave të LDK-së dhe më vonë të Qeverisë së Kosovës, paçka se është përcjellë me vështirësi, gabime dhe lëshime të shumta madje edhe me pasoja.

Ka rëndësi me këtë rast të thuhet se veprimtaria e dy ministrive të Qeverisë së Kosovës (asaj të mbrojtjes në formën e organizimit të mbrojtjes territoriale në krye me gjeneralin Hajzeri), kanë vepruar deri në fund të vitit 1993, kur edhe do të burgosen nga regjimi jugosllav, por që kjo veprimtari, bashkë me atë të grupeve guerile (Drenicë dhe Dukagjin), është dashtë të ndërpritet në janar të vitit 1993, pas Kërcënimit të Kërshëndellave të 24 dhjetorit të Presidentit amerikan Xhorxh Bush, dërguar Millosheviqit , që njihet si “vijë e kuqe” që të mos përdor luftën në Kosovë. Ky kërcënim u është drejtuar edhe shqiptarëve që të mos përdorin kurrfarë aktiviteti luftarak.

Pra, LDK dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të detyruara t’u rrinë larg grupeve guerile dhe të “ngrijnë” punën e dy ministrive (të Mbrojtjes dhe të Policisë). Meqë SHBA-të dhe NATO kanë qenë ata që kanë kërkuar “politikë pa luftë”, së cilës dr Rugova i është përmbajtur me përpikëri, siç kanë kërkuar që edhe të mbahen zgjedhjet në qershor të vitit 1998, me ç’rast kjo kërkesë i është drejtuar personalisht dr Rugovës në Uashington nga Klintoni dhe në Gjermani, gjatë pritjes që ia ka bërë kancelari Kol. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve është kërkuar nga SHBA-ja dhe vendet e NATO-s për mbajtjen e hapur të dy linjave (institucionale dhe të rezistencës së armatosur gjithnjë të mbikëqyrur nga jashtë), për qëllime të caktuara, që si do të shihet më vonë, do t’i shërbejnë ndërhyrjes së armatosur qoftë me pretekste humanitare, meqë Beogradi, ndaj sjelljes  institucionale dhe demokratike të shqiptarëve kundërpërgjigjej me dhunë shtetërore, që ishte e natyrshme që në rrethana të caktuara të prodhojë edhe rezistencën e armatosur.

Ato që kanë ndodhur në Tiranë dhe në relacionet Kosovë-Shqipëri nga viti 1997 kur do të dalë në skenë UÇK-ja, si dhe rikthimi i Ministrisë së Mbrojtës nga Qeveria e Kosovës në pranverën e viti 1998 me në krye ministrin e FARK-ut Ahmet Krasniqin, pastaj marrëveshjen e Oslos për luftë të përbashkët, ku FARK-u subordinohet në UÇK, nuk mund të kuptohen drejt pa rolin e faktorit ndërkombëtat në to dhe veçmas përcaktimet që rezistenca e armatosur të mbahet e mbikëqyrur (në nivelin e grupeve të shkëputura) dhe jashtë drejtimi intitucional. Pra, ato që do të ndodhin brenda limiteve ndërkombëtare të vendosura nga SHBA-të dhe NATO-ja rreth mbikëqyrjes së rezistencës së armatosur në të githa fazat, qoftë edhe kur cilësohej “si terroriste”, nga brenda paraqesin  kapitullin tragjik të një gare për drejtimin e asaj që lejohej  midis Qeverisë së Kosovës dhe LPK-së. Kjo e dyta, kur në vitin 1993, do të largohet nga Lëvizja Kombëtare që drejtonte LDK-ja, ku ishte futur me kërkesën e saj si anëtare kolektive, do të plotësojë vakumin që la pas pasivizimi i Ministrisë së Mbrojtjes nën diktatin amerikan dhe ndërkombëtarë por edhe disa mosmarrëveshjeve të brendshme rreth kësaj çështje. LPK-ja me ideologji majtistë, e drejtuar nga dy grupe jashtë (Gjermania dhe Zvicra), e lidhur me qeverinë socialiste të Tiranës dhe me koncepte të njohura  ideologjike, me këto veprime, duke u sjellë në hapësirën e rezistencës vendore dhe të resurseve të saj patriotike, megjithatë mbajti “të ndezur” fitilin e rezistencës së armatosur, që do të vihet në veprim pas marrëveshjeve të Dejtonit, me çka u ndihmua që lufta diplomatike të kthehet në diplomaci të luftës, siç ndodhi pas Rambujesë.

Ky digresion i shkurtër nëpër histori, që trajtohet dhe argumentohet në veprën “Kthesa historike” 1 si dhe “Kosova”V, VI dhe VII, pa pretenduar se çështjes i është vënë pika, meqë shkenca nuk pranon kornizat dogmatike e aq më pak përvetësimet nga pozicioni i “fitimtarit” dhe “të fortit”, ka për qëllim që të tërheq vërejtjen nga keqpërdorimet personave historik, siç është i Dr. Ibrahim Rugovës me këtë rast për qëllime zgjedhore deri te shkalla e manipulimeve të paskrupullta mbi bazat e “pronësisë partiake”, që i tejkalon ato edhe për vetë faktin se ai ishte drejtues i një lëvizjeje kombëtare gjithëpopullore në të cilën morën pjesë të gjitha rrymat dhe shtresat shoqërore dhe politike që kërkonin çlirim nga Serbia dhe liri, demokraci dhe pavarësi.

Pra, përdoruesit si dhe shpërdoruesit e historisë, duhet ta kenë të qartë se vlerësimet dhe rivlerësimet historike të ngjarjeve si dhe personaliteteve në to, nuk kalojnë nëpër filtrat politikë, siç janë të tanishmit ku partitë pretendojnë monopole edhe ndaj figurave historike që i tejkalojnë kornizat e tyre, por kalojnë nëpër ato shkencor, ku distanca kohore dhe dokumentet kanë fjalën kryesore.

Në këtë aspekt, nderimi i dr Ibrahim Rugova, nga kundërshtarët e tij të deridjeshëm, ia konfirmon meritat e tij historike, por rikthen edhe nderimin institucionit shtetëror që ai e përfaqësoi me legjitimitet të plotë. Presidentin historik të Kosovës, megjithatë, nuk e nderojnë as ikonofilia  e as ikonoklastia për qëllime të fushatave politike, meqë  janë pjesë e nekrofilisë…

(*Autori është historian, koordinues i grupit nismëtar për themelimin e LDK-së, autor i Programit të LDK-së si dhe dokumenteve të aprovuara në Kuvendin Themelues më 23 dhjetor 1989. Ishte sekretar i parë gjeneral i partisë nga themelimi e deri më 5 maj 1991. Ndërsa Anëtar i Këshillit Qendror të LDK-së nga 1991-1993).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok