23/12/2024

Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm)

0
alketa-vejsiu-sanremo

Nga Elvi Sidheri

Kur, në mbrëmjen kushtuar këngëve “cover”, pra ripërpunimeve të hiteve më të shquara të muzikës italiane ndër dhjetëvjeçarë, ditën e enjte më 6 shkurt (për rastësi, pikërisht në ditën e promovimit të dy romaneve, Dy Botë dhe Emigrantja, të autorit të këtij shkrimi), në skenën e festivalit më unik të muzikës së lehtë në Europë dhe më gjerë, në SanRemo-n e luleve, tingujve muzikorë dhe atmosferës glamour, do të shfaqej në ekran një prezantuese shqiptare, nuk mund të them se u habita.

Isha ndër të parët që e pashë lajmin në televizor, në lajmet e Rai Uno, kanalit kryesor publik të televizionit italian, ditën kur prezantuesi i SanRemo-s këtë vit, prezantuesi i njohur me karrierë të gjatë televizive italian, Amadeus, bëri të ditura publikisht gjithë bashkë-prezantueset e tij në këtë edicion të SanRemo-s, përfshirë edhe shqiptaren Alketa Vejsiu.

Rrjedhimisht habia nuk qëndronte në këtë detaj.

Ishte “spektakli” i saj në skenë, që besoj më shtangu jo vetëm mua, po veçanërisht shikuesit italianë, ata qindra që ishin të pranishëm në sallë, e sidomos 11 milionë italianët që shikuan festivalin e SanRemo-s besnikërisht nga ekranet televizive (duke vendosur një rekord shikueshmërie për Italinë, gjatë 17 viteve të fundit).

Të ngjitesh në skenën e SanRemo-s është gjithsesi një arritje jetësore për shumëkënd, për çdo artist, italian a të huaj qoftë, e për ta ilustruar këtë gjë, mjafton të qëmtohet përgjatë këtyre 70 viteve SanRemo, sa yje të muzikës e kinemasë italiane, europiane e botërore janë ngjitur krenarisht në këtë skenë kaq hijerëndë.

Por ta shkelësh atë skenë, t’i zbresësh ato shkallë të thikta (në çdo kuptim, atë metaforik dhe të mirëfilltë)  me atë dozë të vlerësueshme vetëbesimi, atë kontroll të vetes dhe atë aftësi për ta dominuar skenën, kamerën dhe për ta bërë për vete publikun italian, përbën pikërisht thelbin e paraqitjes mbresëlënëse të prezantueses shqiptare atë mbrëmje.

Nga thuajse një duzinë prezantuesesh femra të këtij edicioni të SanRemo-s, që dukshëm i qe kushtuar edhe pozitës së gruas, në televizion, fushën profesionale dhe jetë në përgjithësi, që varionin nga ish këngëtare të njohura të viteve 80, si Sabrina Salerno, te gazetare me prirje të theksuara majtiste e origjinë palestineze, si Rula Jebreal apo bukuri të shquara italiane si Diletta Leotta (shikoni në Google, për të mësuar më shumë për të, do ju ngazëllehen sytë minimalisht), do të ishte pikërisht prezantuesja e panjohur shqiptare për publikun e gjerë italian, përgjithësisht tepër i rreptë me nocionin e të panjohurës në përgjithësi, ajo që do të linte gjurmë e do të mbahej mend.

Atë mbrëmje, të nesërmen, mbas mbylljes së festivalit, e gjer ditët e para të kësaj jave, vijon të flitet për Alketa Vejsiun, kryesisht për mënyrën e saj të prezantimit, për të folurin e saj të rrjedhshëm, për qëndrimin kryelartë në skenë, për natyrshmërinë e prezantimit të saj, për faktin se nuk druhej aspak nga pesha e skenës që po shkelte, e veç në fund për pamjen e saj fizike, ndryshe nga trajtimi që u bëhej thuajse tërë prezantueseve të tjera të SanRemo-s në këtë edicion tejet të suksesshëm.

Kjo është edhe arsyeja përse unë, po mendoj edhe shumë shqiptarë të tjerë u ndiem të kënaqur, ndonjëherë edhe krenarë me praninë e kësaj prezantueseje shqiptare nga Tirana në skenën e SanRemo-s.

Pas edicionit të vitit 2018 të fituar nga një këngëtar shqiptar, i rritur në Itali, si Ermal Meta, një djalë “fatto da se” (që e ka arritur gjithçka vetë) siç thonë italianët, që përpara se të ngjitej në majën e Olimpit të muzikës italiane, kishte punuar pandalshëm duke shkruar tekstet e këngëtarëve më të njohur italianë, duke i ngjitur shkallët e karrierës muzikore pak nga pak, gjersa pas triumfit në SanRemo, shkëlqeu edhe në Eurovision Song Contest, tashmë një shqiptare arrin edhe ta prezantojë me sukses të padiskutueshëm këtë festival, një nga traditat muzikore e artistike, që Italisë ia njeh dhe vlerëson tërë bota.

Këtu do të duhej të mbaronte diskutimi për Alketën dhe praninë e saj në SanRemo 2020.

E pikërisht këtu shqiptari nuk harron të fillojë polemikat e kota, sipas traditës tonë më të pashmangshme.

Prezantuesja në fjalë, në SanRemo, Shqipërinë dhe banorët e saj i prezantoi vetëm metaforikisht, duke mos vajtur gjer në Itali (si Dhaskali i ngratë, gjer në Allemanjë) për hir të shqiptarëve, por në të mirë të karrierës së saj televizive apo artistike qoftë.

I lumtë fundja!

Ekonomia e tregut, kapitalizmi edhe në rrafshin televiziv, kërkon që synimet individuale, të arrihen në këtë mënyrë, duke parë interesat personale në radhë të parë.

Karriera e Alketës është çështja e saj vetjake, si dhe përse ajo ngjitet në skenën e SanRemo-s, është thelbësisht puna e saj dhe e organizatorëve të SanRemo-s, prezantuesit të saj, në këtë rast Amadeusit, dhe RAI-t, televizionit publik italian, që me taksat e shtetasve italianë, vendosin se kush është e udhës ta prezantojë këtë festival, qoftë edhe një prezantuese shqiptare nga Tirana si në këtë rast.

Për çfarë debatojmë ne shqiptarët ndërkaq?

Një Zot e di!

Fakt është që atë mbrëmje, prezantuesja shqiptare nga Tirana në fjalë, foli edhe shqip, përshëndeti shqiptarët dhe Shqipërinë në gjuhën shqipe, nuk vuajti nga asnjë kompleks inferioriteti (nga i cili historikisht populli i saj trim dhe liridashës çoku vuan pashërueshëm), u soll sikur të ishte e zonja e shtëpisë në një skenë ku shumëkujt, edhe prezantueseve me fort më shumë përvojë se ajo, u dridhen leqet nga emocionet, foli “si motor i prishur”, kur thotë populli, paskëtaj mbaroi punë dhe iku.

Ndërsa në Shqipëri plasën “polemikat”!

Na paskësh harruar të thotë se vjen nga vendi i Pellazgëve (!!!!!!!!!), nuk paskëshka thënë se qenkëshkemi popull i lashtë, nuk paskërka përmendur Shqiponjën Dykrenare, Ilirët, Skënderbeun, Tavën e Kosit apo Bugaçen!!!!

Turp e faqja e zezë!

Kjo është mungesë patriotizmi more shokëni, moj shoqeni!

Të thuash ti se në skena thellësisht dhe thelbësisht kulturore si SanRemo, shkohet për të bërë monologje folkloriko-anakronike përdëllyese-mallëngjyese patriotike, jo për të bërë spektakël modern, bashkëkohor, për të prezantuar muzikë të nivelit të lartë, në atdheun e mirëfilltë të kulturës dhe stilit e hijeshisë, pikërisht në Itali.

Të duket sikur problemi që kanë mirëfilli ca njerëz, është vetë fakti se prezantuesja në fjalë, Ermal Meta para dy vitesh (për të cilin gjithaq shpërthyen ca polemika qesharake të ngjashme, vetëm për hir të polemikës dhe kundërshtisë pellazgo-anadollake ndaj arritjeve të mirëfillta të dikujt) apo shqiptarë të tjerë që kanë gjetur suksesin në Itali e në Perëndim në përgjithësi, këtë sukses e korrin në Botën e Qytetëruar.

Të bredhësh Dubain apo Abu Dabin, të xhirosh “seriale” çallmash e shallvaregjerësh buzë Bosforit në Orient, pranohet e brohoritet botërisht, kurse po të integrohesh, të gjesh suksesin e të sillesh si në shtëpinë e botën tënde kulturore në Perëndim, e në Itali në veçanti, qenkësh mëkat i pafalshëm.

Nuk e thonë haptas, po ky është problemi për shumëkënd, që Perëndimit i thur lavde duke na i telendisur Rilindasit (nga Naimi i ngratë, Vaso Pasha,  te i keqpërdoruri kronikisht nga njerëz që nuk  i kanë lexuar asnjë rresht nga vepra e tij, Theofan Stilian Noli, e gjer te Konica i vonë e i madhi Gjergj Fishta), por Lindjen e kanë të rrënjosur në zemër e mendje.

Mënjanë dozës së (pa)shëndetshme të smirës tipikisht pellazge (në mutacionin gjenetik oriental anadollak), problemi është Italia, si fqinji më Perëndimor, kulturalisht, tradicionalisht e historikisht që ka Shqipëria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok