22/12/2024

RRNO VETËM PËR ME TREGUE

0
At-Zef-Pllumi

Kur mbrrijta në Shkodër, në Kuvend të Arrës së Madhe, gjeta ata katër-pesë fretën; edhe ata u çuditën kur shkova aty. Për ne, – thanë ata, – ashtë kohë e vështirë, prandaj mendou mirë.

-Betimin solemn, – u përgjegja,- e kam ba për kohë të vështira e jo për bukë e mjaltë.

Në kuvend vorfnia kalonte çdo cak. Shën Frnçesku vet ndoshta do të çuditej. Nuk kishim kurrnji të hyme nga shërbimet fetare, se populli i frigsuem nuk shkonte në kishë. Çdo takim me një meshtar katolik konsiderohej reaksionar, anmik, por edhe vetë e shkuemja në kishë ishte (po nuk ishe i autorizuem) nji akt anmiqsor.

Superiori At Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë. Ndigjo, more djalë, – më tha, – un e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gja ka masë; shka del jashtë mase është budallëk. E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën ma t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na. Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë. Na pleqtë edhe në ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerzit do t’kishin me kenë gjithonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’vdesin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue.  Kurgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton shka due me t’thanë? Mbaruan të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti; të gjithë shkojmë si qeni n’rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallxojë! Nuk është fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. Na duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm. E kupton këtë?  Fra Zef, unë jam sot për sot. Superior, por po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!

Mbas disa mintuash në nji heshtje, unë fillova me i tregue jetën që kishem kalue atje në mal. Nuk asht puna, i thash, te haeja, por strofulli im, i thash, atje nuk kishte kurrëfar sigurie: i gjurmuem prej zagarëve e në shënjestër të gjuetarve. Nji njeri me shkollë në katund nuk ka jetë; duhet të jesh analfabet që jetojsh. Vetëm në qytet mund  i bajsh dredha plumbit.

Edhe ai u mendua gjatë.

-Po, ke arsye: ashtu asht. Do t’përpiqem me ba dishka. Mandej filloi e më tregoi gjendjen e vërtetë në të cilën gjendej kisha në Shqipni.

– Kur kthei,  më tha, – Enver Hoxha prej Moske duel nji “Projekt-ligj mbi komunitetet fetare”. Porsa u botua ky, njerzit e qeverisë u vunë në veprim dhe muarën kontakt me ne. Kur thomme ne, flitet për mue e për Dom Ernesto Çoben. Gjon Jaku e mbron Dom Ernestin dhe mendon me i lshue në dorë të tij të gjitha fatet e Kishës në Shqipni, mbasi ai asht nji njeri i butë, që nuk mund t’i thotë “jo” kurrkujt, i thjeshtë dhe i pa eksperiencë dhe mendon se me të Qeveria do të lozin si të dojë. Mirëpo, Tuk Jakova ka ardhë e asht takue me mue. Unë atë e kam pasë nxanës në shkollën qytetëse – siç i thoshim dikur 6 klasave fillore.  Asht kenë një nxanës fukara i këputun. E çfarë notash  mund të priteshin prej tij, që nuk kishte kurr bukën e gojës me u ngi? Ti e din se na i duam e i mbrojmë fukaratë. Unë si përgjegjës klase e kam kalue gjithmonë; atë dhe tjerët. Pse, shkencëtarë do të baheshin ata me 6 klasë fillore? Unë i thash Tukut se as unë, as Dom Ernesti nuk kishim gja në dorë, por vetëm Imzot Bernardin Shllaku  kishte këto kompetenca me përfaqësue Klerin e Kishën, me firmosë akordet e marrëveshjet. Tuku në nesret, bashkë me Qamil Gavoçin, që është kryetar i Komitetit Ekzekutiv, na thirrën në zyrë të treve dhe Tuku na tha që Qeveria kërkonte vetëm një njeri të autorizuem prej Kishës për me zhvillue bisedimet. Imzot Bernardini ashtu edhe zëv.famullitari i Shkodrës, Dom Ernesti, më ngarkuen mue (At Marin Sirdarin,v.j.) për me marrë kontakte me Qeverinë dhe me gjithë klerin, mbasi marrëveshja ishte dypalëshe. Në takimin e parë që kam ba me Tukun i kam kërkue, si provë të vullnetit të mirë, se don me të vëretë me ba  nji marrëveshje rregulluese për të gjitha çështjet fetare, i kam kërkue lirimin e një pjese të priftënve të burgosun, dhe kthimin e disa tokave e ndërtesave që shteti i kishte marrë. Tuku më dha premtime. U lirue nga burgu vetëm Dom Zef Bici, i cili ishte gjithnjë në hetuesi e kështu i padënuem. Tash e me faljen e 29 Nëntorit 1949, kanë lirue edhe At Rrok Gurashin, dom Ndoc Sahatçinë, At Marjan Prelën e At Leon Kabashin. Sa për At Rrok Gurashin, ai dihet prej të gjithëve se është dorzue publikisht: ka ba një gjygj si kanë dashtë këta. Na kanë turpunue. Për Dom Ndocin flitet se edhe ai ka veprue keq. At Marjani ishte dënue tre vjet dhe i kishin mbetë vetëm pak muej. Për At Leonin nuk dij shka me thanë.

Atëherë unë ia ndërpreva.

– Ndigjo, Patër Rroku e Dom Ndoci, e din gjithkush se kanë dale me bajrak. Sa për Patër Leonin atë duhet ta ketë kërkue P.Rroku për me u mshefë mbas tij, edhe mendon se me këtë do të fitojë ndonji pikë, por besoj se nuk ia del. Pater Leoni asht shumë i mirë, por ia len tehin mbarë gjithkuj; mos u ban merak për të.

– Shikjo, – më tha,  – ndër këto dit ai projekt-ligj asht aprovue si ligj edhe botue në shtyp. Asht një ligj i bamë enkas për ne katolikët; ata kërkojnë që na të ndahemi prej Papës, ose përndryshej quhemi jashtë ligjit; asht një ligj me të cilin duen me përligjë të gjitha krimet e bame deri tash edhe ato të ardhmet. Un i kam thanë Tukut troç: na desim por prej Papet nuk ndahemi!

– Je takue përsëri me Tukun? – e pveta.

– Kam shkue në Tiranë në shtëpi të tij; më ndali edhe për drekë, e kishte thirrë edhe nanën e vet që rrin te Kola. Tuku asht baballëk: nuk ka sherr. Ai më parqiti nji projekt-statut të Kishës Katolike të Shqipnisë. I dhash një sy: herezi fund e maje. E pveta Tukun:

– Ndonji ortodoks e ka përpilue këtë?

– Nuk e dij mirë, – më tha, – por ata këshilltarët juristë të kryeministrisë.

– Nuk pranohet, – i thash.

– Menoju mirë! – më tha. – Nuk është vetëm një fjalë goje.

– A mund të ketë komunistë të vërtetë pa Moskën? Sikur të jeni pa Moskën, do t’ishit trockistë e titistë, por jo komunistë. Nuk ka katolik pa Papë.

– Shko,  më tha Tuku, – këtë fjalë do të ma thuesh edhe ndër sy të tjerëve. Nesër n’ora 10 hajde në zyrë në Kryeministri. Qe këtë letër, dhe më dha një pusullë që mos të më ndalonte kush.

Pak para se të delshëm prej shtëpisë së Tukut, nana e tij më tha:

– Pater, a thue mundesh me ma thanë një Meshë?

– E si jo, me gjithë qejf.

Por, kur bani me gjetë paret, Tuku shtini dorën në xhep dhe më dha lëmoshen e i tha nanës së vet: leni aty se i paguaj un.

– Jo, jo,- tha ajo, – ky është njeti i em dhe më dha lëmoshën. Tuku atëherë tha:

– Kur vdiq  baba, unë ishem tue luftue andej nga Korça e Pogradeci dhe nuk mujta me marrë pjesë n’varrimin e babes. Unë nuk merrem me kto punë, as nuk i dij, por detyrimet për prindët tanë as që mund të vehen në diskutim. Ma së pari jemi njerëz, mandej komunista, – dhe i dha nanës së vet lëmoshën e meshës që të ma jepte mue.- Po për udhëtim” – më pveti.

– Eh,pod p të marr nji biletë.

– Qe paret e biletës; kto hyjnë në shpenzime pune,- dhe më lëshoi në dorë një njimij lekshe. – Po të paguaj, -tha, edhe ardhjen dhe hotelin për sot. Nesër nisesh?

– Po, nesër. – Në të vëretetë nuk dojshëm me i marrë, e kishem të vështirë edhe me ia ktheye. Un u gzova shumë për humanizmin e Tukut, por mendojshem edhe te fjalët që mund të fliten se At Marini u kthye me pare prej Tukut. Unë nuk ia ktheva; në të vërtetë ato janë nji shumë qesharake që nuk i nxjerrin as shpenzimet e udhtimit.

Në nesre mora biletën për udhtim mbasdite e ndërkaq me pusullën e Tukut u paraqita në Kryeministri. Aty te telefoni dezhurn ishte nji vajzë që thurte me gjilpanë. Muer telefonin, lajmoi, dhe mue më tha:

-Ulu shok aty, e prit deri të thrrasin.

Unë nuk kishm dishir me u ulë, por me ecë, se ishem në nervozizmin e pritjes

– Faleminderës, – i thash asaj vajze, – por a kam leje të eci, se deri tash ishem ulun.

– Si të duesh.

Unë u vuna të lëviz n’at hollin në fund të shkallve. Nuk ishte kurrnji tjetër që priste, përveç meje. Ajo vajza shifej se ishte një fshatare e pagdhenun dhe nuk i njifte etiketat. Lëvizja i lirshëm me nji nervozizëm të përmbajtun, kur  ajo muer telefonin përsëri, më lajmoi që të ngjitesha shkallve.

Në krye të shkallve më priti nji njeri që më shoqnoi në koridorin e gjatë ku qëndronte nji ooficer.  Shoqnuesi krisi në një derë, hini dhe lajmoi ardhjen time. Në derë duel Tuku, më priti me përqafim. Kishte edhe dy persona tjerë; m’i pezantoi. Ishin dy jurista këshilltarë të Kryeministrisë, ndoshta ishin ata që kishin përpilue projekt-statutin e Kishës Katolike. U diskutue rreth atyne pikave që për ne ishin të papranueshme. Në një çast të përshtatshëm unë i përsërita fjalët të cilat ia kishem thanë Tukut një ditë përpara: se njashtu si thoni ju se nuk ka komunizëm të vërtetë pa Moskën, ashtu thomi edhe na se nuk ka katolikë të vërtetë pa Papen e Romës. Ata njiherë qeshën, por mandej filluan me analizue këtë paralelizëm dhe mbrrijtën në konkluzionin se ky përgjasim ishte vetëm në formën e jashtme, se përmbajtja ishte krejt e kundërt: Papa i Romës përfaqësonte reakasionin e obskurantizmin, ndërsa Stalini – revolucionin dhe përparimin e të gjithë njerzve. Aty vendosëm që unë të mblidhshëm të gjithë klerin, ku të lexohej ky projekt-statut gjithashtu edhe amendamenet që do të paraqiteshem unë n’emen të klerit. U kërkova që mos të vinte ndonjë auktoritet qeveritar ose përfaqsues laik, sepse akordi në këtë rasë  e humbte vlerën juridike dhe shndërrohej në një urdhën të vendosur me forcë. Edhe mbi këtë pikë, mbas shumë propozimesh, ramë dakord që Kryeministria t’ia ngarkonte këto priftit të Tiranës, posa të liruem prej burgu, Dom Zef Bicit, ose edhe Dom Mark Dushit dhe kështu nëpërmjet tyne do të paraqitej mendimi qeveritar.

Kur u çuem, ata dy juristat u nsën, ndërsa Tuku më vuni dorën mbi supe dhe më tha:

-Patër, e mundesh me ardhë me mue e me i përsëritë edhe një ato fjalë?

-Po te kush?

-Shif, aty asht shoku Enver. Hajde të shkojmë.

-Jo, – i thash.- Të lutem mos më dergo te ai.

-Po kjo ka randsi të madhe Pater!

-Tuk, të lutem! Nuk mundem. Fol ti vetë me te. Un nuk mundem.

-Pater Marin, po ai i ka të gjitha në dorë. Hajde, fol!

-Tuk, më fal: në kjoftë se bahet vetëm si do ai, le të  desim: tash jemi plakë. Le të desim. Un nuk due me e pa!

__________

Fragment nga  libri i kujtimeve të  At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue” (libri I, botoi: Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta” – Kolana e Shkrimtarëve Françeskanë, Shkodër, 2020).

Zgjodhi për ju, Adil FETAHU

Titullin këtij fragmenti ia vura unë, sipas titullit të librit dhe përshtatur përmbajtjes së fragmentit, se në  liber e ka titullin:  “Në gërmadhat e Kishës”. “Rrno vetëm për me tregue” ishte “urdhëri” i Superiorit At Martin Serdani, që ia kishte thënë At Zef Pllumit, në vitin 1949, sapo ky i fundit ishte liruar prej burgut dhe ishte lajmërue në Shkodër, për të vazhduar shërbimin e klerit. Libri ka shumë e shumë tregime tjera më interesante e rrënqethëse, për vuajtjet në burg dhe në punë të detyrueshme, por e zgjodha këtë fragment për t’ua sqaruar lexuesve si prej nga i paska mbetur titulli: “Rrno vetëm për me tregue”, që ka domethënie të thellë.

Ju preferoj lexuesve, ta lexojnë kompletin e tre librave të At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok