20/04/2024

RRËNIMI I AUTONOMISË SË KOSOVËS – FILLIMI I SHKATËRRIMIT TË JUGOSLLAVISË DHE LINDJA E SHTETIT TË KOSOVËS

0

Përkujtesë historike: 23 mars 1989

Nga Jusuf Buxhovi

Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet  unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan  si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat, që për synimim kishin “barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”, që nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.

Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës, sigurisht se nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, gjë që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.

Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndodhi kursi i nënshtrimit në përputhje me logjikën e mbijetimit, që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e  nenit 49,  që nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime,  po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.

Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.

Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve, u desh të jepnin “pelqimin” për këto ndryshime. Por, 11 prej tyre nuk iu nënshtruan kësja trysnie. Votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin  politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë. Kjo bëri që në gjithë Kosovën puçi kushtetues i Serbisë ndaj kushtetutes së Jugosllavisë e me këtë edhe të Kosovës, të përcillet me demonstrata të përgjakshme, meqë e gjitha u përjetua si ripushtim i tretë i Kosovës  nga pushtimi i vitit 1912.

Ripushtimi i Kosovës nga Serbia (i par më 1918 dhe i dyti më 1944), megjithatë nuk u pranua me vullnet. Përkudrazi, krahas demonstratave të përgjakshme, u përcoll me lëvizjen kombëtare që filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës, me ç’rast u mor përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës (Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumi për pavarësi, në vitin 1991). Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale dhe asaj të armatosur, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb  dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999.  Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok