ROMAN HUMANIST MBI NJERIUN, DINJITETIN DHE LUFTËN E TIJ PËR VLERAT NJERËZORE NË KOHË TË VËSHTIRA

0
Ramiz-Selimi-Hijet

(Romani “Hijet e shpresës” i Ramiz Selimit, 2026)

Nga Prend BUZHALA

Ramiz Selimi vjen me romanin “Hijet e shpresës” i katërti me radhë, si pjesë e tetralogjisë romanore. Së bashku me romanet “Rrënjët e kujtesës”, “Dëshirë e djegur” dhe “Shpirti i plagosur”, ndërton një tërësi epike rrëfimesh e një projekti më të gjerë letrar. Si, deri më tash, ndërton një tetralogji romanore, e cila paraqet në mënyrë të plotë përvojat historike, shoqërore, nacionale dhe shpirtërore të popullit tonë në periudha të ndryshme. Secili prej këtyre romaneve trajton një aspekt të veçantë të jetës njerëzore dhe kombëtare, por të katër lidhen nga temat e përbashkëta të identitetit, kujtesës, vuajtjes, emigrimit, dashurisë, sakrificës dhe shpresës. Në këtë mënyrë, autori krijon një tërësi epike, ku personazhet dhe ngjarjet plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një pamje më të gjerë të realitetit shqiptar.

Një përbërës që e lidh këtë tetralogji romanore është personazhi i përbashkët, Dardani, i cili shfaqet si figura kryesore në të katër romanet. Përmes jetës, përvojave dhe zhvillimit të tij, autori ndërton një rrëfim të vazhdueshëm epik që përfshin periudha të ndryshme historike dhe shoqërore. Dardani është  protagonist që simbolizon qëndresën, identitetin kombëtar, sakrificën dhe humanizmin e brezave shqiptarë.  Brenda kësaj tetralogjie, “Hijet e Shpresës” zë një vend të rëndësishëm, sepse trajton dramën e emigrimit dhe luftën e njeriut për liri e dinjitet. Romani “Hijet e Shpresës” dëshmon ambicien krijuese të Ramiz Selimit për të ndërtuar një tërësi epike me vlera letrare. Këto romane plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë një panoramë të gjerë të historisë, vuajtjeve, qëndresës dhe shpresës së njeriut shqiptar. Edhe ky roman paraqet realitetin e rëndë të krajatave të popullit tonë gjatë viteve ’90.

  1. Prirja epike e autorit në romanin “Hijet e shpresës”

Romani “Hijet e Shpresës” i Ramiz Selimit shquhet për prirjen e tij epike, e cila vërehet në format e procedimet e rrëfimit, në gjerësinë e ngjarjeve dhe në paraqitjen e jetës së një  populli të tërë. Autori nuk kufizohet vetëm te historia personale e Dardanit, por paraqet fatin e shumë familjeve dhe emigrantëve shqiptarë, si dhe sfidat që ata përjetojnë gjatë rrugëtimit drejt një jete më të mirë. Pikërisht kjo e bën veprën të ketë karakter të theksuar epik. Prirja epike shfaqet para së gjithash në rrëfimin e gjerë dhe kronologjik të ngjarjeve. Autori ndjek zhvillimin e protagonistit nga jeta në Kosovë, largimi nga vendlindja, kalimi i kufijve, përballja me trafikantët, qëndrimi në kampin e refugjatëve dhe sfidat e emigrimit. Ngjarjet lidhen natyrshëm me njëra-tjetrën dhe krijojnë një tablo të plotë të realitetit të kohës Përmes tyre, autori paraqet vuajtjet, shpresat dhe përpjekjet e një populli të tërë, duke e shndërruar përvojën individuale në përvojë kolektive. Kjo prirje vërehet edhe në përshkrimet e gjera të mjedisit dhe të ngjarjeve. Kosova, kufijtë, pyjet, kampet e refugjatëve dhe vendet e emigrimit përshkruhen me realizëm dhe hollësi, duke krijuar atmosferë dhe duke e bërë lexuesin pjesë të rrugëtimit të personazheve. Megjithëse romani ka karakter epik, autori nuk lë pas dore botën e brendshme të personazheve. Ai ndërthur rrëfimin epik me analizën psikologjike, duke i paraqitur mendimet, frikën, dilemat dhe shpresat e tyre. Kjo qasje e pasuron veprën dhe i jep asaj përmasë më të thellë artistike. Përmes kësaj prirjeje epike, Ramiz Selimi arrin ta paraqesë sa historinë e disa individëve, po aq edhe një periudhë të rëndësishme historike dhe shoqërore të popullit tonë. Vepra bëhet kështu një dëshmi letrare e emigrimit, e sakrificave dhe e qëndresës njerëzore.

Titulli i një vepre letrare është elementi i parë që e orienton lexuesin drejt kuptimit të saj. Në romanin “Hijet e shpresës”, Ramiz Selimi ka zgjedhur një titull me domethënie të thellë simbolike, i cili përmbledh në mënyrë të përkryer përmbajtjen, atmosferën dhe mesazhin e veprës. Ai bashkon dy nocione të kundërta: hijet, që simbolizojnë errësirën dhe vuajtjen, si dhe shpresën, që përfaqëson besimin dhe dritën e së ardhmes.

Semantema hijet simbolizon të gjitha vështirësitë që përjetojnë personazhet gjatë rrugëtimit të tyre. Ajo ndërlidhet me shtypjen politike, largimin nga vendlindja, emigrimin, pasigurinë, varfërinë, frikën, humbjet dhe pengesat që hasin në kërkim të lirisë. Hijet përfaqësojnë periudhat më të errëta të jetës, kur njeriu vihet përballë sfidave që duken të pakapërcyeshme. Ndërsa fjala shpresë na e dëfton besimin se, pavarësisht vuajtjeve, ekziston gjithmonë mundësia për një jetë më të mirë. Shpresa është forca që i mban gjallë personazhet, i ndihmon t’i përballojnë rreziqet dhe të mos dorëzohen. Ajo shfaqet si simbol i lirisë, i dinjitetit dhe i besimit në të ardhmen. Titulli lidhet drejtpërdrejt me figurën e Dardanit, i cili gjatë gjithë romanit kalon nëpër shumë hije, por nuk e humb asnjëherë shpresën. Edhe personazhet e tjerë përjetojnë sprova të rënda,

  1. Tipologjia e romanit dhe trajtat e rrëfimit

Romani “Hijet e shpresës” i Ramiz  Selimit trajton dramën e shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit XX. Në qendër të veprës qëndron Dardani, një i ri idealist që detyrohet të largohet nga vendlindja për shkak të shtypjes politike, dhunës dhe mungesës së lirisë. Rrugëtimi i tij nga Kosova deri në kampet e emigrantëve në Evropë shndërrohet në një simbol të fatit të mijëra shqiptarëve që kërkonin siguri, dinjitet dhe një jetë më të mirë.

Në aspektin tematik, romani ndërthur disa shtresa të rëndësishme. Fillimisht trajtohet rezistenca paqësore e shqiptarëve dhe atmosfera e rëndë politike në Kosovë, e cila i shtyn personazhet drejt emigrimit. Më pas, autori përshkruan me realizëm rrugën e rrezikshme të emigrimit ilegal, mashtrimet e trafikantëve, vuajtjet në kufij, humbjet njerëzore dhe jetën e vështirë në kampet e refugjatëve. Në të gjitha këto etapa mbizotërojnë temat e lirisë, identitetit kombëtar, humanizmit, dashurisë, sakrificës dhe shpresës.

Personazhi kryesor, Dardani, pëson një zhvillim të vazhdueshëm psikologjik. Në fillim ai paraqitet si një i ri idealist dhe patriot, ndërsa gjatë rrugëtimit bëhet gjithnjë e më i pjekur. Ndeshjet me padrejtësinë, vdekjen, mashtrimin dhe dhunën; këto ballafaqime nuk e shndërrojnë në njeri të egër, por e bëjnë edhe më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Ai i ndihmon njerëzit në nevojë, mbron Lorin, shpëton Semin dhe vazhdimisht përpiqet ta ruajë dinjitetin njerëzor. Përmes tij autori e ndërton figurën e shqiptarit që nuk dorëzohet përballë fatkeqësive.

Romani “Hijet e Shpresës” i Ramiz Selimit është një vepër që ndërthur disa tipologji letrare. Ai mund të cilësohet si roman shoqëror, psikologjik, realist, historik dhe humanist, sepse trajton probleme të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, analizon botën e brendshme të personazheve dhe pasqyron me besnikëri realitetin e kohës. Së pari, kjo vepër është roman shoqëror, pasi trajton fenomenin e emigrimit, varfërinë, shtypjen politike, padrejtësinë dhe vështirësitë me të cilat përballen shqiptarët. Autori nuk rrëfen vetëm historinë e një individi, por paaqet fatin e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare që u detyrua të largohej nga vendlindja në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë. Së dyti, vepra është roman psikologjik, sepse i kushton rëndësi të veçantë botës së brendshme të personazheve. Dardani, Lori, Semi dhe personazhe të tjerë përjetojnë frikë, ankth, shpresë, zhgënjim dhe dilema morale. Autori analizon ndjenjat, mendimet dhe ndryshimet që ndodhin në karakterin e tyre gjatë rrugëtimit të vështirë.

Një tipar tjetër i rëndësishëm është realizmi. Është roman realist, sepse ngjarjet, personazhet dhe situatat janë të besueshme dhe të lidhura ngushtë me realitetin historik e shoqëror. Përshkrimet e emigrimit, kampit të refugjatëve, trafikantëve dhe vuajtjeve të emigrantëve paraqiten me vërtetësi, pa idealizime. Po ashtu,  mund të quhet edhe roman historik, pasi zhvillohet në një periudhë të caktuar të historisë së Kosovës dhe lidhet me shtypjen politike, largimin e shqiptarëve nga vendi dhe pasojat që këto ngjarje lanë në jetën e tyre. Edhe pse personazhet janë artistikë, sfondi historik është real dhe ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e ngjarjeve.  “Hijet e Shpresës” është edhe roman humanist. Në qendër të tij qëndrojnë vlerat e njeriut: humanizmi, solidariteti, dashuria, liria dhe dinjiteti. Përmes figurës së Dardanit, autori na tregon se edhe në rrethanat më të vështira njeriu duhet të ruajë ndershmërinë, respektin për të tjerët dhe besimin te e ardhmja.

“Hijet e Shpresës” i Ramiz Selimit dallohet për përdorimin e larmishëm të trajtave të rrëfimit, dialogut dhe përshkrimit, të cilat i japin veprës realizëm, gjallëri dhe thellësi artistike. Përmes këtyre veçorive, autori e ndërton një rrëfim të besueshëm dhe e afron lexuesin me botën e personazheve dhe me ngjarjet që përjetojnë. Në roman mbizotëron rrëfimi në vetën e tretë, ku narratori i njeh dhe i përshkruan ngjarjet, personazhet dhe mendimet e tyre. Ky tip rrëfimi i jep autorit mundësi që ta paraqesë një pamje të gjerë të jetës së emigrantëve dhe të realitetit shoqëror të kohës. Përveç rrëfimit kronologjik, autori përdor edhe analizën psikologjike, duke paraqitur mendimet, dilemat dhe ndjenjat e personazheve, sidomos të Dardanit. Në këtë mënyrë, lexuesi kupton jo vetëm atë që ndodh, por edhe mënyrën se si personazhet i përjetojnë ngjarjet.

Dialogu zë një vend të rëndësishëm në roman. Përmes bisedave ndërmjet personazheve, autori zhvillon ngjarjen, zbulon karakterin e tyre dhe shpreh mendime të ndryshme për emigrimin, lirinë, dashurinë dhe të ardhmen. Dialogët janë të natyrshëm dhe realistë. Ata pasqyrojnë emocionet, konfliktet dhe marrëdhëniet ndërmjet personazheve. Bisedat e Dardanit me Tonin, Lorin dhe Semin ndihmojnë në ndërtimin e karaktereve dhe në përcjelljen e mesazheve kryesore të romanit.

Përshkrimet janë një element tjetër me rëndësi artistike në roman. Autori përshkruan me hollësi natyrën, kufijtë, pyjet, kampet e refugjatëve dhe rrugët e emigrimit. Këto përshkrime krijojnë atmosferë dhe e bëjnë lexuesin ta përjetojë më afër realitetin e personazheve. Përveç përshkrimeve të mjedisit, autori përdor edhe përshkrime psikologjike, duke paraqitur frikën, ankthin, shpresën dhe zhgënjimin e personazheve. Gjithashtu, përshkrimet fizike ndihmojnë në krijimin e figurave të dallueshme dhe të besueshme.

  1. Në vazhdën e shtjellimit të ngjarjeve

Romani hapet me paraqitjen e një atmosfere të rëndë, ku ankthi, pasiguria dhe shpresa bashkëjetojnë në të njëjtën hapësirë. Ramiz Selimi e nis rrëfimin me një përshkrim të natyrës, e cila  shërben  si sfond, por bëhet edhe rrezatim i gjendjes shpirtërore të personazheve dhe i kohës historike në të cilën zhvillohen ngjarjet. Qielli i ulur, mjegulla dhe heshtja e fshatit krijojnë ndjesinë se vendi po pret një kthesë të madhe historike. Në këtë mënyrë, autori paralajmëron se përpara personazheve nuk qëndron një rrugë e zakonshme, por një periudhë plot sfida dhe sakrifica.

Takimi i Dardanit me Tadin dhe Artin është boshti i kreut të parë. Dialogu mes tyre nuk është vetëm një bisedë mes miqsh, por një debat ideologjik mbi rrugën që duhet të ndjekë populli shqiptar. Tadi dhe Arti mbështesin organizimin e protestave, krijimin e institucioneve paralele dhe rezistencën paqësore, ndërsa Dardani ngre pyetje të vështira për çmimin e kësaj rruge. Fjalët e tij: “Zjarri luftohet me zjarr dhe plumbi me plumb” shprehin bindjen se pushtuesi nuk ndalet vetëm me protesta. Kjo pikëpamje e bën Dardanin një personazh realist, i cili e sheh me sy kritik realitetin dhe nuk ushqen iluzione. Nga ana tjetër, autori sjell edhe këndvështrimin politik përmes Artit dhe Tadit. Ata besojnë se mbështetja ndërkombëtare dhe organizimi demokratik janë rruga drejt lirisë. Përmendja e senatorit amerikan Bob Dole dhe nevoja për ndërtimin e institucioneve paralele e vendos rrëfimin në një kontekst të qartë historik, duke treguar se lufta për liri nuk zhvillohet vetëm në rrugë, por edhe në diplomaci, organizim dhe durim politik.

Një tjetër ide e rëndësishme e këtij kreu është bashkimi kombëtar. Personazhet e kuptojnë se liria nuk mund të arrihet pa kapërcyer përçarjet e brendshme. Ata flasin për faljen e gjaqeve, organizimin e popullit dhe krijimin e një fronti të përbashkët. Fjalët e Tadit se “Duhet t’i bashkojmë shqiptarët. Duhet t’i falim gjakmarrjet” tregojnë se autori e sheh unitetin si kusht themelor për suksesin e rezistencës. Kështu, lufta nuk paraqitet vetëm si ballafaqim me armikun, por edhe si përpjekje për ta forcuar shoqërinë nga brenda.

Nëna Rina dhe motra Zana përpiqen ta ndalin Dardanin të mos shkojë në protesta, sepse ndiejnë se kohët po çojnë drejt luftës. Rina përfaqëson figurën e nënës shqiptare që jeton mes frikës dhe krenarisë, ndërsa Zana simbolizon shqetësimin e familjes për fatin e djalit të vetëm. Megjithatë, Dardani mbetet i palëkundur. Ai e kupton se heshtja do të ishte tradhti ndaj vendit dhe shprehet se populli ka vetëm tri rrugë: të luftojë, të largohet ose të jetojë si skllav në tokën e vet.

Figura e Trimit sjell qetësi, urtësi dhe guxim. Ai nuk flet me emocione të çastit, por me bindjen se liria fitohet vetëm përmes veprimit. Fjalët e tij: “Kjo është rruga e vetme. Liria nuk vjen vetë. Duhet ta thërrasim me zërin tonë, ta mbajmë me duart tona” përmbledhin idenë kryesore të romanit dhe shndërrohen në një thirrje për përgjegjësi kombëtare.  Personazhet nuk janë heronj të paarritshëm; ata kanë frikë, dyshime dhe dilema, por zgjedhin të mos dorëzohen.  Kur Dardani dhe Auloni arrijnë pranë konvikteve, përballen me automjete të blinduara dhe me mungesën e protestuesve. Ata e kuptojnë se qyteti është vënë nën kontroll policor dhe se protesta është penguar me qëllim.

Turma bashkohet nën udhëheqjen e Tadit dhe brohoret për Republikën e Kosovës, duke e shndërruar protestën në simbol të rezistencës kombëtare. Parullat “Jetën e japim, Kosovën s’e japim!” dhe “Kosova Republikë!” nuk janë vetëm slogane politike, por shprehje të identitetit dhe të gatishmërisë për sakrificë.  Ndërsa studentët kërkojnë liri dhe të drejta, pushteti përgjigjet me gaz lotsjellës, topa uji dhe armë zjarri.

Autori e përshkruan dhunën me realizëm të fortë. Bombolat e gazit lotsjellës, automjetet e blinduara dhe të shtënat krijojnë një atmosferë lufte. Studentët përpiqen të mbrohen duke kthyer bombolat drejt policisë, ndërsa disa prej tyre plagosen ose vriten. Figura e Veganit, i cili gjatë gjithë kohës kishte parandier tragjedinë, merr një dimension tragjik kur plagoset rëndë. Ndërkohë, Dardani, edhe pse plagoset në këmbë, nuk mendon për veten, por përpiqet të shpëtojë studentët e plagosur.

Spikatet edhe kontrasti mes humanizmit dhe barbarisë. Studentët mbajnë njëri-tjetrin për dore, ndihmojnë të plagosurit dhe brohorasin për liri, ndërsa policia përdor dhunë të pamëshirshme, madje edhe ndaj të plagosurve. Përshkrimi i autoambulancës që shtyp demonstruesit dhe i policëve që godasin një student të plagosur tregon se pushteti ka humbur çdo ndjenjë njerëzore. Një element tjetër i rëndësishëm është transformimi psikologjik i Dardanit.  Mendimi i tij se pushtuesi nuk ndalet me gurë, por vetëm me armë, forcohet edhe më shumë pasi përjeton plagosjen dhe sheh viktimat rreth vetes. Ky zhvillim paralajmëron rrugën që do të ndjekë romani në vazhdim, ku protesta do të shndërrohet gradualisht në rezistencë të armatosur.

Zbulimi i policëve të maskuar dhe i bashkëpunëtorëve të regjimit krijon tension të madh. Personazhi i Batonit, i cili mbron policin dhe kërcënon demonstruesit me armë, shihet si simbol i tradhtisë dhe i njeriut që e humb besimin e popullit. Akuza se ai është spiun e kthen menjëherë nga shok në armik, duke treguar se në kohë shtypjeje tradhtia konsiderohet një nga krimet më të rënda. Përmes profesorit dhe Tadit jepet një mesazh i rëndësishëm: shqiptarët nuk duhet të luftojnë mes vete, sepse armiku i vërtetë është regjimi shtypës.  Në këtë atmosferë tragjike spikat figura e Metit, i cili vendos të mos tërhiqet. Ai sulmon policët me gurë dhe shkopinj, edhe pse e di se mund të vritet. Plagosja dhe arrestimi i tij simbolizojnë gatishmërinë për sakrificë në emër të lirisë.  Paraqitet edhe arrestimi i Tadit, organizatorit të protestës. Edhe pse i plagosur rëndë dhe i lidhur nga policia, ai nuk dorëzohet. Fjalët e tij: “Do të bëhemi shtet patjetër…” dhe bindja se shqiptarët do të fitojnë tregojnë forcën morale të personazhit. Përmes Tadit autori përcjell idenë se idealet nuk mund të shuhen me burg, dhunë apo kërcënime. Pas shpërndarjes së protestës, policia vazhdon ndjekjen e demonstruesve nëpër rrugë dhe shkurre. Dardani kupton se qëllimi i regjimit nuk është vetëm arrestimi, por edhe poshtërimi i shqiptarëve. Kur dëgjon britmën e një vajze që kërkon ndihmë, ai vendos të rrezikojë jetën për ta shpëtuar.  Ngjarja më dramatike është dhuna ndaj Aidës. Autori e paraqet këtë skenë si simbol të mizorisë së pushtetit dhe të përpjekjes për ta poshtëruar tërë popullin shqiptar përmes dhunës ndaj grave. Reagimi i Dardanit, i plakës dhe më pas i Jakobit tregon se edhe në momentet më të errëta ekzistojnë njerëz që zgjedhin të mbrojnë të pafajshmit. Jakobi, edhe pse është polic shqiptar, nuk pranon ta mbështesë krimin dhe ngrihet kundër kolegëve të tij, duke treguar se ndërgjegjja njerëzore është më e fortë se uniforma.

Edhe në momentet më tragjike, personazhet nuk e humbin shpresën, gjë që lidhet drejtpërdrejt me simbolikën e titullit “Hijet e Shpresës”. Hijet përfaqësojnë errësirën e pushtimit, ndërsa shpresa mbetet forca që i mban personazhet në këmbë.

Kah mesi i veprës paraqitet një kthesë e rëndësishme në jetën e Dardanit. Pas ballafaqimit me dhunën, beteja e tij zhvendoset nga rrugët e protestës në botën e brendshme. Frika nga arrestimi, ndjenja e pasigurisë, dëshira për të shpëtuar dhe konflikti mes  dashurisë për atdheun dhe nevojës për emigrim bëhen temat kryesore të këtyre pjesëve të vepërs. Ramiz Selimi tregon se dhuna nuk plagos vetëm trupin, por edhe mendjen dhe shpirtin e njeriut.

Një nga momentet më prekëse  është biseda mes Dardanit dhe Rinës për emigrimin. Dardani e kupton se largimi është mënyra e vetme për të shpëtuar nga ndjekja politike, ndërsa Rina e përjeton emigrimin si një humbje të madhe. Fjalët e saj “Emigrimi, po ma ha shpirtin, bir” shprehin dhimbjen e mijëra nënave shqiptare që detyroheshin t’i përcillnin fëmijët drejt një të panjohure për t’i shpëtuar dhunës. Këtu autori paraqet konfliktin mes dashurisë për vendlindjen dhe nevojës për mbijetesë. Kapitujt tjerë paraqesin një nga momentet më të dhimbshme në jetën e Dardanit: ndarjen nga vendlindja dhe nisjen drejt emigrimit.

Më tutje, shfaqet edhe figura e Bertinit, pronarit të autobusit. Ai paraqitet si personazh dinak dhe oportunist, i lidhur me interesa të errëta. Dardani nuk i beson, sepse e njeh nga përvoja e mëparshme dhe e konsideron mashtrues. Përmes Bertinit autori kritikon njerëzit që përfitojnë nga fatkeqësia e emigrantëve, duke e kthyer nevojën e tyre në burim fitimi.  Udhëtarët janë njerëz të ndryshëm, secili me historinë dhe hallet e veta, por të bashkuar nga dëshira për t’i shpëtuar një realiteti të rëndë. Gruaja që kërkon mbështetjen e Dardanit nga ngacmimet e Bertinit tregon pasigurinë dhe frikën që përjetojnë emigrantët edhe gjatë udhëtimit. Kjo situatë zbulon se rruga drejt lirisë nuk është pa rreziqe dhe padrejtësi.  Autori paraqet edhe fenomenin e korrupsionit dhe kontrabandës. Ryshfeti ndaj policisë, kontrabandistët dhe mënyra se si funksionon udhëtimi paraqesin një realitet ku ligji blihet me para.

Nga pikëpamja artistike, Ramiz Selimi përdor me mjeshtëri simbolet dhe kontrastet. Shtëpia, oborri, pema e dardhës dhe përqafimi me nënën simbolizojnë rrënjët dhe identitetin, ndërsa autobusi bëhet simbol i emigrimit, pasigurisë dhe fatit të panjohur.

Selimi nuk e paraqet kufirin vetëm si një vijë ndarëse mes shteteve, por si kufirin mes njerëzores dhe çnjerëzores. Dardani, Lori dhe emigrantët e tjerë ballafaqohen me njerëz që përfitojnë nga fatkeqësia e tyre, por njëkohësisht zbulojnë forcën morale, dinjitetin dhe solidaritetin njerëzor. Autobusi ndalet papritur në mes të natës dhe udhëtarët kuptojnë se janë bërë viktima të një mashtrimi. Bertini përdor gënjeshtra dhe kërcënime për t’i detyruar emigrantët të zbresin, duke pretenduar se nuk mund ta kalojë kufirin me ta. Atmosfera është e mbushur me ankth, pasiguri dhe frikë, ndërsa Dardani fillon ta kuptojë se gjithçka është pjesë e një skeme të organizuar për të përfituar para nga njerëzit e dëshpëruar. Kjo situatë paraqet emigrantin si viktimë të dyfishtë: së pari të regjimit që e detyron të largohet dhe së dyti të trafikantëve që e shfrytëzojnë.

Një rol të rëndësishëm në këtë kapitull ka Lori, gruaja me dy fëmijë, e cila  ndeshet me presionin dhe ngacmimet e Bertinit. Ai përpiqet ta manipulojë duke i premtuar ndihmë, por në të vërtetë synon ta shfrytëzojë. Lori, megjithëse e vetmuar dhe në një gjendje shumë të vështirë, ruan dinjitetin dhe refuzon çdo kompromis me moralin e saj. Përmes këtij personazhi autori lartëson figurën e gruas shqiptare, e cila mbetet e fortë edhe në rrethanat më të rënda. Dardani  nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj padrejtësisë që i bëhet Lorit dhe fëmijëve të saj.   Solidariteti i tij e dallon nga njerëzit egoistë që e rrethojnë.

Emigrantët ndeshen me rrezikun e kalimit ilegal, me mungesën e strehimit dhe me të panjohurën që i pret përpara. Megjithatë, në këtë errësirë lind edhe një ndjenjë shprese. Marrëdhënia mes Dardanit dhe Lorit bëhet më e afërt, duke u ndërtuar mbi besimin, respektin dhe ndihmën e ndërsjellë. Autori tregon se edhe në kohët më të vështira mund të lindë humanizmi dhe solidariteti, të cilat i japin kuptim jetës dhe e ndihmojnë njeriun të mos dorëzohet. Nga ana artistike, Ramiz Selimi përdor kontrastin mes errësirës së natës dhe dritës së shpresës për të thelluar mesazhin e romanit. Errësira simbolizon frikën, mashtrimin dhe pasigurinë, ndërsa figurat e Dardanit dhe Lorit mishërojnë guximin, ndershmërinë dhe rezistencën morale.

Pas largimit nga trafikantët e parë, ata vazhdojnë përballjen me pasigurinë, frikën dhe botën e errët të kontrabandës së emigrantëve. Lori ende ballafaqohet me të tjerë: me ngacmimet dhe fyerjet e Tigrit, një trafikant që e sheh gruan vetëm si objekt për të kënaqur dëshirat e tij. Fjalët vulgare, kërcënimet dhe insistimi i tij tregojnë degradimin moral të botës kriminale ku kanë rënë emigrantët. Megjithatë, Lori nuk dorëzohet. Ajo e mbron me vendosmëri dinjitetin e saj dhe i kundërvihet Tigrit me guxim, duke dëshmuar forcën e karakterit dhe krenarinë e një gruaje që nuk pranon të poshtërohet. Autori tregon se emigrantët shpesh detyrohen të zgjedhin mes dy të këqijave, pa pasur mundësi për një zgjidhje të sigurt. Rrugëtimi drejt një shtëpie të braktisur, që trafikantët e quajnë me ironi “hotel”, simbolizon zhgënjimin e emigrantëve, të cilët ëndrrën për Evropën e gjejnë të mbuluar me varfëri dhe pasiguri.  Pas gjithë frikës dhe pasigurisë që kanë përjetuar, mes tyre lind një afërsi emocionale: Lori e fton Dardanin të flejë në dhomën e saj, fillimisht për arsye sigurie, por gjatë natës kufiri mes mbrojtjes, besimit dhe ndjenjave fillon të zbehet. Dardani përjeton një konflikt të madh të brendshëm, sepse përpiqet ta ruajë respektin ndaj Lorit. Vetmia, frika, pasiguria dhe nevoja për mbështetje i shtyjnë drejt një afërsie që më pas shoqërohet me pendim, hutim dhe dhimbje.  Lufta më e madhe nuk zhvillohet vetëm kundër pengesave të jashtme, por edhe brenda shpirtit të njeriut, ku përballen frika, ndërgjegjja, dashuria dhe shpresa. Autori e thellon konfliktin mes shpresës dhe dëshpërimit, duke e vendosur personazhin kryesor përballë një bote ku trafikantët, varfëria dhe frika sundojnë mbi fatin e emigrantëve.

Një burrë, i dëshpëruar nga mungesa e parave, kërcënon gruan dhe fëmijët, ndërsa tensioni arrin deri në dhunë. Në këtë çast Dardani ndërhyn me guxim. Solidariteti paraqitet si vlera më e rëndësishme njerëzore në një botë ku shumica luftojnë vetëm për mbijetesë. Përmes figurës së Tigrit, autori kritikon botën e kontrabandës, ku lakmia ka zëvendësuar çdo ndjenjë njerëzore.

Kulmi dramatik  është dhuna ndaj çiftit të moshuar, të cilët nuk mund të paguajnë shumën që kërkon Tigri. Ata rrihen dhe dëbohen me forcë nga bujtina, ndërsa Dardani dëshiron të ndërhyjë, por ndalohet nga shokët. Më vonë ai mëson se gruaja kishte humbur jetën gjatë një tentative tjetër emigrimi, duke e bërë këtë episod një nga më tragjikët e romanit. Përmes kësaj ngjarjeje autori denoncon çnjerëzimin dhe babëzinë e trafikantëve.

Kah fundi i romanit, Dardani ndeshet me ngjarje tragjike që e vënë në provë  guximin dhe humanizmin e tij. Thuret një atmosferë e rëndë psikologjike, ku kufiri mes jetës dhe vdekjes, shpresës dhe dëshpërimit bëhet gjithnjë e më i hollë. Përmes këtyre ngjarjeve, romani shndërrohet në një dëshmi të fuqishme për dramën e emigrimit ilegal dhe pasojat e tij tragjike. Kur Dardani dhe shoku i tij dëgjojnë në errësirën e pyllit të qarat e një fëmije ai vendos ta ndjekë zërin, sepse beson se jeta e një njeriu është më e rëndësishme se rreziku personal. Aty ai gjen një familje shqiptare të tmerruar, të fshehur në pyll. Pamja është tronditëse: një nënë e dëshpëruar, tre fëmijë dhe një baba i shkatërruar psikologjikisht. Autori krijon një atmosferë ankthi dhe pasigurie përmes përshkrimeve të natës, shiut, pyllit dhe heshtjes së rëndë. Kulmi dramatik është rrëfimi se babai, nga frika e zbulimit nga patrullat kufitare, i kishte mbyllur gojën vajzës njëvjeçare derisa ajo kishte humbur jetën. Kjo tragjedi paraqet shkallën më të rëndë të dëshpërimit që mund ta sjellë emigrimi. Dardani tronditet thellë, por nuk e humb njerëzoren. Ai ndihmon familjen ta varrosë fëmijën në pyll dhe e detyron babanë të japë besën se kurrë më nuk do ta sakrifikojë jetën e fëmijëve nga frika. Dardani merr përsipër rolin e udhëheqësit dhe vendos të hyjë i pari në lumin kufitar për të kontrolluar nëse kalimi është i sigurt.

Dardani mbërrin në kampin e emigrantëve i rraskapitur, i mbuluar me baltë dhe i lodhur nga udhëtimi. Gjendja e tij fizike shpreh edhe plagët e tij shpirtërore. Ai tashmë nuk është më i njëjti djalë që kishte nisur udhëtimin nga Kosova. Përvoja e kufirit, humbja e fëmijës, mashtrimet e trafikantëve dhe rreziku i vazhdueshëm e kanë pjekur dhe e kanë bërë më të fortë. Në kamp ai kupton se secili emigrant mbart historinë e vet të dhimbshme dhe se vuajtja është bërë pjesë e përbashkët e të gjithëve.

Ramiz Selimi  e përshkruan emigrimin si një udhëtim të dhimbshëm shpirtëror, ku njeriu ndeshet me paragjykimet, dhunën, urrejtjen, dashurinë dhe shpresën. Kampi i emigrantëve shndërrohet në një pasqyrë të botës moderne, ku bashkëjetojnë kultura të ndryshme, ndërsa njerëzit përpiqen të mbijetojnë mes frikës dhe pasigurisë. Dardani njihet me Tonin, një shqiptar me karakter të fortë, por të mbushur me paragjykime ndaj emigrantëve afrikanë. Përmes dialogut mes tyre, autori ballafaqon dy mënyra të të menduarit: urrejtjen që lind nga frika dhe humanizmin që buron nga përvoja. Dardani përpiqet ta qetësojë Tonin dhe t’i kujtojë se vuajtja nuk ka ngjyrë apo kombësi. Kampi, i ndërtuar mbi rrënojat e një ish-kampi përqendrimi, simbolizon vazhdimësinë e dhimbjes njerëzore dhe dëshmon se historia mund të ndryshojë emrin, por jo gjithmonë padrejtësinë. Paraqitet jeta kaotike në kamp, mungesa e privatësisë, përplasja e kulturave dhe degradimi moral të disa personazheve.  Dardani e kupton se njeriu mund ta humbë jo vetëm atdheun, por edhe qetësinë shpirtërore. Më tutje vëmendja narrative përqendrohet te historia e Semit, një emigrant shqiptar që bie në dashuri me Evën. Dashuria e tyre kapprcen caqet e një rrëfimi romantik dhe përshkruhet si përplasje mes ndjenjës njerëzore dhe paragjykimeve etnike e familjare. Semi beson verbërisht te dashuria. Kah fundi vjen kulmi dramatik i romanit. Paralajmërimet bëhen realitet kur Semi sulmohet brutalisht nga persona të maskuar. Sulmi nuk lidhet vetëm me xhelozinë, por edhe me interesa dhe motive më të errëta, duke e bërë ngjarjen edhe më tragjike. Dardani dhe Toni përpiqen ta shpëtojnë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Në këtë moment shfaqet qartë karakteri heroik i Dardanit, i cili nuk qëndron kurrë indiferent përballë padrejtësisë. Autori dëshmon se njeriu i ndershëm aq sa lufton  për veten, ai lufton edhe për jetën dhe dinjitetin e të tjerëve.

Në fund, personazhet fillojnë të mendojnë për një fillim të ri. Biseda e Dardanit dhe Tonit për largimin nga kampi dhe gjetjen e punës në Linz, shënjon shpresën se edhe pas vuajtjeve ekziston mundësia për ta rindërtuar jetën. Megjithëse plagët mbeten të hapura, ata nuk dorëzohen. Pikërisht ky optimizëm i matur është mesazhi kryesor i përfundimit të romanit.

  1. Saga e një udhëtimi

Përveç emigrimit, romani trajton edhe tema të tjera të rëndësishme si humanizmi, solidariteti, dashuria, besnikëria, identiteti kombëtar dhe qëndresa morale. Dardani ndihmon vazhdimisht njerëzit në nevojë, mbron dinjitetin e Lorit, përpiqet të shpëtojë Semin dhe dëshmon se vlerat njerëzore janë më të forta se frika dhe dhuna.  Rrugëtimi i Dardanit drejt Evropës është një nga rrëfimet simbolike më të rëndësishme të romanit “Hijet e Shpresës”. Ai  përfaqëson  largimin fizik nga vendlindja, por edhe udhëtimin shpirtëror të një njeriu që kërkon lirinë, sigurinë dhe dinjitetin. Përmes këtij rrugëtimi, autori Ramiz Selimi paraqet sakrificat dhe vuajtjet që përjetojnë emigrantët gjatë kërkimit të një jete më të mirë.  Ky rrugëtim ka edhe një kuptim moral. Dardani nuk e humb humanizmin gjatë vuajtjeve. Ai ndihmon emigrantë të tjerë, mbron të pafajshmit dhe përpiqet ta ruajë dinjitetin edhe në rrethana të vështira. Kështu, udhëtimi nuk e ndryshon karakterin e tij për keq, por e bën më të fortë, më të pjekur dhe më të ndërgjegjshëm për vlerën e jetës.  Dardani arrin të kuptojë se rruga drejt lirisë nuk është e lehtë dhe se çdo fitore kërkon sakrificë. Prandaj, rrugëtimi i tij simbolizon jo vetëm emigrimin shqiptar, por edhe luftën.

Në romanin “Hijet e Shpresës”, trafikantët janë ndër personazhet më negativë dhe njëkohësisht ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e ngjarjeve. Ata nuk paraqiten si ndihmës të emigrantëve, por si njerëz që përfitojnë nga dëshpërimi dhe fatkeqësia e tyre. Përmes tyre, autori Ramiz Selimi kritikon ata që e shndërrojnë vuajtjen njerëzore në burim fitimi. Gjatë rrugëtimit të emigrantëve, trafikantët i mashtrojnë, u marrin paratë dhe i braktisin në pyje ose pranë kufijve pa asnjë përgjegjësi. Sjellja e tyre çon në tragjedi të shumta, si humbja e jetëve, ndarja e familjeve dhe përjetimi i frikës së vazhdueshme. Ata nuk tregojnë as mëshirë dhe as ndjenjë përgjegjësie për fatin e njerëzve që u kanë besuar.

Një nga episodet më tronditëse të romanit është historia e familjes që mbetet e humbur në pyll, ku një fëmijë humb jetën si pasojë e panikut dhe e rrethanave të krijuara nga trafikantët. Ky moment tregon se pasojat e veprimeve të tyre nuk janë vetëm ekonomike, por edhe njerëzore dhe morale.

Lori është një nga personazhet më të rëndësishme femërore të romanit “Hijet e Shpresës”. Edhe pse përballet me shumë vështirësi gjatë emigrimit, ajo ruan dinjitetin, ndershmërinë dhe forcën shpirtërore. Përmes figurës së saj, autori Ramiz Selimi paraqet gruan shqiptare si simbol të qëndresës, sakrificës dhe besimit te jeta.

Toni është një nga personazhet më të rëndësishme që shfaqet në pjesën e fundit të romanit “Hijet e Shpresës”. Ai nuk është vetëm shok udhëtimi i Dardanit, por edhe një personazh që ndihmon në zbulimin e cilësive morale dhe njerëzore të protagonistit.

Në fillim, Toni paraqitet si një njeri me karakter të fortë, por edhe me paragjykime ndaj emigrantëve të kombësive të tjera.  Historia e Semit dhe Evës është një nga episodet më domethënëse të pjesës përfundimtare të romanit “Hijet e Shpresës”. Përmes kësaj historie, autori Ramiz Selimi dëshmon se edhe larg vendlindjes njerëzit vazhdojnë të përballen me paragjykime, urrejtje dhe konflikte, ndërsa dashuria shpesh vihet në provë nga rrethanat shoqërore dhe kulturore. Semi dashurohet me Evën, një vajzë emigrante nga një vend tjetër. Ai beson se dashuria mund të kapërcejë dallimet kombëtare dhe paragjykimet. Mirëpo, familja e Evës dhe njerëz të tjerë e kundërshtojnë këtë lidhje, duke e shndërruar historinë e tyre në burim konfliktesh dhe dhune.  Përmes kësaj ngjarjeje, autori zgjeron tematikën e romanit. Ai nuk flet më vetëm për vuajtjet e emigrantëve shqiptarë, por edhe për problemet universale të njeriut, si paragjykimi, diskriminimi dhe mungesa e tolerancës.

Në romanin “Hijet e Shpresës”, marrëdhëniet ndërmjet emigrantëve me kombësi të ndryshme paraqiten si të ndërlikuara dhe të ndryshueshme. Nga njëra anë, autori Ramiz Selimi tregon se njerëzit që ndajnë të njëjtën fatkeqësi krijojnë lidhje solidariteti dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Në kampin e refugjatëve jetojnë njerëz nga vende të ndryshme, të cilët kanë përjetuar luftëra, varfëri dhe përndjekje. Edhe pse kanë histori të ndryshme, ata bashkohen nga dëshira për të jetuar të lirë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Në shumë raste ata ndajnë ushqimin, përkrahin njëri-tjetrin dhe përpiqen të përballojnë së bashku vështirësitë e jetës në kamp.

Në romanin “Hijet e Shpresës”, telat me gjemba dhe kufijtë janë simbole me domethënie të thellë. Ata shënjojnë pengesa fizike që emigrantët duhet të kalojnë, por edhe kufizimet, padrejtësinë dhe vuajtjet që shoqërojnë jetën e tyre.. Telat me gjemba simbolizojnë mungesën e lirisë dhe ndarjen mes njerëzve. Ata i pengojnë emigrantët të arrijnë në vendin ku shpresojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Për personazhet e romanit, këto tela janë shenjë e frikës, pasigurisë dhe rrezikut të vazhdueshëm.

Edhe kufijtë kanë një kuptim më të gjerë se ai gjeografik. Ata paraqesin pengesat politike, shoqërore dhe psikologjike që njeriu duhet të kapërcejë. Për Dardanin dhe shokët e tij, kalimi i kufijve  si një udhëtim nga një shtet në tjetrin, është edhe një provë e karakterit, guximit dhe qëndrueshmërisë.

Liria është një nga temat qendrore të romanit “Hijet e Shpresës” dhe një nga idealet më të rëndësishme që udhëheq personazhet gjatë gjithë rrëfimit. Përmes ngjarjeve dhe përvojave të Dardanit, autori Ramiz Selimi tregon se liria është një vlerë themelore, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë me dinjitet.  Gjatë rrugëtimit, Dardani kupton se liria nuk fitohet lehtë. Ai përballet me kufij, tela me gjemba, trafikantë dhe rreziqe të shumta, duke e kuptuar se rruga drejt saj kërkon guxim, durim dhe sakrifica. Edhe kur arrin në kampin e refugjatëve, ai e ndien se liria e plotë ende nuk është arritur, sepse vazhdon të jetojë në pasiguri dhe pritje. Autori thekson gjithashtu se liria nuk ka vetëm kuptim politik. Ajo lidhet edhe me dinjitetin, të drejtën për të zgjedhur, respektin për tjetrin dhe mundësinë për të jetuar pa frikë. Një njeri mund të jetë fizikisht i lirë, por nëse jeton nën urrejtje, diskriminim ose padrejtësi, ai ende nuk e gëzon lirinë e vërtetë.

Vuajtjet janë  tipar që ndikon më së shumti në formimin moral të Dardanit në romanin “Hijet e Shpresës”. Gjatë gjithë rrugëtimit të tij, ai përballet me padrejtësi, rrezik, humbje dhe pasiguri, por këto përvoja nuk e bëjnë të ashpër apo egoist. Përkundrazi, ato e forcojnë karakterin dhe e bëjnë më të pjekur.  Romani “Hijet e Shpresës” paraqet natyrën njerëzore në rrethana të jashtëzakonshme, ku lufta, emigrimi, varfëria dhe pasiguria i vënë në provë karakteret e personazheve. Përmes këtyre situatave, autori Ramiz Selimi tregon se njeriu mund të shfaqë si anën më të mirë, ashtu edhe anën më të errët të personalitetit të tij.

Dardani, personazhi kryesor i romanit “Hijet e Shpresës”, mund të konsiderohet një hero që ndërthur tipare realiste dhe idealiste. Megjithatë, në tërësi ai paraqitet më shumë si një hero realist, sepse vepron në rrethana të zakonshme jetësore dhe përballet me probleme që kanë prekur mijëra emigrantë shqiptarë. Ai nuk është një hero i pagabueshëm apo me fuqi të jashtëzakonshme. Përkundrazi, Dardani ndien frikë, lodhje, pasiguri dhe dhimbje. Ai përjeton humbje, përballet me trafikantë, kalon kufij të rrezikshëm dhe jeton në kamp refugjatësh. Këto përvoja e bëjnë figurën e tij të besueshme dhe pranë realitetit.

Megjithatë, Dardani ka edhe tipare idealiste. Ai beson vazhdimisht te drejtësia, liria dhe humanizmi. Edhe kur përballet me padrejtësi, nuk hakmerret dhe nuk humbet besimin te njerëzit. Ai ndihmon Lorin, shpëton Semin dhe përpiqet të zgjidhë konfliktet me urtësi e mirëkuptim. Këto cilësi e bëjnë atë një model moral për lexuesin. Një nga vlerat më të mëdha të romanit është mesazhi universal. Edhe pse ngjarjet lidhen me fatin e shqiptarëve të Kosovës, autori e shtrin temën në përmasa  njerëzore. Ai tregon se emigrimi  aq sa është   çështje politike apo ekonomike, por aq është edhe një dramë morale dhe psikologjike. Njeriu mund t’i humbë shtëpinë, pasurinë dhe vendlindjen, por nuk duhet ta humbë humanizmin, dinjitetin dhe besimin te e ardhmja.

Një nga problemet më të rëndësishme që vazhdon të ekzistojë është emigrimi. Edhe sot shumë njerëz përballen me rrugë të rrezikshme, trafikantë dhe kushte të vështira në kërkim të një jete më të mirë. Autori tregon se emigrimi nuk është vetëm një udhëtim fizik, por edhe një përvojë e rëndë psikologjike dhe morale.

Romani “Hijet e Shpresës” mund të konsiderohet një roman humanist, sepse në qendër të tij qëndron njeriu, dinjiteti i tij dhe lufta për të mbrojtur vlerat njerëzore edhe në rrethana shumë të vështira.

Korrik 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok