RISHFAQJA E TOTALITARIZMIT NUK ËSHTË NJË KËRCËNIM ABSTRAKT

0

Nga Frank Shkreli

23 Gushti shënon Ditën që Evropa kujton çdo vit Viktimat e regjimeve totalitare, Stalinizmit, Komunizmit, Nazizmit dhe Fashizmit.  Është kjo një ditë, që anë e mbanë Evropës, me ndonjë përjashtim aty këtu – siç është Shqipëria dhe Kosova, që të pakën në të kaluarën, kësaj dite nuk i është kushtuar, zyrtarisht, ndonjë vëmendje sado simbolike – kujtohet si një ditë kundër ekstremizmit, mos-tolerancës dhe shtypjeve.  Kjo ditë hynë në kalendarin ndërkombëtar e përcaktuar si e tillë me vendim të Parlamentit Evropian (PE), që nga viti 2008/2009, me qëllim që në këtë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”, siç është thenë në deklaratën e (PE) me atë rast.  Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit, e njohur gjithashtu edhe si “Dita e Shiritit të zi”, kujtohet zyrtarisht nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshir vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë.  Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin, as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Kujtimi i kësaj dite është zgjedhur për arsye historike, pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, i vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, marrëveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen e Evropës, në sfera influence, midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë.  Ky traktat famëkeq, është cilësuar nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek si një shembëll “bashkëpunimi midis dy formave më të këqija të totalitarizmit, që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit.”

Është, pikërisht, ky totalitarizëm kundër të cilit paralajmëroi Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo gjatë vizitës së tij në Evropën Lindore, në fillim të këtij muaji.  Kryediplomati amerikan i porositi demokracitë e reja – ish-komuniste — të Evropës Qendrore e Lindore të mbrojnë liritë e fituara me mund, përballë kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë autoritarë në kontinentin evropian, duke thekësuar sidomos kërcënimin që paraqet Moska për demokracitë e reja në Evroppën Lindore e Qendërore.

Mediat vendase dhe ndërkombëtare njoftuan se Z. Pompeo paralajmëroi vendet ish-komuniste se rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt që është i kufizuar vetëm në kryeqytete si Moska dhe Pekini, por është shfaqur edhe në Evropë, duke përmendur zhvillimet e fundit në Bjellorusi, ku kanë shpërthyer protestat anti-qeveritare pas zgjedhjeve të fundit në atë vend.  Në konferencën e përbashkët për shtyp në Pragë, Pompeo tha se ai dhe Kryeministri çek janë të vetdijshëm për përpjekjet e Rusisë, për të korruptuar demokracinë në vendet ish-komuniste dhe për të shkatërruar Aleancën Perëndimore, NATO. Mirëpo, ai u shprehur optimist se megjith këto përpjekje të Moskës, liria, më në fund, do të fitojë, ka thenë Kryediplomati amerikan.

Sekretari Amerikan i Shtetit gjatë vizitës së tij Pragë iu referua edhe dy ideologjive të shekullit të kaluar – komunizmit dhe nazizmit si dhe rezistencës së popullit çek ndaj këtyre dy ideologjive anti-njerëzore, në konferencën e të përbashkët me Kryeministrin çek, Andrej Babis. “Shtypja naziste dhe sovjetike (komuniste) gjatë shekullit të kaluar e kanë bërë popullin çek shumë të vetëdijshëm për shtypjen që sjellin për popujt, regjimet totalitare.  Populli çek e kupton se historia na përcjell mësime dhe na ndihmon të mbrojmë liritë e sotme”, është shprehur Mike Pompeo për gazetarët, duke shtuar se “kundër autoritarizmit mbetet shumë për tu bërë”.

Aty në Pragë, Mike Pompeo u kujtoi çekëve edhe pushtimin e vendit të tyre nga forcat sovjetiko-komuniste në vitin 1968 njëkohësisht, përmendi edhe guximin e çekëve dhe sllovakëve që luftuan për liri, atëherë dhe më vonë gjatë revolucionit anti-komunist të vitit 1989. “Parimet për të cilat ata luftuan – për demokraci, për liri, për sundimin e ligjit, për respektimin e të drejtave të njeriut, për ekonomi të tregut dhe për këthimin e vendit të tyre në Perendim, ishin të njëjtat parime për të cilat forcat amerikane luftuan në Luftën e dytë Botërore dhe janë të njëjtat vlera që bashkojnë edhe sot dy vendet tona”, ka shtuar Kryediplomati amerikan Mike Pompeo gjatë vizitës së tij në Evropën Lindore e Qendrore të fillim të këtij muaji.  Ishte pra në mbrojtje të këytyre vlerave, për të cilat Shtetet e Bashkuara me alaetët e tyre luftuan kundër komunizmit dhe nazizmit dhe vazhdojnë të jenë gjithnjë në mbrojtje të këtyre vlerave të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë.  Bazuar në këto vlera të përbashkëta, Parlamenti Evropian ka caktuar 23 gushtin, si referencë kujtese për viktimat e tiranisë komuniste dhe naziste në Evropë.

Është e pamundur që në këtë ditë të Evropës kushtuar viktimave të terrorizmit komunist dhe nazist në Evropë të mos bëjmë pyetjen: po Shqipëria, ky vend-ish-komunist me një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, ndanë të njëjta vlera me pjesën tjetër të Evropës –dhe kur do të vendos Tirana zyrtare që t’i bashkohet Evropës dhe të kujtojë viktimat e pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Ashtuqë, të kujtohen edhe në Shqipëri viktimat e regjimeve totalitare – ashtu siç ndodh anë e mbanë Evropës – ata burra dhe gra të guximshme, të cilët me qëndrimet e tyre kundër komunizmit, mbrojtën vlerat e përbashkëta të njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor.  Por, shënjat –se Shqipëria me një akt të Kuvendit mund ti bashkohet Evropës për të kujtuar Ditën e Viktimave të regjimeve totalitare — nuk duken shpresëdhënse, kur të merret parasysh deklarata e para disa javëve e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlamentin shqiptar se, “komunizmi dhe komunistët shqiptarë ishin në anën e duhur të historisë”.  Fatkeqësisht, 30 vjet post-komunizëm shqiptarët, si asnjë komb tjetër në Evropë, vazhdojnë të vuajnë pasojat e asaj tiranie, shpirtërisht, psikologjikisht dhe materialisht.  Një përkujtim i tillë i viktimave të komunizmit në Shqipëri është i nevojshëm gjithashtu për të treguar se vërtetë shqiptarët janë serioz dhe duan të ndajnë me popujt evropianë vlerat e përbashkëta në mbrojtje të jetës dhe të drejtave universale të njeriut, duke shënuar këtë ditë me pjesën tjetër të Evropës dhe botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ky është mesazhi për klasën politike shqiptare, që është, drejt për drejt përgjegjëse për mos pasjen e legjislacionit, që së bashku me pjesën tjetër të Evropës do të shënonte 23 gushtin si ditën e kujtimit të viktimave të regjimeve totalitare.  Por, as ndërkombëtarët në Tiranë, nuk janë më pak përgjegjës për këtë mungesë, pasi nuk kanë treguar asnjëherë ndonjë angazhim serioz zyrtar për të kërkuar nga autoritetet shqiptare ballafaqimin zyrtar të Shqipërisë me krimet komuniste dhe dënimin e tyre, si pjesë e kushteve për antarësim në organizmat euro-atlantike që kërkohen nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara.  Heshtja juaj në lidhje me këtë çështje, të nderuar ndërkombëtarë, nuk u bën nder as ju as vendeve që ju përfaqësoni në Tiranë.

Deri kur më kështu!  Ndryshe flitet nga përfaqsuesit evropianë dhe amerikanë në Bruksel, Washington, Pragë e në Varshavë dhe ndryshe ose hiç nga përfaqësuesit perëndimorë në Tiranë.  Rishfaqja e totalitarizmit në Evropë nuk është një kërcënim abstrakt, por një dukuri e vërtetë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok