21/12/2024

REXHEP ELMAZI- EDHE SIKUR TË MË VRASIN, UNË NUK DO HEQ DORË NGA LIRIA E VENDIT TIM

0
Rexhep-Elmazi1

(1938- u vra me 16 maj 1978)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Rexhep Elmazi  u lind më 3 janar 1938, në fshatin Malishevë, komuna e Gjilanit. Vinte nga një familje mesatarisht e kamur, por pasuria për ta nuk ishte gjithçka, ata bënin një jetë të qet dhe tepër modeste. Skamjen e robërinë e urrenin, por edhe në këto kushte të vështira të jetës donin të shkollonin djalin e tyre, që e donin shumë. Rexhep Elmazi lindi në kohën kur mbretërisë jugosllave po i ofrohej fundi. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, kapitullon Mbretëria jugosllave dhe Kosova pushtohet nga italianët, gjermanet dhe bullgaret. Andaj, Rexhep Elmazi pati një fëmijëri që e përcolli lufta dhe varfëria ekonomike por edhe rezistenca gjithë popullore për të formuar një Shqipëri Etnike. Gjatë katër viteve të luftës, Kosova doli e shkatërruar dhe më 1945, u fut në një fazë të re të okupimit mbi 50 vjeçar. Duhet thënë se, menjëherë pas përfundimit të LDB-së, dhe ri okupimit të Kosovës, nga ana e serbëve dhe malazezve filluan të grisen maskat. Ata, urrejtjen dhe luftën kundër shqiptarëve e manifestonin pa ngurrim. Filluan ngadalë, të zhdukeshin e të vriteshin atdhetarët të cilët kishin rezistuar kundër okupimit. Likuidimet e shqiptarëve kishin filluar hapur. Bandat çetnike  bënin kërdinë tek popullata e pafajshme  shqiptare. Me të madhe kishte filluar të realizohej memorandumi i Vasa Çubrilloviqit.

Kosova më 1945, po përjetonte natën e Shën Bartolomeut. Më 8-10 korrik 1945, në Prizren u mbajt Kuvendi i Prizrenit, ku edhe zyrtarisht Kosova u aneksua nga ish-Jugosllavia dhe Serbia. Lajmi, për aneksimin e Kosovës nga ana e Serbisë, tek nacionalistët shqiptarë u prit me indinjatë. Shumica prej tyre mospajtimin me këtë e shprehen hapur, dhe mu për këtë, pushteti i “ri”, mori masa të rrepta kundër tyre. Shumë prej tyre u arrestuan, por pati nga ata, të cilët i likuiduan tinëzisht.

Shtypja dhe presioni nga pushteti njerkë ishte shndërrua në përditshmëri. Edhe në fshatin Malishevë ndjehej kjo barbari. Malisheva është një fshat në komunën e Gjilanit, 3-4 km. në juglindje të Gjilanit. Fshati ka disa lagje që kryesisht janë të banuar me shqiptar, por ajo që duhet përmendur është se në një lagësi prej 1.5 km, në veri-lindje të fshatit, gjendet lagjja (mëhalla) e Muhaxhirëve. Kjo lagje ka qenë e banuar me popullatë të ardhur nga vendbanimet shqiptare të Vilajetit të Nishit në vitin 1877/78, të cilët me punën e madhe të tyre e kanë shndërruar malin në tokë të pëlleshme të bukës. Po më 1956, nga presioni i aksionit për grumbullimin e armëve, shumica e tyre janë shpërngulur për në Turqi dhe në tokat e tyre janë vendosur kolonët serb e malazez. Si zakonisht, që ka ndodhur me këta ardhacak, rreth viteve 1950-60, këta kolonë e kanë shitur këtë pasuri të dhuruar nga Reforma agrare dhe sërish e kanë blerë shqiptarët e ardhur nga Gallapi i Dardanës. Kolonizimi i Kosovës me banorë joshqiptarë, kryesisht me serbë , ishte një proces, i cili ishte realizuar me plan nga qeveria beogradase në periudhën mes dy luftërave botërore. Shpërnguljet pas Luftës së Parë Botërore e në vijim për Kosovën kanë pasur përpos karakterit ekonomik edhe karakter politik e strategjik. Për çdo komunë të Kosovës para vitit 1940 mesatarisht kanë imigruar nga 2536 imigrues. .Komuna e Gjilanit ka qenë në këtë mesatare , në krahasim me Prishtinën, Ferizajn, Mitrovicën, Pejën etj., që kanë pas  imigrues mbi mesataren e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe më pak të imigruar ka pasur në komunën e Dragashit, Kaçanikut dhe Leposaviqit etj.

Andaj, duhet shtuar se në këto kushte të pa kushte, u rrit Rexhep Elmazi, i cili gjatë tërë rritës së tij u përball me të gjitha padrejtësitë e mundshme që bënte një okupator ndaj popullit që nuk e trajtonte të barabartë me veten e tij.

Menjëherë pas luftës së Dytë Botërore, ndaj familjes së Rexhep Elmazit, zullumi dhe presioni shtohej dita më ditë, andaj një ditë vendosën që të shpërnguleshin nga fshati, por fillimisht vendosen në Gjilan, për të vazhduar pasja në karvanin e gjatë të shqiptarëve që shkonin për Turqi. Të ikësh nga atdheu e vendlindja nuk ishte e leht, po në të njëjtën kohë nga qarqet intelektuale shqiptare të kohës ishte marr një fushat që të pengonin shpërnguljen, Kjo ndodhi edhe me familjen Elmazi e cila hoqi dorë për të mos shkua në Turqi. Ata vendosën që të qëndronin në Gjilan dhe mu nga kjo del e dhëna biografike se Rexhepi shkollën fillore e mbaroi në Gjilan, në shkollën “Musa Zajmi”. Po ashtu i vazhdoi edhe mësimet në shkollën e mesme po të këtij qyteti. Ai dallohej nga shokët e gjeneratës ngase ishte i urtë, i kujdesshëm me të tjerët dhe mësonte shumë. Mësuesit e lavdëronin  para shokëve dhe shkrimet e tija lexoheshin nga klasa në klasë. Poeti i ardhshëm, filloi të shkruaj vjersha fillimisht për fëmijë, të cilat botoheshin  në “Rilindjen për fëmijë”, pastaj në revistën “Zëri i Rinis”, në revistën letrare “Jeta e re” dhe në të gjitha gazetat e revistat shqipe, që botoheshin në atë kohë në Jugosllavi.

Gjatë shkollimit pati fatin të njihet me shumë të rinj përparimtar, të cilët jeta në okupim ishte një padrejtësi e madhe historike dhe një ankth i vërtet. Ata mendonin se të rrish duarkryq në këtë kohë, ishte gabimi më i madh historik, andaj menduan që të bënin diçka. Kishin dëgjua se anë e këndë Kosovës po vepronin grupe e organizata ilegale shqiptare që po angazhoheshin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kishin rënë në kontakt me shumë atdhetar të kohës. E njihni mësuesinë nga Dajkoci atdhetarin e njohur Metush Krasniqin, kishin dëgjua për profesorin Ymer Berishën, ishin bashkë ndjerë me fatin e shumë atdhetarëve që i kishte likuidua OZN-a famëkeqe.

Gjatë viteve të terrorit e të dhunës, më 1962 në Gjilan, ishte formuar një organizatë ilegale “Mujo Ulqinaku”, e cila udhëhiqej nga poeti Rexhep Elmazi. Organizata në programin e saj kishte si qëllim suprem angazhimin dhe luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Brenda dy viteve sa veproi organizata , anëtarët e saj e që ishin kryesisht të rinj kishin kryer disa aksione në Gjilan e rrethin siç ishin: Shkrimi dhe shpërndarja e parullave të shumta, kishin ngritur flamujt kombëtar dhe kishin shpërndarë në shumë lagje e fshatra shumë afishe.

Po ashtu, në vazhdën e shumë organizimeve ilegale atdhetare, duhet përmendur se më vitin 1963, në Kosovë formohet edhe një organizatë tjetër atdhetare me emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e udhëhequr nga atdhetari i njohur Adem Demaçi. Mendoi se ky organizim ilegal në kuptimin e plotë të fjalës e meriton që të quhej lëvizje, ngase si në aspektin vertikal po ashtu edhe në atë horizontale i plotësonte të gjitha kriteret që e karakterizojnë një lëvizje politike. Se nën 1. LRBSH-ja ishte organizata më e njohur e kohës që kishte ndikim të pamohueshëm dhe programin e saj e kishin miratuar dhe përvetësuar edhe disa organizata ilegale më pak të njohura. 2. Numri i anëtarëve ishte i konsiderueshëm ngase pas formimit të komiteteve të qyteteve të LRBSH-së në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll, parashihej që të vazhdohej me formimin edhe të komiteteve të tjera më të vogla; 3. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve për një kohë të shkurtër do të ketë programin politik të saj po ashtu edhe Statutin, dhe, kjo bëri që LRBSH-ja të jetë një lëvizje që i karakterizonin të gjitha lëvizjet e mëdha.

Andaj, si imperativ i kohës ishte shtruar domosdoshmëria që të shkruhej Statuti dhe Programi i Lëvizjes. Pas konsultimeve paraprake të kryetarit të LRBSH- së , me anëtarët e tjerë të Komitetit Revolucionar në nivel të vendit, fillojnë përgatitjet që t`i hyhet kësaj pune me shumë interes. Për t`i ikur përcjelljes nga Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe UDB-ja, u propozua që të shkohet në Pejë. Kryetari i Lëvizjes Adem Demaqi në bashkëpunim me Ramadan Shalën bëjnë përpilimin e dokumenteve.3

E veçanta e këtij programi ishte se kishte dy pika kryesore në të cilat prezantohet karakteri i luftës së kësaj lëvizjeje ishte me: 1. Karakter të bashkimit kombëtar dhe 2. Karakter të çlirimit kombëtar. Por në katër pika të tjera ishte përfshirë plotësimi i kushteve themelore, që po ashtu kishin vazhdimësinë nga kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: 1. Me qenë i bashkuem territorialisht; 2. Me pas nji treg të përbashkët ekonomik; 3. Me pas nji gjuhë të përbashkët letrare; 4. Me qenë i përshkuam nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror.

Programi politik i LRBSH-së veç që ka rëndësi historike, duhet shtuar se ai kishte vizion gjë që edhe sot ka rëndësi aty-këtu aktuale.

Më 1964, në muajin prill, organizata “Mujo Ulqinaku”, me propozimin e udhëheqësish të organizatës LRBSH-së, respektivisht pas kontaktit që kishte Rexhep Elmazi me Zeqir Gërvallën dhe pas njohjes me programin e organizatës anëtarët e Gjilanit me një qëndrim unanim vendosin që t’i bashkohen organizatës më të madhe që degët e saja i kishte në tërë Kosovën. Komiteti Revolucionar i LRBSH-së më vonë do ti emëroj udhëheqësit e disa qyteteve dhe territoreve të Kosovës. Për kryetar të Komitetit të Prishtinës do të caktohet Kadri Kusari, për Gjilan Rexhep Elmazi, për Mitrovicë Zeqir Gërvalla, për Pejë Ramadan Shala, kurse për territorin e Drenicës Fazli Grajçevci. Gjithashtu, në këtë mbledhje themeluese, vendoset që kryetar i lëvizjes të jetë Adem Demaçi, organizata të quhet “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” dhe caktohet anëtarësia mujore për anëtarët e LRBSH-së në lartësi prej 500 dinarësh.

Komitetin e ri të organizatës të sapo formuar, siç duket në bazë të dokumenteve e udhëheq përsëri Rexhep Elmazi, duke bërë edhe anëtarësimin e shumë studentëve e nxënësve nga Gjilani. Posa formohet komiteti fillohet edhe me aktivitete të shtuara. Merret qëndrimi që më 12 e 13 prill 1964, në Gjilan të ngritin flamujt kombëtar gjithsej pesë copë nga Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami dhe Abdyl Qerimi. Në komitet për aktivitetin e treguar dallohen: Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami, Abdyl Qerimi, Beqir Musliu, Isa Azizi, Elmaz Bajrami, Mehdi Bajrami, Rafet Bajrami, Gani Ahmeti, Shefki Hoda, Vehbi Hoda etj.

Më 31 maj 1964, Komiteti i LRBSH-së në Gjilan mbajti edhe një mbledhje në të cilën u konstituan organet udhëheqëse të saja. Rexhep Elmazi, zgjidhet kryetar i Komitetit të Gjilanit dhe merr pseudonimin “Luli”, Isa Bajrami, zgjidhet sekretar, dhe i vejn pseudonimin “Koka”, Abdyl Qerimi , emërohet sekretar për informim dhe merr pseudonimin “Shyti”  dhe  Fehmi Elmazi, emërohet arkatar dhe mer pseudonimin “Hakiu”.

Ç ‘është e vërteta, komiteti i Gjilanit veproi shumë shkurt, por bije në sy aktiviteti i dendur i anëtarëve të saj, vetë disiplina dhe angazhimi i madh në kryerjen e aksioneve të ndryshme. Komiteti u zbulua shpejt dhe shumë anëtarë të saj u dënuan me shumë vite burg. Rexhep Elmazi arrestohet me 8 qershor të vitit 1964. Më 10 e 11 gusht 1964, u organizua procesi gjyqësor kundër anëtarëve të këtij komiteti.

Rexhep Elmazi u dënua me 9 vite burg të rëndë,

Fehmi Elmazi me 4 vite burg të rëndë,

Isa Bajrami me 7 vite burg të rënd dhe

Abdyl Qerimi me 3 vite burg të rëndë.

Pas vuajtjes së dënimit, ai lirohet nga burgu i Pozharecit, më 8 nëntor të vitit 1968. Pas burgut Rexhep Elmazi kryen Fakultetin Filozofik-drejtimi i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitin 1975, por për shkak të “lustracionit “ në biografinë e tij ai detyrohet të punon si përkthyes. Meqë pushteti i atëhershëm Rexhep Elmazin e konsideronte si personalitet të rrezikshëm për regjimin, atij i kurdisen plot kurthe dhe më 16 maj të vitit 1978 edhe vritet mizorisht në rrethana që shërbimi sekret e kualifikoi me “maskim”.

Dhe, ishte krejt e pritur se në një sistem totalitar siç ishte Jugosllavia, që të vërehen, që të survejohen dhe që të hetohen poetet siç ishte Rexhep Elmazi, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Duhet thënë se qysh në shkollë të mesme ata që ishin dhe punonin kundër sistemit të instaluar okupues në Kosovë, u morën në biseda informative, u malltretua dhe u burgosën e disa nga ata edhe u likuiduan fizikisht. E sot, mund të shprehemi edhe kështu se disidenca e par e klasës politike okupuese ishin patriotet e shumtë dhe ishin, pikërisht poetët.

Poetet ishin ata që me një gjuhë tjetër e shprehen urrejtjen ndaj robërisë dhe dashurin e madhe ndaj lirisë. Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e kishin renditur në rangun e shkrimtarëve të rebeluar që nuk ishte i kënaqur me rrethanat që mbretëronin por në anën tjetër paraqitej si një i ri me një talent të theksuar dhe të dalluar. Ata në këto katrahura e vorbulla të historisë nuk kursyen as jetën. Andaj, sistemi komunist jugosllav i frikësohej tej mase zërit të poetëve, ndaj kishte vendosur të përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre punëtoret e UDB-es dhe hetuesit e shumtë për t’i ndjekur ata. Në ish-Jugosllavi, nuk dënoheshin vetëm poetët e shkrimtarët, por në të dënoheshin edhe veprat e tyre, madje përdhoseshin edhe varret ku preheshin eshtrat e tyre. Kush zinte në gojë emrat e “poetëve antijugosllav” kryente një herezi të madhe e mund të përfundonte në biruca, pa gjyq. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi ishte kthye në një Had të vërtet e të llahtarshëm. Nëpër këtë rrugë kishin kalua shumë penda të ndritura të letërsisë shqipe si: Adem Demaçi, Fazli Grajqevci, Rexhep Elmazi, Hydajet Hyseni, Zeçir Gërvalla, Bajram Kosumi, Sabit Rrustemi, Hajdin Abazi, Dibran Fyelli, Arif Demolli, Bedri Zyberaj e shumë të tjerë. Lista e poetëve të dënuar e të përndjekur është e gjatë, tmerrësisht e gjatë. Dënimet kapitale që u shqiptoheshin ndaj tyre, shpesh i linte vendin vrasjes apo burgimit të përjetshëm. Në fund të fundit, ishte po e njëjta gjë. Mbyllur në qelitë e kobshme, Adem Demaçi, e shumë poet të tjerë të burgosur lanë nëpër birucat e burgjeve anë e kënd Jugosllavisë, vitet më të bukura të jetës, duke u kthyer në shtëpi me kockat e mplakjes dhe vragat e torturave mizore. Shumë prej tyre s’arritën ta gëzonin as lirinë e vonuar.

Rexhep Elmazi kishte ndikim të madh tek dashamirët e krijimtarisë letrare në Gjilan, dhe disa penda të njohura të letërsisë shqipe e konsiderojnë si baba të letërsisë për Gjilan dhe Anamoravë. Gjatë punës si përkthyes në Entin e Sigurimit Social në Gjilan, vazhdoi krijimtarinë poetike dhe librin e parë me poezi “Frymëmarrje”  e botoi, më (1972). Ndërsa pas vdekjes, shokët e tij ia përgatiten dhe ia botuan veprën e dytë me poezi që e titulluan “Fryma”, më (1994).

Ndërsa, studiuesi Tahir Arifi, më 2008, mbrojti me sukses në Universitetin e Prishtinës, temën e magjistrature që ia kishte kushtua veprimtarisë krijuese të poetit Rexhep Elmazit me titull: “Poezia e Rexhep Elmazit”. Siç dihej në këtë segment jete Rexhep Elmazi jetoi pak, por edhe pse jetoi pak, këtë e jetoi aktivisht dhe pas vete la një opus të pasur letrar.  Pas vrasjes pushtetarët gjatë bastisjes në familjen e tij, shumë shkrime me qëllim ia kishin asgjësuar. Se udbashët edhe pas vdekjes atë e llogarisnin si njeri të rrezikshëm dhe ia kishin frikën. Sot, në Gjilan, një shkollë fillore, në shenjë nderimi mban emrin e tij “Rexhep Elmazi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok