22/12/2024

Reciprociteti dhe vijat e kuqe të dialogut

0
u6_Alma-Lama

Nga Dr. Alma Lama

Ndërsa për taksën e vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës si një masë hakmarrëse ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjve, është kuptuar pak a shumë qëllimi dhe efekti, për reciprocitetin, si masë zëvendësuese që po propozon kryeministri aktual, ka ende shumë paqartësi.

Vetë koncepti i reciprocitetit është qëndror në marëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht në të drejtën ndërkombëtare. Mënyra se si shtetet i përgjigjen njëri-tjetrit që shtrihet nga përdorimi i forcës deri tek liberalizimi i tregtisë, sipas studiuesve është e lidhur ngushtësisht me konceptin e politikës ndërkombëtare. Reciprociteti në marëdhëniet ndërkombëtare në bazë të dhënave empirike ka shtrirje të gjërë dhe njeh modele të ndryshme të aplikimit.

Fushat më të njohura të zbatimit të reciprocitetit janë tarifat, të drejtat e autorësisë, njohjet e ndërsjellta, zbatimi i vendimeve gjyqësore, masat që lidhen me lirinë e lëvizjes, vizat, ekstradimet etj.

Këto ndërveprime shtetërore që rregullohen në sajë të marrëveshjeve, zbatohen në përgjithësi nga kërcënimi i hakmarrjes reciproke në rast të tërheqjes apo shkeljes nga palët. Janë institucionet ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare që shërben si garanci dhe besohet se ndikon në zbatimin e ndërsjelltë të marrëveshjeve. Por sipas studiuesve, mungesa e informacionit rreth respektimit të marrëveshjeve mund të rezultojë problematike për aplikimin e reciprocitetit.

Dhe është këtu pika ku qeveria e kaluar, në pamundësi për të zbatuar ndonjë politikë reciprociteti ndaj Serbisë përsa i përket bllokimit të Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe në tërheqjen e njohjeve, vendosi një masë ndëshkuese, siç ishte tarifa doganore 100%. Ishte një masë ndëshkuese, për të treguar edhe fuqinë e një shteti sovran dhe për të përcjellë një mesazh politik ndaj sjelje destruktive të Serbisë.

Vendosja e masave tarifore është një masë që përdoret shpesh në ndërveprimin ndërmjet shteteve. Çështja është se Kosova, edhe pse ka një pavarësi formale, është e varuar nga mbështetja e SHBA-së dhe BE-së dhe shumë shpejt u vu nën presionin e vendeve që e mbështesin, pasi Serbia kushtëzoi pjesmarrjen në dialog me heqjen e kësaj takse. Duhet të jetë e qartë se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes taksës dhe proçesit të dialogut politik, por vendosja e taksës është dëshmi e acarimit të raporteve.

Taksa më pas mori rolin bllokues të dialogut për të mbrojtur Kosovën nga plani i ndarjes që doli në skenë me 2018, i iniciar nga presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, dhe me mbështetjen e disa aktorëve ndërkombëtarë që ende nuk kanë dalë në skenë.

Serbia e shfrytëzoi kokëfortësinë e z. Haradinaj për ta mbajtur taksën, duke e paraqitur gjithnjë e më shumë si një akt primitiv në një ekonomi të lirë të tregut, ndërsa kryeministri i Kosovës, i rrethuar nga njerëz jokompetente nuk arriti të bindë askënd nga shtetet mike për domosdoshmërinë e vendosjes së kësaj takse. Madje edhe kur iu kërkua ta pezullonte përkohësisht me garancinë e vendeve si Franca apo Gjermania, ai për llogari të politikës së brendshme kundërshtoi.

Tashmë Kosova është para presionit për ta hequr taksën pa asnjë lloj kushti. Ndërsa vendosja e reciprocitetit të proklamuar nga kryeministri aktual, përveçse është një proçes shumë i ndërlikuar, duket se do të ketë të njejtin fat: Kosova nuk do të lejohet ta implementojë. Për më tepër se deklarata për reciprocitetin është dhënë pa ndonjë studim paraprak, dhe për efekte elektorale.

Tashmë ka ardhur koha për të ndarë shapin nga sheqeri. Së pari duhet theksuar se në raportet me Serbinë, reciprociteti do të ishte i plotë nëse do të ishte politik. Ta zëmë të kërkohej që të drejtat e shqiptarëve të Luginës, të ishin të bararbarta me të drejtat e serbëve në Kosovë, siç shprehej dikur kryemistri aktual, edhe pse i vëtëdijshëm se kjo është e pamundur.

Për t’iu rikthyer realitetit, përveç marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë përgjatë viteve të kaluara, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, që janë shprehje zotimi, në rrethanat e proçesit kushtëzues të anëtarësimit, Kosova nuk ka asnjë mundësi tjetër të zbatojë reciprocitetin. Ta zëmë, në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, edhe Kosova të filloj të vendosë tabela letre për makinat me targa serbe që hyjnë në Kosovë, e po kështu t’iu japë fletëkalime ku nuk e njeh Republikën e Serbisë, qytetarëve të Serbisë që vizitojnë Kosovën, njejtë siç bën Serbia me qytetarët e Kosovës. E njejta gjë mund të zbatohet në tregti, energji, në njohjen e ndërsjelltë të diplomave, etj. Imagjinoni çfarë problemi politik do të krijohej nëse qeveria e Kosovës vendos të mos njohë diplomat e serbëve të shkolluar në Serbi.

Çështja është se edhe në lidhje me këto marrëveshje, edhe pse janë ndërkombëtare, (Serbia nuk pranon t’i konsiderojë të tilla), Kosova nuk ka ndonjë mënyrë për ta “kërcënuar” Serbinë dhe nuk mund të ankohet zyrtarisht në ndonjë institucion ndërkombëtar, pasi nuk është anëtare e OKB-së dhe si pasojë as në shumicën e institucioneve ndërkombëtare që lidhen me të.

Këtu duhet bërë një sqarim në lidhje me ato marrëveshje që kanë të bëjnë me anëtarësim në institucione ndërkombëtare, ta zëmë rreth kodi telefonik. Kosova tashmë është pjesë e ITU dhe për shkelje të marrëveshjes nga ana e Serbisë, ta zëmë futje e operatorëve ilegalë mund të ankohet pranë këtij institucioni. Por edhe kjo marrëvshje është problem pasi ka legjitimuar në veri antenat e operatorëve serbë.

Kosova, për shkak të mungesës së bashkëpunimit gjithashtu nuk ka mundësi të ketë informacion të saktë se sa po i zbaton Serbia marrëveshjet e nënshkruara, dhe si pasojë nuk e ka të lehtë të ndërmarrë masa reciprociteti adeguate.

Ajo çfarë i mbetet, është t’i dorëzohet superfuqive që kanë ende interes për të zgjidhur konfliktin në rajonin tonë, e kjo do të thotë se ato nuk do të pranojnë asnjë lloj veprimi që mund t’i japë shkas Serbisë që të kundërshtojë pjesëmarrjen në dialog. Reciprociteti i hamëndësuar, i parë si një “exit strategy” e qeverisë Kurti, duket se do të ketë fatin e taksës së Haradinajt.

Për fat të keq, megjithëse tema e dialogut, ka qenë hija e rëndë pas fushatës elektorale dhe dihej se çfarë do e priste qeverinë e radhës, protagonistët e saj sillen ende si në atë përrallën me ujkun, kur edhe pse ai po e kafshonte, thoshte “qofsha në ëndërr.” Me pak fjalë kjo situatë, deri tani nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur. Është evidente se SHBA kërkon një zgjidhje përfundimtare të kësaj cështje, dhe me të drejtë pas investimeve miliarda dollarëshe për rajonin, dhe një zgjidhje mundësisht brenda këtij viti elektoral. Është po ashtu e qartë si drita e diallit se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të humbë mbështetjen amerikane.

Dhe këtu qëndron sfida më e madhe e kryeministrit aktual. I ndodhur mes presionit të SHBA-së për dialog, nga njëra anë, qëndrimeve të tij kontradiktore me procecin nga ana tjetër pasi i duhet të hajë të gjitha fjalët që ka thënë dhe më të cilat ka mbërritur deri te pushteti, dhe interesit nacional, ai duhet të bëjë një zgjedhje aspak të lehtë.

Nga ana tjetër, ai duhet të dijë të notojë mes mungesës së koordinimit SHBA-BE, kundërthëniet që ekzistojnë mes politikave të Trumpit dhe Francës e Gjermanisë, ku këto të fundit gjithashtu po bëjnë presion për të qenë aktorë në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare, dhe kurtheve të presidentit Thaci i cili për të shpëtuar lëkurën e vet është në gjendje të nënshkruajë gjithçka i ofrohet.

Në rrethana të tilla, gjëja e parë që duhet të bëjë kjo qeveri dhe zoti Kurt është përcaktimi i vijave të kuqe për dialogun. Më saktë, vijat e kuqe ai i ka përcaktuar prej shumë vitesh, tani duhet vetëm t’i zbatojë. Ato janë: Jo negociata, Vetëvendosje!

Mund të duket e çuditshme, por kjo parullë e Lëvizjes Vëtëvendosje, e lidur gjatë negociatave për statusin, kurrë nuk ka qenë më aktuale se sot. Së pari sepse Republika e Kosovës, e cila u shpall pas negociatave të organizuara nga OKB-ja, me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Europian, dhe me kundërshtimin e Serbisë, prej momentit të heqjes së pavarësisë së mbikqyrur, është vetëvendosëse.

Së dyti, Republika e Kosovës, duhet ta konsiderojë të mbyllur një herë e mirë çështjen e sovranitetit territorial dhe rregullimeve kushtetuese për pakicat, megjithë problemet në terren të cilat i ka prodhuar Serbia gjatë njëzet viteve të fundit. Pra nuk mund të ketë më negociata pwr rregullimet e brendshme.

Është e qartë se parulla e Lëvizjes ishte kundër çfarëdolloj bisedimi me Serbinë, por siç e dimë u provua të jetë jorealiste dhe e paqëndrueshme, pasi çlirimi i Kosovës u bë nga bashkësia ndërkombëtare, dhe pavarësia e saj u mundësua po nga ata. Refuzimi i çfarëdolloj bisede me armikun do të ishte ideale, por ky nuk ishte rasti në rrethanat e përmendura më sipër. Ajo çfarë mund të bënte dhe duhet të bëjnë tani përfaqësuesit e Kosovës është të mos lëshojnë pe për interesat e veta shtetërore, pavarësisht se kush e kërkon diçka të tillë, pasi argumentat edhe këtë herë janë në anën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok