14/10/2024

Tregim humoristik nga Hamza Halabaku

Dielli me ngjyrën e kuqe të ndezur po vazhdonte, me ngadalë, rrugën e tij, si çdo ditë tjetër, drejt perëndimit. Dukej se pas pak çastesh do të fshihej pas Bjeshkëve të Sharrit.

Bijtë e xha Lekës, si i quanim ne të rinjtë e fshatit, po përfundonin mbledhjen e fijeve të fundit të sanës, në Livadhin te Zabeli. Gati po e lenin prapa edhe një ditë të lodhshme. Dita po përfundonte bashkë me vapën e saj të paparë asaj vere.

Lodhja për tre vëllezërit ishte e përballueshme edhe nga fakti se rendimenti ishte më shumë se që e kishin pritur. Sasia e sanës së tubuar atë ditë ishte më shumë se e kënaqshme.

Xha Leka, me një shami të vendosur nën plis, për ta ruajtur kokën nga vapa, ishte nisur këmbë, drejt shtëpisë, që ishte e para në fillim të fshatit, kur në fshat vije nga ana e lindjes. Të tre bijtë e tij kishin mbetur edhe pak, sa për ti përfunduar edhe ca punë në kohën kur vapa e asaj dite kishte nisur të ik e në vend të saj kishte filluar të frynte një puhizë e lehtë!

Shpati, vëllai i vogël, i cili po e shijonte miklimin e puhizës së lehtë, nga gëzimi foli me zë pak më të lartë se që fliste zakonisht.

– Si duket i shpëtuam këtij zhegu përvëlues!

Gjatë tërë ditës, të tre vëllezërit, kishin qenë në lëvizje duke u përpjekur që asnjë fije sane të mos u shkoj dëm. Edhe pse mbi tërë atë fushë pjellore mbretëronte vapa, atyre u dukej se vapën e përballonin më lehtë kur lëviznin se sa të shtriheshin nën hijet e shelqeve që me bollëk ishin rreth Moravës së Binçës që rridhte pa ndalur.

Shtëpia e xha Lekës ishte e fundit kur në fshat hyje nga perëndimi. Dhe kur ai, donte të jetë i fundit për ndonjë punë, thoshte se shtëpinë e kishte në fund të fshatit, ndërsa kur shihte ndonjë dobi të jetë i pari, thoshte:

– Po, shtëpia ime është e para në fshat. Unë jam roja më e mirë e fshatit. Edhe kur bishat e malit duan ta sulmojnë fshatin tonë, së pari hyjnë në oborrin e shtëpisë sime…

Rrugëtimi nga livadhi e deri te shtëpia e vet e kishte lodhur dhe sapo hyri në odën që ishte e ndërtuar në fillim të oborrit e hapi dollapin dhe i nxori një nga një mjetet për të bërë një kafe të mirë, si thoshte ai gjithnjë. Në odë iu duk se ishte freski e mjaftueshme dhe e hetoi se kafja po i pihej. Kur u poç kafeja, ai kafenë nga xhezvja e derdhi në filxhanin që e kishte për meraku. E shikonte si avullonte dhe fliste me zë të ulët me të:

“Mori kafe, e lumja ti, a pe din kush ka me të pi”…

I thoshte kështu kafesë në filxhanin e bardhë si bora, që vërtetë e kishe për meraku. Ata që kishin pasur rastin që herë pas here ta shoqëronin Lekën, tregonin se atij burri i kishte hije kur pinte kafe. E pinte me ngadalë e për merak. Kafenë e pinte sade, thoshin ata! Nuk shqetësohej fare nëse i ftohej kafja. Ai ndiente kënaqësi që e kishte përpara filxhanin, e çka që kafeja ftohej.

Deri sa xha Leka e kishte përfunduar pirjen e kafesë së dytë atë mbrëmje, të tre bijtë, së bashku, u kthyen nga Livadhet te Zabeli, atje ku xha Leka i kishte lënë ca orë më herët. I habitur që djemtë ishin kthyer nga livadhi pa qerren e ngarkuar me sanë, me të parën i pyeti.

– Hë, pse jeni kthyer pa qerren?  Ku mbeti sana … – pyeti ai.

– Nuk kishim me çka ta sillnim qerren, nuk ’i gjetëm dot qetë! Edhe pse mjaftë kohë i kërkuam, nuk i gjetëm pa nuk i gjetëm dot … U përgjigjën, gati një zëri, e me kokën ulur të tre djemtë e tij…

– Po si është e mundur?! – pyeti i qetë e i habitur i ati. Mos ndoshta kanë hyrë në zabel. Aty ka barë të njomë e janë mashtruar të bekuarit?

– I kërkuam gjithandej, baba, por s’i gjetëm se s’i gjetëm…

– Tani darka është gati. Pasi të hani darkën duhet të dilni përsëri se ata janë aty diku afër. Nuk besoj që t’i ketë dëmtuar ndonjë egërsirë në këtë kohë!…

Menjëherë pas darke, të bijtë e xha Lekës, njëri me fener vajguri e dy të tjerët me nga një llambë xhepi, nga ato që ndriçojnë me bateri, dolën për t’i kërkuar qetë e tyre, pa të cilët nuk mund të bënin asnjë punë në pasurinë e tyre të patundshme.

Posa kishin mbërri te Livadhet e Zabelit, si quheshin ato livadhe, ishin shpërndarë njëri në të majtë e tjetri në të djathtë, ndërsa më i vogli, Shpati, kishte hyrë në mes të dyve. Kështu ata herë-herë komunikonin në mes veti duke pyetur a mos po vërehej ndonjë gjurmë e qeve… Kur njëri pyeste, dy të tjerët përgjigjeshin se nuk ka asnjë shenjë që të qon në drejtim të qeve të zhdukur…

Kërkimi i qeve kishte vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit, pa asnjë sukses. Gjatë gjithë kohës sa kishin mbetur duke i kërkuar qetë e tyre i ati as që u mbështet për të bërë një sy gjumë në odën e tij. Edhe pse e shoqja e Lekës, Hana, e luti disa herë që të mbështetet dhe të flinte, ai thoshte se do ti pres djemtë deri sa të vijnë.

– Ata janë të lodhur e unë të shtrihem në gjumë nuk bëhet!

Sapo kishte filluar lindja e diellit, të tre vëllezërit ishin takuar në fund të zabelit. Ishin ulur për të bërë një pushim të shkurtër deri sa vëllai i madh po tymoste cigaren e parë të asaj dite dhe kishin marrë vendim që të ktheheshin në shtëpi.

– E po çka do ti themi babës? – kishte folur i pari, vëllai i dytë.

– Çka do ti themi, thua ti?! – kishin reaguar dy të tjerët.

– Do ti themi, tërë natën i kërkuam dhe nuk i gjetëm se nuk i gjetëm. Ne nuk mund të dalim nga lëkura! Ku dimë ne çka ka ndodhur me ta…

Kur erdhën në odë xha Leka kishte filluar ta pinte kafenë e parë të mëngjesit. Lëvizi pak nga vendi për të respektuar përpjekjen dhe punën që e kishin bërë gjatë tërë ditës dhe tërë natës bijtë e tij, pa pushuar fare.

Pyetja e parë ishte: Ç´kemi të re sokolat e babit?

– Hiq baba, – i thanë njëzëri që të tre.

– Eu, – bëri një herë në shenjë reagimi! – Po si është e mundur që qeve të mi të ju ndodhë kjohja! Eu, eu, qetë e mi… – e përsëriti si vetmevete dy-tri herë, duke e lëvizur kokën me ngadalë herë në të majtë e herë në të djathtë…

– E di, – tha, me një zë të mekur, i zoti i shtëpisë, xha Leka. U mendua pak dhe prapë foli. E di çka i paska gjetur qetë e mi, por po i lutem të madhit Zot, që t’i ketë marrë ndonjë zotëri që i hanë me oriz e jo ndokush nga ata që i hanë me çervish…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok