22/12/2024
u6_Edison-Ypi

Nga Edison Ypi

Komunist mos mu boft as qeni shpis !

Sentencën madhështore e uluriti me duart nga qielli një mirditor mu në mes të restorantit.

Nga fjalët e fuqishme me bukuri të pashoqe të gjithë mbetën me gojë hapur dhe lugët pezull.

Krejtësisht i ngrirë nga ky befasim i mrekullueshëm, pronari i restorantit j’u drejtua mirditorit; Ku e ke dëgjuar perlën që ulurite o burr’ i dheut ?

E kemi proverb tonin, tha mirditori me zërin që i dridhej nga emocionet.

Ore, ju drejtua mirditorit një pukjan, e ke gabim. Komunisti nuk është qeni i shpis. Komunisti është muti i shpis.

Aspak, ja preu një shkodran, t’i thuash komunistit mut i bën një kompliment. Muti është lëndë organike. Komunisti është prej guri, pra lëndë inorganike. Dallimin e kanë bërë Darvini dhe Engelsi. E kemi bërë në shkollë.

As qeni i shpis, as muti i shpis; Komunisti është gjarpëri i shpis, ndërhyri befas një elbasanlli thatuq.

Ulu ti se s’di gjë, ja priti një lushnjar me berretë. Komunisti është derri i shpis, dhe pik.

Ju që mburreni për proverba me qena dhe komunista jeni të gjithë rrenacakë, u ngrit e tha një kavajs që i merrej pak goja duke braktisur pilafin e saponisur. Ajo që u tha këtu për komunistin dhe qenin është proverb që qarkullon në Myzeqe. Më zëntë sytë ky pilaf po s’qe kështu.

U hodh një lab. Komunisti nuk është qen. Komunisti është qen bir qeni, tha labi.

Ja nisi një tironc; Unë mund ta kuptoj universalitetin e simbolikës së një proverbi me qena dhe komunista, mund të kuptoj dhe pranoj gjithashtu hilet krahinariste të secilit prej jush për ta paraqitur proverbin e bukur me qen dhe komunist si të katundit të vet; nuk kam asnjë kundërshtim të shpallim dhe një konkurs ku të ndahen dekorata prej teneqeje për proverba me temë si qenat komunista dhe qenat komunista. Ajo që unë nuk kuptoj është se ju, brenda laryshisë së pafundme të qënërisë komuniste, nuk po bëni asnjë saktësim se për çfarë qeni komunist bëhet fjalë; për komunistin qen-zagar, komunistin qen-lagua, komunistin qen gjahu, komunistin qen bushtër, apo çfarë tjetër qeni komunist apo komunisti qen ? Jini seriozë ju lutem. Përndryshe rrëshqisni në komunizëm antikomunist qënëror, ose në qënëri antikomuniste komuniste.

Ke të drejtë, u hodh një skraparlli. Qeni dhe komunisti s’bëjnë dot pa njëritjetrin. Por po ta teprosh me qen, bëhesh komunist. Po ta teprosh me komunist, bëhesh qen. Po ta teprosh edhe me qen edhe me komunist bëhesh zhapik.

Urtësia moralistike qënërore e skraparlliut i ndezi edhe më tepër gjakrat.

U hodh një leskoviqar; Qentë dhe komunistat nuk janë njëlloj. Ka komunist e komunist, po ashtu si ka qen e qen. Ka komunist e qen roje, komunist e qen qefi, komunist e qen rrace, komunist e qen luksi, komunist e qen gjahu ose zagar, po ashtu si ka dhe qen e komunist rus, qen e komunist kinez, qen e komunist muhamedan, qen e komunist kristian. Ku është në cilësimet tuaja gjithë kjo laryshi qensh dhe komunistash ?

Në atë moment ndërhyri një mustaqelli që nuk merrej vesh nëse qe fierak apo mallakastriot; Po t’u futemi komunistave dhe qenve kaq thellë sa thua ti o leskoviqar, duhet t’i marrim me rradhë pastaj; Qen komunist me shkollë, komunist qen pa shkollë, qen komunist me specializim, komunist qen pa specializim, qen komunist me tituj, komunist qen pa tituj, qen komunist rrace, komunist qen ordiner, qen komunist me lesh, komunist qen pa lesh etj. gjë të cilës s’ja kemi ngenë, se s’po bëjmë plenum qensh e komunistash këtu, muhabet po bëjmë. Unë, megjithë respektin ndaj jush si opinioniste qensh dhe analista komunistash që jeni, ju them se Shqipëria nuk ka vetëm komunista qen dhe qen komunista, por edhe komunist derr, komuniste bushtër, komuniste dhelpër, komunist iriq, komunist gjarpër, komunist plesht, komunist morr, komunist buburrec. Duhet të thelloheni pra. Pa folur për qenin komunist të ngordhur dhe qenin komunist zgjebarak, për të cilët fatkeqësisht nuk interesohet kush, mund të themi me plot gojën se durohet një qen komunist i ngopur, mund të përballohet edhe një qen komunist i kamur, por është përtej aftësive sakrifikuese njerëzore përballimi me sukses i një qeni komunist llapaqen, i cili, për të vetmen arësye se është qen i ngrënë e i pirë, i veshur e i mbathur, i duket vetja edhe qen i ditur. Nuk po them që me qenin komunist llapaqen mediatik, verbal, audio-viziv ose të shkruar, të bëjmë si bëjnë gjithë bashkitë e botës që atë qen komunist e helmojnë ose e vrasin. Por po vazhduam të merremi me qenin komunist si me ndonjë zotni të madh që meriton të analizohet e komentohet gjat e gjërë, mos u çudisni kur pas pak të bëhemi të gjithë centaurë; qena me kokë komunistash, ose komunista me tru qenash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok