14/12/2024

DIASPORA SHQIPTARE DHE FJALËMIRAT E GJUHËS SHQIPE

0
u6_Gjoke_Dabaj

NGA GJOKË DABAJ

Më 17 janar 2021, një grup atdhetarësh u mblodhëm në Prekaz, te varret e Jasharajvet.

Prekazi është Jerusalemi i shqiptarëvet. Ashtu siç mblidhen të krishterët në Jerusalem te vendi ku është kryqëzuar Jezu Krishti, me qëllim që njerëzimi t’i lutet një Zoti të vetëm, ashtu mblidhen edhe shqiptarët te vendi ku është martirizuar familja e Jasharajvet, për lirinw e krejt kombit shqiptar.

Në dymijë vitet e ardhshëm, nuk besoj dhe, sidomos nuk uroj, që shqiptarët të kenë një vend tjetër më të merituar se Prekazin. Sepse: Boll më! Boll kemi sakrifikuar fëmijë e gra!

Edhe organizuesit, edhe shumica e pjesëmarrësvet në atë pelegrinazh, ishin mërgimtarë. Patëm, me atë rast, në një sallë kuvendesh, një bashkëbisedim shumë të frytshëm lidhur me të ardhshmen e kombit, por unë, këtë herë, nuk po ndalem gjatë te ky problem që, në të vërtetë, është më i rëndësishmi për ne, në kohën tonë. Unë po ndalem këtu vetëm te njëri prej përbërësvet të këtij problemi.

Tek po kthehesha (me një taksi që ma kishin angazhuar organizuesit), po më rrotullohej nëpër mendje një telash shumë i madh: Ç’po bëhet dhe ç’do të bëhet me mërgimtarët tanë, që janë shpërndarë kaq padëshirueshëm nëpër krejt botën?!

I kalova nëpër mendje ata qindra mijë shqiptarë që sot jetojnë nëpër Evropë e Amerikë, i kalova nëpër mendje, jo qindra mijë, por miliona, që jetojnë, për shembull, në shtetin grek (përveç pjesëvet të Shqipërisë që i mban të pushtuara Republika e Greqisë), në Athinë, në Selanik, në Peloponez, në ishuj, pastaj, në shtetin turk, që nga Edreneja e Stambolli deri në Samsung, pastaj në Liban, në Siri e në Egjipt, në Zelandë të Re e në Australi. I shkova nëpër mendje arbëreshët në Itali, tashmë në shprishje e sipër, dhe të shpërndarë edhe ata nëpër botë, si të gjithë bashkëkombasit e tyre.

Ç’po bëhet, ç’do të bëhet, por edhe ç’mund të bëjmë, që, jo vetëm të mërguarit, por krejt kombi ynë të mos shkojë drejt shpërbërjes?!

Tek po mendoja kështu, m’u shfaq një përfytyrim, pjesërisht makabër, pjesërisht jo makabër, por figurativisht deri diku i pranueshëm, te të cilët, më në fund, u detyrova të ndalem dhe t’i analizoj:

Mërgata jonë, a duhet t’i ngjajë mishit të një deleje të therur?! Një pjesë kofshe këtu, një shpatull atje, një copë brinjë në një vend tjetër, dhe ta hanë, ta përtypin, ta tresin dhe ta absorbojnë kombet e tjerë?! Apo duhet që mërgata jonë t’u ngjajë qengjavet të një deleje përjetësisht të gjallë dhe të shenjtëruar?!

Mendimin që, jo vetëm pjesa e mërguar, por krejt kombi ynë, të mos i ngjajë mishit të konsumueshëm të një deleje të therur, por një deleje që lind e rrit qengja të shëndetshëm në oborr të vet dhe kudo nëpër botë, unë e kam shtjelluar tashmë, (pa më shkuar mendja ta përdorja këtë konvencion), në mbi 600 faqe librash të publikuar.

Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, të udhëhequra e të menaxhuara nga një qendër (këtu në Shqipëri, konkretisht në Prizren), duhet të jenë institucionet që t’i mbajnë gjallë, gjuhën tonë, qenien tonë kombëtare, kudo që t’i ketë hedhur dallga e jetës pjesëtarët e këtij kombi.

Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe duhet të përfaqësojnë simbolikisht sisët e deles, të cilat të ushqejnë me qumësht qengjat e vet, kudo që ata ndodhen. Pa pirë qumësht nëne, gjallesa nuk mund të ketë as rritje, as jetë normale.

Me kaq, figuracioni besoj se është i kuptueshëm. Të gjithë shqiptarët duhet të organizohen dhe të ndërtojnë Fjalëmira të Gjuhës Shqipe kudo ku ka qoftë edhe 20 familje shqiptare, që nga Alaska deri në Argjentinë dhe që nga Turqia deri në Finlandë e Norvegji.

Por, meqë jemi te përfytyrimi simbolik i deles, po shtoj këtu edhe diç më tepër: Fqinjët tanë, por edhe përtej fqinjëvet tanë, e kanë bërë traditë ta konsiderojnë Shqipërinë si “delen e zezë” të të quajturit “Ballkan”.

Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe, kudo që të ndërtohen dhe të vihen në funksionim, një ndër detyrat kryesore do të kenë, që Shqipëria dhe shqiptarët të mos konsiderohen  më si “dele të zeza”, por përkundrazi, të quhen “dele të bardha”, nga më të bukurat që ka “tufa” gjithnjerëzore.

Ashtu siç, në të vërtetë, edhe jemi, por që s’e kemi pasur dhe ende nuk e kemi institucionin e duhur, për t’i ruajtur e kultivuar këto cilësi tonat, që i kemi trashëguar e ruajtur me sakrifica të mëdha ndër dhjetëra shekuj. Ruajtur me sakrifica të papërfytyrueshme, por edhe në mungesë thellimi teorik dhe angazhimi praktik, për ta vënë në rrugën e zgjidhjes problemin madhor, problemin jetik, për të mos u tkurrur kaq tragjikisht, sa një ditë të detyrohet dikush prej nesh ta flijojë veten familjarisht, siç u detyruan të veprojnë Jasharajt.

Gjokë Dabaj, 21 janar 2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok