26/12/2024

QȄ TȄ MOS JEMI NȄ KUNDRAKOHȄ…

0
Llesh-Ndoj

Nga Llesh Ndoj

Kush e ndjek futbollin, i ndodh shpesh të dëgjojë komentatorin se “x” lojtarë ndërhyri me kohë vonesë, apo “y” portier u kap nga kundërshtari në kundrakohë. Në rastin e parë, në vend të gjuajtjes së topit, lojtari gjuan këmbët e kundërshtarit dhe ndëshkohet nga gjyqtari, kurse në rastin e dytë skuadra mund të pësojë gol. Pra, në të dyja rastet rezultati është i njejtë, ndëshkimi, por edhe gjyqtari është në thelb i njejti: koha, pavarësisht se kush i fryn bilbilit apo nxjerr kartonin… Koha është elementi thelbësor në të gjithë aktivitetin njerëzorë. Ajo, ose ikën e të le me gisht në gojë, ose të gjen të pa përgatitur, e në të dyja rastet të ndëshkon pa mëshirë.

Shoqëria njerëzore e ka tepër të domosdoshme t’a bëj të vetin konceptin kohë dhe t’a shfrytëzojë atë në të mirën e përparimit të saj, por mbi të gjitha që të “mos pësojë gol”, apo të ndëshkohet “nga arbitri”! Në teorinë politike – filozofike, ky koncept përmblidhet në atë që njihet si “pjekje e kushteve dhe rrethanave” për të kryer një veprim të caktuar. As tendenca “për t’a pjekur me zor” kohën, si domatet në sera, as “fjetja gjumë”, si rasti i lepurit në garë me breshkën, nuk sjellin rezultatet e duhura, e jo rrallë, shoqërohen me “zgjime në jermi” e reagime të dhunshme, apo “ndërhyrje” të gabuara. Koha shoqërisht e vlefshme për një apo disa veprime që ndikojnë tek gjithë shoqëria, apo momenti historik, nuk janë edhe aq “lojëra popullore”, që mund të gjykohen nga të gjithë, prandaj shoqëria ka elitën intelektuale, ka organizimet politike – partiake e shumë mekanizma të tjerë që mund e duhet t’a vlerësojnë atë. Por a është shoqëria shqiptare në sinkron me kohën, dhe a e kupton e vlerëson drejt momentin historik?

Mendoj se jo!

Dhe kjo shkon përtej të sotmes e shtrihet thellë në histori. Ndërsa me njohuritë modeste që zotëroj mund të rreshtoj vetëm pak raste kur shoqëria jonë e ka pikasur momentin, si për shembull me Rilindjen Kombëtare, me Shpalljen e Pavarësisë, me rreshtimin në Koalicionin e Madh Antifashist në Luftën e Dytë Botërore, me largimin nga Traktati i Varshavës e ndonjë tjetër, rastet e gjendjes në kundërkohë, të reagimit me vonesë apo të krijimit të “kohërave artificiale” për interesa të ngushta e meskine, janë të pafundme. Bajraktarizmi ynë tipik i materializuar në parti, udhëheqësa e në institucione, nuk na ka lënë dhe nuk po na lejon as sot që kohën ta kuptojmë e lexojmë si gjithë bota e qytetëruar, por vërtitemi rreth shkopit duke shpikur “kohët tona” dhe nuk duam t’a kuptojmë se kështu mbetemi në vendnumëro e litari shkurtohet dita – ditës gjersa ta shohim veten “me krye të lidhur për huni”… Jo vetëm rreshtimi në kampin e Lindjes, por edhe ndjekja me fanatizëm e rrugës së pretenduar si “origjinale”, apo “ecim në rrugë të pa shkelura”, për më tepër duke e menduar rrugën tonë si “fanar ndriçues”, na mbajtën vendin më të izoluar në botë deri në vitet nëntëdhjetë! Thuajse nuk u ngjiz aspak ideja e kundërt e të kuptuarit të të ecurit kundrakohë dhe për pasojë ndëshkimi ishte i rëndë. Reaguam dhunshëm, shkatërruam gjithshka, e akoma më keq, kërkuam e shpikëm prapë kohë e rrugë “origjinale”, duke xhiruar në baltat tona, edhe tash tridhjetë e katër vite të tjera!

-Dale, dale…, – tha Ramizi. I njejtë Sala…, e “s’keni parë gjë akoma”, Rama!

Pasojë e mos të kuptuarit të kohës, apo e veprimit kundrakohë kemi shkuar në buzë të humnerës disa herë edhe në vitet e pluralizmit. Vitet ’97 – ‘98 janë tipike, por jo të vetmet. A vazhdojmë të jemi në kundrakohë dhe, a po rrezikojmë të ndëshkohemi prej saj? Fatkeqësisht mendoj se po. Pushtetet e të gjitha kohërave, asnjëherë nuk kanë vepruar në përputhje me interesat e popullit. Ata, jo vetëm që kurrë nuk kanë dashur ta kuptojnë “kohën për të ikur”, por “i dinë vetë të gjitha” dhe eksperimentojnë me duart e tyre, pa tentuar të dinë cili është mendimi e nevoja reale e shoqërisë. Kur detyrohen të ikin, mbushin brekët e valixhet, duke lënë pas si deshmi “tokën e djegur”, sipas parimit “pas meje u bëftë kiameti!”

Opozita ka qenë dhe është inekzistente, e lufton thjesht për “kohën e vet”, ndërkohë që komunikimi pushtet – shoqëri nuk ekziston në asnjë aspekt të veprimtarisë shoqërore. Partitë politike, të çdo krahu qofshin, kujdesen për karriget e tyre e presin kohën e përshtatshme për t’i  “i kërcye kalit pushtet”, sapo të jetë moment. E ndërsa Parlamenti s’ka pse me e ditë ç’i duhet popullit, pasi është monopol i kryetarëve të gjithëditur, të tjerët “kap ç’t’u teprojë” të mëdhenjëve! Sala e ka dorëzuar pushtetin vetëm kur “është lodhur” me të, po ashtu po duket se do të veprojë edhe Rama. Njejtë si Zogu dhe Enveri! Vetëm Nano, ndoshta si më liberali i tyre, “bëri qef” më shpejt me pushtetin. Progresi është minimal e koha na ka lën pas, aq sa më parë “shkojmë me këmbë në Amerikë”, sa të bëjmë ndryshimet e duhura në kohën e duhur për të kapur ritmet e zhvillimit, Evropën dhe Amerikën, këtu në vendin tonë të mrekullueshëm bekuar prej Zotit, por të zhvatur prej drejtuesve të saj.

Ka votime, por jo zgjedhje! E kur të vije reagimi ynë do të jemi në kundërkohën “edhe dreqi t’a marrë, veç ky jo”! Por dreqi mbetet dreq e pjell vetëm dreqër!

Rujna Zot prej tyre!

Asnjë politikë ekonomike thuajse nuk ekziston, dhe asnjë politikë tatimore nuk preket për t’a korigjuar atë e ndikimet e saj në ekonomi, se qeveritë nuk mendojnë këtë, por xhepin buxhetorë dhe atë vetjak. Fatkeqësisht rend në këtë udhë edhe biznesi, me ndonjë përjashtim të vogël. Mungojnë investimet që sjellin zhvillim të qëndrueshëm, ndërkohë që momenti shfrytëzohet vetëm për çmime të rritura që rjepin njerëzit! A nuk është biznesi shqiptar, që kur me një pikë rritet nafta në bursë, me 100 pikë e rritin çmimin e saj në distributor pa pike mëshire, ndërsa kur ulet me 10 pikë në bursë, nuk “ua ndien” fare në atë krah! A nuk duhej, për shembull, që politika e zhvillimit të industrisë turistike të bazohej në një strategji afatgjatë e të harmonizuar me zhvillimet e sektorëve të tjerë që të bëhej promotor i ekonomisë në tërësi? Ku jemi kështu? Në një kulm që mund të merret edhe si buzë humnere… Njejtë dhe politika e pagave. Jemi tallur me punëtorin tonë, të shkolluar e natyralisht inteligjent, e tash e kërkojmë të tillë në Bagladesh. Shteti e ka ngritur pagën mesatare (Ah kjo mesatarja sa shumë fsheh në vetvete!) në 900 euro, por paga ne sektorin privat, ajo minimale, vazhdon të jetë përseri 400 euro. Pse kompanitë private nuk bëjnë minimumi të njejtën gjë, apo presin “kohën e tyre”, që më shpejt “perëndon” se sa “lind”. Pse shteti se rrit pagën minimale drejt minimumit jetik, duke mbrojtur punëtorin e keqpaguar e të keqtrajtuar nga ata që e quajnë veten “kapitalistë”, por që nuk njohin asnjë ligj të tij veç atij të fitimit maksimal, e në kurriz të punëtorit. A nuk vjen kjo si historia e atij që kishte hipur në maje të degës dhe po e sharronte atë në rrëzë të saj, pastaj kërkon se “kush më mori syshë” që u rrëzova?

***

Situata duket gati fatale. Koha trokon pamëshirshëm ndër viset tona e ne presim “kohën që duam ta shpikim vetë”, për t’u zgjuar nga gjumi letargjik. Orën e mbajmë në zile, por ajo është e ndryshkur e zilja s’bie kurrë. Dhe ne vazhdojmë të flemë…

Llesh Ndoj

Poet e studjues, Lezhë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok