01/04/2025
Bajram-Celiku

NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI

Gjyshi im Emin Çeliku dhe Xha Duli (Abdulla Xhambazi), ishin shokë të ngushtë që nga fëmijëria, por edhe të afërm me shtëpitë e tyre në katundin Cërvicë të Kërçovës. Rininë e kishin kaluar bashkë me vite, duke u shoqëruar gjatë gjithë jetës së tyre, si në punë të fushës, poashtu edhe në konakë të dasmave duke kënduar së bashku këngë popullore.

Gjyshi, shpeshherë duke rrëfyer ngjarje historike dhe rrëfime të tjera në mes të odës plotë e përplotë me burra, rrëfente për trimat nga Lufta e Dytë Botërore. Kaçakët e Kërçovës, por edhe për shumë trima tjerë nga trojet shqiptare. Të gjithë e dëgjonin me vëmendje, prandaj edhe nëpër dasmat tjera kërkonin që të rrëfente ngjarje të tilla interesante, me një fjalë ishte një rrëfyes trashëgimtar i ngjarjeve historike.

Xha Duli, si që e thërrisnin në fshat, ishte njëri nga këngëtarët më të mirë asaj kohe në Kërçovë, i ndihmuar nga disa shokë të tij këngëtrë, mes tyre edhe gjyshi nga një herë kur ishte nevoja. Shpeshherë kur ndodheshin në fushë, uleshin nën hije të një kumbulle, atje në ,,Drapshaneca,, dhe ia thonin këngës polifonike. E, kush ndodhej aty afër posa dëgjonin zërin e këngës, afroheshin për të dëgjuar, dhe në fund duke i falënderuar për këngën e bukur që kishin dëgjuar, vazhdonin me punët e fushës. Ose, rrugën.

Gjyshi gjatë verës, kur vinte koha e vaditjes së misrit shkonte te ,,Lisi i burrave,, para Tyrbes së fshatit afër varrezave, për të pritur rendin e ujit për vaditje. Ujë, i cili gjatë stinës së verës, shpesh shkaktonte edhe probleme me fshatarët kojshi të Kolibareve. Përderisa, problemin në mes të dy katundeve një ditë e zgjidhi Xha Deralla me “marrëveshje ms dy fshatrave: Tre muaj verë, ujin ta kenë Kolibaret, e gjashtë muaj dimër Cervicacit.

Shatin mbi krahë, herë kalonte pranë xhamisë së fshatit, e herë-herë nga “Pasçuka,”. E, në brez gjithmonë e mbante revolverin me fishek në gojë, të cilin e posedonte me leje.  Dhe, dy “kashikara” serbi pa leje në xhepat e strukës.

Xha Duli ia dinte çdo veprim të tij si shok, se nga do të shkonte dhe ndërronte rrugë, shkaku hasmit që mund ta priste në pusi. Prandaj, një natë vendosi të provonte sesa trim ishte shoku i tij Emini. Pasi kishte mësuar nga gjyshi se, cilës rruge do të kalonte atë natë, merr disa shokë dhe i kurdisin një pritë të rrejshme. Marrin një duaj kashte nga thekri, dhe e vendosin te një vendkalim pas “Çuke”. Rrugicë, ku medoemos duhej kaluar gjyshi, dhe me shokë fshihen aty afër pas disa ferrave.

Gjyshi nuk ka ditur asgjë për këtë pritë, e në errësirë niset për te ,,Lisi i burrave,, për të pritur rendin e ujit për vaditjen e arës të mbjellur me misër. Posa arrin te shtegu nga duhej të kalonte vëren një pritë, i duket se është njeri. Dhe, nga brezi nxjerrë “nagëntin”, i bërtetë pritës duke e pyetur se, kush ishte dhe t’ia lirojë rrugën se, për ndryshe do t’ia shkrepte të gjithë fishekët .

Prita (hasmi) nuk folte, nuk kishte gojë, dhe nuk lëvizte nga vendi t’ia lëshojë rrugën. Gjyshi, shkrep “nagëntin” me fishek në gojë Rafal, edhe fishekët tjerë njëri pas tjetrit tym e flakë. Duaji thekrit ndizet flakë. Xha Dulit me shokë, u shpërthen e qeshura me zë pas ferrave. Gjyshi, kur i dëgjon zërat e tyre duke qeshur, hidhërohet edhe më tepër, dhe urdhëron që mos të lëvizin nga vendi, se: përndryshe me “nagëntin” tjetër do t’i vriste të gjithë pas ferre.

Xha Duli, duke ditur se çka i pret, delë dhe i thotë gjyshit: -Aman Emin, unë jam Duli, deshëm të bëjmë një provë se sa trim je. Dhe, tashti u bindëm se, me të vërtetë je trim, tërhoqe këmbëzën e revolverit dhe e ndeze dujin e thekrës flakë. Fat të cilin, mund ta kishte edhe ai njeri që do të të dilte ty në pritë. Qeshin të gjithë, qesh edhe gjyshi, dhe me shatin në krahë dy “nagëtët” ne brez, dy “kashikarat” e serbit në xhepat e strukës vazhdon rrugën drejtë ,,Lisit të burrave,,. Varrit të stërgjyshit, kaçakut të maleve  Emin Xhambazi (Çeliku), krahut djathtë të Dervish Himës për çlirimin e Shkupit (1984), dhe pres rendin e ujit për vaditje. Atje, afër Tyrbes të fshatit mes varrezave të Katundit Cërvicë…

(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku, shkrimtar)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok