22/12/2024

PUSHIMET KALOHEN BUKUR NË PLAZHIN E GOLEMIT NË “SHOQËRINË” E VEPRAVE LETRARE TË SHKRIMTARIT DURRSAK, SHPEND HULËSI TOPOLLAJ

0
Topollaj-Libra

Nga Bashkim Saliasi

Këtë vit, plazhin vendosëm së bashku me bashkëshorten, ta bëjmë në fund të muajit gusht, në plazhin e Golemit. Plazhi në bregun e detit Adriatik, na relakson dhe na gjallëron, sepse jemi përshtatur kushteve ideale për pushime të qeta dhe plotë kënaqësi. Nuk mungojnë perimet dhe frutat e freskëta të zonës. Ushqimet e shumëllojta dhe çmimet konkuruese krahasuar me të Tiranës, janë pothuajse njëlloj, një faktor tjetër që na tërheq tek ky plazh, me shumë vizitor, nga të gjitha skajet e Evropës.

Këtë vit krahas bagazheve që morëm me vete, për të kaluar ditët e pushimeve në Golem, nxora nga biblioteka ime veprat e shkrimtarit durrsak, Shpend Hulësi Topollaj; romanin “Mallkimi”, dhuruar nga autori në 19.10.2015, dy librat me tregime “Fisniku dhe horri” dhe “Adulteri”, dhuratën e fundit në 14.08.2020 me titull “Mobiljet e vjetra”. Sikundër i ndodh çdo krijuesi edhe unë gjeta kohën e nevojshme, për të shprehur mendimet e mia për të gjitha librat që lexova.

Veprat e dhuruara nga shkrimtari, romancieri, tregimtari dhe poeti Shpend Hulësi Topollaj, i kam lexuar veçmas gjatë viteve që isha në punë, por mendimet që më lindën gjatë leximit dhe studimit të veprave të tij, kërkonin kohën e duhur për tu shprehur. Ato nuk i hedh dot në letër, po nuk erdhën vetvetiu. Kështu ndodhi dhe me mua këtë verë. Nuk dua të bëj analizën letrare të veprave të autorit, por dua të ndaj me mendimet e mia, që më lindën gjatë leximit të këtyre veprave letrare, me vlerë për të gjitha moshat.

E nisa leximin me tregimet “Fisniku dhe horri”. Më tërhoqi vemendjen hyrja e librit dhe vlerësimi i veprës nga Perikli Jorgoni. Ai shkruan: “Lënda mbi të cilën ndërtohen këto tregime, është lënda e marrë nga jeta. Ngjarjet që na rrëfehen përgjithësisht janë nga ato që kanë ndodhur me të vërtetë dhe personazhet janë njerëz që kanë jetuar realisht”.

Vepra nuk ka nevojë për tjetër argument. Në recensën e tij, Perikli Jorgoni, ka bërë një rezume shumë të stërholluar dhe të shtyn kurioziteti, që me tematikën e tregimeve të njihesh vet konkretisht. Të gjitha ngjarjet merren nga jeta e përditshme dhe përshkruhen në vepra ashtu sikundër kanë ndodhur dhe autori i ka përjetuar ato, duke i dhënë ngjyrime letrare me vlerë edukative për lexuesin. Kur lexuesi arrin të ruaj në kujtesë atë që ka lexuar do të thotë se shkrimtari ka arritur të gjejë majën e suksesit. Që në tregimin e parë; Legjenda e gjallë, vepra bëhet e besueshme dhe nuk të lë ta lëshosh nga dora, duke kaluar nga njëri tregim në tjetrin, që nga vlera letrare artistike të tërheq si me magji dhe të fut në botën e imagjinatës, sikur edhe ti gjendesh në vendin fqinjë dhe kërkon rrënjët e fisit tend, sikundër ndodh me profesorin Ujkan Kastrati. Gjatë leximit të këtij tregimi, sytë të mbushen me lot, kur autori arrin të përshkruaj aq bukur ngjarjen e ndodhur dekada më parë, kur kujtimet ruhen të freskta në memorjen e njerzëve të mbijetuar. Për mendimin tim, autori i ka dhënë jetë tregimit dhe ka përshkruar shumë bukur, besën e shqiptarit, që për hir të fjalës së dhënë, sakrifikon edhe jetën e djalit të vet, sikurse ndodhi me djalin e vetëm të familjes shkodrane.

Duke kaluar nga njëra faqe në tjetrën, tregimet e librit “Fisniku dhe horri” bëhen më tërheqëse dhe të shtojnë kureshtjen, se çfarë do zbulosh në tregimin pasardhës. Pjekuria artistike e shkrimtarit Shpend Topollaj, të befason me gjuhën e pastër letrare, që i përshkruan edhe pse vet. Në veprat e Shpendit që përmenda më lartë, të bie në sy mesazhi që përcjell autori në të gjitha tregimet, ku malli përzihet me dhimbjen. Tematika e tregimeve të zgjedhura në të gjitha veprat e tij, janë një ngacmim i fuqishëm, që e ngacmojnë autorin të hedh në letër vlera për shoqërinë. Tregimet e tij kanë një frymëmarrje të gjerë me një tematikë të larmishme. Në tregimin e tretë “Fisniku dhe horri”, autori na përcjell një mesazh me vlera hyjnore të njerëzve intelektual e fisnik, të cilët vuanin dënimin në kampet famëkeqe  të punës dhe torturohen nga njerëzit keqdashës.

Po ju sjell një fragment nga ky tregim, që më mbeti në mendje.

Doktori vazhdoi: -Si mjek dhe si prind, të them se ke bërë një mirësi të madhe. Ai djalë jetën e ka nga ty. Shpëtove një fëmijë, edhe se i jati tij me shokë, ne na ndanë nga fëmijët tanë për së gjalli dhe, na bënë që dashurinë prindërore ta tregojmë te ky qeni. – Unë bëra atë që do bënte secili nga ne doktor.

Satira fishkëlluese, që përdor autori në këtë dialog, e bën çdo lexues që mund të lexoj këtë vepër me vlerë të Shpendit. Ajo që e dallon krijimtarinë e Shpend Topollaj, është se në veprat e tij, ai mbjell dashurinë njerëzore. Mesazhet që i përcjell lexuesit në veprat e tij, janë toleranca, mirëkuptimi dhe falja, virtyte njerëzore, që shpalosin progres. Tregimet e tij janë refleksione të brendshme të shpirtit të tij për natyrën dhe shoqërinë. Figuracioni i pasur artistik, magjia e fjalës, emocionet dhe mesazhet që ai përcjell janë me dimesione universale.

Duke kaluar nga njëri tregim në tjetrin, muza e shkrimtarit Shpend Topollaj, të bind për sinqeritetin që tregon kaq bukur ngjarjet, sa arrin të lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesë. Në tregimet; Gabimi poetit, Radio galana, Çështje karakteri, Pëllëmba, Miku i dajës, Porosia e Gegë Toskës, Për nder dhe Gjergji del nga burgu, autori Shpend Topollaj, skalit me penën e tij, tipe dhe karaktere, që ruhen të gjalla në kujtesën e lexuesit. Çdo tregim është një thesar me vlerë, që i vlen shoqërisë, në jetën e përditshme dhe sidomos të rinjtë që të përgatiten për jetën dhe të njohin normat dhe zakonet që të çojnë në zhvillim dhe jo në regres.

DY FJALË PËR ROMANIN “MALLKIMI”

Jo për ego, por romanin e lexova dhe rilexova disa herë gjatë pushimeve, në ditët e nxehta të gushtit në plazhin e Golemit. Ajo që mua më tërhoqi si krijues, është se Shpendi me pjekurinë e tij artistiko-letrare, arrin ta shtjellojë kaq bukur tematikën e zakoneve, që trashëgoi populli ynë që nga mesjeta, atë të fejesës që në djep të fëmijëve mbi bazën e njohjes fisnore, zakon që në disa zona ruhet dhe sot e kësaj dite. Duke kaluar nga njëra faqe në tjetrën, subjekti i romanit i trajtuar mjaft bukur nga ana artistike dhe rrëfimi i ngrohtë nuk të lodh, por përkundrazi të shtyn që mos ta lëshosh nga dora derisa të mbarosh edhe faqen e fundit. Thjeshtësia e shprehjes së mendimit dhe të shkruarit bukur me një dialog tërheqës dhe një mbyllje perfekte edhe pse e hidhur për djalin dhe vajzën që humbi jetën, tregon se autori e njeh mirë realitetin e zonës nga ka marrë dhe tematikën e shkrimit të këtij romani me supervlerë për shoqërinë.

Në librin me titull “Adulteri”, ose tradhëtia bashkëshortore, është një temë e ditës, që shoqëria ka nevojë që të lexojë dhe të mos abuzojë me ndjenjën e besnikërisë bashkëshortore. Ai që vërtetë dashuron, arrin ti gjej rrugët dhe të finalizoj dashurinë. Dashuria është virtyt për njeriun. Ajo është e shenjtë, por mos harrojmë se dashuria kërkon sakrifica dhe formim njerëzor. Shpendi është mjeshtër i dialogut dhe i shprehjes bukur të mendimit.

Në tegimin Keqkuptimi, më solli në memorje një ngjarje të përjetuar në shtetin fqinj, gjatë viteve të emigracionit në Greqi, të cilin e kam përshkruar në librin tim “Ne ishim pesë shokë”…Rrëfimi i Shpendit është aq i bukur saqë të bind sikur edhe ti je bashkëudhëtar në ngjarje.

Në tregimin, Ndershmëria e Hafëz Sabri Koçi, autori me penën e tij të mprehtë, kritikon vesin e spiunllëkut, një ves që nuk i shkon për shtat njeriut, por shoqëria ka edhe të till njerëz. Të gjitha tregimet e këtij libri si; Fotografi, Çifuti, Medalja, I pa kënaquri, Një zgjidhje interesante, A qan burri?, I vetmuari, Falsifikatori, Ekonomi tregu, Romi, duke kaluar nga njëri tregim në tjetrin bindesh se autori Shpend Hulësi Topollaj zotëron një pjekuri artistike për tu admiruar.

Çdo tregim përcjell një mesazh kuptimplot, sepse Shpendi me penën e tij brilante, arrin të fishkullojë veset dhe të kultivojë virtytet, jo vetëm te brezi i ri, por për mbarë shoqërinë. Pothuajse të gjitha tregimet që trajtohen në veprat që përmenda më lartë, ai përpiqet ti bëjë pronë të shoqërisë. Shkrimtari Topollaj na sjell në kujtesë kohën e vështirë, gjatë sistemit të quajtur socialist…

DISA MENDIME RRETH LIBRIT ME TREGIME “MOBILJET E VJETRA”

E lexova dhe rilexova disa herë këtë libër me vlerë të rrallë. Për mendimin tim, nga këto katër libra të Shpendit që disponoj, është libri më i mirë dhe  më i arriri si nga ana artistike dhe konfiguracioni letrar. Libri hapet me tregimin; “E gjithë bota është teatër”. Sa bukur e nis krijimtarinë e tij autori në këtë vepër që për mendimin tim, është një libër që ke se çfarë të mësosh nga të gjitha tregimet papërjashtim, të mbeten në mendje. Autori në këtë tregim, që për mua është nga më të bukurit, nëpërmjet metaforës arrin dhe thumbon nxitimin e të rinjve dhe nxjerr në pah mençurinë popullore. Edhe ferrat kanë vesh… spiunët gjendeshin kudo, bile kishin arritur të spiunonin dhe farefisin. Qëllimi i këtij shkrimi, nuk është që të them diçka për çdo tregim, por të përcjell mesazhin e nevojës për të njohur me krijimtarinë e këtij shkrimtari, si nga lexuesit shkollor ashtu dhe nga prindërit e tyre. Autori nëpërmjet fabulës që trajton në tregimet e tij, përpiqet të na tregoi dhe të na udhëzoi drejtë dritës, për të shpëtuar nga errësira. Në tregimin; “Hajde mere vesh” Shpendi nëpërmjet sarkazmës që ai përdor, vë në lojë njerëzit e paformuar dhe portretizon shumë bukur tipin e njeriut të sëmur dhe na përcjellë mesazhin realist se njerëzit duhet të jenë miqësor, ta duan njëri-tjetrin dhe ta ndihmojnë kur janë në vështirësi. Sipas kushteve, kohërave dhe rrethanave njerëzit në nevojë i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit, sikurse ndodh me personazhin e Resmijes, vajzë e “përdal” me djalin e gjeneralit armik…

Në tregimin e radhës; “Kur s’do, s’do”. Si dhe herë të tjera, autori nuk lodhet së përshkruari gjithçka me detaje, si një arkitekt, që bënë arredimin e një pallati dhe kujdeset për çdo detaj, deri në imtësi ndaj mobilimit me sens pozitiv. Gjatë leximit të veprave të Shpendit, ndihet qartas vijëzimet, ngjyrat, nuancat e tyre, përshkruhen dhe vizatohen me dritëhije dhe realizëm tipa dhe karaktere, teksa përballesh edhe me njerëz të ditur, që shfaqin mendime të mëdha popullore në formë sentencash. Duke u nisur që nga tituli i librit me tregimin; “Mobiljet e vjetra” nëpërmjet sarkazmës Shpendi godet veset e njerëzve.

Në serin e tregimeve; “Bum-bum kaput! “Kur detyrohesh të gënjesh”, “A kishte të drejtë ai djali?, “Një këshillë e mençur”, “Guxim femre”, “Dashuri me të panjohur”, “Dy varre pranë e pranë” , “Vajza që ngjalli pietatën”. Në të gjitha tregimet që përmenda më lartë, dua të theksoj se duke kaluar nga njëri tregim në tjetrin, krijon bindjen se autori Shpend Topollaj, zotëron një kulturë të mirfilltë letrare artistike dhe tregimet e tij janë mesazhe të gatuara me maja. Libri “Mobiljet e vjetra”, dallohet për thjeshtësinë dhe stilin e të shkruarit, me temat interesante, origjinale dhe rrëfimin e ngrohtë, bëhet i këndshëm dhe tërheqës nga njëra faqe në tjetrën, teksa lexuesi gjatë leximit merr emocione dhe mesazhe me vlerë për jetën dhe të ardhmen.

Së fundmi mendoj se, shkrimtari, poeti, romancieri dhe eseisti durrsak, Shpend Hulësi Topollaj, duke qënë një vëzhgues i hollë dhe me një kujtesë perfekte në të gjithë krijimtarinë e tij, përsa përshkrova më lartë, krijon skica, tregime, poezi etj, duke u mbështetur në subjekte të thjeshta, por që bartin mesazhe me vlerë dhe shërbejnë si mësim për përditshmërinë e jetës, veçanërisht për brezin e ri.

I uroj Shendit jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë.

Tiranë, më 01.11.2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok