Pse u shpërfillën regjisorët e vjetër
Nga Gani MEHMETAJ
Klint Istvudi, Akira Kurosava, e një varg regjisorësh të famshëm, edhe pas moshës 80-vjeçare, ishin aktivë e bënë filma që e mahnitën botën. Në Shqipëri e Dardani regjisorët më të mirë i shuan, i pensionuan, i hodhën në harresë, sepse ashtu e kërkuaka ligji i tregut e fryma revolucionare, sipas të cilave u dashka të dalin në pah vetëm “të rinjtë”!!!
Dhimitër Anagnosti e bëri filmin e fundit “Gjoleka, djali i Abazit” më 2006. Ndonëse në dhjetëvjetëshin e parë të demokracisë nuk e realizoi asnjë vepër kinematografike. Filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur” ishte i vitit 1989. Autori i filmave emblematikë “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara” dhe i 16 filmave tjerë ishte fare pak i pranishëm në filmin shqiptar në 28 vjetët e fundit.
Regjisori tjetër i njohur, Viktor Gjika, i ndjerë (“I teti në bronz”, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni’, “Njeriu me top” etj.) bëri disa filma dokumentarë pas rënies së diktaturës, por ai ishte i njohur me filma artistikë, ndërsa filmin e tij emblemë, “Nëntori i Dytë”, e shfaqim në çdo përvjetor të Pavarësisë.
Ndërkaq, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i Piro Milkanit, u realizua më 2008. Para tij, “Ngjyrat e jetës”, më 1990. Milkani, autor i mbi 17 filmave artistikë e disa dokumentarë, edhe pse aktiv në jetën publike, aty ku pritej prej tij nuk iu dha mundësia të punonte.
Saimir Kumbaro, një tjetër regjisor i famshëm shqiptar, autor i veprave “Koncert në vitin 1936”, “Rrethimi i vogël”, “Tre njerëz me gunë”, “Historiani dhe Kameleoni” etj., filmin e fundit, “Ne dhe Lenini”, e bëri më 2007. Kumbaro bëri dhjetëra filma dokumentarë, mirëpo filma artistikë, me të cilët bëri emër, shikuesit shqiptarë nuk panë. Kishte disa projekte që i ngelën në sirtar, sikurse shumicës së kineastëve të brezit të tij a më të vjetër.
Shkëputje të mëdha ka edhe Kujtim Çashku (“Ballë për ballë”, “Të paftuarit, “Balada e Kurbinit” etj.), një emër tjetër i paharrueshëm i kinematografisë shqiptare, që po ashtu sikur kolegët e vet nuk realizoi asnjë film artistik në dhjetëvjetëshin e fundit. “Syrin magjik” e bëri më 2004. Tetë vjet para tij e bëri filmin “Kolonel Bunkeri” (1996).
Mevlan Shanaj, aktor e regjisor në zë, është aktiv në filmin dokumentar, por kohë të gjatë nuk bëri filma artistik.
Ekrem Kryeziu (Kur pranvera vonohet”, “Gjurmë të bardha”, “Viktimat e Tivarit”, “Kodi i jetës” etj.) qe nga viti 2009 nuk ka bërë film artistik.
Isa Qosja (“Proka”, “Rojet e mjegullës”, “Kukumi, ” “Tri dritare dhe një varje”) sipas një inercioni gati çdo dhjetë vjet e bënë nga një film.
Agim Sopi (Njeriu prej dheu”, “Kulla” “Vjeshta e trëndafilave”, “Anatema” “Agnus dei”), është në mesin e regjisorëve më të mirë që i kemi, ndërsa gati në çdo dhjetë vjet e bënë nga një film me vështirësi e peripeci të mëdha. Edhe këta kineastë pothuajse e kanë humbur betejën në arenën e gladiatorëve.
Janë edhe disa regjisorë e aktorë të suksesshëm që i dhanë vulë kinematografisë shqiptare, ndërsa pas rënies së diktaturës ishin fare pak të pranishëm në filmin shqiptar. Të gjithë ata patën plane, projekte, ishin të gatshëm të realizonin përvojën e tyre të gjatë në film, ose duhej shtyrë që të punonin. Krijimtaria në rrethana të reja duhej të ishte përparësi e madhe, sepse nuk do t’i godiste çekani i censurës, i vetëcensurës e frikës nga keqkuptimi.
Mirëpo riorganizimi i kinematografisë shqiptare e kaosi në kulturë e dërmoi filmin. Nga 13 filma që xhiroheshin në kohën e diktaturës, prodhimi ra në një ose dy filma artistikë, që ishte e paparë në Evropë. Shteti shqiptar, në kohën e demokracisë, gati hoqi dorë nga kinematografia, përderisa në Evropë shteti e ka shumëfishuar buxhetin për filmin. Riorganizimi i detyroi kineastët që gjysmën e mjeteve për një film t’i kërkonin jashtë shtetit, të bëheshin vetë producentë, organizatorë e financierë, ndërsa kjo ishte barrë e madhe, shpeshherë e papërballueshme, sepse askund tjetër në Evropë nuk punohet në këtë mënyrë. Regjisorët detyroheshin të regjistronin një firmë-shtëpi filmike, të ballafaqoheshin me tagrambledhësin, me tatimet, të bënin pazare me figurantë e pronarë hotelesh, kështu që edhe ata që e provuan një apo dy herë hoqën dorë, sepse ishte punë e lodhshme. “Producent, regjisor, skenarist – të gjitha i bën një njeri. Kush i bën të gjitha vetë nuk i bënë të gjitha mirë”, thotë Saimir Kumbaro për këtë fenomen.
Si nuk u gjend një shtëpi filmike që do t’ua krijonte kushtet, kurse kategoria e regjisorëve si Dhimitër Anagnosti, Piro Milkani, Saimir Kumbaro, Kujtim Çashku, Isa Qosja, Ekrem Kryeziu, Agim Sopi të bënin filma. Në Shqipëri nuk ka shtëpi të njohur filmike që do të çante rrugën e do të angazhonte kineastë, ashtu sikurse nuk ka as në Dardani, sepse kryesisht janë shtëpi që e bëjnë një film e pastaj shuhen, apo ringjallen pas dhjetë vjetësh. Kështu nuk bëhet kinematografia, kjo është kinematografi manifakture, por jo industri filmi, as produksion kombëtar që do të konkurronte në festivale prestigjioze të Evropës e të botës.
Filmi nuk është si politika. Në krye të shtetit mund të vësh politikanë amatorë, që mund të fshihen prapa fjalëve boshe, por në krye të kinematografisë menaxherët diletantë bien në sy menjëherë, sepse ata që nuk janë të profesionit e dëmtojnë rëndë filmin. Pastaj tërë cirku rreth konkurrimit është i padinjitetshëm: e heqin nga konkurrenca pa u trembur një regjisor me 10-15 filma dhe e mbështesin një tjetër që me asgjë nuk dëshmon se di të bëjë film. Lufta për mbështetjen financiare nga shteti shpesh është luftë gladiatorësh e jo konkurrencë e më të mirëve.
Regjisorët që i përmenda e kaluan kohën më të frytshme në pensionim të dhunshëm, ndërsa zëvendësimi i tyre nuk shihet. Kinematografia shqiptare ka boshllëk të madh, i mungon identiteti, kineastëve u mungon shpesh integriteti, ka bredhje që nuk e shpijnë filmin shqiptar askund.
E kundërta me filmin shqiptar është kinematografia polake, çeke, hungareze, rumune etj. Pjesa më e madhe e regjisorëve të suksesshëm polakë, çekë, hungarezë e kroatë, që patën sukses në komunizëm, i angazhuan edhe më vonë, madje shënuan kulmin e pjekurisë artistike.