21/12/2024

Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?

0
Blerim-Latifi

Nga Prof. Blerim Latifi

Na zë gjumi duke parë e lexuar deklaratat e Vuçiqit në ballinat e portaleve tona. Dhe kur zgjohemi në mëngjes dhe i shikojmë ato, sërish aty e gjejmë surratin e tij. Edhe gjatë ditës, sa herë duam të lexojmë lajmet e reja, i njëjti surrat na del përpara. “Vuçiqi deklaroi…”. Vuçiqi ka thirrur takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë…”.  “Në takimin me…Vuçiqi tha se…”. Janë të pafundëm titujt si këta.

Kam përshtypjen se as në Serbi nuk janë më shumë të informuar mbi agjendën e Vuçiqit, se ne në Kosovë.

Pse ky obsesion medial, në dukje i çmendur, me Vuçiqin?

Një hipotezë e imja : Sepse krejt problemet e shtetit të Kosovës janë margjinalizu nga çështja e dialogut me Serbinë. Dialogu është bërë alfa dhe omega e të menduarit tonë politik.  Edhe fjalori politik na është reduktu në një grumbull frazash për dialogun.

Dhe kjo, në thelbin e saj, përbën simptomën kryesore të një katastrofe diplomatike, e cila krejt pa u hetuar na ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve: politika jonë e jashtme është errësu nga politika e dialogut.

Nëse kërkojmë njohje të reja, na e vënë përpara dialogun me Serbinë.

Nëse kërkojmë të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, përsëri na e tundin para syve dialogun me Serbinë.

Tash racistët e Bashkimit Evropian edhe liberalizimin e vizave po e trajtojnë si çështje të lidhur me dialogun, e ka shumë rrezik që edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund të bjerë viktimë e kësaj.

Prandaj, që të mos vazhdojmë të fundosemi edhe më shumë në devalvimin e pavarësisë së Kosovës, duhet të marrim një vendim : Ose marrëveshje finale brenda një kohe të afatizuar qartë, ose stop këtij formati të dialogut të pakufizuar në kohë.

___________

Në tekstin e tij të famshëm “Mbi  konceptin e historisë” mendimtari gjermano-hebre, Walter Benjamin, shkruan se ” nuk ka dokument të civilizimit i cili të mos jetë njëkohësisht edhe dokument i barbarizmit”.

Sot ne mahnitemi me madhështinë e piramidave të Egjiptit, i dimë edhe emrat e faraonëve që urdhëruan ndërtimin e tyre, por nuk ndjejmë asgjë për faktin se ngritja e tyre u ka kushtuar jetën qindra-mijëra skllevërve. Kënaqësia jonë estetike nuk do t’ia dijë për vuajtjet e tyre.

Njëjtë na ndodhë kur jemi përballë Koloseumit në Romë, ose ndonjë vepre tjetër të ngjashme të civilizimit. Miliona jetë njerëzish të skllavëruar janë humbur për t’i ngritur stukturat arkitektonike të tij. Emrat e tyre janë zhdukur në harresën e kohëve, ndërsa ne sot kujtojmë vetëm emrat e atyre që, duke i skllavëruar, i çuan drejt vdekjes mizore, për të kënaqur “dëshirat e tyre civilizuese”.

Për një kohë të gjatë kemi menduar se koha jonë e ka lënë prapa këtë bashkëveprim midis civilizimit dhe barbarizmit. Por ja që kemi gabuar në kët’ gjykim, sepse këto ditë ne po e jetojmë një përsëritje të këtij bashkëveprimi.

Kur e gjithë bota i ka sytë të kampionati botëror i futbollit që po zhvillohet në Katar, askush nuk mërzitet që ndërtimi i rrufeshëm i stadiumeve, siç kanë raportuar mediat, u ka marrë jetën mijërave punëtorëve të rekrutuar nga vendet e varfëra afrikane e aziatike. Vetëm nga Nepali qenkan 3000 viktima.

Mijëra skllevër modernë kanë humbur jetën që ne të tjerët të kënaqemi me emocionet e ndeshjeve futbollistike, biznesi t’i nxjerr fitimet e tij, bashkë me FIFA-n e kalbur nga korrupsioni. Krejt njësoj siç bënin në Egjipt, Romë, ose gjetiu, në kohët e kaluara.

Thirrjet frenetike të shikuesve në stadiumet e Katarit kanë diçka esencialisht të përbashkët me thirrjet frenetike të shikuesve të para 2000 viteve në Koloseumin e Romës: gjakun e skllevërve në themelet e tribunave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok