PSE INJOROHET GJUHA SHQIPE
Nga Sami Islami
Derisa po ndiqja programe televizive, më ranë në sy një mori fjalësh dhe konstrukte fjalishë angleze të pëdoren gabim në mediat tona, si: “Habia e Bajden” (Top channel), “Porosia e Challet për Kosovarët” (RTK), “Haziri i gëzohet fjalëve të Challet! “Ata që e blejnë një dyshek, marrin një topper falas nga Comodita home”, “Çmime të lira (duhet çmime të ulta) vetëm për winter sale” KTV. etj.
Në këta shembuj vihet re se gjuha shqipe po goditet mu në sintaksën e saj, me fjalë të tjera në shtyllat e ndërtimit të saj. Për ta vërejtur se për çfarë gabimi është fjala, le ta zëvendësojmë emrin Bajden, me një emër shqip. P.sh. le të themi “Habia e Astrit”. Kush e thotë kështu prej shqiptarëve? Kështu nuk e thotë askush që e di gjuhën shqipe. Kështu e thonë mediat e çoroditura të Shqipërisë Londineze (prej nga u “lansua” së pari ky “zbulim”), e pasaj edhe në Shqipërinë Irredentiste. Nëse gjuhës shqipe ia heqim rasat, siç po ndodh në këtë rast, nuk mbetet më gjuhë shqipe. Për ta kuptuar drejt funksionin e rasave, këto (pra rasat) do t’i krahasojmë me shtyllat e betonit në ndërtimin e pallateve. Në qoftë se vetëm një shtyllë e betonit bie, bie edhe ndërtesa. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalinë shqipe.
Tani të kthehemi prapë tek shembulli që e morëm në shqyrtim! Nuk thuhet, pra, “Habia e Bajden”, por “Habia e Bajden -IT. Sikur që nuk thuhet “Porosia e Challet për kosovarët”, por “Porosia e ÇALLET-IT…” Dhe tjetra: jo “Haziri i gëzohet fjalëve të Challet,” , por …“ÇALLET-IT” etj.etj.
Në një reklamë televizive i dëgjova edhe këto konstrukte: “Ata që e blejnë një dyshek, do ta marrin një TOPPER falas nga Comodita home”, “Çmime të lira (duhet çmime të ulta) vetëm për WINTER SALE” KTV. etj. Për ata që nuk e flasin gjuhën angleze nuk ka mundësi t’i kuptojnë këto fjali! Ç’kuptim ka fjala “topper”, ose togfjalëshi “Winter sale”? Për ata që nuk e dinë fjala “topper” ka kuptimin e një kapele solemne për meshkuj ngjyrë të zezë ose të përhimtë (ndryshe quhet “cilindër”) Shih: OXFORD Advanced Learners Dictionary OXFORD, 1995, p.1261! Në rastin konkret nuk është fjala për kurrfarë kapele, por për një mbulesë (krevati)! Kurse togfjalëshi “winter sale” në shqip, duke iu shmangur togfalëshit të huaj, mund të thuhet thjesht “shitje dimërore”. Pra fjalitë shqip do të ishin: “Ata që e blejnë një dyshek, do ta marrin një MBULESË falas nga Comodita home”, “Çmime të lira (duhet çmime të ulta) vetëm për SHITJE DIMËRORE”.etj.