PSE ËSHTË E PËRFSHIRË DREJTËPËRDREJTË SERBIA NË SULMIN TERRORIST NË VERIUN E KOSOVËS?
Nga Dr. Dritan Demiraj
Sulmi i fundit terrorist kundër forcave të rendit publik, kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues në Banjskë në Komunën e Zveçanit, është prova më e qartë e asaj që kemi denoncuar në të gjithë rastet sa herë që Beogradi dhe Moska kanë planifikuar dhe ekzekutuar sulme të tilla terroriste në veriun e Kosovës.
Gjatë këtij sulmi terrorist, humbi jetën në krye të detyrës rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën edhe dy efektivë të tjerë.
Me këtë rast i gjithë Kombi Shqiptar në të gjitha trojet së bashku me bashkëatdhetarët në diasporë, duhet njëzëri të shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen për efektivët e forcave policore dhe të sigurisë së Kosovës si dhe për familjen e efektivit të vrarë tinëzisht Afrim Bunjaku.
Struktura e grupit terrorist të përfshirë në këtë operacion është pjesë ose bashkëpunon në mënyrë të fshehtë, ai stërvitet, mbështetet me logjistikë dhe inteligjencë nga drejtoria e operacioneve speciale të fshehta të BIA-s serbe, ministria e saj brendshme dhe pjesëtarë të forcave speciale në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale një pjesë e të cilëve kanë shërbyer si mercenarë në disa luftëra lokale në Libi, Siri, Donbasi por jo vetëm së bashku me mercenarët rus.
Veprimet e forcave speciale të policisë së Dardanisë kanë qënë shumë profesionale, duke reaguar menjëherë me zjarr të fuqishëm kundër terroristëve serbë të armatosur të cilët kanë përdorur një sasi të madhe armësh.
Suksesi gjatë ekzekutimit të këtij operacioni të një shkalle kaq komplekse, me rrezikshmëri të lartë dhe përfshirjes së aktorëve më të lartë shtetërorë serb, shpreh qartë aftësitë dhe kapacitetet e larta operacionale të forcave speciale policore dhe të inteligjencës së Kosovës.
Dhe për këtë, njësive speciale policore të Kosovës i gjithë Kombi Shqiptar ju janë mirënjohës, pasi përfundimisht keni hyrë në librin ‘Guinness’ si një nga njësitë më të mira speciale në botë krahas Delta Force, Navy Seals, SAS, GSG9, etj pas realizimit të suksesshëm të operacionit special, arrestimeve, neutralizimit të më shumë se 10 terroristëve, sasisë së madhe të arsenalit të armëve dhe pajisjeve luftarake të sekuestruara.
Përfundimisht mendoj se ky sulm terrorist e ka bërë të qartë për SHBA-të, BE-në dhe të gjithë institucionet ndërkombëtare që të ndryshojnë qëndrim ndaj Vuçiçit, Daçiçit dhe bashkëpunëtorit më të zellshëm të Moskës i cili është drejtëpërdrejtë përgjegjës për të gjitha “Operacionet speciale dhe destabilitetin” në veri të Kosovës Aleksandër Vulin, i cili emërimet në qeverinë serbe i merr sipas urdhërave të Moskës dhe urdhërat operacionalë i merr drejtëpërdrejtë nga FSB-ja, SVR-ja dhe GRU-ja në Federatën Ruse.
Dënimi publik i sulmit terrorist në veri që bëri Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet zëdhënësit të tij Matthew Miller, në gjykimin tim nuk është i mjaftueshëm për sa kohë që edhe pse SHBA-të janë investuar jashtë mase në drejtim të afrimit të Serbisë me perëndimin, në çdo rast kemi parë se Vuçiçi si një frikacak, i pabesë dhe “mjeshtër” i përdorimit të ‘maskirovkas’ ruse, është përpjekur gjithmonë në çdo takim me ndërkombëtarët që fajin e grupeve të tij terroriste dhe strukturave kriminale që financohen nga agjensitë e tij tja kalojë ‘viktimës’.
Vuçiçi pavarësisht qindra milionë dollarëve dhe mbështetjes politike që ka marrë nga SHBA-të dhe BE, në asnjë rast nuk ka shfaqur as shenjën më të vogël të bashkëpunimit me perëndimin dhe kjo është parë qartë nga qasja e tij për të mos dënuar publikisht dhe sanksionuar regjimin kriminal të Federatës Ruse me rastin e pushtimit të paligjshëm dhe të paprecedentë të Ukrainës gjatë 19 muajve të fundit.
Kjo u shpreh qartë edhe nga justifikimi i ministrit të propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç se ‘personat e armatosur ishin shtetas serbë të cilët nuk mund të vuanin nën terrorin e Kurtit’.
Ndërkohë e kam theksuar edhe në shumë shkrime të mëparshme, besimi tek ‘perëndimori rusofil’ Vuçiç se do të bëhet më bashkëpunues në të ardhmen, është jo vetëm harxhim kohe dhe burimesh financiare, por vazhdon të tregojë miopinë politike dhe diplomatike të diplomatëve perëndimorë, të cilët nuk janë të aftë të kuptojnë si duhet situatën në Ballkanin Perëndimor.
Sulmet e mëparshme kundër forcave të policisë së Kosovës, vrasjet dhe plagosjet e paprecedenta të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, trupave të KFOR-it dhe përfaqësuesve të mediave në veri, kanë qënë sulme të dirigjuara drejtëpërdrejtë nga Beogradi dhe strukturat e tij shtetërore.
Ato tregojnë se taktikat, strategjitë dhe planet e Putinit dhe Vuçiçit për destabilizimin e Ballkanit, janë padyshim pjesë e një skenari të vazhdueshëm të mbështetjes politike, financiare, diplomatike, ushtarake dhe me inteligjencë nga Kremlini zyrtar. Ky skenar fatkeqësisht po zbatohet në mënyrë agresive prej kohësh nga qeveria e Vuçiçit dhe strukturat e tij në veri të Dardanisë.
Në rast se reagimi i SHBA-ve, BE-së por jo vetëm nuk do të kishte qënë i mefshët dhe aspak në nivelin e duhur, atëherë sot rendi kushtetues i Kosovës nuk do të duhej të përballej me ngjarje dhe sulme të tilla terroriste.
Kjo ka qënë e qartë në të gjitha rastet kur janë analizuar me profesionalizëm veprimet, prezenca e individëve të bandave në veri të Kosovës, por edhe e personelit të agjensive serbe të inteligjencës dhe të sigurisë, të cilët kanë qënë prezent dhe të maskuar në shumë trazira dhe operacione të fshehta edhe më parë midis të tjerave edhe me simbole kriminale anti-perëndimore ruse “Z”.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, qeveria dhe populli i Kosovës me këtë rast duhet të ruajnë gjakftohtësinë, të bashkëpunojnë edhe më ngushtë me SHBA-të, BE-në, komandën e KFOR-it, EULEX-in, institucionet ndërkombëtare dhe ambasadat e vendeve perëndimore. Unë kam bindje të plotë që një ditë SHBA-të dhe DASH do t’i tregojnë vendin Vuçiç-it, strukturave të tij kriminale dhe terroriste të cilat veprojnë sipas skenarëve destabilizues të Moskës dhe mendoj se tani ka ardhur momenti.
Albin Kurti është i vetmi kryeministër i cili ka qëndruar fortë me dinjitet dhe pa u lëkundur ndaj presioneve nganjëherë edhe të padrejta të ndërkombëtarëve.
Asnjë grup terrorist serb, strukturë kriminale, njësi e xhandarmarisë serbe nuk do të guxonin të ndërmerrnin një veprim të tillë terrorist dhe antikushtetues në rast se faktori politik në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi nuk do të ishte i përçarë. Në rast se arrihet ky unitet në të gjitha trojet shqiptare, atëherë të gjithë politikanët tanë të korruptuar nuk do të kenë as guximin as mundësinë të dilnin në mbrojtje të ministrit të fundit kriminel të Milosheviçit.
Si përfundim, sasia e madhe e pajisjeve luftarake të konfiskuara, shumëllojshmëria dhe fuqia e madhe e armëve të zjarrit, armët sniper të kalibrit 12.7 mm, raketat anti-tanke, mitralozët e rëndë 50, mitralozët 40 mm, mortajave te kalibrave te ndryshme, mjetet e komunikimit, mjetet e vëzhgimit, të ndihmës së shpejtë, mjetet financiare, eksplozivat, mjetet e propagandës, uniformat e shumta, etj tregojnë se këto struktura mbështeten nga shërbimet sekrete serbe.
Në shtesë sa më lartë, sasia e madhe e personave të përfshirë në këtë sulm, organizimi dhe koordinimi i tyre, niveli i përgatitjes së tyre ushtarake, njohja ekselente e terrenit, paprekshmëria e tyre nga shërbimet kufitare dhe sekrete serbe ndërkohë që kufiri midis dy vendeve është i përbërë nga një sasi shumë e madhe e dislokimit të njësive të xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe (48 të tilla), angazhimi i madh i gjithë propagandës serbe për të fshehur me të gjitha format përfshirjen e tyre, tërheqja e shpejtë dhe e organizuar jashtë kufirit shtetëror të Kosovës e personave të vrarë dhe të plagosur në vendngjarje me qëllim mos identifikimin e tyre, hapja e një koridori të kërkim-shpëtimit dhe evakuimit të tyre në kufirin serb, sigurimi i inteligjencës në kohë reale rreth afrimit të forcave policore, prishja e provave të prezencës dhe e përfshirjes së tyre gjatë këtij sulmi, mos deklarimi dhe mungesa e bashkëveprimit të strukturave serbe të sigurisë për pjesëtarët e tjerë të përfshirë në këtë sulm terrorist të cilët u ndihmuan që të largoheshin nga manastiri dhe shumta fakte të tjera të cilat do t’i analizoj në shkrimet e tjera, tregojnë qartë përfshirjen e Serbisë në destabilizimin e situatës në veriun e Kosovës dhe organizimin e sulmeve terroriste kundër saj.