29/05/2024

Edi Rama me futnotë për Kosovën! Por dialogu përfundoi sot në Zveçan!

0

Nga Enver Bytyçi

Edi Rama foli diku nga dreka për aktet terroriste që miku i tij i ngushtë, Aleksandër Vuçiç, ideoi dhe urdhëroi sot në veriun e Kosovës. Foli në momentin kur nuk dihej si do të përfundonte beteja mes terroristëve të Aleksandër Vuçiç dhe forcave të policisë së Kosovës! Më pas nuk u ndje më! Të paktën të thoshte ndonjë fjalë të mirë dhe inkurajuese për policët profesionistë, trima e heronj të Kosovës!

Por ndërsa të gjithë shqiptarëve që kanë ndjekur ngjarjet u janë mbushur sytë me lot hidhërimi për policin e ndjerë dhe lot gëzimi për suksesin e policisë së Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, sipas deklaratës së tij, shqetësohet për përhapjen e konfliktit! Në Kosovë derdhet gjak shqiptari dhe ky na thotë “Nëse komuniteti euroatlantik nuk ndërhy, atëherë konfliktit të të përfshijë gjithë rajonin”! Kjo është një e pavërtetë e madhe! Policia profesioniste dhe patriote e Kosovës edhe e vetme ka aftësinë që konfliktin që ndizet në veri ta izolojë dhe ta dëbojë prej aty! Dialogun e mbylli sot Kosova në Zveçan!

Po nuk ndalet me kaq kryeministri ynë me futnotë për Kosovën. Kërkon një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës e Serbisë! Konferencë ndërkombëtare?! Për çfarë?! Cilin konflikt do të zgjidhë kjo konferencë?! Kosova është në të drejtën e saj ta mbrojë territorin e saj nga terroristët e presidentit serb dhe të Alakesandër Vulin. Këtë e theksoi sot gjithashtu ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier! Atëherë kjo konferenca e Edit çfarë roli mund të ketë?! Thotë t’i detyrojë palët të ulen e madje të mos lejohen të dalin nga kështjella pa e zgjidhur këtë konflikt! Çfare kuptimi ka kjo? Kuptimi i vetëm është që të detyrohet Albin Kurti të bëjë kompromise me territore ndaj Serbisë.

Serbia dërgon forcat e saj speciale e terroriste dhe vret policë në Kosovë, ndërsa Rama kërkon jo dënimin e këtij akti barabar, por një konferencë ndërkombëtare, ku Albin Kurti të shkojë aty si humbës!

Shkurt Edi Rama po vazhdon me mjete të tjera misionin që ka marrë në vitin 2016 gjatë vizitës dhe takimit të tij me Aleksandër Vuçiç në Nish, ndarjen e Kosovës. Sipas tij, “Meqenëse në veri po ka vazhdimisht akte destabilizuese, atëherë në një konferencë ndërkombëtare palët duhet të merren vesh se çfarë do të bëjnë me këtë pjesë të territorit”! Shkurt kryeministri i Shqipërisë dëshiron ta rikthejë Kosovën në fazën e para-pavarësisë. Të diskutohet sërishmi statusi i saj, ose ndarja e saj! Më saktë, të merret një vendim i ri. Të zhbëhet pavarësia e njohur nga më shumë se 100 shtete të botës! Të nisë procesi nga e para! Dhe në fund të realizohet projekti i Serbisë së Madhe, së cilës do të duhet t’i jepen pasuritë e Kosovës!

Albin Kurti e ka kuptuar dredhinë e Edi Ramës. Prandaj dhe e ka refuzuar paternalizmin e tij. Si një paternalizëm shtesë pro-Serbisë.

Për Albin Kurtin janë të mjaftueshëm shtojcat e politikës serbe në Bruksel me emrat Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak! Nëse i shtohet kësa shtojce edhe ndonjë rol i Edi Ramës apo presidentit të BE-së, Michel, atëherë bëhet shumë. Albin Kurti ka vendosur ta çarmatosë çdo argument të Aleksandër Vuçiç, Borrel e Lajçak e Rama për të ndarë Kosovën ose për të themeluar një Asosacion të Komunave me Shumicë Serbe. Sot dha një goditje vendimtare, por jo të fundit. Sot Kosova e fitoi një betejë shumë të rëndësishme me Serbinë. Por nuk dihet se çfarë do të vijë nesër!

Por asgjësimi ose arrestimi i bandës terroriste të Beogradit në përbërje të së cilës ishin 30 terroristë të armatosur, i dha një goditje të rëndë jo vetëm përpjekjeve serbe për desatbilizim, por edhe projekteve që ka hartuar presidenti i Serbisë në bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë kundër Kosovës! Fitorja mbi terroristët sot i dha përfundismisht edhe zotit Borrell provën që vazhdimisht ai ka kërkuar sa i përket implikimit të Serbisë në destabilizimin e Kosovës. Borrell, qoftë dhe për të shpëtuar pak integritet për veten e tij, duhet që nesër tu kërkojë kolegëve të tij që po nesër të hiqen masat kundër Kosovës! Tashmë ai e ka provën se ngjarjet e kaluara në veri nuk janë të Kosovës, por të Serbisë! Suksesi i sotëm i dha provën për të drejtën që pati deputetja britanike, të cilën Vuçiç e akuzoi se “paguhet nga lobet shqiptare”!

Kështu që suksesi i sotëm nxjerr nga axhenda diskutimin për asosacionin e Komunave Serbe në Kosovë, sepse asosacion nën kërcinimin terrorist nuk ka dhënë kurrë as Borrell në Spanjë, as Lajçak në Sllovaki! Nuk ka e nuk do të ketë asosacion të serbëve në Kosovë! Ndërsa ndarja e Kosovës as që mund të vijë ndonjëherë në vëmendje të ndokujt. Nga dita e sotme qeveria, komunat në veri si dhe policia e Kosovës kanë të drejtën legjitime ta krehin gjithë zonën dhe të arrestojnë ose të dëbojnë të gjithë serbët e Beogradit, me zyra ose pa zyra aty! Madje edhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në këto komuna do të realizohet vetëm kur këtë ta kërkojë 20 përqind e elektoratit!

Konferencë jo! Po më duket se është ngushtuar dhe arsyeja për dialog. Megjithatë në dialog prej sot Albin Kurti do të jetë superior! Superior në legjitimitet, superior në të drejtën e shtetit të tij, superior në të drejtën ndërkombëtare, superior në gjithçka! Nuk do të mund të ketë më presion për kompromise! Kompromiset morën fund me përdorimin e armëve dhe të forcës nga ana e Beogradit në dhunim të shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës! Konfernca Ndërkombëtare mbaroi sot punimet në Zveçan, zoti Rama! Ndjesë që dëshira jote mbetet një ëndërr!

Enver Bytyçi

24/09/2023

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok