22/12/2024

Pse Edi Rama i kërkoi Vuçiq që ta lexonte fjalimin e tij në KiE?

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Në një intervistë të tijën në një TV të Tiranës Edi Rama mbrëmë tha se i kishte kërkuar presidentit të Serbisë që ta lexonte fjalimin që kryeministri i Shqipërisë mbajti dje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në këtë rast nuk ka gënjyer. Ka menduar se kreu i shtetit të Serbisë është keqinformuar. Prandaj dhe leximi ose rileximi i fjalës që u mbajt në Asamble do të qartësonte personazhin në fjalë. Por çfarë do të qartësonte?

Faktin që në fjlimin e Edi Ramës Serbia mbrohet në gjithçka e për gjithçka. Pikërisht këtë mesazh përmban këshilla ose kërkesa e Ramës për mikun e tij Vuçiq. Ta lexojë fjalimin dhe të shohë se si kryeministri i Shqipërisë e mbron atë. Tani le t’u referohem disa fakteve pse Rama e mbrojti Serbinë në fjalën e tij “bombastike” në Strasburg?

Së pari, duhet thënë se objekt i fjalës së tij ishte raporti i Dick Marty-t, i cili u paraqit në këtë asamble më 24 janar 2011, tri ditë pasi Rama bëri përpjekjen e tij për grusht-shteti në Shqipëri. Kundër atij raporti do të fliste asokohe ish-kryeministri Sali Berisha. Por ngjarjet e dhunëshme në Tiranë nuk e lejuan të udhëtonte për në Strasburg. Më vonë, pas tri vitesh, ky raport u shndërrua në rezolutë për krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Po! Bazuar në akuzat e Dick Marty-t.

Por gjithçka deri në këtë kohë e kishte orkestruar Beogradi, veçmas prokurori Special i Serbisë për krimet e luftës. Ivica Stojanoviç shkruan se “Ish-kryeprokurori për krime lufte Vladimir Vukceviç tha për BIRN se ndërkohë që hetonin akuzat për trafikim organesh nga ana e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, autoritetet serbe mblodhën prova në lidhje me rolin e pretenduar të presidentit Hashim Thaçi në krimet e kohës së luftës, të cilat më pas iu kaluan hetuesve të Hagës”. https://kallxo.com/…/serbia-siguroi-provat-per-krime…/ Pra nuk po e them unë këtë.

Por Edi Rama e anashkalon këtë fakt. Asnjë moment nuk u ndal te roli dhe përgjegjësia e Serbisë dhe e Beogradit për ngritjen e akuzave kundër krerëve të UÇK-së! Shkoi deri në Kremlin (dhe mirë bëri), kritikoi ashpër një deputet rus të KIE-së, por nuk tha asnjë fjalë për presidentin e Serbisë dhe rolin e tij në këtë histori. Ishte Beogradi që inicoi dhe hulumtoi prova të rreme për shtëpinë e verdhë, për trafikimin e organeve e për akuza të tjera kundër Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Edi Rama nuk e përmend këtë fakt në fjalën e tij. Pse? Nuk kam objekt arsyetimin e kësaj. Secili mund të gjykojë me mendjen e tij!

Së dyti, është bërë e njohur tashmë se Dick Marty është kërcënuar për eleminim fizik nga ana e shërbimit sekret të Serbisë, të kontrolluar e drejtuar nga Aleksandër Vuçiq. Madje edhe se ky akt terrorist do t’u faturohej shqiptarëve. Dhe cilët shqiptarë do të fajësoheshin? Sigurisht, ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kjo do të thotë se ende sot Beogradi harton skenarë të tmerrshëm anti-shqiptarë dhe anti-UÇK! Por për Edi Ramën as kjo nuk pati vëmendje e rëndësi. Rëndësi kishte të merrej me kufomat që nuk janë më në gjendje ta rrezikojnë Kosovën, si Karla del Ponto! Duke u marrë me të tilla kufoma ai në fakt rehabilitoi veprimtarinë kriminale të Beogradit!

Së treti, Edi Rama kur foli për aktualitetin mori përsëri në mbrojtje Open Balkan-in serb. Edhe pse një deputet rumun i tha se Ballkani i Hapur e izolon Kosovën, pra atë që ia themi ne me vite, ai nuk dëgjoi nga ai vesh. Foli me tone arrogance për ta mbrojtur Open Balkan. Dhe më e keqja ishte se vazhdoi ta fajësojë Albin Kurtin për refuzimin e kësaj inicative serbe. Ndërkohë për asgjë nuk guxoi të fajësojë Aleksandër Vuçiq. Mbrojtja e Open Balkan nga ana e Ramës ishte qëllimi kryesor i atij fjalimi, madje misioni i tij.

Së katërti, kryeministri ynë po ashtu zbuti, madje e zhbëri, përgjegjësinë e Serbisë sa i përket krimeve dhe genocidit që ka zhvilluar në Kosovë. Ai, duke përmendur pajtimin, tha se “Serbia duhet ta njohë Kosovën, me qëllim që gabimet të mos kthehen në mëkate”! Sipas tij genocidi serb kundër shqiptarëve në Kosovë ishte një gabim. Por edhe sikur të thoshte se ishte një mëkat, përsëri kjo do të dëshmonte besnikërinë e kryeministrit shqiptar ndaj vijës politike të Serbisë kundër Kosovës!

Nëse e lexon me kujdes atë fjalim, do të dallosh thjesht retorikë nacionaliste. Disa e mburrin fjalimin e tij për vërejtjen që Rama bën, kur tha se “armiqtë e Kosovës i thonë Kosovo dhe jo Kosova”! Por nuk përmendi faktin se këta armiq janë miqtë e tij dhe madje nuk i thonë vetëm Kosovo, por thjesht “Kosovo-Metohi”! Nuk tha se burimi i këtij emërtimi është Serbia. Nuk guxoi t’i emëtojë armiqtë e Kosovës me emër. Madje u duk se të tillë po konsideronte europianët dhe jo serbët!

Për të gjitha këto arsye fjalën e zotit Rama në KiE të ditës së djeshme nuk duhet ta lexojë vetëm Aleksandër Vuçiq. Duhet ta lexojnë më së pari ata që u turrën ta bëjnë Edi Ramën hero të Kosovës e të shqiptarëve. Isa Mustafa dhe lëkejtë e tij. Unë e mirëkuptoj Memli Krasniqin kur e vlerësoi atë fjalim. Sepse Memli është përfaqësues e pasues politik i atyre që gjenden në Hagë. Por Isa Musafa ishte më i avancuar se Memli. Kishte zgjedhur fjalë më enorme sesa kreu i PDK-së për ta mburrur fjalimin pro-serb të Edi Ramës. Pas Isës u përfshinë në këtë valë edhe të tjerë politikanë të LDK-së, si Vlora Dumoshi. Pa u shqetësuar aspak për fatin e gati 100 veprimtarëve me emër të Lidhjes demokratike të vrarë e të zhdukur në përfundim e pas luftës në Kosovë, autorët e të cilëve nuk dihen ende.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok