14/07/2024

PROFETËT E RREMË, I

0

(Nga karakterologjia jonë)

Nga Prend BUZHALA

Pothuajse, shumica dimë nga librat e shenjtë për profetët e rremë. Përkufizimi biblik për ta kalon te përdorimet tjera metaforike në gjirin e jetës  njerëzore e shoqërore: ata përpiqen që njerëzimin ta privojnë nga qëndrimet racionale, apo nga “shkalla më e lartë më e lartë e veprimtarisë njohëse të njeriut”, nga “aftësia mendore për të gjetur shkaqet dhe për të zbuluar thelbin e dukurive, për të shpjeguar ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë; mendja në kundërvënie me ndjenjën.” (siç na e thotë, pra, Fjalori ynë përkufizimin për arsyen).

1.

Profetët e tillë, jo vetëm që shfaqen me petkun e mashtruesit, por edhe të vizioneve apokaliptike, për vdekjen e shumëçkaje në botën tonë: që ta godasin njeriun në vullnetin e tij të lirë, për ta shfaqur para tyre ferrin, nga ai biblik deri te ky i parasë. “Është natyra e të gjithë hipokritëve dhe profetëve të rremë që të krijojnë një ndërgjegje aty ku nuk ka, dhe të bëjnë që ndërgjegjja të zhduket aty ku ekziston”, thotë Martin Luter. E dinë që jo pak njerëz joshen nga rrëfimet e tilla apokaliptike, duke pirë makiato a duke ngrënë një picë. Thjesht, bëhen përpjekje që njerëzit t’i largohen të vërtetës sa më shumë. Profetët e rremë shfaqen edhe në jetën politike: se vetëm ata duhet të zgjidhen e rizgjidhen “si shpëtimtarë” politikanët e korruptuar e mashtrues, për t’i braktisur ata të vërtetët. “Çfarë është populli, e tillë është qeveria”, thonë amerikanët. Ngjashëm deklaron Paul Washer, një teolog amerikan: “Dije këtë! Ata (profetë të rremë) janë gjykimi i Zotit mbi një popull të lig, të ndotur, të cilët edhe pse kanë njohuri për Zotin, nuk e duan atë. Dhe kështu Zoti u dërgon mësuesit që ata vetë dëshirojnë.”

Ndërsa të tjerë njerëz e konsiderojnë religjionin si një zëvendësim për trurin që nuk funksionon; si kontroll mbi mendjen nga profetët e rremë. Sikur njerëzit nuk mund të jetojnë pa “liderin”, pa liderin fetar, politik, apo të ndonjë fushe tjetër, ndaj të cilit shfaqin adhurim, nderim, përkulje dhe përulje.

Nuk është e rastit përse gjatë shekujve të fundit, kur doli në pah figura e intelektualit, vazhdon ajo përbuzja e  njëjtë, si ndaj profetëve të dikurshëm që përbuzeshin në vendin e tyre, që i burgosnin a që i dëbonin në shkretëtirë, ndërkohë që adhurohen lajkatarët e personalitetet mashtruese a mbreti autoritar, si sot. Nuk është e habitshme përse kanë kaq shumë hapësirë intelektualët e sotëm nëpër medie si mashtrues të ç vërtetës e lajkatarë të një profili politik, ndërkohë që përhapin përbuzjen ndaj vlerave të vërteta. Edhe shoqëria jonë është dëshmitare (dje e sot), se si ndër ne, në Kosovë a në Shqipëri, jo pak intelektualë e shkrimtarë u burgosën, u vranë, u dëbuan, u përbuzën, u fyen, u dënuan me forma të ndryshme. Dhe praktika e tillë ende vazhdon në jo pak vende të botës.

2.

Eh, sa vdekje a shuarje (kolektive, kulturore, teknologjike etj.) janë shpallur deri më sot/

Niçe shpalli Zotin të vdekur, me gjithë religjionet, por nuk ndodhi kjo. Profecia doli e rreme.

“S’ka më Shqipëri, s’ka më Kosovë”, klithnin me histeri pushtues të çmendur e egërshanë të çartur. Për fat, pas shumë tragjedive historike, ne jemi këtu. Profetët ogurzi dolën të humbur.

A do të ketë teatër, a do të ketë kinema, ishte temë e ditës gjatë viteve ’70, kur erdhi televizioni. Shumëkush tha: vdiq teatri! Të tjerë “kulturologë” thanë: vdiq kinemaja! S’ka më publik! Mbase, shumëçka, nga gjallëria e dikurshme e nga ai vesku i dikurshëm më nuk janë, por ja që as teatri e as filmi nuk vdiqën. Kinemaja, siç lexohej aso kohe, “vdiq” edhe me shfaqjen e kasetave a të video-kasetave. Format e komunikimit skenik vetëm sa pasuroheshin e assesi të shuheshin. Profecitë dolën të jenë jo të sakta.

E, tashmë jetojmë në botën dixhiale. Kjo epokë e teknicizuar nëpërmes internetit, sikur i hodhi të gjitha në koshin e mbeturinave të historisë: mediat e shkruara, librin, leximin, bibliotekat, madje, edhe shkollat, akademitë, universitetet. A ndodhi kjo? Jo! Profecitë e tilla apokaliptike ishin vetëm një lajm i zi…

Nëse në Kosovë nuk duan medie të shtypura (i vetmi vend në botë, si duket, që nuk ka këso mediash), bota tjetër nuk hoqi dorë nga shtypi. As nga libri, as nga bibliotekat, shkollat, akademitë, universitetet… Nga këto të fundit nuk hoqi dorë as Kosova.

Edhe armët nuk pushuan së gjëmuari, për ta “dëshmuar” atë vizionin apokaliptik të fundit të botës. Ky vegim apoalipsash të ndryshme  zgjat me mijëra vjet. Madje, ka një letërsi të tërë apokaliptike që “parasheh” fundin e botës.

Edhe në letërsinë tonë ka mjaft vepra të shkrimtarëve “të shquar” (edhe me tituj akademikë) që shpërthejnë në vizione të tilla, për të mos thënë: vizione të sëmura apokaliptike (në letërsinë  e tyre lexojmë vetëm për ngjarje me personazhe të çmendur, të marrë, të sëmurë, vrasës e kriminelë, të korruptuar, ndërsa “hero pozitiv” shpallet ai që e sheh botën vetëm zi, zi, zi)! Fundin e njerëzimit, Fundin e “botës shqiptare”! Por asnjëra nuk ndodhi! Ja që jeta është më e pasur, më shumëngjyrëshe, më e shëndetshme, se sa vegimet e apoklaptikëve.

Dhe bota është këtu. Shpatat (dikur) ditën të ulen, topat arritën të mos ulërijnë, plumbat të heshtin.

Dhe bota arrin ta thellojë vizionin për mirëqenien, paqen, lirinë, harmoninë… përkundër lakmive të pafund për para e pushtet. Po e ritheksoj (nga një shkrim i përparshëm): Të gjithë njerëzit kanë nevojë të kenë para për ta siguruar ekzistencën. Në këso rastesh, a ndodh që paraja ta pushtojë Njeriun në kërkesat egoiste njerëzore? A thua, secili njeri që ka shumë para, a është i lumtur? Dhe a ua ka siguruar lumturinë grumbullimi i sa më shumë parave?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok