PROBLEMET DHE VIZIONI PËR NDRYSHIME
(Nga ligjërimet për të vërtetën)
Nga Prend BUZHALA
E mbushur me paradokse, koha jonë shfaq edhe një çudi tjetër kundërthënëse, por të vërtetë: zhvillimi i përgjithshëm teknologjik, industrial, po sidomos ai i komunikimeve, medieve elektronike etj, në vend që të na i zgjidhin problemet, ato vazhdimisht shtohen! Njeriu i gjallë ka probleme. Biznesmeni dhe filantropisti, W. Clemet Stone, i cili është edhe autor librash, këtë e thotë në trajtën e një dialogu që të shtyn të reflektosh:
“Kemi probleme.”
“Urime”!
“Por ato janë të vështira e të rënda”!
“Atëherë dyfish urime”!
Në fakt, gjithmonë shoqëria njerëzore është ballafaquar me problematika të ndryshme, me enigmat e natyrës, me çështje të ndërlikuara personale apo shoqërore, shkencore apo praktike, filozofike apo ekonomike, politike apo kulturore, religjioze apo arsimore… e deri te ato kombëtare apo ndërkombëtare.
Është e pafund natyra e tyre dhe të pafund janë edhe zgjidhjet.
1.
Sigurisht që njerëzit e rëndomtë nuk e kanë hallin e zgjidhjes së problemeve të botës. Kur një komb i tërë sfidohet nga një dukuri, atëherë secili merr guximin ta thotë fjalën e tij; dhe kur ai komb gjendet në vështirësi qoftë nën një pushtues, qoftë përballë agresioneve të ndryshme, atëherë ky njeri i thjeshtë frymëzohet, pajiset me guxim dhe bëhet pjesë e historisë: emra krejt të thjeshtë dalin nga anonimati i përditshëm dhe bëhen të famshëm në organizim, në zgjidhjen e çështjeve jetike.
Nga ana tjetër, jeta shndërrohet në një lojë. Në një lojë tejet të ndërlikuar. Shpesh të frikshme.
E ç’duhet të bësh atëherë?
I vetmi shteg mbetet që të mposhtet frika. Përsëri u dashka guximi për t’u ballafaquar me sfidën që jeta ta dhuron “si bakshish”. Dhe jo pak njerëz i krijojnë vetvetes probleme. Ndodh që edhe një shtet a komb i tërë, i krijon vetes çështje të ndërlikuara e të rrezikshme. Albert Einstein na këshillon: “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet tona me të njëjtin mendim që i kemi përdorur kur i krijuam ato.”
Eh, nga një krijues problemesh, ti detyrohesh të bëhesh një kërkues zgjidhjesh, për t’i gjetur rrugët që duhet ndjekur.
Njeriu, kësisoj, e ka për detyrë që të mos e ngarkojë as jetën e vet e as të tjetrit me urrejtje apo duke i sjellë pengesa të ndryshme. Shkolla e jetës, për këso çështjesh, do të na ligjërojë: jepni përpjekën tuaj më të mirë! jepni më të mirën që keni brenda vetes! Dhe ti e sheh: ngjarjet e vështira e rrethanat e ngatërruara mënjanohen. Ti arrin t’i shmangësh ndërlikimet.
Koha sjell mundësi të reja. Por koha ngre edhe çështje të reja. Tashmë nga këndi i ri trajtohet e gjithë e kaluara. Dhe nëse ka një bllokim a ngecje të trajtimit të problemeve, nëse vazhdimisht shtihen pengesat, atëherë gjithsesi që në veprim do vënë imagjinatën krijuese: s9i ta zhbllokosh atë gjendje! Shkenca nuk ka ecuir përpara pa këtë imagjinatë. Edhe shoqëria njerëzore kësisoj i ka zgjidhur çështjet e tilla: me vënien në veprim të imagjinatës krijuese dhe dijes.
Dikush i kërkon zgjidhjet në alkoolizëm, tjetri në forcën e armës kundër fqinjit, vëllait apo të tretit.
Secili vendim me rëndësi të posaçme(vendim personal a i përgjithshëm, nuk ka rëndësi) duhet të merret me urti e gjakftohtësi, pa u zemëruar.
Sa shumë probleme krijojnë keqkuptimet! Por ato mënjanohen me komunikim të ndërsjellë, me urat e komunikimit. Të mos harrojmë: te personi tjetër, “problematik”, “i zemëruar”, “cinik” “keqdashës” etj, me të cilin ke mosmarrëveshje, a më shumë do të ndikonte kthimi me të njëjtën monedhë apo me zgjidhje kreative të mosmarrëveshjeve, me mirënjohje, apo sikundër thuhet tani: me energji pozitive!
Dhe kjo shkollë e jetës na thotë: Mos e kalo ditën aq shumë i preokupuar me problemet! Aty ku ka një çështje të ndërliqshme, aty ekziston edhe zgjidhja e që quhet fara e zgjidhjes. Zgjidhjet gjithsesi duhet të jenë konstruktive.
2.
Duket sikur Kosova po sillet në një rreth vicioz: preokupohet jo vetëm me ambiciet për të ardhmen, por edhe me ballafaqimet me të kaluarën. Ishte e qartë, bie fjala, para luftës feja nuk kishte rëndësi në zgjidhjen e çështjes kombëtare, demonstratave, protestave për liri, preokupimeve për ta tejkaluar situatën e rëndë apo për ta zhvilluar luftën për liri. Pas luftës çështjet fetare ngrihen në problem. Ato shndërrohen në një galimatias (në publikime të marra, në fjalë të paqarta, në marrëzi dhe frikë… në çoroditje masive e hutim total që ua humb kuptimin edhe koncepteve themelore, siç janë konceptet për lirinë, kombin, shtetin laik, rendin kushtetues etj etj).
Mosmarrëveshjet shtohen.
Janë dhe dy a tri çështje tjera që vetëm sa ndërlikohen: çështja e dialogut me Serbinë, çështja e kufijve me shtetet përreth, çështja e liberalizimit të vizave, çështja e njohjeve, çështje e integrimeve evropiane… dhe asnjëri prej tyre nuk merr zgjidhje!
Harrohet njeriu ynë!
Harrohet mirëqenia e tij, e drejta e punës e drejta të ketë një banesë: këto të drejta jetike, e thonë vetë dokumentet e OKB-së.
Harrohet rinia që nuk gjen zgjidhje brenda Kosovës për fatin e vet, por ikën jashtë.
Mendja e kombit arratiset: ajo nuk shfrytëzohet
Kultura, e cila i afron njerëzit dhe krijon mirëkuptim mes tyre,sikur ngulfatet. Sikur kjo kohë dëshiron ta ngrejë në kult m,mosmarrëveshjen dhe shtimin e problemeve të pafund familjare, personale e deri te ato të përgjithshme.
Politika sikur na thotë: nuk duam marrëveshje mes njerëzve; nuk duam që ju t’i keni të zgjidhura problemet; nuk duam që ju të keni besim! Duam të ju shohim pa asnjë shporesë, pa asnjë zgjidhje! Nuk na interesoni fare! Nuk dimë se a ekzistoni mbi faqe të dheut!
Por barrierat nuk janë të përgjithmonshme. Megjithatë, njerëzit janë edhe qenie të marrëveshjes. Paulo Coelho na i sjell përvojat e tij dhe ky është sugjerim jashtëzakonisht domethënës jo vetëm në rrafshin personal, po edhe të përgjithshëm: “Kultura i bën njerëzit të kuptojnë njëri-tjetrin më mirë. Dhe nëse ata e kuptojnë njëri-tjetrin më mirë në shpirtin e tyre, është më lehtë të kapërcehen barrierat ekonomike dhe politike. Por së pari duhet të kuptojnë se fqinji i tyre është, në fund të fundit, ashtu si ata, me të njëjtat probleme, me të njëjtat pyetje.”
Në zgjidhje marrin pjesë dy palë a më shumë palë.
Ndoshta na mungon ajo Rrëfyestorja si ajo e kishës: aty ku shkohet për të mos i fshehur mëkatet e problemet, por për t’u shëruar nga mëkati.
Rregulla të arta nuk ka. Ka fuqi të vizionit për ndryshime.
(Prend Buzhala, 10 maj 2019)