23/12/2024

Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë

0
Princesha-ilire-Cynane

Nga Elvi Sidheri
Shumë nga ne kemi dëgjuar për Amazonat mitike, por pakkush sakaq ka dëgjuar për mishërimin e mirëfilltë të këtyre krijesave mitologjike, Princeshën Iliro-Maqedonase, guximtaren e paepur Cynane, për të cilën do të flasë ky shkrim.
Siç dihet nga burimet antike, mes Dardanisë dhe Maqedonisë, shpesh shpërthenin konflikte pafund, që do të theksoheshin në shekullin IV para Krishtit, kur nën drejtimin e Mbretit Bardhyl, rreth vitit 359, Maqedonia tashmë gjendej para gjunjëzimit nga mësymjet dardano-ilire.
Por, gjërat do të ndryshonin një vit më pas, kur Filipi II, mbreti i ri i Maqedonisë dhe ushtria e tij e përkryer do të ngadhënjente ndaj Bardhylit tashmë të moshuar, që bie në fushëbetejë bashkë me mijëra ushtarë të tij.
Ndërkaq, për të zbutur gjakrat mes dy palëve, Filipi II do të rrekej të bashkonte dy mbretëritë duke u martuar me princeshën ilire Audata, me shumë mundësi, mbesën e Bardhylit 90 vjeçar të sapo vdekur, e cila një vit më vonë do të lindte një vajzë, pikërisht Cynane, kryepersonazhin e këtij shkrimi.
Do theksuar ndërkaq se ndryshe nga shoqëritë e tjera të lashtësisë, në shekullin e IV para Krishtit, gruaja ilire rritej e kalitej për luftë, e qysh në fëmijëri ajo stërvitej për të luftuar trimërisht krah burrave, gjë të cilës nuk do t’i shmangej as Cynane.
Që në moshë të mitur, Audata do ta stërviste Cynane-n në artin e luftës, duke i qëndruar besnike rrënjëve të tyre ilire, e qysh në adoleshencë tashmë Cynane ishte bërë e njohur gjerësisht për aftësitë e saj luftarake.
Cynane do të marshonte bashkë me ushtrinë maqedonase në fushatat ushtarake, ku do të dëshmonte dhuntitë e saj më shumë se njëherë në fushëbetejë.
Në vitin 336 para Krishtit, pas vrasjes së Filipit II, siç mendohet, nga një doras i dërguar nga Olimpia, nëna epirote e Aleksandrit të Madh, gjysmë-vëllait të Cynane-s, një nga veprimet e para të mbretit të ri, do të ishte heqja qafe e tërë rivalëve për fronin, përfshirë Amintasin, kushëririn e tij dhe bashkëshortin e Cynane-s, e cila shpejt do të bëhej vejushë.
Por, Aleksandri i Madh nuk do të mjaftohej me kaq, sepse gjysmë-motrën e tij do të orvatej ta përdorte si mjet në lojërat e tij diplomatike, dhe në vitin 335 Cynane e paepur do të premtohej si gruaja e njërit prej mbretërve më besnikë të Aleksandrit të Madh, Langarusit, mbreti i Agrianëve, i cili pati ndihmuar disa herë Aleksandrin në luftërat kundër ilirëve.
Gojëdhënat në vazhdën e mbi dy mijë viteve të fundit, akoma ngulmojnë në vdekjen tejet të mistershme të Langarusit, pak kohë para martesës, gjë aspak e habitshme, duke ditur kundërshtimin e ashpër të princeshës iliro-maqedonase ndaj kësaj martese.
Në vitin 323 para Krishtit, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, Cynane përmendet sërish nga burimet historike, në mes të kaosit që shpërthen rrjedhimisht në perandorinë e stërmadhe të krijuar nga mbreti Maqedonas, nga Mesdheu në Hindukush.
Grindjeve midis pasuesve të tij, të prirë nga Perdikasi, kryekomandanti maqedonas në Babiloni dhe Meleagri, oficer i lartë i këmbësorisë që desh u shndërruan në luftë civile, do t’u jepej zgjidhje e përkohshme me kurorëzimin mbret të Arrhidaeusit, që do të quhej Mbreti Filip Arrhidaeus III.
Ai ishte gjysmë-vëlla i Aleksandrit të Madh që ndryshe nga Amintasi, kish shpëtuar gjallë ngaqë nuk ishte parë si kërcënim për fronin.
Burimet tregojnë se mbreti i ri ishte pakëz i lehtë nga mendja pa mundur dot të merrte asnjë vendim në kokë të tij dhe pa mundur të sundonte i vetëm në fron.
Njëlloj si Aleksandri i Madh do të mendonte paskëtaj edhe Perdikasi, mbrojtësi i perandorisë së Aleksandrit në Azi dhe këshilltari kryesor i Filip Arrhidaeus III.
Në këtë pozitë, duke pasur pushtetin mirëfilli në duart e tij, Perdikasi ishte edhe njeriu që ndikonte në vendimet e Filip Arrhidaeusit III, siç ndodh shpesh me mbretërit e pafuqishëm, që shndërrohen në kukulla për sunduesit në hije.
Por, këto ide nuk gëlonin veç në mendjen e Perdikasit, sepse lajmet për paaftësinë mendore të Arrhidaeusit do t’i shkonin edhe Cynane-s në Maqedoni, e cila si nuhati mundësinë, do të vihej menjëherë në veprim për të marrë pushtetin.
Në atë kohë, rreth vitit 322 para Krishtit, Cynane kishte një vajzë 15 vjeçare të quajtur Adea, nga martesa e saj me Amintasin. E në mungesë të një mbretëreshe maqedonase, Cynane do të këmbëngulte të shpallte të bijën, Adean, mbretëreshë krah Filip Arrhidaeus III.
Qartas, me të bijën mbretëreshë, pushteti i mirëfilltë do të mbahej nga dy gratë iliro-maqedonase, duke shmangur Perdikasin nga ndikimi ndaj mbretit dhe Cynane e Adea do të sundonin perandorinë e trashëguar nga Aleksandri i Madh, në hije dhe konkretisht.
Në mbështetje të këtij synimi, Cynane gëzonte fuqinë e lidhjes së drejtpërdrejtë të gjakut me Aleksandrin e Madh, që nga maqedonasit, dhe tërë popujt e tjerë të lashtësisë, cilësohej si gjysmë-hyjni, dhe trashëgimia e njëjtë me këtë figurë mbinjerëzore ishte një armë e paçmuar në duart e Cynane-s.
Pasi arriti të mblidhte një ushtri, Cynane do të marshonte drejt Babilonisë për të vënë të bijën, Adean, në fron, dhe si pati mposhtur trupat e Antipatrit, njeriut më të fuqishëm në Maqedoni, Cynane dhe shpura e saj kapërcyen Hellespontin për të vijuar drejt qëllimit të tyre në Azi.
Por, Perdikas dhe shumë gjeneralë të tjerë maqedonas në Babiloni, nuk ndejtën duarkryq përballë këtij rreziku femëror që u kanosej dhe shpejt Alcetas, vëllai i Perdikasit, do të nisej me ushtrinë për t’u përballur me Cynane-n, princeshën luftëtare iliro-maqedonase.
Dy ushtritë do të përballeshin në anën aziatike të Hellespontit, Alcetas nga njëri krah, Cynane në tjetrin, njëra palë prirë nga princesha iliro-maqedonase, duke synuar pushtetin perandorak në Babiloni, pala tjetër e vendosur për ta ndalur me çdo mjet këtë grua të pamposhtur dhe bijën e saj.
Cynane dhe Alcetas do të takoheshin para betejës, në sy të ushtrive përkatëse, veçanërisht duke ditur faktin se miqësia e tyre datonte që në oborrin mbretëror maqedonas, ndërsa të dy kishin moshë të afërt dhe ishin rritur bashkë, por gjithsesi miqësia e tyre e vjetër prej kohësh ishte venitur.
Porsa Cynane do të shihte Alcetas përballë saj, në orvatje për ta ndalur bashkë me ushtrinë e tij, princesha iliro-maqedonase do të fillonte ta qortonte ashpër shokun e saj në sy të gjithkujt, por, pa arritur në gjysmë të fjalimit të saj, Alcetas, padyshim sipas urdhërave të Perdikasit, do të nxirrte shpatën duke e vrarë pa ngurrim princeshën e paepur e cila do të vdiste në vend.
Shpresa e Alcetas-it se me kaq do të shuhej plani i Cynane duke e dërrmuar moralin e ushtrisë së saj, sidoqoftë do të dështonte me turp.
Kur ushtarët maqedonas, edhe në krahun e Alcetas-it, do ta shihnin Cynane të vrarë me tradhëti, tmerri i tyre do të shndërrohej në zemëratë të papërmbajtur.
Lidhja e drejtpërdrejtë e gjakut e Cynane-s me Aleksandrin e Madh dhe Familjen Mbretërore Maqedonase e Iliro-Dardane, ndërthurur me gojëdhënat legjendare për këtë princeshë të pamposhtur Amazonë, përkthehej me një adhurim të pakufishëm të ushtarëve maqedonas për Cynane, që konsiderohej gjerësisht si heroinë në sytë e tyre.
Si mundej vallë Alcetas, një copë gjeneral, të vriste me gjakftohtësi këtë grua të jashtëzakonshme të lidhur drejtpërdrejt me Aleksandrin e Madh që tanimë trajtohej si Hyjni e mirëfilltë?
Zemërata e papërmbajtur e ushtarëve do ta detyronte Alcetas-in ta plotësonte dëshirën madhore të Cynane-s, duke e shpënë Adean në Babiloni për t’u martuar me Filip Arrhidaeusin III duke u shpallur mbretëreshë.
Qoftë Alcetas, qoftë vetë Perdikasi, do të detyroheshin të hapnin rrugë, duke mos guxuar të kundërshtonin vullnetin e ushtrisë e martesa do të bëhej rrjedhimisht, duke e shndërruar Adean, bijën e Cynane-s së paepur, në gruan më të fuqishme të perandorisë trekontinentëshe maqedonase, por edhe të epokës së saj, kur ajo do të merrte edhe emrin mbretëror Euridika II.
Gjatë pesë viteve të ardhshëm, Euridika II, Adea, do të luante një rol të rëndësishëm në Luftërat e Pasuesve të Aleksandrit të Madh, duke ndjekur besnikërisht gjurmët e nënës së saj, Cynane-s, si një grua luftëtare me vullnet të hekurt dhe mendje tejet të mprehtë, karakter i pamposhtur që shpejt do ta fuste në përplasje me gruan tjetër më të fuqishme të epokës së saj, nënën e Aleksandrit të Madh, Olimpian epirote.
Luftërat e Pasuesve do të shenjoheshin nga gjeneralët e Aleksandrit të Madh, Perdikasi, Ptolemeu (themeluesi i dinastisë maqedonase të Egjiptit, të mbyllur me Kleopatrën mitike, mishërimin e hijeshisë dhe mençurisë femërore në mijëvjeçarë), Lisimaku, Antigoni, Eumenesi dhe Seleuci (themeluesi i dinastisë maqedonase të Perandorisë Seleucide), por, mes këtyre prijësve tepër të fuqishëm meshkuj, do të spikatnin dhe gra të tilla të shquara, tejet ambicioze dhe të fuqishme, si Adea/Euridika II dhe Olimpia, të dyja ilire nga origjina, të lidhura drejtpërdrejt me Aleksandrin e Madh.
Cynane ishte padyshim më e shquara syresh, në oborrin mbretëror, në fushëbetejë me shpatë në dorë, por edhe në diplomaci, ndaj, historia e saj shkëlqen në yjësinë krejt unike të këtyre princeshave luftëtare iliro-maqedonase, që lanë gjurmë të pashlyeshme në epokën më shndritëse të lashtësisë, kur Europa, Azia, Afrika u bashkuan kulturalisht nga Aleksandri i Madh.
Guximi i saj, karakteri i paepur, dhuntitë ushtarake, karizma, përkundër vdekjes me tradhëti, e lartësuan Cynane, në altarin e historisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok