25/12/2024

Prëtë Dedvukaj, malësorja e vetme e cila një gjysmë shekulli  ruajti vlerat dhe traditën shqiptare në Amerikë

0
Prete-Dedvukaj

Nga Gjekë Gjonaj

Prëtë Nikja Dedvukaj lindi në vitin 1933 në fshatin Passhkallë  të  Grudës- Malësi të Madhe, në një familje  të nderuar  atdhetare , kurse vdiq  në vitin 2023 në Michigan  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte  martuar  me Gjergj Dedvukaj  në  fshatin Bardhaj të Hotit, në një familje zëmadhe  patriotike  nga fisi i prijësit popullor Dedë Gjo’Lulit.  Do të mbahet mend si  artizania e vetme malësore    e veshjeve  popullore shqiptare  në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Një jetë të tërë  kushtuar kostumeve popullore të Malësisë së Madhe

Kjo heroinë fisnike  e trashëgimisë kulturore më shumë se një gjysmë shekulli thuri “ art” me gjilpërë.  Një jetë të  tërë punoi me shumë pasion e dashuri ditë e natë pa u ndalur kostume popullore  të Malësisë së Madhe  për burra e gra, si   çakshirë , xhamadan  dhe xhubletë,  me spikë  në formë se si është bërë deri më tani.

Vajza e saj, Katrina, shprehet se nëna  Prëtë    gati gjithë jetën  ka punuar me duart dhe  gishtat  e saj  veshje  kombëtare . “ Pesëdhjetë e gjashtë vjet  në  Amerikë  nëna ime s’ka punuar tjetër  përveçse  veshje kombëtare.  Me këtë zeje të cilën ia ka mësuar tezja   i ka rritur dhe shkolluar fëmijët e saj. Pasionin për qëndisjen e veshjes kombëtare çakshirëve dhe xhubletës, brenda të cilave  fshihej bukuria e djemve, e burrave  e vajzave dhe grave malësore, e filloi kur unë isha shtatë vjeç. Babai im  një ditë   i propozoi bashkëshortes t’ia qëndisë vajzës një xhubletë. Nënës i  pëlqeu propozimi i  tij   dhe kështu ajo filloi  punimin  me dorë  të kostumeve kombëtare ,  prej të cilave  nuk u nda deri  në moshën  90-të  vjeçare, kur  vdiq. Nëna jonë  u ka lënë trashëgimi punimet e arta  të qëndisura  ndër vite e dekada   fëmijëve , nipave e mbesave  të të gjitha  grupmoshave . Ato i përdorin edhe sot  dhe tashmë i kanë veshur  katër breza shqiptarësh, çka tregon se xhubleta nuk vdes”, thotë Katrina dhe shton se në zemrat  e vëllezërve dhe motrave të mia  ajo  qëndisi dashurinë e madhe për  vendin tonë.

Emri i saj  u bë i njohur për  komunitetin shqiptar

Kjo    ruajtëse  dhe   kultivuese  e virtyteve kombëtare   shqiptare në mërgim,  për ta mbajtur gjallë ekonominë familjare, pas vdekjes së burrit në moshë të re, krahas punëve të shtëpisë dhe punëve të tjera  në rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve , vazhdoi me këtë zeje të veçantë. Kështu emri i saj u bë i njohur për  komunitetin shqiptar në Amerikë  dhe më gjerë.

Kostumet popullore të   punuara  dhe të  zbukuruara nga ajo me përkushtim dhe mjeshtëri të madhe  u bënë pjesë  e  të gjitha manifestimeve  kombëtare  e mbarëkombëtare dhe organizimeve    të tjera në shumë vende ( shtete)  të Amerikës ku jetonin shqiptarët, madje edhe në festivalin e Gjirokastrës  në vitin 1983, 1986  dhe  në festivale të tjera shqiptare.  Ajo në mënyrë besnike  pasqyroi  vlerat dhe virtytet  shqiptare  si malësore e vërtetë që hijeshonte në rreshtat e para të tubimeve  që organizoheshin në Michigan,  Nju- Jork,  Uashington, Chikago  e kudo tjetër për sensibilizimin e çështjes së Kosovës  dhe të shqiptarëve gjithandej  në trojet e veta duke  u bërë shembull i një gruaje atdhetare  me zemër  te  madhe, që  ruajti me fanatizëm vlerat dhe traditën  shqiptare në Amerikë. Dhjetëra palë kostume kombëtare ua ka dhënë njerëzve për ti përdorur, të cilat kanë humbur pa gjurmë. Megjithatë, është ndier e gëzuar  që i kanë marrë dhe thoshte ti gëzojnë.

Prëta  përveç kostumeve tradicionale të Malësisë së Madhe,  me duart  e saj të vyera  ka qëndisur  me shumë përkushtim  Flamurin e Pavarësisë dhe qindra flamuj të shpalosur  anembanë Amerikës dhe Shqipërisë.

Punimi i veshjeve kombëtare i merrnin shumë kohë. Për të punuar  një çakçirë dhe një xhamadan asaj  i është dashur   2  deri 3 muaj, një xhubletë për vajza  3-4 muaj , kurse  një xhubletë  të nuses  pak më shumë se një vit.

Shpallja e xhubletës  nën mbrojtjen e UNESKO-s  e  gëzoi shumë

Më së shumti atë  e ka emocionuar  dhe gëzuar lajmi se në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, unanimisht është vendosur shpallja e xhubletës  dhe dije bërjes së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s, në  vitin 2022.

Veshja më e veçantë që ajo ka krijuar dhe  që e ka emocionuar  mjaft   artizanen e pavdekshme është se  shumë shqiptarë/e të cilët kanë ikur shumë të vegjël apo janë lindur jashtë trojeve shqiptare, shkonin  te ajo dhe kërkonin  kostum tradicional shqiptar.  Atë veçmas  e kanë mallëngjyer   të rinjtë shqiptarë që kanë lindur jashtë kufijve të Malësisë , por edhe trojeve tjera shqiptare , ose kanë ikur shumë të vegjël , të cilët kërkojnë një veshje popullore.

Një pjesë e  shpirtit të  sajë në Muzeun Etnografik  të Pejës

Familja e  Gjergj dhe Prëtë Dedvukaj,   në prill të vitit 2024,  i dhuruan Muzeut  Etnografik të Pejës – Kosovë  një pjesë të jetës dhe shpirtit të kësaj artizane të mrekullueshme – xhubletën shqiptare  e cila ishte  punimi i  saj i fundit  dhe çakçirët, që ishin  puna e saj e parë e punuar me dorë.   Me këtë dhuratë familja Dedvukaj përmbushi amanetin  e nënës së tyre të dashur,  e cila vetëm një vit më parë ishte ndarë nga kjo jetë. Pra, kemi fillimin    dhe mbarimin e një jete  të tërë  me plot përkushtim ndaj  ruajtjes së traditës shekullore në krijimin e   veshjeve tradicionale, posaçërisht xhubletës,  e cila ka vlera të mëdha  kulturore dhe historike.

Vepra njerëzore dhe humane e  familjes Dedvukaj,  e dhurimit me dashamirësinë më të madhe  të kostumeve  kombëtare  të punuara me dorën e  njeriut të tyre të shtrenjtë Muzeut të Pejës , duhet vlerësuar  si një gjest  me një  vlerë  e shtuar  historike  dhe turistike për këtë qytet, i cili është pasuruar  me një aset , me një pasuri të rrallë botërore.

Shembulli i  zonjës Prëtë, të cilën unë do ta quaja “ artizania e shqipes”,  është dëshmi e gjysheve tona  të cilat ishin artizane të   mrekullueshme   të cilat   kontribuuan  jo vetëm në moszhdukjen  e veshjeve tradicionale shqiptare, por punuan edhe për zhvillimin e ndërgjegjes  kombëtare.  Si e tillë ajo do të mbetet e përjetshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok