06/10/2024

PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor 1963: “ICH BIN EIN BERLINER” – “Unë jam qytetar i Berlinit”

0

Presidenti John F. Kennedy, Berlin 26 Qershor, 1963 –“Unë jam qytetar i Berlinit”

Nga Frank Shkreli

Në Qershor të vitit 1963, Presidenti John F. Kennedy filloi një turne në Evropen Perendimore, e cilësuar si një vizitë e vullnetit të mirë dhe si një vizitë me qëllim për të forcuar unitetin në radhët e aleateve të Amerikës në Evropë. Presidenti Kennedy e filloi turneun e tij evropian në Gjermani, një vend ky që 20 vjete më heret, nën diktaturën hitleriane, donte të pushtonte botën, por pas humbjes së Gjermanisë në Luften e Dyte Botërore, vendi u nda ne dy pjese: Gjermania Lindore mbeti nën kontrollin sovjetik dhe Gjermania Perendimore u bë shtet demokratik. Rrjedhimisht, edhe Berlini, megjithse gjeografikisht ndodhej në Gjermanine Lindore, u nda gjithashtu në Berlinin Perendimor të kontrolluar nga aleatët perëndimorë: amerikanët, britanikët dhe francezët — dhe në Berlinin Lindor të kontrolluar nga sovjetikët dhe aleatët e tyre të regjimeve komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Me 1948, komunistet sovjetike filluan një blokadë të trenave dhe të rrugëve kryesore automobilistike të Berlinit Perëndimor dhe me 1961 autoritetet komuniste të Gjermanisë Lindore, me ndihmën sovjetike, filluan ndërtimin e një muri me një lartësi më se dy metrash dhe me një gjatësi prej më shume se 100 kilometrash, rreth e përqark Berlinit Perëndimor, me qëllim për të ndaluar arratisjen e njerëzëve nga vendet komuniste në perëndim.

Presidenti amerikan John Kennedy mbahet mend për shumë gjëra dhe ciclësi të mira dhe zotësie, por njihet më së miri si orator i spikatur. Në fjalimin e tij — tanimë të fameshëm nga pikëpamja historike — në Berlin me 26 Qershor, 1963, Presidenti Kennedy, ashtu siç bëri më vonë edhe Presidenti Ronald Reagan me 1987, theksoi, dallimet rrënjësore ose kontrastet e mëdha midis sistemeve të lira demokratike perëndimore dhe shoqërive, seriozisht — shoqërisht dhe politikisht të dëmtuara të botës së atëherëshme komuniste.  Presidenti Kennedy, ka theksuar shpresën për liri e demokraci që u ofronte Berlini Perëndimor, atyre qe vuanin nën komunizëm, për mungesën e të dyja këtyreve.

Në kulmin e luftës së ftohtë, Presidenti John Kennedy, në fjalimin e tij historik me 26 qershor, 1963 në Berlin, ish-presidenti amerikan ka shprehur solidarizimin e Amerikës me banorët e Berlinit Perëndimor, ndërsa ka lavdëruar karakterin, këmbënguljen dhe durimin e tyre në përpjekjet dhe shpresat e tyre për liri dhe demokraci.

Për qëllime të kujtesës historike, ja disa pjesë nga fjalimi i famëshëm i Presidentit Kennedy në Berlin, më 26 Qershor të vitit 1963:

“Dy mijë vjet më parë ishte mburrje dhe krenari të deklarojë se je qytetar romak (civis Romanus sum). Sot, në boten e lirë, mburrja më kryenare është te thuash: Unë jam qytetar i Berlinit, (Ich Bin Ein Berliner).”

“Ka shume njerez në bote qe me të vertetë nuk e kuptojnë ose — të paktën thonë se nuk e kuptojnë — se cili është ndryshimi midis botës së lirë dhe botës komuniste. Le të vijnë ata e të shohin se ç’po ndodhë ktëu në Berlin.”

“Ka disa të tjerë që thonë se ‘komunizmi eshte e ardhmja e njerëzimit. Le të vijnë ata e të shohin këtu në Berlin. Dhe ka edhe të tjerë në Evropë dhe gjetiu që thonë se eshtë e mundur të bashkpunosh me komunistët. Le te vijnë e të shohin vet se ç’po ngjan këtu në Berlin.”

“Dhe bile ka të tjerë që thonë se, po, eshtë e vërtetë se komunizmi ështe një sistem shumë i keq, por mundëson perparimin ekonomik.’ (Lass sie nach Berlin commen). Le të vijnë edhe ata e të shohin vet me sytë e tyre këtu në Berlin”, se çfarë po ndodhë!

“Liria përballet me shume veshtiresi dhe demokracia nuk eshte një sistem i përsosur. Por, ne nuk jemi detyruar kurrë qe te ndërtojme mure per të mbajtur popullin tonë të rrethuar, për t’i penguar njerëzit tanë që të lëvizin, lirisht.”

“Megjithse muri eshte prova me e qartë qe ve ne dukje deshtimet dhe të metat e sistemit komunist, te cilat i sheh e gjithe bota, ne nuk kenaqemi nga kjo situate sepse ky mur eshtë një ofendim kundër njerëzimit, sepse ka ndarë familjet. Ka ndarë burrat nga bashkshortet dhe vellëzërit nga motërat, si edhe duke ndarë një popull që dëshiron të jetojë i bashkuar.”

“E vërteta e këtij qyteti eshtë e vërteta e Gjermanisë, në fakt: se paqeja e vertetë në Evropë nuk mund të sigurohet kurrë për derisa njerit prej katër gjermanëve i mohohet e drejta elementare e njeriut të lirë, e që ështe të ketë mundësi të vendosë vetë fatin e tij.”

“Liria eshte e pandashme. Nuk mund të ketë disa njerëz të lirë e disa jo të lirë. Kur një person skllavërohet, asnjë njeri nuk eshtë i lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, shpresojme qe te vije dita qe ky qytet te bashkohet si një, ashtu siç shpresojmë që të vijë dita kur edhe Gjermania dhe e gjithë Evropa të bashkohen në një botë në paqë…Kur të vijë kjo ditë dhe kjo ditë do të vijë pa tjetër dhe pa asnjë dyshim, banorët e Berlinit Perendimor mund të shpalosin kenaqesine e permbajtur deri tani per faktin se ata ishin në vijat e frontit…”, të luftës për liri e demeokraci.

“Te gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojne, jane qytetare te Berlinit. Prandaj, si njeri i lirë, unë jam krenar të them se: Ich Bin Ein Berliner. Unë jam qytetar i Berlinit.”

Fatkeqësisht, u deshën 25 vjet pas parashikimit të Presidentit John F. Kennedy, që më në fund të bashkohej Gjermania dhe Berlini, kur u shemb Muri i Berlinit. Ai mur — i cili për 28 vjet, ishte simboli më i keq i ndasisë midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik anti-komunist, si edhe simboli i shtypjeve komuniste i të drejtave themelore të njeriut — u shemb në Nentor të vitit 1989, ndërkohë që komunizmi dhe perdja e hekurt ranë anë e mbanë Evropës Lindore, duke shënuar kështu mbarimin e luftës së ftohtë prej pothuaj gjysëm shekulli në Evropë dhe në botë.

Fjalimi i Presidentit John F. Kennedy më 26 Qershor, 1963 në Berlin, duke e shpallur veten qytetar të Berlinit të ndarë — në kulmin e luftës së ftohtë — përputhej me zotimin që u kishte premtuar amerikanëve si dhe me paralajmërimin që i kishte bërë botës në fjalimin e inaugurimit të tij president, dy vjet më heret.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e tij si president: “Le ta dijë çdo komb, nëse na e do të mirën ose të keqën, se ne do paguajmë çdo çmim, do bartim çdo  mundim e sakrificë do të mbështesim çdo mik dhe do të kundërshtojmë çdo armik, me qëllim për të siguruar mbijetesën edhe suksesin e lirisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok