25/11/2024

Praktikisht është krijuar barazvlerësi i regjistrit të Sigurimit të Shtetit për kohë lufte

0

Nga Kastriot Myftaraj

Gjëja thelbësore që e dallon regjistrin e cilësimit të zgjedhësve të përpiluar nga Partia Socialiste, nga regjistrat e ngjashëm të përpiluar nga partitë në vendet demokratike, është pikësëpari fakti se të gjithë mbikqyrësit e zgjedhësve të quajtur “patronazhistë” janë në shumicën e tyre nëpunës shtetërorë dhe në pakicën e tyre punonjës të shoqërive private që marrin tendera shtetërorë për punë publike. Ky fakt do të thotë se praktikisht është krijuar dhe vepron një organizatë e ndërthurjes së partisë në pushtet me shtetin, në interes të ruajtjes së pushtetit.

Fjalët-çelës në regjistër janë ato “I sigurt”-“I pasigurt”, me të cilat cilësohen zgjedhësit sa i përket mënyrës së votimit prej tyre. Nuk thuhet nëse votojnë pro ose kundër por nëse janë votues të sigurt ose të pasigurt. Është e njëjta mënyrë që përdorej nga shërbimi i fshehtë i diktaturës komuniste shqiptare, i quajtur Sigurimi i Shtetit, por që në fakt ishte Sigurimi i Pushtetit të partisë-shtet.

Në kohën e diktaturës komuniste, Partia e Punës, në bashkëpunim me Sigurimin kishte krijuar një regjistër të cilësimit të gjithë individëve në vend, me synimin për të përcaktuar besueshmërinë e tyre në rast lufte. Njerëzit përcaktoheshin në “I sigurt” ose “I pasigurt” varësisht qëndrimit që pritej të mbanin nëse vendi përfshihej në një luftë, pra do të ishin ose jo besnikë ndaj pushtetit komunist.

Për Partinë Socialiste, e cila është pasardhësja me emër të ndryshuar në 1991 e partisë komuniste të ardhur në pushtet në 1944, zgjedhjet janë një situatë e barazvlefshme me atë që do të ishte lufta për Partinë në pushtet në kohën e diktaturës komuniste. Në zgjedhje vihet në lojë pushteti. Në rast të një lufte, për Partinë e Punës para së gjithash vihej në lojë pushteti sepse ajo parti nuk e përfillte qënien e Shqipërisë pa atë parti në pushtet.

Qënia e regjistrit të cilësimit të zgjedhësve nga ana e një trupe mbikqyrësish, të quajtur patronazhistë socialist, të cilët janë nëpunës shtetërorë në shërbim të partisë, i bën të pavlefshme dhe të kota në zgjedhjet në Shqipëri. Nuk mund të bëhen zgjedhje në vend pa u hetuar dhe shpërbërë kjo strukturë. Duhet një hetim i thellë për të zbuluar se nga sa njerëz përbëhet kjo trupë. Cila është hierarkia e saj, drejtuesit e korpusit të patronazhistëve. Ku janë të punësuar ata. Sa njerëz mbikqyr secili prej tyre. Cila është struktura përgjegjëse në PS për korpusin e patronazhistëve. Si është e mundur që është krijuar një organizatë e tillë gjigande patronazhistësh me punonjës shtetërorë në të gjithë vendin dhe as SHISH, as Policia e Shtetit, as Prokuroria e Shtetit nuk kanë zbuluar asnjë shenjë. Nëse mbahen zgjedhje në Shqipëri pa iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve atëherë zgjedhjet do të jenë thjesht votime të rreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok