POLITIKA NUK ËSHTË PUNË DILETANTËSH
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Temat politike duhet dalluar prej temave partiake apo ndërpartiake. Në botën shqiptare ka një numër të madh partish politike. Numër të madh partish në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi. Parti ke edhe në radhët e çamëve. Duhet dalluar animin partiak, në një anë dhe interesin kombëtar apo interesin e përgjithshëm, në anën tjetër. Një person për të trajtuar apo për të shtjelluar çështje politike, duket të ketë përgatitje profesionale të theksuar, duhet të ketë njohuri dhe dituri në lëmenj të caktuar, në fusha të caktuara dhe në sfera të ndryshme. Trajtimi, shtjellimi dhe analiza e çështjeve gjeopolitike kërkon përgatitje të thellë, kërkon njohuri për historinë e zhvillimeve ndërkombëtare, njohuri për raportet midis shteteve në shkallë rajoni dhe në planin global, njohuri për ndërthurjen e interesave dhe përplasjen e interesave të Fuqive të Mëdha, të fuqive globale etj.
Për të dhënë opinione, mendime apo gjykime për kauzën shqiptare, nevojitet të kesh njohuri për gjuhën amtare, për historinë e popullit shqiptar, për gjeografinë shqiptare, për artin shqiptar, për raportet e shqiptarëve në rajon me fqinjët, duhet pasur njohuri për historinë e popujve të rajonit – të grekëve, të serbëve, të bullgarëve, të rumunëve etj.
Trajtimi i kauzës kombëtare nuk është e drejtë apo kompetencë e personave të caktuar. Me çështjen shqiptare mund të merren të ata që janë të përgatitur për një gjë të tillë. Por, me tema politike, kombëtare apo gjeopolitike nuk mund të merren diletantët. Kjo çështje nuk është punë dëshire apo punë qejfi. Nuk mjafton të jesh ambicioz dhe të trajtosh një segment të interesit kombëtar. Persona megalomanë, arrogantë dhe mendjemëdhenj i rreken një teme politike. Mos u merr me tema politike kur gjuhën amtare s’di ta shkruash drejt. Trajtimi i temave politike apo gjeopolitike nuk është punë sharlatanësh, s’është dot sharlatanizëm.
Tema politike apo tema kombëtare nuk mund të rrahin personat që s’e dinë se kur ka ndodhur Lufta e Madhe (Lufta I Botërore), që nuk kanë as njohur themelore për periudhën e Lidhjes së Prizrenit. Me tema politike nuk mund të merret personi që librin e fundit e ka lexuar para tridhjetë e pesë vjetëve. Me tema të mëdha nuk mund të merret personi i cili gjatë gjithë jetës së vet s’ka parë asnjë librari, s’i ka shkelur këmba në asnjë bibliotekë, s’ka vizituar asnjë panair libri.
Temat e mëdha nuk trajtohen me ekzibicionizëm.
Rreth çështjes kombëtare flasin dhe shkruajnë edhe mercenarët, shërbëtorët e shërbimeve të huaja, njerëz të paguar, të shitur dhe të blerë katërçipërisht. Flasin dhe shkruajnë persona që e kanë preokupim interesin meskin. Interesi i kombit dhe i shtetit është mbi interesin personal, individual, të koniunkturës, të grupit, të nënës parti.
Kur nuk veprojnë institucionet shkencore dhe arsimore më të larta të kombit, atëherë krijohet hapësirë që për çështjen kombëtare të flasin apo të prononcohen njerëz të padefinuar, të papërcaktuar, lakmitarë, të babëzitur, të pangopur, ekzibicionistë.
Me tema politike nuk mund të merren personat e gjysmë-shkolluar. Temat kombëtare kërkojnë vetëdije kombëtare, vetëdije kombëtare të lartë, kërkojnë ndërgjegje kombëtare. Për të qenë i ndërgjegjshëm në pikëpamje kombëtare, duhet t’i dish dhe t’i njohësh vlerat e popullit shqiptar, që nga lashtësia deri më sot.
Herë pas herë dhe kohë pas kohe me punën e shqiptarëve merren edhe tregtarët e flamurëve.
Çështja shqiptare në rajon është çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Shqiptarët janë i vetmi popull në rruzullin tokësor që janë të ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Një numër i madh i shqiptarëve jetojnë edhe në diasporë – Evropë dhe në ShBA.
Çështja shqiptare në gadishull është dhimbje e çdo shqiptari. Kosova është dhimbja jonë e përhershme. Shqiptarët kanë nevojë për përqendrim forcash mendore, intelektuale, shpirtërore dhe materiale apo financiare. Shqiptarët harxhojnë energji të mëdha për mikrovlera dhe mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Shqiptarët harxhojnë energji të mëdha për punë dytësore, të parëndësishme, irelevante.
Nuk bëhet shteti me vjedhje, me korrupsion, me ryshfet, me mitë, me pasurim brenda nate. Vetura të kushton pesëdhjetë mijë euro, kurse tjetri s’mund t’i mbulojë shpenzimet e barnave. Veshjet e ministreve, e deputeteve apo e bashkëshorteve të kryetarëve të komunave e të bashkive kushtojnë mijëra euro, kurse një i ri dhe e dashura e tij nuk mund të martohen ngase nuk kanë banesë apo kulm mbi kokë.
Nuk bëhet kombi me ikjen e të rinjve drejt Gjermanisë. Një popull që nuk ia del të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, është në krizë të thellë. Një shtet që nuk ka në vete një opozitë të konsoliduar, ashtë fatkeqësia e vetvetes. Një klasë politike që me vite kacafytet në Parlament, është turpi i kombit. Një politikë që me vite nuk mund t’i krijojë institucionet e shtetit, është mëkati i historisë. Në fillim të qindvjeçarit XX akademikët serbomëdhenj përhapnin propagandë në Evropë se shqiptarët nuk janë popull shtetformues, d.m.th. shqiptarët nuk kanë aftësi për të ndërtuar shtet. Shqiptarët duhet t’i tregojnë rajonit dhe BE-së se janë popull historik dhe popull politik.
