POEZIA SI BALLAFAQIM DHE ZBULIM I VETVETES
Parathënie
Nga Anton Nikë Berisha
Rritemi të qetë, veçuar e në rehati,
por befas rrugëve të botës na lëshojnë;
sipër nesh përplasen prore dallgët mizëri,
gjithçka na tundon, shumë gjëra na gazmojnë,
mjaft të tjera zemrën na brengosin, dhe paprerë
shpirti ynë drithërohet paksa i trazuar;
ndjenja tepër të forta na pushtojnë, por përherë
të tëra i fshin e jetës vorbull e harbuar.
GËTE
Veçantia dhe ndërliqësia e aktit krijues
Akti i krijimit në artet në përgjithësi, brenda tyre dhe në artin e fjalës, në letërsi, mbetet ndër fshehtësitë e mëdha. Janë një varg autorësh të shquar që kanë shfaqur mendimin e tyre për aktin krijues, duke u nisur nga përvoja vetjake. Natyrisht se këto mendime janë të ndryshme nga se tek secili shkrimtar akti i krijimit shfaqet dhe përjetohet ndryshe. Madje ai ngjet ndryshe edhe tek i njëjti krijues në kohë të ndryshme. Ndodh kështu për shkak se akti i krijimit lidhet para së gjithash me natyrën e vetë artit. Asnjë vepër arti nuk krijohet në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtat rrethana nga se ajo lind nga ndjesi, gjendje shpirtërore dhe shije të ndryshme të autorit. Edhe në botën e brendshme të njeriut ndodh ajo që thoshte Herakliti (540-480 para Krishtit ) Panta rhei (çdo gjë rrjedh, lëviz).
Akti i krijimit në qenësinë e vet shëmbëllen me natyrën dhe me mënyrën e përftimit të veprës së artit, që ndodh dhe me veprën letrare poetike: ajo është e papërsëritshme, edhe pse përftohet nga teksti – nga strukturimi gjuhësor shprehës, pra ka një varg përbërësish që përkojnë ose janë të ngjashëm me ata të veprës së krijuar më parë ose të veprës që krijohet më vonë.
Në këtë rrjedhë diçka është e pamëdyshtë: edhe akti krijues, edhe vetë vepra letrare poetike që përftohet, janë një lloj ballafaqimi dhe zbulimi i vetë subjektit që krijon.
E parë në këtë dritë, poezia e Ragip Sylajt e botuar në përmbledhje të veçanta[1], po dhe në këtë vëllim me poezi të zgjedhura “Shakullinë përpëlitjesh”[2], është ballafaqim dhe zbulim i vetvetes, është zëri dramatik i botës së tij të brendshme, që shpërfaqet përmes strukturës gjuhësore, përmes tekstit poetik.\
Ragipi, ashtu si ishte në jetë, skajshmërisht i sinqertë dhe fisnik, ashtu është edhe në poezi: e thotë atë që e ndien dhe e mendon. Përmes poezisë ai përballet, para së gjithash, me vetveten, me shqetësimet, me brengat, me mirësinë e me fisnikërinë e tij. Gjithçka niset nga ai dhe shprehet përmes tekstit dhe kumteve që dalin prej tij dhe fillimisht kthehen tek ai. Mirëpo, gjithçka e tij mund te jetë dhe të bëhet njëherazi edhe e tjetrit, qoftë i afërt i tij, qoftë dhe më i largët, ashtu siç thoshte Viktor Hugo për poezinë e Shekspirit: “Poezia e tij është ai vetë (Shekspiri – v. ime), e në të njëjtën kohë jeni dhe ju vetë”[3].
Gama e dukurive që bëhen objekt poetik në poezinë e Ragip Sylajt është e gjerë: përpëlitjet dhe tundimet shpirtërore, dhuna e jetës, rrënjët kulturore dhe etnike, poezia si art i fjalës, dashuria etj.
Siç janë të ndryshme dukuritë që autori i shqyrton, të tilla janë edhe qasjet dhe mënyrat e shtjellimit dhe të shprehurit poetik, të hartimit të tekstit.
Poezia e Ragipit është zëri i shpirtit dhe i ndërgjegjes së tij; fryt i mendjes dhe i dijes. Sipas T. S. Eliotit zëri i brendshëm, tek ata që e kanë, që varen nga ky zë “[…] ushqen mesazhin e amshueshëm të kotësisë, të frikës dhe të epshit”[4].
Poeti ynë nuk krijon struktura gjuhësore të ndërliqshme (komplekse) poetike, po e përfton atë tekst që i fle në shpirt, që e përligj botën e tij. Poezia për të ishte herë tundim, vetmi e prushtë, përkundje ose shkundullimë pikëllimi, gërmim për zbulimin e rrënjëve dhe shenjtërimin e dhembjes; sa psherëtimë, po aq çerdhe vetëtimash dhe gurëzim i qeshjes. Ai i shpreh dukuritë pa i zbukuruar; të bardhës i thotë e bardhë dhe të zezës e zezë. Përdor një gjuhë të pasur, dukuri që u mungon shumë poetëve tanë. E dihet se gjuha është mjeti kryesor dhe i vetmi me të cilin krijohet çdo vepër letrare poetike.
Ragipi i kushton kujdes të barabartë mënyrës se si i thotë, si i shpreh dukuritë, dhe rëndësisë që ato kanë për të e për njerëzit e botës së tij. Në poezi ai derdh (dëshmon) një dashuri të madhe për arsye se vetëm me një dashuri të tillë mund të krijohen vepra të rëndësishme arti, që mund të jenë të përfillshme dhe të dobishme edhe për të tjerët, pra të ndikojnë estetikisht në ta[5].
Në poezinë e Ragipit rëndom dukuritë shprehen në mënyrën e ballafaqimit e të kundërvënies, ku veçantitë e tyre shpalosen më mirëfilli; dalin në një dritë sa të veçantë aq dhe funksionale. Kjo dëshmohet edhe nga mendimi i tij për poezinë e Borges-it ku thotë se ajo është botë e parajsës përbri botës së ferrit[6].
Poeti ynë ka besim në poezinë që e krijon; ajo është gëzimi dhe ankthi i tij; realiteti i rëndomtë dhe përfytyrimi, është gjakim. Ai e çmon poezinë jashtëzakonisht, prandaj e kujton mendimin e Albert Kamysë “Të krijosh domethënë të jetosh dy herë”[7].
Sipas poetit tonë jeta është vetëm një shtegtim nëpër psherëtima, nëpër lifqere të ankthit, të brengave e të pësimeve, për këtë arsye e quan veten i siziftë[8]: Në trup po më digjet rëra e durimit (Sa larg vetvetes paskam mërguar); Se bota qenka teatër trishtimi (Udhëpërshkrimi i zbrazëtisë). Ai i përngjet njeriut të etur në shkretëtirë, ku brenda shpirtit rritët xhungla, po edhe shtohet ballafaqimi me të papriturat e me të padëshiruarat:
Sonte jam terri im dhembja ime jam
Përveç flakës së trupit s’di tjetër ç’kam
Pos shpirtit vullkan të dehur në bukuri
E në zemër s’di ç’kam helm a dashuri
(Rrëfim katartik)
ose
Ç’avullon ky gur, ç’gurëzon kjo heshtje
E lulja po fishket sall për një buzëqeshje
(Kur s’jam poet)
Në shtjellën e shqetësimeve dhe të tundimeve
Ajo që bie në sy në pjesën kryesore të poezive të Ragip Sylajt, brenda tyre dhe në ato që i kam zgjedhur për këtë vëllim, janë shqetësimet, tundimet dhe pësimet që e cilësuan shtegtimin e tij jetësor. Ato ishin vijimisht të pranishme dhe si të tilla i peshonin në shpirt. Meqenëse nuk ia dilte t’i përballte dhe të ngadhënjente mbi to, ai mbyllet në vete dhe çdo gjë e përjeton në heshtje, që shndërrohet në trazim dhe në lëngatë shpirtërore të ndjeshme.
Mbyllem në vetvete posi në varr
Gropoj në këtë natë në këtë pus harrimi
(Libri i mos durimit)
ose
Ç’imazh i ngrysur dielli zhytur në mjegull
I tmerruar i trishtuar shpend pa krahë në qerthull
(Tërbimi i detit)
Ragipi poet thotë se në jetë ka përjetuar, siç thuhet, të zitë e ullirit, ashtu siç përjetuan shumë njerëz të gjakut e të gjuhës së tij:
Krejt gëzimet e jetës i volla
Krejt helmet e jetës i përpiva
Për të mbetur njeri
(Antihimn zemërimi)
dhe
U zgjove nga makthi
Nga vetmia si murgu
Pa ditur saktësisht në të presin
Dritë lirie apo terr burgu
(Ndërdyshje të fshehta)
Kjo gjendje rrënuese shpirtërore sikur bëhet e pa rrugëdalje: Gur varri gur Sizifi vetvetja në shpinë; Zogjtë e Hyjit pëgëjnë mbi çerdhen e djallit; Po bëhem vetmia e Hyjit n’kryq flijimi; Jam mbret i madh n’vetminë e tymit; Një mace e zezë në kokë më mjaullin; Fatkobi ynë në trupin tonë ushqehet.
Gjithë kjo nuk është pasojë e botës së brendshme të poetit, të kushtëzuar nga ai vetë, po rrjedhojë e rrethanave dhe e kushteve të jashtme, e vetëdijes së njeriut të kohës kur ai jetoi. Kjo vetëdije e fjetur është shtrirë tek secili dhe secili në mënyrën e vet i jep jetë. Pasojat e këtij veprimi janë të përmasave të jashtëzakonshme.
Arsyeja njerëzore kur bie në gjumë
Mollë të kalbura yjet bien në baltë
Gjak rrjedh një përrua e trishtim një lumë
Diellin e zënë retë dita bëhet natë
(Laokoont në zinxhirë)
Në rrethana të këtilla të rënda, frymëmarrja e poetit është në zgrip të rrënimit; ai zhytet në një oqean zhgënjimi dhe shtegton nëpër vetveten si i dehur: Shtegtoj vetvetes posi një i dehur (Libri i mos durimit) dhe Në oqean zhgënjimi zhytesh në pafundësi (Retiçenca).
Kjo gjendje bëhet objekt vështrimi poetik në një varg poezish të tij:
Pelë e pafre kjo kohë e tërbuar
Sa larg vetvetes paskam mërguar
(Sa larg vetvetes paskam mërguar)
ose
Kujtimi im sonte kullon gjak
Kënga ime sonte pikon vrer
Koha shpresën e vë në lak
Në myjë dimri trilloj pranverë
(Trishtim)
Brenda gjendjes që e përjeton, poeti e shqipton edhe vetminë; ajo e përcjell në çdo hap dhe është pasojë para së gjithash e pësimeve të jetës, e asaj që ndodh në mjedisin ku jeton dhe vepron: Në detin e vetmisë jam kredhur (Vetmia); Në këtë dhomë vetmie po e shtrydh vetveten (Me lypësit e Migjenit); Drita të trilluara ndriçojnë vetminë time (Me lypësit e Migjenit).
Realitetin e rëndë, për shumëçka rrënues jo vetëm për të, poeti nuk mund ta ndryshojë, prandaj gjakon që përmes tekstit poetik të përftojë një realitet tjetër, të përfillshëm, njerëzor dhe fisnik, që i duhet si ngushëllim shpirtëror, për të mos thënë si vetëmashtrim. Si i tillë ky realitet i përftuar përmes të shprehurit gjuhësor, bën ndikim estetik më të fuqishëm në marrësin.
Ta pimë dashurinë si verën
Të shtiremi të pabrenga krenarë
Të mos ia varim varfërisë
(Edhe) kur na kafshon në shpirt
Të shpikim në vetvete diç më të artë
Që përtej kohës bën dritë
(Përtej kohës)
ose
Po të isha ujë i gjallë
Do ta bleroja shkretëtirën
Do të shuaja zjarre
Do të shuaja çdo etje
(Letër një miku në Grac)
ose
E aty me mijëra vjet çerdhe ngreh liria
Këto maja iliriane puthen me rrufe
Mbi themele virtyti kulm ngreh dashuria
(Llanishti)
Poeti Ragip Sylaj e dinte mirëfilli se asgjë e madhe nuk mund të krijohet pa dashuri dhe përkushtim të veçantë nga se, siç thotë ai vetë, gjatë përftimit të një krijese letrare “[…] zë fill ballafaqimi i ëndërrimtarit dhe i krijuesit, që është një përballje a përplasje me realitetin, me realitetin plot dhembje, te i cili duhet kërkuar edhe magjinë e krijimit dhe të transformimit të vetvetes e të të tjerëve”[9]. Pra:
Kur u gurëzua qeshja
Vetveten e fotografoi vdekja
Pikëllimi u bë oazë lotësh
E shkretëtira fytyrë e blertë
(Hartë e rrudhur shpirti)
Nga pamundësia që ta ndryshojë realitetin përkatës dhe të dalë nga shtjella e dyshimeve dhe e brengave të pazakonshme, e bën poetin t’i drejtohet engjëllit të tij mbrojtës:
Më shëro nga verbëria e mëkatit engjëlli im
Më mëko me dashurinë e pabërë engjëllushja ime
Se nuk e di në është mallkimi im bekim
Apo bekimi është mallkim
Më ruaj Zot![10]
(Lutje I)
I vetëdijshëm për pamundësinë të ngadhënjejë mbi vështirësitë dhe të ligat, qoftë ato që i krijon vetë, qoftë ato që ia krijojnë të tjerët, i drejtohet edhe Hyjit:
Zoti im m’i jep shpirtit flatra
T’i kapërcej humnerat e brendshme
Më bëj ura n’udhët e s’ardhmes
T’i kaloj honet e jashtme
(Lutje II)
Poezia si pasuri dhe si ngushëllim shpirtëror
Përmes tekstit të poezive Sylaj shpreh dhe mendime për poezinë si art i fjalës, për rëndësinë e saj dhe atë që ai ndjen për të. Ai, siç shprehet Edgar Allan Poe, “[…] e kupton poezinë si një udhëtim gjurmues, si një përpjekje për ta joshur e përjetuar, për ta dramatizuar dhe zbuluar këtë botë që ekziston përtej vdekjes[11]”.
Mirëpo, misioni i Ragip Sylajt është më i rëndësishëm, sidomos në rrafshin e ndikimit estetik dhe të pasurimit shpirtëror të njeriut, pra të krijojë art: “[…] detyra e poetit është të endë e të qëndisë bukur një qëllim me shenja e tinguj hajmalikë, për të grishur e mbarur lexuesin që të ndajë bashkë me të eksplorimin e një bote të shtrirë përtej eksperiencave të fenomeneve të saj”[12].
Ragip Sylaj ishte i lidhur ngushtë me poezinë. Ai e ka ëndërruar atë edhe para se ta njihte e të merrej me të; është në natyrën e njeriut se ai lind me pritje për të bashkëjetuar me artin, me të bukurën, në rastin konkret me artin e fjalës.
“Ende pa të njohur të ëndërrova. Si një grua hyjnore të paarritshme. Kur të njoha, e pashë që ishe: ëndrra, malli, shpresa, toka, qielli, pavdekësia dhe vdekja. E dija se je e ishe kudo, si jeta, si dashuria, perëndia dhe se kudo e kurdo mund të të takoja. Po më vinte marre prej teje si prej nënës, motrës e gruas, ndaj të nisa letër. Letër.
Ti ishe peizazhi më i bukur që mund të ëndërrojnë krijesat e natyrës”.
(Nga Letër poezisë)
Kjo përsiatje e Ragipit për poezinë dhe puna krijuese shumëvjeçare e tij në fushën e letërsisë, të kujton mendimin e shkrimtarit të shquar, Stefan Cvajgut: “[…] hovi intelektual, fuqia e brendshme asimiluese e shpirtit ushtrohen vetëm në ato vite vendimtare të formimit të njeriut, dhe vetëm kush ka mësuar qysh herët ta pasurojë shpirtin sa më shumë, mund të përfshijë në të më pas mbarë botën”[13].
Ragipi ishte i bindur se poezia, ka fuqi magjike; ajo të njëson me bukurinë dhe si e tillë ndikon në prehjen e shpirtit të njeriut, i shkakton kënaqësi dhe lumturi. Është natyra e fjalës, e tekstit poetik që e bën këtë mrekulli:
Për fjalën, për mendimin, për urtakët
Një etje që s’shuhet një etje që djeg
(Urtakët)
dhe
Kur kotesh përbri Muzës
Përbri bukurisë
Zgjohesh përballë artit
N’zemër t’lumturisë
(Përbri Muzës)
Mirëpo, poezia i shkakton poetit njëherit edhe brenga dhe vuajtje shpirtërore:.
Zog kënge pa mëshirë e shtrydh atë vetvete
Të kjasojë poezi-gjak poezi-vrer poezi-jete…
(Retiçenca)
ose
Ti je flamur zemërimi mbi mëshirën tokësore
Ti je shqiponjë flijimi që sfidon perënditë
(Brerore e shenjtërisë)
Nga nevoja që gjërat te thuhen me emrin e vet, që të jetë i qartë dhe kritik ndaj dukurive që i bën objekt vështrimi poetik, që e trazojnë shpirtin e tij, po shtrihen edhe në jetën e njeriut të botës së tij, teksti bëhet herë – herë i kufizuar kuptimisht, pra nuk e cilëson shumësia kuptimore poetike. Kështu, në ndonjë pjesë ose varg të poezisë vërehet pohimi ose porosia: Mos u bëj dele aty ku ka ujq; Kërkoje vetveten brenda vetvetes; Mundi kurrë nuk t’u shpërblye; Dikush ka dashur të ma ndalë frymën; Mos lejo ta nëpërkëmbë e liga; Ti përherë i lartë, përherë madhështor; Të dëshmoj për frikën time […] Të dëshmoj për vuajtjen time.
Qasjen dhe vëzhgimin që në këtë parathënie i bëra poezisë së Ragip Sylajt duhet marrë vetëm si një mundësi – mënyrë timen të leximit për arsye se teksti poetik i tij i “flet” secilit lexues në mënyrën e vet dhe do të ndikojë estetikisht në të nga se poezia e tij, sidomos kjo e përfshirë në vëllimin “Shakullinë përpëlitjesh”, ngërthen vlera të shumta dhe si e tillë bëhet natyrshëm pjesë e trashëgimisë sonë poetike.
* * *
Po e mbyll këtë parathënie me mendimin e Ragipit, të shkëputur nga libri i tij “Estetika e misterit”, ku ai bën fjalë për poezinë e Borges-it, që i përgjigjet mirëfilli veçantisë dhe rëndësisë së poezisë që krijoi: “Mbase askush nuk është më i çiltër se ai që i drejtohet tjetrit me fjalët që ia thotë në intimitet vetvetes. Së këndejmi, askush nuk është më i besueshëm dhe më i pranueshëm se ai që e nyjëton dhembjen e shpirtit, të zemrës e të trupit të vet, në të cilat tjetri do ta lexojë dhembjen dhe do ta gjejë terapinë për t’i shëruar plagët e kohës efemere traumatike. Qoftë edhe si ëndërr, qoftë vetëm si meditim që ka buruar nga ama e ndërdijes, qoftë si klithje spontane, ose nevojë për t’u rrëfyer”[14].
Prishtinë, prill 2024
[1] Nga këto përmbledhje të Ragip Sylaj i zgjodha poezitë: Hije e gjallë (poezi), Rilindja 1986; Anatomia e rrënjës (poezi), Rilindja 1989; Lisi i shenjtë (poezi), Fjala 1993; Mëngjes qumështor me akull (poezi), Rozafa 2000; Eliksir (poezi), Rozafa 2007; Ma jep dorën (poezi për fëmijë), Rozafa 2010; Hiri i fjalës (poezi), Klubi Letrar De Rada, Ferizaj 2014; Letër engjëllit tim të mbrojtjes. Armagedoni. Prishtinë 2019.
[2] Përveç nga përmbledhjet e botuara, disa poezi i mora dhe nga dorëshkrimi. I shpreh mirënjohje familjes së Ragipit që më mundësoi shfrytëzimin e këtij dorëshkrimi.
[3] Victor Hugo, William Shakespeare. Përktheu nga origjinali frëngjisht. Abdulla Rami& Emira Xhomaqi – Godo, Onufi, Tiranë 2022, f. 90.
[4] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali Isa Zymberi. Rilindja, Prishtinë 1982, f. 15.
[5] Për çështje të estetikës dhe të ndikimit estetik në marrësin shih veprën time Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Bashkë me Labinot Berishën. Faik Konica, Prishtinë 2018.
[6] Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë (Suharekë) 2008, f. 14.
[7] Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë (Suharekë) 2008, f. 5.
[8] Për këtë gjendje Cvajgu shkruante: “Ne që kemi mësuar në shekullin e ri të mos çuditemi më nga asnjë shpërthim mizorie kolektive, ne që me agimin e çdo dite të re presim të shohim poshtërsi akoma më të mëdha se të një dite më parë…”. Shih Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani. E përktheu nga origjinali gjermanisht Aristidhi Ristani, Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f. 14.
[9] Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë (Suharekë) 2008, f. 5.
[10] Për poezitë e Ragip Sylajt me tematikë të përshpirtshme shih veprën time Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1555 – 2019. Faik Konica, Prishtinë 2020, f. 398 – 403.
[11] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 15.
[12] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 16.
[13] Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani. E përktheu nga origjinali gjermanisht Aristidhi Ristani, Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f. 68.
[14] Ragip Sylaj, Estetika e misterit (Ese). Elena Gjika – Dora d’lstria, Therandë (Suharekë) 2008, f. 12.