08/10/2024

POEZIA QË PIKOI NGA SHPIRTI I MUSA RAMADANIT

0

Nga Timo Mërkuri

Poeti Musa Ramadani nëpërmjet poezisë “Historia e pikës sime” shfaq një udhëtim individual e historik (të pikes) në jetë ose atë që rrëndom quhet “kalvari i jetës”, mirëpo ai flet si një subjekt poetik, dhe si i tillë nuk përfaqson një individ, ndonëse shprehet në formë individuale. Ai, si një subjekt poetik, është një brez njerëzor, një etni, një popull, të cilin e përfaqson subjekti  poetikm heroi lirik ose vetë poeti.  E parë në këtë aspekt, kjo poezi ka të përmbledhur në nëntë vargje jo thjeshtë një  udhëtim Odiseje të Homerit, ku pavarësisht se bëhet në një kohë moderne dhe se te ato nëntë vargje gëlojnë luftërat me fitoret e humbjet, zjarret dhe detet, ishujt e sirenat, Çirçet, Ciklopët dhe Itaka, aty është së pari Kosova, madje unë shoh gjithë Ballkanin, Europën dhe më tutje akoma. Kjo poezi mund të quhet biografia e një poeti a intelektuali Kosovar, siç mund të quhet dhe e një shqiptari, ballkanasi apo europiani, ku të jetosh do të thotë të ëndërrosh të ardhmen dhe të lesh kujtime në llavën e një vullkani të së shkuarës, pavarësisht se të jetuarit në Kosovë në shek. XX ishte një makth i vazhdueshëm.

Në aspektin ideor, kjo poezi reflekton artistikisht përvojën dhe identitetin e njeriut (shqiptar) në kontekstin e kohës dhe ngjarjeve që kanë cilësuar jetën e tij. Nisur si “një pikë”, subjekti poetik shfaq metaforikisht e vizualisht udhëtimin, në periudha të ndryshme (historike) të jetës (kohës) së tij. Si një “pikë” e thjeshtë, ai shfaq zhgënjimin (“u mërzita”) dhe shqetësimin për të ardhmen (“u bëra presje”),dhe kjo ngjarje e vogël personale shtrihet në një panoramë të gjerë historike jetësore, duke pasur reflektim të epokave të ndryshme dhe sfidat që  ka përballuar nëpër kohë.

Përmes frazave si “era e mileniume, epoka / Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”, poeti shfaq panoramën e gjithanshme historike të “odisesë” së tij , ngjarje e periudha që kanë ndikuar në zhvillimin e tij personal dhe shoqëror. Në fund të poezisë heroi poetik shpreh frikë në një rikthim  te “pika”, duke sugjeruar një ankth për humbjen e identitetit dhe kthimin në një gjendje të pasigurtë, në një situatë të humbjes së shpresave dhe ëndërrave për të cilat luftoi e jetoi, duke shfaqur kështu reflektimin shpirtëror për rrugën e përballjen me të ardhmen.

I-Poeti Musa Ramadani  është lëvrues i një poezie moderne, tipike e shek. XX dhe në vijim, madje ka eksploruar rrymat e ndryshme të poezive moderne. Poezia “Historia e pikës sime” është ndërtuar me elemente të modernitetit poetik, që e bëjnë të dallohet si shprehje dhe mendësi e kohës kur është shkruar (30.08.1993), por që (tipar i zakonshëm i poezive të Musa Ramadanit), janë aktuale dhe në kohët e mëpasme.

Si e tillë kjo poezi e tij prezanton një lirizëm në mënyrën e shprehjes, në tregimin e udhëtimit jetësor të subjektit poetik, ku mungesa e një strukture të rreptë formale lejon autorin të shprehë ndjenjat dhe reflektimet në mënyrë të lirë.

Poeti reflekton mbi kohën dhe identitetin në një mënyrë moderne, pse përdorimi i imazheve të shekujve, erërave, dhe epokave shfaq vizualisht një udhëtim të gjatë “individual” dhe historik, duke e vendosur atë në kontekstin e kohës dhe historisë së gjerë.

Poezia paraqet historinë e një udhëtim jetësor të heroit lirik, dhe shpreh një ndjenjë përkushtimi ndaj këtij rrugëtimi, ku poeti shfaq një pasionante për të kuptuar e përjetuar përvojat e sfidat që kanë formuar identitetin e tij.

Një aspekt modern i poezisë është reflektimi i thellë mbi të kaluarën e të ardhmen, ku natyrshëm poeti shfaq drojën e frikën për tu rikthyer në një gjendje të panjohur, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit dhe përballjes me të kaluarën për të arirë në të ardhmen.

Poezia flet me metafora e imazhe të fuqishme për të shfaqur udhëtimin e përvojat e poetit ku përdorimi i tyre ndihmon në krijimin e një imazhi poetik të përgjithshëm  që përfshin gjithë poezinë, i cili reflekton dritë, qartësi e kuptimshmëri te lexuesi.

Janë këta element modern përmes së cilëve poezia shfaq kompleksitet në shprehjen e ndjenjave dhe refleksioneve personale e historike të autorit.

II-Subjekti i poezisë “Historia e pikës sime” është udhë-përshkrimi i jetës personale të individit në kohë (moshë) e ngjarje, i shprehur me një metafore fine, ku ai (subjekti poetik) paraqet veten si një pikë që ndryshon, ritet e zhvillohet nëpërmjet kohës dhe përvojave. Me anë të kësaj metafore, poeti reflekton mbi identitetin dhe udhëtimin e tij, duke shprehur  ndjenja të përkushtimit ndaj zhvillimit nëpër kohë.

Në fillim, subjekti është  një “pikë”, një entitet i vogël, i thjeshtë  e i parëndësishëm : “S’pari unë s’isha veçse një pike/Më pas u mërzita e u bëra presje”. Megjithatë, me kalimin e kohës e përvojave të ndryshme: “Aventura filloi brenda gjysmëharku” ku ai përjeton ndryshime e zhvillime, përcakton udhëtimin e tij: “Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka/Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri” duke e vendosur veten si një etni, jo më si një individ në kontekstin e një historie të gjatë dhe komplekse: “Gjysmëshekulli isha një zero e madhe/Në fillim të këtij mileniumi të tretë”. Në fund ai shfaq  frikë e ankth  lidhur me të ardhmen dhe identitetin e tij, shpreh dyshime për të ardhmen dhe frikë mbi mundësinë e kthimit në një gjendje të pavlerë, të përafërt me fillimin e tij: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pikë”. Pra,përmbajtja e poezisë shfaqet, madje dhe visualisht  nëpërmjet ndjenjave personale dhe refleksioneve mbi jetën, kohën, dhe identitetin. Subjekti reflekton duke shfaqur një ndjenjë të përkushtimit ndaj vetes dhe rrugëtimit të tij personal.

Të kuptojmë një gjë,formimi i subjektit nga “pikë” në “zero e madhe” është një shprehje metaforike e rrugëtimit të jetës dhe formimin e identitetit të tij përsonal, ku “Zeroja e madhe” nuk përfaqëson një vlerë absolute, si psh zeroja matematikore, por simbolizon një gjendje, e cila mund të perceptohet si e zbrazët, e hapur, ose e paqartë. Është mesmosha kur çdo njeri ve në dyshim vlerat që ka krijuar e arritur në jetën e tij, qofshin ato vlera materiale, morale apo intelektuale. Në këtë kontekst, ajo interpretohet si një moment reflektimi dhe pasigurie përballë të ardhmes.

Në thelb, poeti me vargjet e tij kërkon të shpaalosë kompleksitetin dhe ndryshimin që ndodh në jetën dhe identitetin e një individi përmes kohës dhe përvojave. Ai (individi)  synon të sjellë në pah kujtime ngjarjesh të rëndësishme dhe momente që  kanë ndikuar jetën e mendimet e tij, por poeti  dëshiron të transmetojë një mesazh më të gjerë mbi jetën, identitetin dhe udhën që ndjekim nëpër këtë botë. Përveç kësaj, poeti dëshiron të shprehë një ndjenjë të humbjes së identitetit në një botë që duket e pazgjidhshme dhe e paqartë nga problemet dhe sfidat e shumta që ka. Duke e shfaqur veten si një pikë e pastaj si një zero e madhe, ai shpreh ndjenjën e tij të humbjes së orientimit ose mungesën e një qëllimi të qartë në jetë.

Po ashtu, përdorimi i një metafore të tillë (pikë)  është një mënyrë për të shprehur ndjenjën e një qasjeje subjektive ndaj jetës dhe eksistencës, ku nëpërmjet saj, poeti mund të jetë duke reflektuar mbi ndjenjat e tij të vogla dhe të pasigurta në një botë të madhe dhe komplekse.

Dhe në fund të poezisë, kur ai shpreh frikën e rikthimit në një pikë, ai është duke shprehur ankthin dhe pasigurinë e tij në lidhje me të ardhmen dhe mundësitë që ka përpara. Kjo mund të jetë një shprehje e ankthit të përgjithshëm të individit përballë të panjohurës dhe rreziqeve të jetës.

Në esencë, poeti nuk tregon thjeshtë një biografi personale, ai shpreh ndjenjat e eksistencës dhe të qenies së një brezi të tërë, në një vend dhe kohë që identiteti personal e zhvillimi emocional i individit ishte nën një goditje të ffprtë e ritmike të ngjarjeve, zhvillimeve që ndikonin në forcimin (a dobësimin) e ndërgjegjes  identi-tare të kombeve. Datën e krijimit kjo poezi nuk e ka ditën kur u shkrua, por kohën kur shpirti i tij, nën ndikimin e zhvillimeve historike e pikoi si lot mbi ndërgjegjen e tij.

III-Musa Ramadani është mjeshtër i të shprehurit metaforik dhe kjo cilësi e tij është e dukëshme dhe te  poezia “Historia e pikës sime” ku ai me finesë përdor metaforat për të shprehur udhëtimin e subjektit poetik në  mënyrë moderne, duke ndihmuar në zgjerimin e kuptimshmërisë dhe hapësirat e ndjenjave e përvojave të tij.

Kështu, metafora e “pikës”dhe “zeros” simbolizon një rrugëtim të jashtëzakonshëm individual të subjektit poetik, ku: pika nis si formë e thjeshtë, ndërsa zeroja është shprehje e një gjendjeje  komplekse  dhe enigmatike , duke treguar transformimin dhe zhvillimin e subjektit nëpërmjet kohës dhe përvojave.

Termat: Shekujt, era e mileniume, epokat, përfaqsopjnë një metaforë dhe shprehin kohën dhe situatat që poeti ka jetuar e përjetuar, ato përfaqësojnë një panoramë të gjerë historike e kulturore, duke i dhënë poezisë një dimension më të gjërë.

Fjalët: “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”janë një përdorim i metaforës për të treguar konfliktet dhe sfidat historike që subjekti poetik ka përjetuar, duke paraqitur një imazh të rrugëtimit të turbullt të njeriut në histori, ku lufta dhe paqja janë tema themelore.

Ndërsa vargu: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike” shpreh një lloj ndroje për një kthim të mundshëm të subjektit në gjendje të kaluar, të  krahasuar  me një pikë, e cila shërben si simbol i pasigurisë e frikës për humbjen e identitetit dhe rikthimin në një gjendje jo të këndëshme.

Këto metafora e simbole poeti i ka përdorur për një lexim piktoresk të përmbajtjes dhe për të shfaqur ndjenjat dhe refleksionet e tij. Ato ndihmojnë në krijimin e një poezie moderne që shpreh një lloj të vërtetë poetike e personale në lidhje me jetën dhe eksperiencën njerëzore.

Imazhet në poezinë “Historia e pikës sime” shërbejnë për të krijuar një atmosferë emocionale dhe për të paraqitur udhëtimin e subjektit poetik nëpërmjet kohës dhe përvojave, ato përdoren për të ndikuar mbi ndjenjat e lexuesit me ngjyrat e formën e tyre, siç ndikon një pikturë duke e bërë përvojën e poetit më të gjallë, më vizuale dhe më të prekshme për lexuesin.

Imazhi  “Pika” shfaqet kur autori cilëson veten si një “pikë”, një entitet i vogël dhe i thjeshtë, e cila simbolizon fillimin e rrugëtimit të tij, një gjendje fillestare, e cila shkallëzohet nëpër kohë, duke shfaqur një imazh në rritje e zgjerim.

“Zeroja e madhe” shfaq një imazh, kur subjekti përjeton  rritje e zhvillim personal, por që gjithsesi ai dyshon te vlera e vetes.  Pikërisht “Zeroja e madhe” përfaqëson një gjendje  komplekse e të panjohur, një fazë në jetë që ka ndjenja të pazgjidhura dhe të pasigurta.

“Shekujt, era e mileniume, epokat” përbëjnë imazhe me gjerësi historike, të cilat e rrethojnë udhëtimin e subjektit. Ata tregojnë një rrjedhë të kohës dhe ngjarjeve që ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e identitetit të tij.

Imazhet “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri” shfaqin ngjarje e përvoja të ndryshme që ai ka përjetuar gjatë rrugëtimit të tij. Ato paraqesin një peisazh të ndryshueshëm emocional dhe historik që e rrethon subjektin.

Imazhi“Frika e kthimit në pike” përfaqëson  ndjenjën e frikës  dhe mosdijes për të ardhmen dhe përvojat që mund të sjellë ajo. Është një imazh i ndjeshëm që shpreh ankthin dhe pasigurinë e subjektit për të ardhmen.

Këto imazhe përdoren për të krijuar një vizion të plotë të udhëtimit të subjektit poetik nëpërmjet kohës dhe përvojave, duke e bërë poezinë të ndjehet më afër dhe ta shijojë poezinë edhe në efektin e ngjyrave, si një pikturë.

Ajo që është për tu shënuar specifikisht është fakti se te kjo poezi simbolet dhe metaforat shfaqen si imazhe të brendshme dhe të jashtme që e përcaktojnë rrugëtimin e subjektit poetik, duke shprehur ndjenjat, përvojat dhe refleksionet e tij në një mënyrë që e bën poezinë të gjallë, aktuale.

IV-Poezia “Historia e pikës sime”  është një poezi moderne, ajo përdor një të folur metaforike për të shprehur refleksionet dhe përvojat e autorit, mënyrë që është tipike për poezinë moderne.

Përveç kësaj, tema dhe stili i poezisë përputhen me tendencat moderne në poezi. Ajo përdor metafora dhe simbole për të shpalosur udhëtimin individual e historik të subjektit, ndërsa shpreh ndjenjat e pasigurisë e refleksionin mbi identitetin dhe kohën, të cilat janë tema të rëndësishme në poezinë moderne.

Përmbajtja dhe struktura e poezisë përputhen me karakteristikat e poezisë modern , duke përdorur një gjuhë e një formë poetike që shpesh lë hapësirë për interpretim të ndryshëm nga lexuesit.

Poezia moderne shpesh përdor gjuhën dhe strukturën që të shprehë ndjenjat, refleksionet dhe përvojat e autorit në një mënyrë të re dhe origjinale. Ky përdorim i gjuhës dhe strukturës synon të arijë dhe kapë thelbin e emocioneve dhe mendi-meve, duke e bërë poezinë një mjet shumë të fuqishëm për të shprehur çështje komplekse dhe për të krijuar lidhje me lexuesin.

Për më tepër, poezia moderne shpesh eksperimenton me forma të ndryshme dhe teknika letrare për të arritur një impakt më të thellë dhe më të përshtatshëm për kontekstin e sotëm. Ajo nuk kufizohet në konventat tradicionale të poezisë, por përpiqet të shfaqë shpirtin e kohës dhe përvojat e saj në mënyrë të shkëlqyer.

Paraqitja e rrugëtimit personal e historik në këtë poezi përputhet me këto tipare të poezisë moderne. Autori shfrytëzon metaforat dhe imazhet për të shfaqur udhëtimin e subjektit poetik në mënyra që janë moderne dhe të përshtatshme për kohën tonë.

Përmbajtja e thellë dhe emocionet e shprehura në poezinë “Historia e pikës sime” e bëjnë atë të përshtatshme për të qenë një shembull i një poezie moderne që reflekton përvojat dhe ndjenjat e individit në botën e sotme.

V-Nëse do të përpiqeshim të shihnim poezinë “Historia e pikës sime” si një picture që flet dhe ta shihnim këtë nëpërmjet imazheve, formave e  ngjyrave të tyre, ajo do të  cilësohej si një pikturë abstrakte, që përdor forma, ngjyra dhe tekstura për të përfaqësuar rrugëtimin emocional dhe historik të subjektit.

Një piktor do përdorte ndoshta forma të thjeshta dhe abstrakte për të treguar fazat e zhvillimit të subjektit nga një pikë e thjeshtë në një zero të madhe, ai mund ta lëvizte këtë “pikë” fillestare në një formë rrethore, por gjithsesi do të shfrytëzonte ngjyrat e imazheve poetike për të shprehur emocionet e ndjenjat që shoqërojnë subjektin në rrugëtim e sfida. Sigurisht që mund të ketë ngjyra të ndritshme dhe të errëta që përfaqësojnë momente të ndryshme të jetës dhe ndjenjat që përndjekin në kohë. Po ashtu, piktura do të përdorte linja e forma që shfaqin rrjedhën e kohës dhe zhvillimin e historisë së subjektit. Kjo do të krijonte një peisazh abstrakt që shpreh një udhëtim individual dhe emocional nëpërmjet ngjyrave dhe formave.

V-Cilësimi i pikturës së përfytyruar të kësaj poezie si një pikturë abstrakte na shtyu në mendimin se dhe poezia “Historia e pikës sime” ka elemente që e bëjnë të përshtatshme për ta konsideruar si një poezi e rrymës abstrakte. Kjo është e zakonëshme pasi dihet që poetët modernë shpesh eksperimentojnë me formën dhe strukturën e poezisë, duke e bërë atë të ngjajë me artin abstrakt.

Në këtë poezi, p sh., përdorimi i metaforave dhe simboleve shfaq një udhëtim personal dhe emocional në një mënyrë që mund të përputhet me këndvështrimin e një pikture abstrakte. Ndërkohë, mungesa e një narrativi të qartë dhe struktura e lirshme e poezisë janë elemente që përputhen me karakteristikat e një poezie abstrakte. Për shkak të kësaj, poezia “Historia e pikës sime” mund të shihet si një veprim artistik që shkon përtej kuptimit literal dhe përpiqet të përfaqësojë ndjenjat dhe përvojat në një mënyrë që mund të jetë më e gjerë dhe më abstrakte se shpreh vetë tekstit. Kjo është arsyeja pse përdorimi i saj si një pikturë abstrakte është një mënyrë e përshtatshme për ta shikuar atë, duke e bërë të lehtë për interpretim dhe reflektim nga lexuesi. Për më tepër, koncepti i poezisë abstrakte është i lidhur me idenë e shprehjes së emocioneve, mendimeve e përvojave në një mënyrë që nuk është e drejtpërdrejtë ose e qartë. Poezitë abstrakte përdorin imazhe, tinguj, dhe fjalë për të krijuar atmosfera dhe ndjesi që shpesh lënë hapësirë për interpretim të shumëfishtë.

Pra, poezia “Historia e pikës sime” mund të perceptohet si një poezi abstrakte për shkak të përdorimit të elementeve simbolike dhe metaforike për të shprehur rrugë-timin individual dhe historik të subjektit poetik. Ajo shpreh emocione, sfida dhe refleksione që janë të hapura për interpretim të ndryshëm, duke lejuar në këtë mënyrë lexuesin të përqëndrohet në ndjenjat e mendimet e veta lidhur me tekstin.

Për këtë arsye, të shohësh poezinë si një poezi abstrakte është një mënyrë e bukur për të kuptuar dimensionet e saj. Kjo mund të hapë dritare të reja të  interpretimit dhe shprehjes për lexuesin, duke e bërë atë një veprim artistik që është më shumë se fjalët e thjeshta që përmban. Dimë që poezia abstrakte është një formë poetike që përdor gjuhën dhe imazhet në një mënyrë që është e hapur për interpretim dhe përvoja të ndryshme dhe shpesh përdor elemente simbolike dhe metaforike për të shprehur emocione, ndjenja dhe ide në një mënyrë jo të  drejtpërdrejtë ose të qartë.

VI-Poezia abstrakte është një rrymë, një lëvizje më vete brenda fushës së poezisë moderne. Ajo përbën një shpërfaqe të rëndësishme dhe një përpjekje për të shkuar përtej kufijve të traditës letrare dhe për të eksploruar lirinë e shprehjes në mënyra të reja dhe origjinale.

Poezia abstrakte ka qenë një nga lëvizjet më avantgardiste dhe më revolucionare në fushën e poezisë, duke sjellë eksperimente të reja me formën, strukturën dhe përmbajtjen. Ajo synon të shprehë ndjenja, perceptime dhe ide në mënyra që janë të lira e të hapura për interpretime të ndryshme, duke përdorur metafora, imazhe, dhe tinguj të fuqishëm për të krijuar përshtypje të forta emocionale dhe estetike.

Nëpërmjet poezisë abstrakte, poetët shpesh shkelin logjikën dhe kuptimin e qartë, duke lënë hapësira për ndjenja dhe përvoja të ndryshme për lexuesin. Kjo lëvizje ka shërbyer si  mjet për të shprehur trillimet dhe sfidat e jetës moderne në mënyra që janë inovative dhe provokuese.

Poezia abstrakte ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e poezisë moderne dhe ka hapur rrugën për shumë lloje të reja të shprehjes poetike. Duke qenë një lëvizje që promovon lirinë dhe kreativitetin, ajo ka qenë dhe mbetet një nga pikat kryesore të interesit dhe studimit në fushën e poezisë.

Poezia abstrakte filloi dhe u zhvillua në disa vende të ndryshme, duke përfshirë Franca, Gjermania, Anglia, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë fillimit të shekullit të 20-të. Këto vende ishin qendra të rëndësishme të zhvillimit kulturor dhe artistik në këtë kohë, dhe ofruan një mjedis të përshtatshëm për eksperimente të reja letrare dhe artistike.

Në Francë, poetë si Stéphan Mallarmé dhe Guillaume Apollinaire ishin pionierët e hershëm të poezisë abstrakte të cilët  shpesh  përdornin gjuhën dhe imazhet në mënyra të reja dhe inovative për të shprehur ndjenjat dhe përvojat njerëzore në një mënyrë që ishte larg nga konvencionalja.

Në Gjermani, lëvizjet artistike si ekspresionizmi dhe dadaizmi gjithashtu ndikuan në zhvillimin e poezisë abstrakte ku poetë si Hugo Ball dhe Kurt Schëitters ishin figura kryesore të kësaj periudhe, duke eksperimentuar me forma dhe struktura të ndryshme poetike për të shprehur ndjenjat e çrregullta dhe çfarëdo qëndrimesh ndaj botës së tyre.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, poetë si Ezra Pound dhe T.S. Eliot ishin pjesë e avantgardës letrare në fillimet e shekullit të 20-të, dhe kontributet e tyre ndikuan në zhvillimin e poezisë moderne dhe abstrakte në nivel global.

Në vendin tonë eksperimentet e para të një poezie abstrakte u u kryen në vitet ’70 të shek. XX, por që u goditën ashpër në Pleniumin e IV. Qasje me poezinë e mësipërme të Musa Ramadanit ka poezia “Jam fik deti” e poetit Thanas Dino, poezi që e shpuri autorin gjer te “portat e ferrit”.

Sarandë, më janar 2024

 

HISTORIA E PIKËS SIME

S’pari unë s’isha veçse një pikë

Më pas u mërzita e u bëra presje

Aventura filloi brenda gjysmëharku

Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka

Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri

Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll

Gjysmëshekulli isha një zero e madhe

Në fillim të këtij mileniumi të tretë

Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike

(Më 30.08.1993)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok