14/10/2024

POEZIA E ASDRENIT PËR KOSOVËN

0

Nga Prend BUZHALA

Asdreni ka botuar dy poezi për Kosovën. E para është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Së bashku me këtë poezi ai ka botuar edhe poezinë kushtuar Çamërisë. E dyta po ashtu (e shkruar gegnisht) shkruhet e botohet aso kohe, krahas asaj të Mitrush Kutelit. Asnjëra nga këto poezi nuk përfshihen në botimet e librave të tij poetikë në Kosovë e në Shqipëri gjatë kohës së sundimit komunist.

Po ashtu, ishte koha e pushtimit gjerman dhe prirjet nacionaliste të Asdrenit, menjëherë pas luftës, e vlerësuan poet me ide të paqarta, pasi gjoja paska përshëndetur pushtimin fashist italian! Pikërisht në këto kohë ai i boton dy poezi, gjithnjë me shpresën se Kosovë e Çamëri do të bashkohen me Shqipërinë.

 

1.

 

Te poezia e parë, e vitit 1941, ai e përshëndet “realitetin e ri”:

 

Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!

Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,

Mbas vuajtjeve dëshmove gjatas që dhe provë

Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.

 

Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë

Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,

Me flijime pa numër dhënë ditë për ditë,

Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…

 

Dhe cila ditë do të ishte pritur që këto troje të bashkoheshin? Ishte koha e kapitullimit të Serbisë dhe Jugosllavisë së karagjorgjeviçëve që shtypi Kosovën prej vitit 1913 e deri në Luftën e Dytë Botërore. Përmbysjet ndodhën më vonë, pas përfundimit të luftës, kur fituan të ashtuquajturat forca antifashiste e që iu bashkëngjitën një fashizmi të ri çetniko-partizan serb. E thamë, kur bëmë fjalë për Kutelin,s e si manipulojnë me termin fashizëm e antifashizëm regjimet komuniste.

Antifashizmi proserb shqiptar i Kosovës (dhe Shqipërisë) shqiptarizmin tradicional të patriotizmit tonë, e shndërruan në internacionalizmin proserb e prorus, në ideologji të vëllazërim-bashkimit, kurse këtë patriotizëm tradicional shqiptar e dënuan, e quajtën me njëmijë emra fyes: fashistë, ballistë, nazistë, mbeturina të fashizmit, kriminelë, terroristë, nacionalistë, separatistë, irredentistë etj. etj. Kështu e përbaltosën edhe Asdrenin, këtij poeti që na e dhuroi himnin kombëtar.

Në gjithë botën lufta kishte mbaruar, por jo edhe në Kosovë, sepse ajo zgjati deri më 1947 e tutje, dhe sepse shqiptarët e Kosovës po luftonin ripushtimin jugosllav, ndërkohë që antifashizmi proserb shqiptar i Kosovës (dhe Shqipërisë); nga njëra anë antifashizmi proserb shqiptar i Kosovës (dhe Shqipërisë), iu nënshtrua pushtuesit të ri, duke rehabilituar çetnikët, duke ua njohur “meritën” si luftëtarë kundër nazizmit, e, në fakt, ata luftuan kundër shqiptarëve të Kosovës, për ta ndihmuar komunizmin serb të vendoste ripushtimin në Kosovë.

Antifashizmi proserb shqiptar i Kosovës (dhe Shqipërisë) nuk përputhen me vlerat universale të antifashizmit perëndimor.

Antifashizmi proserb shqiptar i Kosovës (dhe Shqipërisë) legjitimuan mohimin e historisë së Kosovës: Kosova është pa trashëgimi dhe ata janë njerëz “me bishta”, të egjër”; në unison me ta partizanët nga Shqipëria ata që reagonin, i quanin “derra”.

Në fund të luftës në Kosovë vijnë brigadat partizane të Shqipërisë. Meqë për shqiptarët e Kosovës ishte përhapur propaganda (nga qarqe serbe), se janë me fashizmin, ata masivisht iu bashkëngjiten brigadave partizane shqiptare, me shpresën se nuk do ta kenë Serbinë mbi kokë. Për deri sa krerë drejtues të këtyre formacioneve partizane-shqiptare donin të krijonin bindjen se me Serbinë antifashiste e internacionaliste janë vëllezër, shqiptarët e Kosovës këtë absolutisht nuk donin të besonin në diçka të tillë! E si mund të ishin vëllezër, kur shtypësi as që kërkon falje e as që dënohet për veprimet e bëra. Asdreni në pesë strofa të tjera të kësaj poezie këndon:

 

Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës

Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,

Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,

Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.

 

Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë

Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,

Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:

E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!

 

Një copë truall nuk të linte për jetesë

As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,

Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:

Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!

 

Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë

Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,

Në trollin tënd ai të kishte si një halë,

Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!

 

Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,

Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,

Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,

Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!

 

Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore

Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,

Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,

Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…

 

Porse gjithçka përmbyset pas kësaj shprese, përsëri rikthehet kjo gjendje e përshkuar kaq mjeshtërisht te Asdreni. Shpesh, pjesëtarë pleq të gjallë të këtyre brigadave (mbaj mend gjatë viteve ‘60), ma përsëritnin thënien a, më mirë: fyerjen: “Ju shqiptarët e Kosovës jeni kokëderra! Me Serbinë jemi vëllezër internacionalistë!” Mirëpo, “në ndihmë” kundër “mbeturinave të fashizmit” erdhën e u dyndën në Kosovë edhe brigadat partizano-çetnike serbe, të cilat ia nisën reprezaljeve anembanë Kosovës, sidomos në Drenicë. Brigadat partizane shqiptare tërhiqen në drejtime tjera, dhe jo pak prej tyre fshanin (sipas kujtimeve të pjesëmarrësve shqiptarë të Kosovës): “Më i mënçur një bari i Kosovës se sa një intelektual partizan i Shqipërisë!” Sepse po largoheshin e tradhtoheshin në idealet e tyre antifashiste. Kundër kësaj tradhtie të re partizane-çetnike (dhe shqiptare), partizanët shqiptarë (të Kosovës), duke e parë këtë realitet tragjik, përçahen: gjysmën i dërgojnë e i mobilizojnë të largohen nga Kosova për në Serbi e Vojvodinë, mbesin partizanët e Shaban Polluzhës që u bashkuan me çetat nacionaliste të Mehmet Gradicës (sipas disa shënimeve, ata i pajtoi Marie Shllaku). Natyrisht, forcat partizane të Fadil Hoxhës mbanin yllin pesëcepësh dhe uniformën jugosllave. Populli i Kosovës ksihte një shqisë të veçantë të nuhatjes së situatave: nuk kishte rëndësi se kush vinte nga jashtë në Kosovë, mjaftonte të ishte kundër Serbisë dhe ata, natyrisht, e tumirnin këtë veprim! Nuk kishte rëndësi se kush vinte në krye të politikës serbe, se a ishin ata çetnikë apo komunistë e partizanë, që kërkonin edhe njëherë Serbinë mbi Kosovën, dhe Kosova e luftonte njësoj, si krajlin si çetniko-partizanin!!!

E njëjta gjë ishte edhe me Serbinë: për ta nuk kishte rëndësi se kush ishte në kreun e lëvizjeve nacionale shqiptare; mjaftonte të ishte me Serbinë dhe proserbe!!!

Dhe kështu ndodhi!

 

2.

 

Një poezi tjetër e Asdrenit është ajo me titullin “Kosovës”. Sinan Gashi, te vepra e tij “Kosova e poetëve të traditës” (1996, Prishtinë), shkruan: “Idealisti i madh dhe i përkushtuari i krijimit poetik, Aleks Stavre Drenova (1872-1947), i përjetshmi si Asdren, ishte rrëmbyer vazhdimisht nga motivet atdhetare, të cilat i krijoi edhe më me emocion duke qenë jashtë Atdheut. Ky realitet historik, që përmbysi situatat e ankthshme të osutimit sllav, përshëndetet edhe te kjo poezi:

 

Sot ora mbrrini, dita e bekueme

Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli

Me rrnue një Shqypni

Si zonjë në lumni.

 

Veç toponimeve historike që hasen si tituj të poezive të tij, njëra është me frymëzim të thellë për Kosovën, e cila mbeti jashtë veprave të botuara, deri në ditët e sotme. Kosova e kësaj poezie është vendi që ka sy lirie, që rrit trima shqiptarie, që shtrihet në pjesën hapësinore të bukur të Ballkanit dhe që ka pasuri të pamasë. Ajo për krijuesit e traditës është kopja unikate e madhështisë, prej ku mund të mësohet ajo që quhet ‘sakrificë’, ajo që thirret ‘heroizëm’, ajo që përjetësohet – ‘Atdhetari’ “.

Poezia e Asdrenit na vjen vetëm si kujtesë e dhimbjes, si jehonë e tyre ngjarjeve:

 

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë

Që të huejt para syve të t’venë ledhe

Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel

Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del

Dhe duersh mos të lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t’shojn!

 

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë

“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!

Atyne si u pëlqen kufijt i venë

Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb Shqiptarë!

 

Asdreni poezinë e tij e shkruan në variantin e gegërishtes, për t’u identifikuar më shumë me shqiptarin e robëruar të kësaj kohe. Poezia ka pesëmbëdhjetë strofa, e thurur në gjashtëvargësh të rimuar, me një melodi tipike rapsodike shqiptare. Posi Kuteli, edhe këtu këndohet Kulti i Madhështisë kombëtare, Kulti i Lashtësisë dhe Kulti i Lavdit:

 

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!

Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon

Difto-u e zonja; koha sot e don

Ti t’çohesh përseri

N’luftë t’mbarë për liri!

 

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,

Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë

Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,

Që e derdhin gjakun prrue

Atdheun për m’e shpëtue!

 

Sigurisht që edhe Asdreni e ndiente dorën tradhtare kundër Kosovës, që duan ta verbojnë, shëmtojnë e robërojnë dhe ku spikatet vetëdija për tërësinë etnike, me një kushtrim përmasash të mëdha:

 

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini

Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!

Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë

Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë

Si ç’trimit mirë i prek

Me nder n’luftë me dek!

 

Edhe Kuteli, edhe Asdreni, këto pena të holla që kishin shkruar vepra vlerash të spikatura artistike, ishin të ndërgjegjshëm se krijimet e tyre më shumë ishin jehonë kushtrimore kohe për shpëtimin e etnisë, se sa një skalitje figurash artistike. Ata dëshironin të lexoheshin e kuptoheshin nga secili shqiptar, të cilit i dhemb zemra për fatet e atdheut.

 

=================

 

ASDRENI

 

KOSOVËS

 

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,

Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,

…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;

Dhe malet me bor

Mi krye i ke kunor!

 

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis

Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!

Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon

Difto-u e zonja; koha sot e don

Ti t’çohesh përseri

N’luftë t’mbarë për liri!

 

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija

Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,

Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë

Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,

Që e derdhin gjakun prrue

Atdheun për m’e shpëtue!

 

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë

As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë

Anmikut kur i sulen me rrebtsi

Si breshni mi te hidhen me duhi.

 

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha

Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba

Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue

Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!

Për nder të shtëpis s’vet;

E falin shpirt e jet!

 

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë

Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë

Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue

Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue

Se mjaft e kanë robnue

Dhe n’ zjarm e kanë prue!

 

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë

Që të huejt para syve të t’venë ledhe

Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel

Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del

Dhe duersh mos të lëshojn’

Prej faqes s’dheut të t’shojn!

 

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë

“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!

Atyne si u pëlqen kufijt i venë

Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;

Mendojnë pa turp kurrfarë

Se s’ka nji komb Shqiptarë!

 

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë

Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë

At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur

Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,

Me lott qi qan e ankon

E asnji nuk i ndihmon!

 

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe

Po nanën ju kujtoni qi u ka le

Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve

Prej bijet e harrume mi ket dhe!

Se ansht turp i math për ju

Të huejt me i u çnderu!

 

Sot ora mbrrini, dita e bekueme

Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!

Kosovës emnin me ja ngref te qilli

Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli

Me rrnue një Shqypni

Si zonjë në lumni.

 

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini

Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!

Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë

Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë

Si ç’trimit mirë i prek

Me nder n’luftë me dek!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok