20/01/2025

Poetja e mërgimit që i këndon me zemër Atdheut

0
Ariti-Gjini-Malli

Nga Albert Z. ZHOLI

Libri me poezi “Malli që më djeg”, i poetes Ariti Gjini, vjen pas një kohe të gjatë të lëvrimit të saj në rrjetet sociale dhe në shtypin e kohës.  Autorja ka një veçori në poezi, ajo i hedh vargjet si i ndjen zemra, me pastërti shpirtërore, me virgjërinë e një fëmije, pa ndroje, pa mëdyshje. Në këtë vëllim poetik ajo sjell para lexuesit vetë jetën e saj, atdheun, mërgimin, shoqërinë, familjen, brengat, hallet, suskeset, dështimet, kurajën, faljet, pengjet, mëdyshjet, të panjohurat, idetë, mendimet, por mbi të gjitha pastërtinë shpirtërore. Autorja edhe ndaj atyre që e kënë bërë të vuaj nuk  kërkon ndëshkim, por fal, fal sepse e tillë është ajo, një grua fisnike dhe e ndërgjegjshme për hapat që hedh në jetë. Në këtë vëllim ka shumë poezi me tematika të ndryshme ku spikatin ato me probleme sociale, por mbi të gjitha mallin për Atdhenë. Autorja ka disa vite që jeton në Amerikë, dhe në këto vargje ajo tregon me një dhimbje të rrallë largimin. Dhe pse ka ikur në vendin e ëndrrave njerëzore në Amerikë, dhe pse aty jeton shumë mirë ekonomikisht, ajo nuk e harron për asnjë çast Atdheun. Momentet e ikjes ajo i ka përshkruar me një penë elegante të ngjyer në lot. Ja si shprehet ajo:

Ika larg!

 

Po iki larg o vendi im,

Lashë vatan, e lash shtëpinë,

Lashë baçen me fruta plot,

Shegë e ftonjë të rënë në tokë.

 

Lashë vëlla, e lash dhe motra,

Pa ta, nuk ka kuptim bota,

Bashkë na lindën dhe na rritën,

Me dy prindër dy fisnikër…

Me një penë të thjeshtë por me ndjenjë ajo përshkruan si në një roman momentet e largimit. Si la shtëpinë, kopshtin, të afërmit, vajzën, shoqet, të afërmit, një ikje mes lotësh. Ajo përshkruan çdo gjë me detaj pasi duket sikur do brengoset nëse harron diçka dhe do ti ngelet peng. Një përshkrim që mund të bëhet në romane, ndërsa  autorja e bën me disa vargje poetike, me nënteks ku  çdo fjalë ka një kuptim të veçantë. Ajo kujton prindërit, përgjegjësinë e tyre për rritjen dhe edukimin. Ka një brengë në vargjet e saj. Një brengë  që nuk mundohet ta bëjë present por që e bluan përbrenda. Kjo lidhet me problemet e kohës dhe me atë që nuk mund të realizonte si duhej kur ishin prindërit gjallë.

Ja një poezi tjetër e largimit të përmallshëm:

E mbylla shtëpinë!

I mbylla dyert e shtëpisë fort kur ika,

E brenda i mbylla, edhe gëzimet,

Mbylla të qeshurat, që ma jepte dita,

I mbylla të gjitha, dhe ëndrrimet.

Sa të ndjera janë këto vargje. Të fusin në mendime. Të gjithë ata që kanë ikur në emigracion janë pjesë e këtyre vargjeve, janë pjesë e këtyre detajeve jetësore. Duket sikur emigracioni s’do të ketë më të qeshura, gëzime, shoqëri,  ditlindje mes shoqeve, mbasdite në shtëpitë e njëra-tjetrës. Duket sikur në emigracion poetes do ti mbyllen dhe ëndrrat. A mund të mbyllen ëndrrat?! A jeton njeriu pa ëndrra? Emigracioni duket sikur është një dhomë e errët. Një dhomë jashtë realitetit jetësor. Vetë rrëfimet e mërgimtarëve tregojnë se në emigracion ka vetëm punë, ka pak gëzim, pak argëtim, pak lidhje me njerëzit e dashur. Kështu është ndërtuar jeta në emigracion. Vërtet aty jeton mirë ekonomikisht, por të mungon familja, motrat, vëllezerit, fëmijët, shoqet, shokët, miqtë, miqësia e punës dhe fqinjët. Në Shqipëri edhe fqinjët janë pjesë e familjes, ndërsa në emigracion këto lidhje shkëputen përfundimisht. Ikjes, mërgimit i kanë kënduar poetë të mëdhenj në botë. Secili ka veçoritë e tij të vargjeve, ndërsa autorja flet në këtë poezi thjesht, pa  figura të shumta letrare, por me krahasime, dhe përcjell një vërtetësi  të dhimbshme. Ikja ka shumë fjalë malli brenda, po ashtu ka shumë enigma. Ku do shkoj?! A do përshtatem? A do krijoj miqësi të re? A do e përballoj vetminë? Kë do takoj në kohën e lirë?! A do realizoj ëndrrat e lëna përgjysmë? Ka shumë pyetje pa përgjigje ikja e saj. Një ikje me kokën pas. Ikje, ikje! Ikin për një jetë më të mirë pasi Atdheu i tyre po keqqeveriset, po shpërdorohet nga baballarët e kombit që mendojnë vetëm për vete. Ikin dhe pse janë të shkolluar, të ndërgjegjshëm, të pastër, të pa korruptuar! Një vend të rëndësishëm te poezia e Ariti Gjinit zë dhe familja, prindërit, motrat, vëllezërir, të afërmit. Ajo kujton me mall kohët e vegjëlisë, kur dashuria për njeri-tjerin ishte e madhe. Kur mblidheshin në darkë të afrëmit nën flakën e zjarrit në oxhak. Kujton bisedat e prindërve që me gjithë fukarallëkun të ngrohnin me fjalën e ëmbël. Kujton me dhimbje që sot ajo dashuri ka ikur, nuk njihet  mes të afërmve. Jeta është bërë individuale. Pasuria është bërë kryefjala e ditës.

Krijimtaria, e Aritis valëzon, me karakteristikat e veta, që tregojnë brendinë e shpirtit. Ajo në këtë libër sjell një sofër të begatë me ushqim shpirtëror përmes vargut të thjeshtë popullor, ku shpalosen vlerat shpirtërore dhe krijuese. Autorja, herë pas here i druhet labirintheve të jetës, pasi nuk dëshiron të lëndojë asnjë dhe pse jeta e saj ka qenë një luftë dhe nuk e ka përkëdhelur. Ka kaluar një rini të vështirë dhe tani një ekonomi të begatë, ku drithërimet dhe gëzimet e jetës i ka hedhur plot dritë në këtë vëllim  poetik. Titulli i librit korrespondon bukur me këndimin poetik, sepse, “Malli” ka kuptim shumëdimensional edhe poetiko-letrar, por edhe filozofik me nëntekst.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok