22/12/2024

PJESË NGA GRAMATIKA E GJUHËS SHQIPE

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

GJUHA – Shkenca që merret me studimin e gjuhës quhet gjuhësi (linguistikë). Degë të gjuhësisë janë: fonetika, leksikologjia dhe gramatika. Fonetika i studion tingujt e gjuhës. Leksikologjia merret me studimin e fjalëve të një gjuhe. Gramatika studion strukturën e gjuhës. Ndahet në dy pjesë: në morfologji dhe në sintaksë.

KLASIFIKIMI I GJUHËVE – Në botë ka rreth 20 familje gjuhësh: gjuhët indoevropiane, ugrofine, familja turke, semitike, kaukaziane, mongole, kino-tibetiane etj. Gjuhët e familjes indoevropiane (indogjermane) klasifikohen në 10 grupe a degë: gjuha shqipe (bijë e ilirishtes), armenishtja, greqishtja, dega indo-iraniane, dega kelte, gjuhët gjermane, dega italike (nga latinishtja vulgare kanë lindur gjuhët romane të sotme), dega baltiko-sllave, degët anatolike (hetitishtja), degët e tokarishtes.

Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes, shqiptarët ndërkaq, janë pasardhës të ilirëve.

Gjuhë indoevropiane të vdekura janë:  frigishtja në Azi të Vogël, venetishtja (në Italinë veriore),    maqedonishtja (në Maqedoninë antike), trakishtja (e folur nga fqinjët veriorë të grekëve),

Gjuha baske, estonishtja, hungarishtja dhe finlandishtja janë gjuhë që fliten në Evropë e që nuk i përkasin familjes së gjuhëve indoevropiane.

DIALEKTET E GJUHËS SHQIPE –  Shqipja ka dy dialekte kryesore: dialekti toskë (toskërishtja) dhe dialekti gegë (gegërishtja). Dialektet ndahen në nëndialekte dhe në të folme: gegërishtja veriore, gegërishtja verilindore, gegërishtja jugore; toskërishtja veriore, toskërishtja jugore. Me fjalën e folme kuptojmë gjuhën që përdoret në një hapësirë më të vogël apo në ndonjë vendbanim. P. sh. e folmja e malësisë. E folmja e Dervenit, e folmja e Pollogut etj.

Dallimet ndërmjet gegërishtes dhe toskërishtes: gegërisht: i ambël, baj, dam, dhamb, hanë, kambë, nanë, zani etj.; toskërisht: i ëmbël, bëj, dëm, dhëmb, hënë, këmbë, nënë, zëri etj.;

ue – ua – gegërisht: bluej, due, grue, shkruej; toskërisht: bluaj, dua, grua, shkruaj;

n – r – gegërisht: anmik, emën, gjarpën, lakën, femën, dhelpën, lumtuni, shoqni, i edukuem; toskërisht: armik, emër, gjarpër, lakër, femër, dhelpër,  lumturi, shoqëri, i edukuar etj.

Trajta e paskajore në gegërisht: me punue, me shkrue, me shkue, due me shkue, etj., në toskërisht: të punoj, të shkruaj, të shkoj, dua të shkoj  etj.

Përdorimi i së pakryerës – gegërisht: punojsha; toskërisht: punoja ose punonja etj.

Dallimet në leksik – gegërisht: ende, katund, mbërrij, tash; toskërisht: akoma, fshat, arrij, tani.

Kostadin Kristoforidhi (1830-1895) më 1972 botoi “Abetaren e gjuhës shqipe”. Më 1882 botoi veprën Gramatika e gjuhës shqipe”. Më 1904 u botua edhe kryevepra e tij “fjalori i gjuhës shqipe”. Më 1886 u botua në Bukuresht gramatika e Sami Frashërit “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”. Kjo vepër konsiderohet si gramatikë e parë e shkruar në gjuhën shqipe. Gramatika të shqipes hartuan edhe Jeronim De Rada (1814-1903)Caratteri e grammatica della lingua albanese, Koriliano Kalabro 1894 (Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe) dhe Pashko Vasa (1825-1892)Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent appendre cette langue sans l’aide d’un maître, 1887 (Gramatika e shqipes për ata që duan ta mësojnë këtë gjuhë pa mësues).

Gjuha letrare shqipe u zhvillua mbi bazën gjuhës popullore. Më 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Gjuha letrare flitet dhe shkruhet sipas rregullave dhe normave gramatikore.

FONETIKA

NDRYSHIMET FONETIKE TË TINGUJVE – Me kalimin e kohës, tingujt ndryshojnë. Ndryshime fonetike janë: asimilimi, qiellzorëzimi (palatalizimi), metafonia, apofonia, rotacizmi.

ASIMILIMI (PËRNGJASHMIMI) – Dy tinguj të ndryshëm pranë njëri-tjetrit bëhen të njëjtë: ndëgjoj-ddëgjoj-dëgjoj;

ELIZIONI – Rënia e zanores të pjesëzës apo të nyjave të së kur gjenden para trajtave të shkurtra i dhe u apo para pjesëzës u të formës joveprore të foljes si dhe rënia e zanores ë të trajtave të shkurtra më, të kur bashkohen me trajtën e shkurtër i dhe me pjesëzën u: t’i (të+i), t’u (të+u), m’i (më+i). Në të folur, elizion kemi edhe në rastet: n’arë, t’egra, n’ujë etj. Por duhen shkruar: në arë, të egra, në ujë etj.

APOSTROFI – Shënon rënien e ë-së fundore: m’i jep, t’i lexoj, t’i kthej etj.; M’u dha rasti, t’u dha; t’ia shpërblesh; t’i ndihmosh; t’i kuptojë, t’ju them; do t’u drejtohem; do t’ua them; për t’u edukuar; Porosinë e t’et (e babait) s’e harron kurrë. Kujtimin e s’ëmës (e nënës) e ruan si sytë. Apostrofi përdoret pas pjesëzës së mohimit s: S’mund t’ia fal vetes gabimin; përdoret edhe pas përemrit pyetës ç: S’e merr me mend ç’ndodhi këto ditë; s’më tregove, s’iu përgjigje, s’mungon kush, s’është punë; ç’bën, ç’e do, Ç’të mbjellësh, do korrësh.

Shënim: Përemri i pacaktuar çdo dhe përemri pyetës çfarë shkruhen pa apostrof sepse janë përngjitur: çdokush, çfarëdo, çdonjëri.

METAFONIA – Ndryshimi i zanores a e si dhe i e-së në i: dash-desh, kunat-kunetër, mëzat-mëzetër, natë-net, plak-pleq; dal-del, marr-merr etj. Ndërrimi i e-së në i: ti del- ju dilni, ti flet-ju flitni, ti vret-ju vritni, dilja, flitja, ngitja, vritja; breg-brigje, shteg-shtigje etj. Ndërrimi i o-së në e: unë njoh-ti njeh, unë shoh-ti sheh etj.

APOFONIA – Është ndryshim fonetik kur zanorja a dhe e (je) të kohës së tashme të disa foljeve, në të kryerën e thjeshtë kalojnë në o: dal-dola, marr-mora, bredh-brodha, dredh-drodha, hedh-hodha, heq-hoqa, çjerr-çora, djeg-dogja, mbjell-mbolla, nxjerr-nxora, sjell-solla, vjel-vola. Foljet që mbarojnë me –l, -ll dhe –rr, te të cilat a-ja apo e-ja e rrënjës kthehet në o, quhen folje apofonike. Këto folje, në trajtat e pashtjelluara (pjesore, përcjellore, paskajore dhe mohore) nuk e marrin ndajshtesën –ur, por marrin ë: dal-dola-dalë; marr-mora, marrë, mbjell-mbolla-mbjellë; duke dalë, duke marrë, duke mbjellë; për të dalë, për të marrë, për të mjelë; pa dalë, pa mjelë, pa marrë, pa mbjellë.

Edhe mbiemrat e formuar prej tyre përdoren pa -ur: i/e dalë, i/e marrë, i/e mbjellë.

Shënim: Foljet apofonike që në të tashmen mbarojnë me rr, në të kryerën e thjeshtë shkruhen me r: marr-mora, nxjerr-nxora, tjerr-tora, çjerr-çora etj. Foljet joapofonike e ruajnë rr-në: korr-korra, tkurr-tkurra etj.

QIELLZORËZIMI (PALATALIZIMI) – Kthimi i tingullit joqiellzor në tingull qiellzor: k dhe g kur gjenden para i-së dhe e-së kalojnë në q dhe gj: ka-qe, mik=miq, peshk-peshq, zog-zogj, burg-burgje, breg-brigje, murg-murgj, lëng-lëngje etj.; ndjek-ndjekim-ju ndiqni, ndiqja, pjek-pjekim-piqni, djeg-djegim-digjni etj. Qiellzorëzohet edhe ll-ja: buall-buaj, çakall-çakej, djall-djaj, grumbull-grumbuj, hamall-hamaj, kërcell-kërcej, portokall-portokaj, yll-yje, kungull-kunguj etj.

ROTACIZMI – Kalimi i n-së në të folmet toske, në pozicionin ndërmjet dy zanoreve, në r: huni-huri, kunora-kurora, vena-vera, peni-peri, druni-druri, freni-freri etj. Në formë të rotacizuar përdoren edhe fjalët: drapër, dhelpër, emër, femër etj.; ardhur, hapur, mbyllur etj. Ka mjaft në të cilat n-ja nuk është rotacizuar: puna, hëna, nëna etj.

METATEZA – Ka të bëjë me këmbimin e vendit të tingujve r, l, ll etj. të së njëjtës fjalë: leblebi-elbebi, lëshoj-shloj, bajrak-barjak, llagap-gallap, kthej-thkej etj.

RËNIA DHE SHTIMI I TINGUJVE Agimi-Gimi, Fatoni-Toni, Mehmet-Met, shtëllung-shllungë, shtëpi-shpi, erdhi-erdh, pati-pat, fjeti-fjet etj.

Për lehtëshqiptim, shtohen tingujt –j-, -h-, -v-. Për të eliminuar hiatin që shkaktohet nga bashkimi i dy zanoreve të njëpasnjëshme, shtohet një j: bela-belaja, kala-kalaja, ide-ideja, gjë-gjëja, byro-byroja; dele-delja, lule-lulja, nuse-nusja etj. Por, duhet shkruar: liria, shtëpia, rinia etj.; afroj-afrohem, bëj-bëhem, laj-lahem, mësoj-mësohem etj.; u afrova, u mendova etj.

NDARJA E FJALËVE NË RROKJE

Fjalët njërrokëshe nuk ndahen më dysh: ah, bujk, dash, kopsht, lëng, shkëmb, shkund, zmbraps etj.

Fjalët dyrrokëshe , trerrokëshe ose me më shumë rrokje ndahen kësisoj: bo-ta, do-ra, li-si, lu-le, mi-ku, po-pu-lli, xi-xë-llo-nja, ma-ga-zi-ni-mi,  etj.

Kur ndërmjet dy zanoreve gjenden d a më shumë bashkëtingëllore, ndarja bëhet kësisoj: korr-je, lodh-je, maj-tas, ndjek-je, i kë-tej-më, e ne-sër-mja, i brend-shëm, i dhemb-shëm, par-la-men-ti, e për-jav-shme, i flak-të.

Kur në mes zanoresh kemi togje të bashkëtingëllorevedr, dhr, fr, fsh, gl, krr, mb, nd, ng, sp, shk, sht, tr ndarja është e lirë: ko-dra, ose kod-ra, lo-dra ose lod-ra, hu-dhra ose hudh-ra, ka-fsha-ta ose kaf-sha-ta, ve-gla ose veg-la, i vo-gli ose i vog-li, ba-kri ose bak-ri, ko-krra ose kok-rra, kë-mba ose këm-ba, ve-ndi ose ven-di, kë-nga ose kën-ga, du-shku ose dush-ku, mu-shka ose mush-ka, po-sta ose pos-ta, ka-shta ose kash-ta, ku-shti ose kush-ti.

Togjet prej tri bashkëtingëlloreve mund të shkojnë me zanoren e dytë ode të ndahen kësisoj: the-mbra – them-bra – themb-ra, lu-ndra – lun-dra – lund-ra, qe-ndra – qen-dra – qend-ra, hë-ngra – hën-gra –  hëng-ra.

Fjalët dyrrokëshe te të cilat dy zanore vijnë njëra pas tjetrës, ndahen sikurse edhe bashkëtingëlloret: di-ell, mi-ell, blu-aj, ga-tu-aj, ku-adër, shkru-aj, ly-ej, thy-ej etj.

Togjet e zanoreve ue dhe ye mund të shkojnë edhe ne bashkëtingëlloren e parë: më-sue-si, tr-gue-si, i ar-sye-shëm, i shkël-qye-shëm, etj.

Fjalët e përbëra dhe të përngjitura si dhe fjalët e prejardhura ndahen në kufirin e pjesës përbërëse të tyre: mbi-shkrim, nën-shkrim, krye-tar, i pa-sjellshëm, mos-ardhje, i shum-anshëm, tre-këndësh etj.

Nuk ndahen fjalët si: ShBA, NATO, BE, OKB, UNESKO, FIFA, UEFA; shkurtesat: b. f. (bie fjala), d. v. (dora vetë), e. r. (era e re), p. sh. (për shembull); numrat me presje dhjetore: 3.70;

shkronjat e një dyshkronjëshi: mo-lla dhe jo mol-la, fu-sha jo fus-ha, bu-rri jo bur-ri, zo-nja jo zon-ja etj.

Një shkronjë e vetme nuk mund të qëndrojë as në fund të rreshtit, as në fillim të rreshtit të ri: ara jo a-ra, udha jo u-dha, ba-riu jo bari-u, nje-riu jo njeri-u), ba-bai jo baba-i, ri-nia jo rini-a etj.

Nuk ndahen në dy pjesë në fund të rreshtit fjalët që vihen në thonjëza a në kllapa: “Jehona” dhe jo “Je-hona” (revistë letrare).

Nuk ndahen fjalët që përbëhen prej një tingulli siç është pjesëza e mohimit s’ dhe përemri pyetës ç’: S’shkon, Ç’flet etj.

LEKSIKOLOGJIA E GJUHËS SHQIPE

SINONIMET – Fjalë të afërta apo të njëjta për nga kuptimi, por që shkruhen ndryshe: rrugë-udhë, krye-kokë, hap-çel, tavolinë-tryezë, shikoj-vështroj, vajzë-vashë, cucë, çikë, çupë, gocë, gjel-këndez, litar-konop-tërkuzë etj.

 

ANTONIMET – Fjalë me përbërje fonetike të ndryshme dhe me kuptim të kundërt: gëzim, hidhërim, dritë-errësirë, verë-dimër, rini-pleqëri, blej-shes etj.

HOMONIMET –  Fjalë me përbërje fonetike të njëjtë, por që ndryshojnë për nga theksi. P.sh. S’më gjumi. Gresa ka të bukur. Rina vesh rroba të bukura. Gresa ka vesh për muzikë. Verë (stinë e vitit) – verë (pije); bar (bimë) – bar (medikament); Gresa doli e para. – Rina ka shumë pará. Pres trenin. – Pres një palë tesha.

HUAZIMET NË GJUHËN SHQIPE – Huazime latine: kalë – caballus, këndoj – kantare, gjel – gallus, mjek – medikus, qen – kanis, kulm – culmen, qytet – civitas, mik –amicus, anmik – anemicus etj. Huazime greke: lakën, presh, qershi, trëndafil; Huazime serbe: kosë, kovaç, prag, strehë, zakon, prashit etj.; Huazime turke: bakllava, çardak, kallëp, kuti, oxhak, pambuk etj.; Fjalë nga frëngjishtja: dosje, kod, rajon, shef; Fjalë nga italishtja: bankë, kambial; Fjalë nga anglishtja: futboll, tenis, basketboll etj.

NDËRKOMBËTARIZMAT mekanikë, optikë, biologji, gramatikë, sintaksë, fizikë, gjeologji, gjeometri, kimi, traktor, automobil, aeroplan, agronomi etj.

ARKAIZMAT – Fjalë të vjetruara që janë përdorur në të kaluarën e që sot kanë dalë nga përdorimi: kut – metër, okë – kilogram, mokër, përderës (lypës) etj.

HISTORIZMAT – Fjalë që janë përdorur në një periudhë të caktuar: kobure, topuz, shishane (emra armësh), bej, pasha, kryeplak etj.

DIALEKTIZMAT DHE KRAHINORIZMAT – Fjalë që përdoren vetëm në një dialekt e që nuk janë bërë normë letrare quhen dialektizma. P.sh. fjalët e gegërishtes: korit (turpëroj), varrë – plagë, dollap – dritare, çikë – vajzë, qeramidhe – tjegull si dhe të toskërishtes: nakatos – përziej etj. Nëse këto fjalë përdoren në zona më të ngushta, atëherë quhen krahinorizma.

NEOLOGJIZMAT – Janë fjalë të reja që sapo kanë filluar të përdoren në gjuhën letrare. Për një kohë quhen neologjizma e pastaj bëhen si pjesë e fondit të fjalorit: bashkëjetesë, bashkëbisedim, drejtshkrim, drejtshqiptim. Me fjalë të reja janë zëvendësuar fjalët: koshient – ndërgjegjshëm, kualitet – cilësi, kuantitet – sasi, kualitativ – cilësor, kuantitativ – sasior, novitet – risi etj. Këtu bëjnë pjesë edhe fjalët: mbifitim, nënlëkurë, ujësjellës, përçues, mbikalim, naftësjellës etj.

PROFESIONALIZMAT – Fjalë që përdoren në një mjeshtri a veprimtari të caktuar: lesë, lesoj, umb (bujqësi); kuqal (kalë a cjap i kuq), laro (qen i larmë), syskë (dele a dhi me rrathë të zinj rreth syve), kërluk (shkop barinjsh); në gramatikë: emër, folje, kryefjalë etj.; në matematikë: zbritje, shumëzim, thyesë etj.; në gjeografi: gji, baticë etj.

NJËSITË FRAZEOLOGJIKE – Funksionin e një fjale e kryejnë dy a më shumë fjalë që përdoren si shprehje gjuhësore e që quhen frazeologjizma. Frazeologjizmat kanë kuptim të figurshëm: dhëmb për dhëmb, gacë e mbuluar, shkel e shko, flet e shflet (nuk e mban fjalën), e merr nëpër këmbë, çan dërrasa (flet kot); Edhe mishi të piqet edhe helli të mos digjet, U bë tym e flakë, E heq për hunde, I vari buzët, U bënë pikë e pesë, Iku nga shiu e ra në breshër etj.

LLOJET E FJALORËVE – Janë dy llojesh: fjalorë enciklopedikë dhe fjalorë gjuhësorë a linguistikë. Ka disa lloje fjalorësh gjuhësorë: fjalorë shpjegues; dygjuhësh; drejtshkrimor; frazeologjik;  sinonimik; i fjalëve të huaja; terminologjik; etimologjik; dialektor etj. Fjalori i parë etimologjik i gjuhës shqipe është ai i albanologut gjerman Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900), i botuar më 1891.

MORFOLOGJIA

FJALA DHE PJESËT E SA PËRBËRËSE – Fjala është njësia më e vogël e gjuhës. Fjala përbëhet prej rrënjës. Rrënjës mund t’i shtohen: parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa. Pjesët përbërëse të fjalës quhen morfema. Kemi morfema rrënjore dhe morfema ndajshtesore. Morfemë rrënjore është rrënja e fjalës: (përhap). Morfema ndajshtesore janë parashtesa, prapashtesa dhe mbaresa. P.sh.: nga rrënja dorë, me morfema ndajshtesore krijojmë fjalë të reja: dorë, dorezë, dorës, dorëz, dorëzim, dorëzoj, dorëzues, dorje, përdor, përdorak, përdorake, përdorëse, përdorim, përdoroj, i përdorshëm, përdorues, i përdorur, i papërdorur, i papërdorshëm, i dorëzuar. Në disa nga shembujt e sipërthënë kemi: nyjën, parashtesën, rrënjën, prapashtesën, mbaresën. P.sh. i për+dor+shëm.

TEMA E FJALËS – Parashtesa, rrënja dhe prapashtesa përbëjnë temën fjalës. Pra, tema është pjesa e fjalës që mbetet pasi të hiqen mbaresat dhe prapashtesat që shërbejnë për formimin e shumësit të emrave. Tema e emrit republika është republikë; tema e emrit vende është vend. Këto dy tema njëkohësisht janë edhe rrënjë të këtyre dy fjalëve. Te fjalët fshatari, punëtori tema janë pjesët fshatar, punëtor, ndërsa rrënjë është pjesa fshat, punë. P.sh. tema e fjalës: nën+shtet+as; Kur themi nënshtetas+i, i-ja është mbaresë e fjalës dhe ajo nuk bën pjesë në temën e fjalës. Tema e fjalës: pa+punë+si+a, tema është fjala papunësi, ndërsa a-ja është mbaresë e fjalës dhe ajo nuk bën pjesë në temën e fjalës. Te fjalët pa parashtesa dhe prapashtesa, tema përputhet me rrënjën e fjalës dhe quhet temë e parme: dash-i, shuk-u, lis-i, nip-i, mbyll etj. Te fjalët fshatar, qytetar tema nuk përputhet me rrënjën dhe ajo quhet temë jo e parme.

PARASHTESAT DHE PRAPASHTESAT – Parashtesat dhe prapashtesat shërbejnë për të formuar fjalë të reja.

MËNYRAT E FORMIMIT TË FJALËVE NË GJUHËN SHQIPE

Sipas përbërjes, fjalët ndahen në dy grupe: në fjalë të parme dhe në fjalë jo të parme.

Fjalë të parme: dorë, buzë, nip etj. Tema e këtyre fjalëve përbëhet prej rrënjës së fjalës. Fjalët jo të parme formohen me parashtesa dhe prapashtesa: nënshtroj, besim etj.

Fjalët jo të parme formohen: me anë të prejardhjes, paranyjëzimit, kompozimit, përngjitjes, konversionit si dhe me mënyra të përziera.

Fjalët mund të jenë: të prejardhura, të përbëra, të përngjitura.

Fjalët e prejardhura formohen: me parashtesa, me prapashtesa dhe me parashtesa e prapashtesa njëkohësisht.

Formimi i fjalëve me parashtesa: për-, pa-, mos-, nën-, mbi-, jo-, ndër-, stër- etj.: paaftësi, mosbesim, jokalimtar, përbuz, mbishkrim, nënçmoj, stërnip, rindërtoj etj.; bashkëpunoj, parandaloj, kundërvajtje, sipërfaqe, prapaskenë etj.; tingujt ç-, sh-, zh-, s-, z- : çliroj, shfaqje,  zhduk, skuqje, zbut etj. Kur tema e fjalës fillon me zanore apo me l, ll, m, nj, r, rr përdoret parashtesa ç; kur tema e fjalës fillon me f, k, p, q, t, th përdoret parashtesa sh. Parashtesa ish përdoret me vizë: ish-drejtori etj.

Formimi i fjalëve me prapashtesa: Numri i prapashtesave është rreth tri herë më e madhe se ai i parashtesave. Janë mbi 160 prapashtesa: -ar, -as, -atar, -e, -es, -eshë, -ë, -(ë)ri, -(ë)s, -(ë)si, -i, -im, -isht, -ishte, -je, -nik, -o, -ro, -so, -zo, -os, -to, -shëm, -të, -ues, -sh etj.: detar, gjilanas, mike, fejesë, pëllumbeshë, djalëri, blerës, drejtësi, bukuri, bashkim, lulishte etj.; burrëror, i artë, besnik, i hershëm, nderoj, kufizoj, vulos, lirisht, haptazi etj. Fjalë me dy prapashtesa: mend+im+tar etj. Shkruhen drejt: besë-besoj; mal-malësi; anë-anëtar; famë-i famshëm-e famshme etj.

Formimi i fjalëve me parashtesa dhe prapashtesa njëkohësisht – +sy+sh, për+fund+o+j, s+kuq+je, z+but+je, nën+det+ëse, i pa+kufi+shëm etj.

PARANYJËZIMI – Një numër fjalësh të reja formohen edhe me anë të nyjës së përparme: gëzoj –  gëzuar – i gëzuar; laj – larë – i larë; flas – folur – të folurit  etj.

FJALËT E PËRBËRA (KOMPOZITAT) – Me bashkimin e dy a më shumë temave krijohet një fjalë e përbërë: Bashkimi i dy emrave: ditëlindje; i një emri me një mbiemër: belhollë; i një ndajfoljeje me një emër: mirënjohës; i një numërori me një emër: dyanshëm; i një përemri me një emër: vetëdije; i një ndajfoljeje me një folje: mirëmbaj; i një emri me një folje: buzëqesh.

Kompozita këpujore: juglindje, hyrje-dalje; at+dhe+dashuri = atdhedashuri etj.

Kompozitat përcaktore: bukëpjekës, kryeqytet; bregdet, fatkeq etj.

Shkruhen drejt: vajtje-ardhje, post-telegraf-telefon, tekniko-shkencor, ngarkim-shkarkim, qytet-hero, por duhet shkruar: verilindje, shitblerje etj.

FJALËT E PËRNGJITURA – Formohen me përngjitjen e dy a më shumë fjalëve që dikur janë përdorur si togfjalësh. P.sh. atë herë = atëherë, se pse = sepse, mirë dita = mirëdita; farefis, ndokush, dikush, secili, gjithnjë, nëse, sesa, ngaqë, pothuajse, dyqind, përmbi etj.

FORMIMI I FJALËVE ME KONVERSION – Kalimi i një fjale prej një pjese të ligjëratës në një pjesë tjetër. Kësisoj formohen emra prej mbiemrave (emërzim): i ligu, e mira, e bukura etj.; si dhe mbiemra prej emrave (mbiemërzim): fshatar-popullsi fshatare, trim-ushtar trim. Kështu formohen edhe shumë pjesë të pandryshueshme të ligjëratës. Shndërrimi i fjalëve në ndajfolje (ndajfoljezim): bindshëm, rrjedhshëm etj. Ka ndajfolje dhe emra që përdoren si parafjalë (parafjalëzimi): afër shkollës, para shtëpisë etj. Në këtë rast, fjalët afër, para shërbejnë si parafjalë.

*   *   *

PJESËT E LIGJËRATËS

– të ndryshueshme: emri, mbiemri, përemri, nyja e përparme (lakohen) dhe folja (zgjedhohet); –   – të pandryshueshme: ndajfolja, parafjala, lidhëza, pjesëza dhe pasthirrma.

EMRAT – Përbëjnë pjesën më të madhe të fondit leksikor. I kanë këto kategori gramatikore: gjininë, numrin, rasën, mund të jenë në trajtë shquar dhe në trajtë të pashquar.

Gjinia e emrave – Gjinia mashkullore, femërore dhe asnjanëse.

Emrat e gjinisë mashkullore: në trajtën e shquar njëjës në rasën emërore marrin mbaresën –i ose –u: mal-i. Mbaresën u e marrin emrat që mbarojnë me –k, -g, -h: mjek-u, breg-u, ah-u;

Mbaresën –i e marrin edhe emrat që mbarojnë me zanore: ai-u, bari-u, ka-u dhe-u, atdhe-u, mi-u; por edhe emrat si: baba-i, vëlla-i, xhaxha-i etj.

Disa emra, para mbaresës i, marrin një –r-: dre-ri, bri-ri, hi-ri, kufi-ri, mulli-ri, ulli-ri, fre-ri etj.

Emrat njërrokësh të mashkullores që mbarojnë me –a, marrin –u: ka-u, va-u;

Emrat dyrrokësh marrin mbaresën –i: baba-i, xhaxha-i etj.

Emrat e mashkullores në trajtën e pashquar dalin me –ë si: ballë, burrë-balli, djalë-djali, grurë-gruri, gjalpë-gjalpi, mjaltë-mjalti, gjumë-gjumi, ujë-uji, dhjamë-dhjami;

Disa dalin me togun ua, si: dragua-dragoi, ftua-ftoi, krua-kroi, përrua-përroi, thua-thoi;

Me –ë mbarojnë edhe emrat, si: bacë, lalë, gegë, toskë, dajë, Kolë, Lekë. Këta emra në trajtën e shquar marrin mbaresën –a. Shkruhet drejt: Leka i Madh, daja im etj.

Disa emra të përveçëm të mashkullores që dalin me –o, në të shquarën marrin mbaresën –a dhe një –j kundër hiatit. Bajo – Bajoja, Koço – Koçoja, Safo – Safoja.

 

Gjinia femërore – Pjesa më e madhe e emrave të femërores, në rasën emërore të pashquar mbarojnë:

– me –ë si: dorë-a, bletë-a, fushë-a etj.;

– me –e dhe –o, si: dele, lul-e, fij-e etj.; pak-o, radi–o etj.;

– me –a, -e, -i: kala, bakllava; rrufe, rrëke; liri, qershi, rini;

– me togjet –ël, -ër,-ull, -ur: pupël, dhelpër, mjegull, flutur etj.

Te disa emra gjinia dallohet në bazë të prapashtesave –e, -eshë, -ë, -ushë: gjysh-gjyshe; drejtor-drejtoreshë, plak-plakë, ari-arushë.

Shkruhen drejt: lëmi, mjalti, sezoni, programi, nderi, grupi etj. Thuhet: Ju falemnderit (dhe jo: Ju falemnderës); kolla, sindikata, orkestra etj.; bukël-bukla, cikël-cikli, kokërr-kokrra, ëndërr-ëndrra etj.; rrëke-rrëkeja, byro-byroja, gjë-gjëja, bela-belaja etj.; lule-lulja, por shkruhet drejt: i një luleje, prej një luleje.

Gjinia asnjanëse – Dalin me mbaresat –t, -it, -të. P.sh. kryet, të folurit, të zi;

Ndërrimi i gjinisë së disa emrave në shumës – Emrat që shumësin e formojnë me prapashtesën –e dhe –ra, në shumës përdoren si emra të gjinisë femërore: pallat i bukur-pallate të bukura, qytet i madh-qytete të mëdha, stacion i ri-stacione të reja, mal i lartë-male të larta etj.; mall i lirë-mallra të lira, ujë mineral-ujëra minerale, fshat i largët-fshatra të largëta, djathë i mirë-djathëra të mira etj.

Shënim: Gjininë në shumës e ndërrojnë vetëm emrat që emërtojnë sende a dukuri që kanë kuptim abstrakt.

Numri i emrave – Numri njëjës dhe numri shumës. Emrat e përveçëm nuk përdoren në shumës: Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Ismail Kadareja, Eqrem Çabeji, Lasgush Poradeci, Adem Jashari, Adriatiku, Tirana, Gresa etj.

njëjës përdoren edhe do emra abstraktë: frikë, drejtësi, pleqëri, liri, lumturi etj.; po ashtu edhe emrat që nuk numërohen por peshohen: sheqer, gjalpë, vaj, oriz, grurë, miell, hekur, misër, kripë etj.

Emrat përmbledhës (kolektivë) tregojnë shumësi: rinia, graria, njerëzia, bota etj.

Formimi i shumësit të emrave të gjinisë mashkullore

  1. – me prapashtesa: -a, -e, -ë, -nj, -ër, -enj, -inj, -ra;

– Me prapashtesën a e formojnë shumësin emrat që mbarojnë me: -an, -ec, -ër, -il, -on, -rr(ë): P.sh.: mana, por filxhanë, aeroplanë; speca, por guralecë; emër-emra, libër-libra; karafila, fitila, bilbila; magnetofona, telefona, por kamionë, vagonë; burra, morra; çuna, djepa, lapsa, lisa;

– Me prapashtesën –e; e formojnë shumësin emrat që mbarojnë me: -im, -al, -el, -es, -et, -ion, -um, -ant, -at, -nd, -nt: ndërtim+e; kanal+e, por gjeneral+ë; duel+e, tunel+e, por gjel-gjela, kriminel-kriminelë; eksces+e, proces+e; qytet+e; shtete, dete; komision+e, stacion+e; album+e, forum+e, restorant+e, variant+e; referat+e, kombinat+e; katund+e, vend+e; dokument+e, monument+e, por duhet shkruar: agjentë, asistentë, klientë, studentë etj.

Me prapashtesën e shumësin e formojnë edhe shumë emra të tjerë, si: ballkone, elektrone, sallone, plazhe etj.

– Me prapashtesën ë e formojnë shumësin emrat që mbarojnë me: –an, -ar, -tar, -er, -ist, -or, -tor: luanë, historianë; detarë, fshatarë; luftëtarë, guximtarë; fenerë, shoferë; aktivistë, artistë; banorë, dëshmorë; fajtorë, punëtorë, por korre, korridore.

Shumësi me prapashtesën –nj: barinj, kunj, ullinj, kallinj; por emri kufi në shumës është kufij;

Emrat: lëmë, lumë, përrua shumësin e bëjnë me –enj: lëmenj, lumenj, përrenj;

Emrat: drapër, gjarpër, shkëmb, shkop në shumës marrin –inj: drapinj (dhe drapërinj), gjarpinj (dhe gjarpërinj), shkopinj, shkëmbinj;

Emrat ftua, potkua (potkoi), thua në shumës bëjnë ftonj, potkonj, thonj;

Në trajtën e shquar shumës, këta emra marrin ë: barinjtë, hunjtë, lumenjtë, drapinjtë, thonjtë etj.

– Formimi i shumësit me prapashtesën –ër: mbretër, prindër, princër (por edhe princa), kecër (edhe keca). Emri prift në shumës bën priftërinj.

Emrat që tregojnë lëndë e që nuk numërohen, por peshohen, në ca raste përdoren edhe në shumës: djathëra, drithëra, miellra etj.

  1. Emrat që mbarojnë me -g, -k, -ll, -r në shumës dalin si: zog-zogj, mik-miq, kungull-kunguj, lepur-lepuj;

– Me ndërrimin e a-së në e (metafonia): dash-desh, mëzat-mëzetër, plak-pleq, ka-qe.

III. Disa emra krahas ndërrimit të tingujve të temës, marrin edhe prapashtesën –e, -ë, -ër: breg-brigje, shtratshtretër, rreth-rrathë, thes-thasë, njeri-njerëz;

  1. Emrat e mashkullores që mbarojnë me –as, ës, -ues, -yes në shumës përdoren si në njëjës: një gostivarasdy gostivaras, një nxënësdy nxënës, një përkthyesdy përkthyes.

Shumësi i emrave të gjinisë femërore

Emrat e femërores shumësin e formojnë me prapashtesën a. Këta emra mbarojnë me –ël, -ër, -ëz, -ull dhe –ur: P. sh. bukël-bukla, hudhër-hudhra, molëz-mollëza, petull-petulla, flutur-flutura. Shumësi i emrit gjë bën gjëra.

Prapashtesën a në shumës e marrin edhe emrat që në trajtën e pashquar dalin me –ë: arë-a, arkë-a, ferrë-a, grykë-a, hallë-a etj.

Disa emra të femërores në shumës dalin si në njëjës: një dele–dy dele, një lule-dy lule; një shtëpi-dy shtëpi, një kala-dy kala etj.

Disa emra të femërores që mbarojnë me ë në shumës dalin si në njëjës: një ditë-dy ditë, një fletë-dy fletë, një mollë-dy mollë, një lugë-dy lugë etj.

Emrat derë, dorë në shumës bëjnë duar, dyer. Natë në shumës bën net. Grua në shumës bën gra.

Disa emra përdoren vetëm në shumës: gërshërë, syze, pantallona, tirq, brekë, dimi, dujq si dhe krunde, makarona, të holla, të fala, të lashta etj.

Në shumës përdoren edhe emrat e përveçëm gjeografikë: Alpet, Andet, Karpatet.

Kategoria gramatikore e rasës – Emri ka pesë rasa: emërore, gjinore, dhanore, kallëzore dhe rrjedhore.

Në rasën dhanore emrat shërbejnë si kundrinë e zhdrejtë.

Në kallëzore, emrat kur janë pa parafjalë,  shërbejnë si kundrinë e drejtë, si kallëzues dhe si rrethanor kohe.

Me rrjedhoren përdoren parafjalët: prej, ndaj; parafjalët ndajfoljore: brenda, drejtë, gjatë, jashtë, këndej, matanë, andej, para, prapa, pas; parafjalët emërore:  buzë, rreth, rrëzë.

Rasat i gjejmë në bazë të pyetjeve. Emërorja: kush (për njerëz), cili, cila, cilët, cilat për njerëz, kafshë a sende; gjinorja: i kujt, i cilit, i cilës; dhanorja: kujt, cilit, cilës; kallëzorja: kë, cilin, cilën; rrjedhorja: prej kujt, prej cilit, prej cilës, prej cilëve, prej cilave.

Lakimi i emrave – Emrat e gjuhës shqipe klasifikohen në katër lakime.

Lakimi i parë – emrat e mashkullores që në emërore marrin mbaresën –i: lis-i;

Lakimi i dytë – emrat e mashkullores që mbarojnë me –k, -g, -h si dhe me zanore. Këta emra në trajtën e shquar në emërore njëjës marrin mbaresën –u: mik-u, zog-u, krah-u, ka-u, dhe-u, bari-u.

Lakimi i tretë – emrat femërores që në emëroren e shquar marrin mbaresën –a ose –ja: fushë-fusha, kumbull-a; lule-lul-ja, kala-ja etj.

Lakimi i katërt – emrat e gjinisë asnjanëse që në emëroren e shquar marrin mbaresën –t, -të, -it. P.sh. të ftohtë-t, të zi-, të ecur-it.

Emrat mashkullorë: dajë, lalë, Lekë, Kolë, gegë etj. përfshihen në lakimin e tretë, ndërsa emrat e përveçëm të gjinisë femërore Fitnet, Nermin etj. lakohen sipas lakimit të parë. Por, përcaktorët e këtyre emrave përshtaten sipas gjinisë natyrore: daja im, Fitneti është e urtë dhe e sjellshme.

Lakimi i katërt (emrat e gjinisë asnjanëse)

Trajta e pashquar: një të folur, i një të folur-i, një të folur-i, një të folur, një të folur-i; Trajta e shquar: të folur-it, i të folur-it, të folur-it, të folur-in, të folur-it; Trajta e pashquar: një të ftohtë, i një të ftoht-i, një të ftoht-i, një të ftohtë, një të ftoht-i; Trajta e shquar: të ftohtët, i të ftoht-it, të ftoht-it, të ftohtë-t, të ftoht-it.

Shkruhen drejt: babanë, fukaranë, Isanë, por duhet shkruar budallain, vëllain, xhaxhain etj.; reja, resë, renë; kalaja, kalasë, kalanë; liria, lirisë, lirinë etj.; i detarëve, i shokëve etj.;  i fletëve etj.; kalatë, shtëpitë, barinjtë, kallinjtë, kushërinjtë, penjtë, qirinjtë, shkopinjtë etej.; lëmenjtë, lumenjtë, ftonjtë, përrenjtë, thonjtë, qetë, miqtë, fiqtë, dhentë, qentë, etj.; i barinjve, i kushërinjve, i lumenjve, i ftonjve, i zogjve; i një anijeje, i një çështjeje, i një familjeje, etj.

NYJAT – Nyjat –i dhe –u (për mashkulloren), -a (për femëroren0 dhe –t(ë) (për gjininë asnjanëse) janë shndërruar në mbaresa. Nyja të përparme janë fjalëzat: i, e, të, së. Përdoren para mbiemrave, emrave dhe disa përemrave.

Pjesë e shumë mbiemrave: i/e aftë, i/e mirë, i/e shpejtë etj.;

Pjesë e numërorëve rreshtorë: i/e parë, i/e tretë, i/e dhjetë etj.;

Pjesë e rasës gjinore: shkolla e fshatit, libri i shoqes etj.

Pjesë e disa përemrave: lapsi i tij, bileta e saj, topi i tyre, testet e tyre, shokët e mi, shoqet e mia etj.;

Pjesë e disa emrave: ecurit, folurit, e qeshua etj.

Pjesë e emrave të ditëve: e hënë, e martë etj.

Pjesë e emrave që tregojnë lidhje familjare: i ati, e ëma, i vëllai, e motra etj.

Para numërorëve themelorë (të mirëfilltë): dy, tre, katër etj.

Nyjat e përparme kanë gjini, numër dhe rasë. Shembuj të gjinisë së nyjës: rrush i ëmbël – fjalë e ëmbël, djalë  i sjellshëm – vashë  e sjellshme; lapsi i Gresës – çanta e Rinës.

Lakimi i nyjave: numri njëjës, trajta e pashquar, gjinia mashkullore: një djalë i zellshëm, i/e një djali zellshëm, një djali zellshëm, prej një djali zellshëm;

Numri njëjës, trajta e shquar, gjinia mashkullore: djali i zellshëm, i/e djalit zellshëm, djalit zellshëm, djalin e zellshëm, prej djalit zellshëm;

Njëjës, trajta e pashquar, gjinia femërore: një vashë e zgjuar, i/e një vashe zgjuar, një vashe zgjuar, një vashë zgjuar, prej një vashe zgjuar;

Njëjës, trajta e shquar, gjinia femërore: vasha e zgjuar, i/e vashës zgjuar, vashës zgjuar, vashën e zgjuar, prej vashës zgjuar.

Shkruhet drejt: parashikimi i ardhmes, kujtimet e kaluarës etj.

Përdorimi i nyjës : P.sh. përmirësimi i racës deles malësisë, i/e përmirësimit të racës deles malësisë etj.

Shkruhen drejtë: Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë (dhe jo: Shqipërisë); Akademia e Shkencave e Shqipërisë (dhe jo Shqipërisë), rendi i ditës i mbledhjes (dhe jo: mbledhjes).

Shkruhet drejtë: Hartimi i nxënëses të së tetës.

MBIEMRAT – Emërtojnë një tipar të sendit. Gjithmonë përdoren pranë ndonjë emri. Ndahen në: mbiemra cilësorë dhe në mbiemra marrëdhëniorë.

Mbiemra cilësorë: i butë, i njomë, e lumtur, derë e hekurt, dita e djeshme, gazetë e sotme, bukë e grunjtë;

Mbiemra marrëdhëniorë – bukuria natyrore, ndërtesa shkollore, gjuha amtare. Por, kur themi: bukuria e natyrës, ndërtesa e shkollës fjalët e natyrës, e shkollës analizohen si emra dhe jo si mbiemra.

Sipas veçorive morfologjike, mbiemrat klasifikohen në dy grupe: në mbiemra të nyjshëm dhe në mbiemra të panyjshëm. Mbiemra të nyjshëm: i bardhë, e kuqe, i sjellshëm etj. Mbiemra të panyjshëm (nuk kanë nyjë përpara): shok besnik, popull heroik, rini guximtare, grua bujare  etj.

Gjinia e mbiemrave – Mbiemrat kanë gjininë mashkullore dhe gjininë femërore: burrë fisnik – grua fisnike,  djalë i zgjuar – vashë e zgjuar.

Formimi i gjinisë femërore të mbiemrave i shpejtë – e shpejtë; i stolisur – e stolisur; i artë – e artë;

Duke ia shtuar trajtës femërore prapashtesën e: i keq – e keqe; i sotëm – e sotme, i vetëm – e vetme; i ri – e re, i lig – e ligë; i zie zezë.

Gjinia e mbiemrave të panyjshëm: gjest burrëror, luftë burrërore; vend malor – klimë malore.

Disa mbiemra përdore njësoj në të dyja gjinitë: program afatgjatë – hua afatgjatë, plak shpirtmirë – plakë shpirtmirë.

Faqekuq – faqekuqe, syzi – syzezë.

Numri i mbiemrave të gjinisë mashkullore: i butë – butë, i lartë – lartë; i madh – të mëdhenj, i ri – të rinj, i zi – të zinj, i vogël – të vegjël.

Shumësi i mbiemrave të nyjshëm: shok besnik –shokë besnikë, njeri përparimtar – njerëz përparimtarë etj. Por, djalë trim – djem trima.

Disa mbiemra edhe në shumës përdoren si në njëjës: njeri liridashësnjerëz liridashës.

Formimi i shumësit me prapashtesën –nj: inatçinj, qejflinj, meraklinj etj. (fjalë me prejardhje turke).

Ujk gjakpirës-ujq gjakpirës, fshatar shpirtmadh- fshatarë shpirtmëdhenj, burrë vetullzi -burra vetullzinj, nëpunës shpirtvogël -nëpunës shpirtvegjël.

Shumësi i mbiemrave të gjinisë femërore  Nyja i shndërrohet në . P.sh. mollë e kuqe – molla kuqe; por, thuhet: punë e keqe – punë të këqija, ndërtesë e madhendërtesa të mëdha, grua e ve – gra të veja;

Shndërrimi i e-së në , mbiemrit i shtohet në fund mbaresa a: P.sh. dele e butë dele të buta, arë e gjatë ara të gjata; e edukuar – të edukuara, e zgjedhur – të zgjedhura etj.

Shumë mbiemra të panyjshëm shumësin e formojnë pa e ndryshuar trajtën e njëjësit: një shoqe besnike – ca shoqe besnike, një vajzë malësoreca vajza malësore;

Disa mbiemra të panyjshëm shumësin e formojnë duke marrë mbaresën a: një vajzë zemërbardhë – ca vajza zemërbardha, një hua afatgjatë – ca hua afatgjata, grua syshkruar – gra syshkruara.

Shkallët e mbiemrave – shkalla pohore: i ëmbël; shkalla krahasore: më i ëmbël; dhe shkalla sipërore: shumë i ëmbël.

NUMËRORËT  – Ndahen në numërorë themelorë (të mirëfilltë), rreshtorë dhe thyesorë.

Numërorët themelorë (të mirëfilltë): një, dy, tre, katër etj. P.sh. dy lule, tri çupa, tetë djem etj. Numërori tre përdoret edhe në gjininë femërore. P.sh. tri vajza. Tridhjetë, tridhjetë e dy etj. dyja, tria, katra, pesa etj.

Numërorët prej një deri në dhjetë janë fjalë të parme; prej 11 deri në 19 janë fjalë të përngjitura; numërorët njëzet, tridhjetë, dyzet, pesëdhjetë, njëqind, dyqind etj. janë fjalë të përbëra. Disa numërorë shkruhen në formë lokucionesh: njëzet e një, tridhjetë e nëntë, njëqind e katër, pesëqind e gjashtë etj.

Numërorët rreshtorë i/e parë, i/e dytë, i/e tretë, i/e njëzet e katërt etj. Shkruhen: i/e njëzetenjëtë, i/e tridhjetenjëtë, i/e dyzetenjëtë, i/e dyqindegjashtëdhjetekatërt, i njëmiliontë etj.

Numërorët thyesorë një e katërta, një të pestat, tetë të qindtat etj. Përdoren vetëm në gjininë femërore dhe lakohen, por vetëm në tratën e shquar.

PËREMRAT – Janë fjalë që përdoren në vend të një emri, mbiemri a numërori. Ndahen në:

Përemra vetorë: unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato;

Përemra vetvetorë: vete, vetë, vetja, vetvetja;

Përemra dëftorë: ky, kjo, ai, ajo, i këtillë, i atillë;

Përemra pronorë: imi, yti, i tij, yni, juaji, i tyre;

Përemra pyetës: kush, cili, cila, cilët, cilat, çfarë, çka, ç’, sa, i sati, e sata (E sata doli Gresa në gara),  me se, për se, nga se;

Përemra lidhorë: që, i cili, e cila, të cilët, të cilat. Ky është nxënësi zuri vendin e parë. Ky është nxënësi i cili zuri vendin e parë.

Përemrat e pacaktuar: kush, dikush, çdokush, gjithkush, ndokush, tërë, sekush, secili asgjë, cilido, diçka et.

1.Lakimi i përemrave vetorë njëjës: unë, – , mua më, mua më, meje; ti, –  ty të, ty të, teje; ai, i/e atij, atij i, atë e, atij; ajo, i/e asaj, asaj i, atë e, asaj; shumës: ne, – , neve na, ne na, nesh; ju, -, juve ju, ju ju, jush; ata, i/e atyre, atyre z, ata i, atyre; ato, i/e atyre, atyre u, ato i, atyre.

  1. Lakimi i përemrave dëftorë ky, i këtij, këtij, këtë, këtij; kjo, i kësaj, kësaj, këtë, kësaj; këta, i këtyre, këtyre, këta, këtyre; këto, i këtyre, këtyre, këto, këtyre.
  2. Lakimi i përemrave pronorë – libri im, i/e librit tim, librit tim, librin tim, prej librit tim; libri ynë, i/e librit tonë, librit tonë, librin tonë, prej librit tonë; goma ime, i/e gomës sime, gomës sime, gomën time, prej gomës sime; goma jonë, i/e gomës sonë, gomës sonë, gomën tonë, prej gomës sonë;

imi, i/e timit, timit, timin, timit; imja, i/e simes, simes, timen, simes; yni, i/e tonit, tonit, tonin, tonit; jona, i/e sonës, sonës, tonën, sonës.

Përemrat pronorë – kur përdoren me emra  – libri im, goma ime, librat e mi, gomat e mia, libri yt, goma jote, librat e tu, gomat e tua; libri ynë, goma jonë, librat tanë, gomat tona, libri juaj, goma juaj, librat tuaj, gomat tuaja; libri i tij, i saj, i tyre, libri  i vet; goma e tij, e saj, e tyre; goma e vet; librat e tij, e saj, e tyre; e vet; gomat e veta;

Përemrat pronorë – kur përdoren pa emra – imi, imja, të mitë, të miat, yni,  jona, tanët, tonat; yti, jotja, të tutë, të tuat; juaji, juaja, tuajt, tuajat.

 i tij, i saj, i tyre; i veti; e tija, e saja, e tyrja; e veta; të tijtë, të sajtë, të tyret; të vetët; të tijat, të sajat, të tyret; të vetat.

Trajtat e shkurtra ma, ta, ia, na e, jua, ua, m’i, t’i, ia, na i, jua, ua. Shembuj: Ma dha librin. Ta dha lulen. Ia dha biletën. Na e dha letrën. Jua dha topin. Ua dha lapsat. M’i dha çelësat. T’i dha tekstet, Ia dha teshat. Na i dha rrobat. Jua dha rezultatet. Ua dha informatat.

Më+u = m’u (M’u dha rasti); të+u = t’u (T’u dha rasti); I+u = iu (Iu dha rasti); u+u = iu (Atyre Iu dha rast); Të+i = t’i; të+e = ta; të + ju = t’ju. P.sh. Do t’ju tregoj diçka (juve). Do t’u tregoj diçka (atyre).

Ju lutem juve dhe jo U lutem juve. (Trajta u përdoret për vetën e tretë shumës).

Trajtat e shkurtra mund të përdoren edhe para foljes, por edhe pas foljes. P.sh. trego kur niset treni. Trego kur niset treni. Ma jep librin, por edhe jepma librin. I thuaj të vijë, por edhe thuaji të vijë.

FOLJA – Tregon një veprim që e kryen apo që e pëson kryefjala.

Klasifikimi i foljeve – Folje ndihmëse; folje gjysmëndihmëse; dhe folje të mëvetësishme.

1.Foljet ndihmëse: jam dhe kam.

  1. Foljet gjysmëndihmëse: a) jam, p.sh. Puna është nder. b) mund, duhet (lypset). P.sh. Mund të nisemi. Çdo ditë duhet t’i kryejmë detyrat. c) filloj, nis, zë, vazhdoj, vijoj, mbaroj, pushoj, do. Filloi të ecte. Zuri të vraponte. Mbaroi së foluri. Ara do punuar. Arat duan punuar. Shkruhet drejt: Nuk duhet harruar vendlindja dhe jo Nuk duhet harruar vendlindjen.
  2. Foljet e zakonshme (të mëvetësishme) e kryejnë vetë punën e kallëzuesit. P.sh. Fol pak e dëgjo shumë.

FOLJET KALIMTARE DHE JOKALIMTARE

Foljet kalimtare: Te foljet e këtilla veprimi kalon mbi një person a send në rasën kallëzore që në sintaksë quhet kundrinë. P.sh. Koha e mëson njeriun. Kalimtare janë edhe foljet pas të cilave nuk kemi kundrinë të drejtë. P.sh. Ariani lexon dhe pajiset me dituri.

Foljet jokalimtare – Te këto folje veprimi nuk bie mbi ndonjë person a send, por mbetet tek ai që e kryen. D.m.th. këto folje nuk kanë kundrinë. Këto folje tregojnë një gjendje ose lëvizje. P.sh. Pas çdo pune duhet të pushojmë. Janë do folje që tregojnë një veprim që bie mbi një person a send që nuk është në rasën kallëzore, por në rasën dhanore. P.sh. U foli shokëve.

Ka folje që herë janë kalimtare e herë jokalimtare.

KATEGORITË GRAMATIKORE TË FOLJEVEFoljet e kanë kategorinë gramatikore të vetës, të numrit, të diatezës, të mënyrës dhe të kohës.

Kategoria e vetës – Foljet përdoren në vetën e parë, të dytë dhe të tretë. Ka folje që përdoren vetëm në vetën e tretë. Këto quhen folje njëvetore. P.sh. hingëllin, pëllet, mjaullin, bie (shi), gjelbëron (fusha), fryn (erë), gjëmon (deti). Kemi edhe folje që s’mund të kenë kryefjalë e që quhen folje pavetore. P.sh. Agon. Ngryset. Veson. Vetëtin. Bën ftohtë etj.

Kategoria e numrit – Foljet përdoren në njëjës dhe në shumës.

Diateza e foljes – Foljet mund të përdoren në tri diateza: në diatezën veprore, pësore dhe vetvetore. Shembull i diatezës veprore: Gresa e ujit kopshtin. Shembull i diatezës pësore: Kopshti ujitet çdo ditë. Shembull i diatezës vetvetore: Në mëngjes lahemi dhe vishemi.

Folje vetvetore janë edhe: kthehem, mendohem, skuqem etj.

Kategoria e mënyrës – Janë gjashtë mënyra: dëftore, lidhore, habitore, dëshirore, kushtore, urdhërore. Foljet përdoren edhe forma pashtjelluara: pjesore (mësuar), përcjellore (duke mësuar), paskajore (për të mësuar), mohore (pa mësuar).

Kategoria e kohës – Janë tri kohë themelore të foljes: e tashme, e shkuar (e pakryer, e kryer e thjeshtë, e kryer, më se e kryer, e kryer e tejshkuar),  e ardhme (e ardhme e tashme, e ardhme e përparme, e ardhmja e së shkuarës).

Zgjedhimi i foljeve – Foljet ndahen në tri zgjedhime: në zgjedhimin e parë: laj, luaj, bëj; në zgjedhimin e dytë: shkel, tremb, korr; zgjedhin e tretë: di, pi, fle, vë, zë.

Foljet e parregullta – Këto folje në të kryerën e thjeshtë dhe në format e pashtjelluara e ndryshojnë rrënjën: jam – qeshë – qenë; jap – dhashë – dhënë; ha – hëngra – ngrënë.

NDAJFOLJET – Përdoren pranë foljes. Ka raste kur përdoren edhe pranë mbiemrit, emrit foljor dhe ndonjë ndajfoljeje tjetër. Ndahen në: ndajfolje mënyre, kohe, vendi, shkaku, dhe sasie.

Ndajfoljet e mënyrës – Tregojnë mënyrën e zhvillimit të veprimit: bukur, mirë, shpejt etj. Formohen me parashtesën –as (haptas), -(i)sht (heroikisht), -shëm (rrjedhshëm), -thi (kalimthi) etj. Ndajfolje mënyre janë edhe lokucionet valë-valë, palë-palë etj. U përgjigjen pyetjeve: Si? Qysh? Në ç’mënyrë?

Ndajfoljet e kohës – Tregojnë kohën kur kryhet një veprim: sot, sonte, nesër, dje, tani, dikur etj. Ndajfolje kohe janë lokucionet ditë për ditë, herë pas here, kohë pas kohe etj. U përgjigjen pyetjeve: Kur? Prej kur? Deri kur?

Ndajfoljet e vendit – Tregojnë vendin ku kryhet një veprim: këtu, lart, brenda, afër, larg, matanë etj. Ndajfoljet: andej, këndej, afër, larg, jashtë, brenda, matanë, para, pas, larg etj. Kur përdoren para emrave – janë parafjalë. P.sh. Shkolla nuk është larg. (ndajfolje); Larg syve, larg zemrës. (parafjalë).

Ndajfoljet e sasisë – Tregojnë sasi gjërash a veprimesh: aq, kaq, mjaft, shumë, pak, dyfish etj. Fjalët shumë, pak, aq, kaq, mjaft janë edhe përemra të pacaktuar. Janë ndajfolje kur përdoren pranë foljeve, mbiemrave dhe ndajfoljeve. P. sh. Gresa mëson shumë. (ndajfolje); Shumë erdhën e pak mbetën. (përemra).

Shkallët e ndajfoljeve – Përdoren në tri shkallë krahasimi. P. sh.: bukur, më bukur, shumë bukur. Ndajfoljet barkas, fluturimthi, atje, këtu etj. nuk kanë shkallë krahasimi.

PARAFJALËT – Vihen para emrave, përemrave, numërorëve. Përdoren në rasa. Me emëroren përdoren parafjalët te, tek, nga. Me gjinoren përdoren shprehjet parafjalore: në saje të, në bazë të etj. Me kallëzoren përdoren parafjalët: me, mbi, në, nën, ndër, nëpër, për, përmbi, pa. Me rrjedhoren përdoren parafjalët: prej, ndaj, afër, larg, gjatë, andej, këndej, para, pas, brenda etj. Me rrjedhoren përdoren si parafjalë edhe emrat: buzë, rreth, rrëzë anës. Me përjashtim të parafjalëve te e nga dhe të emrave buzë, rreth, rrëzë, e anës dhe parafjalëve prej dhe ndaj, të gjitha fjalët e tjera janë edhe ndajfolje.

Parafjalët janë parme (me, te, në, mbi, pa, për etj.); të përngjitura (nëpër, përmbi, përmes, nëpërmjet) dhe shprehje parafjalore (gjer te, gjer në, për në, në bazë të etj.).

LIDHËZAT – Lidhin dy fjali apo dy gjymtyrë të një fjalie. Lidhëzat bashkërenditëse dhe lidhëzat nënrenditëse.

Lidhëzat bashkërenditëse janë: këpujore (shtuese): e, dhe, edhe, as…as, jo vetëm që…por edhe; veçuese: a, apo, o, ose, ja…ja, ndo…etj.; kundërshtore: po, por, porse, kurse, ndërsa, vetëm, vetëm se, mirëpo, veçse, megjithatë; përmbyllëse: prandaj, pra, pa, andaj, ndaj.

Lidhëzat nënrenditëse – Lidhin një fjali të varur me fjalinë drejtuese. Disa prej tyre si: sa, se, sesa, porsi –  lidhin edhe gjymtyrë fjalie. Lidhëzat nënrenditëse ndahen në: lidhëza vendore: ku, nga, tek, kudo, ngado, nga ku, ngado që; lidhëza kohore: kur, sa, si, gjersa, pasi, porsa, sapo, kurdo që, që kur, që se, qysh se, sa herë që; lidhëzat shkakore: se, sepse, pasi, derisa, meqë, meqenëse, ngaqë, ngase, për arsye se etj. lidhëzat qëllimore: që, me qëllim që, në mënyrë që;

Lidhëzat krahasore: si, posi, porsi, sikur, sikurse, se, sesa, ashtu si; lidhëzat kushtore: në, po, nëse, sikur, në qoftë se, në rast se, po qe se; lidhëzat rrjedhimore: sa, saqë, aq sa, kështu që;

Lidhëzat lejore: megjithëse, megjithëqë, ndonëse, sado që, sido që, edhe në, edhe po, edhe pse, edhe sikur.

Lidhëzat janë: të thjeshta (e, dhe, në, a, o, ose, po, por, që, se, si, sa, ku, kur); të përngjitura (derisa, porsa, sesa, nëse, sikurse, ndonëse, mirëpo, megjithatë); lokucione a shprehje lidhëzore (edhe pse, me qëllim që, në qoftë se, në rast se, jo vetëm që…por edhe etj.).

 

PJESËZAT – Ndahen në: pjesëza përcaktuese: mu, pikërisht, që; pjesëza veçuese: sidomos, veç, vetëm; pjesëza zbutëse: afro, as, gati, ja, le, nja, pa, po. Disa pjesëza sajojnë forma gramatikore: do, duke, të, për të, u. Me pjesëzën formohet mënyra lidhore; me pjesëzën do të formohet koha e ardhme; me pjesëzën duke formohet trajta e përcjellores; me pjesëzën për të formohet trajta e paskajores. Kemi edhe pjesëza të pohimit (po, po se po, si urdhëroni) dhe pjesëza të mohimit (jo, mos, nuk, s’). Pjesëzat ndoshta, ndofta, mbase, mos shprehin dyshim.

PASTHIRRMAT – Janë tinguj, grupe tingujsh, fjalë a togje fjalësh. Me to shprehim gëzim, kënaqësi, habi, dëshpërim, pikëllim, dhembje, mosbesim, keqardhje, frikë, urdhër etj. P. sh.: o, oh, oho, ohoho – Oh, sa mirë! (gëzim); Oh, ç’na gjeti! (pikëllim). Pasthirrmat Oj! Au! Ou! Ua! shprehin habi. Pasthirrmat Bobo! Bububu! E zeza! Korba! Qyqja! shprehin frikë. Pasthirrmat E! Eh! Uf! Shprehin dëshpërim e pakënaqësi. Pasthirrmat o, or, ore, moj, more quhen pjesëza thirrëse. Pasthirrma janë edhe fjalët: Gëzuar! Urra! Të lumtë! Bravo! Aman! Të keqen! Hajde! Forca! Hopa Hë! Pasthirrma janë edhe fjalët: faleminderit, mirëdita, mirëmbrëma, mirupafshim, tungjatjeta, udha e mbarë, mbarë paç etj. Pasthirrma fanë tingujt: ish, tik-tik, pis, ush, yja. Pasthirrma janë edhe fjalët onomatopeike: Ham-ham! Mjau! Kikirikuu! Bam-bum! Kam-kum! Taf-tuf! Ciu-ciu! etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok