21/12/2024

PIKTORI  SHKODRAN PJERIN  SHELDIJA ASHT  I  PAVDEKSHEM

0
Pjerin-Sheldija

Nga Fritz RADOVANI:

Piktorve të mëdhaj si Pjerin Sheldija asht e vështirë me Ju dijtë mosha!

Të punojsh mbi 200 afreski në Shqipni, Mal të Zi, Kosovë e Angli, nuk asht aspak gja e vogel, asht një thesar i madh i artit nga peneli i Pjerin Sheldisë.

E mos harroni se edhe Pjerin Sheldija ka kalue telashe të mëdhaja gjatë asaj kohe kur shosha e sigurimit vazhdonte shoshitjen në rininë Shkodrane.

E me Pjerin Sheldinë mbyllet edhe koha e breznisë së paharrueshme të një vargu piktorësh që vështirë se i vijnë ma Shkodres tue fillue nga Ferdinand Paci, Jakup Keraj, Ndoc Gurashi, Ismail Lulani e sa të tjerë, tue mos harrue skulptorë, shkrimtarë e artista që kanë lanë gjurmë n’atë qytet, ku arti i pikturës asht i vjeter me sa e sa shekuj vepra arti të mrekullueshme.

Piktori Pjerin Sheldija gjithnjë do të kujtohet edhe per qendrimin e Tij të një Burri që nuk njifte gjarpnimet e kohës, por gjithmonë tue ruejt tabanin e traditave të vjetra të Burrnisë, Besës dhe Bujarisë, tradita Shkodrane që edhe pse u punue një gjysë shekulli me i shpartallue ato, ka pasë atëherë dhe ka edhe sot, nga ata që i ruejtën ato tradita të rranjosuna në Shkoder.

Koha asht dishmia ma e sakta e ruejtjes së atyne visareve të çmueshme. Per Ata që i ruejtën virtytet e pasterta në Shkoder gjithmonë koha ka me i pasë në memorien e vet të kujtesës, e në kjoftë kush nder vendet e para, asht e ka me kenë gjithmonë nder të parët piktori ynë i paharrueshem Pjerini. Besoj e kujtojnë ata pak shokë që janë në Shkoder qendrimin Burrnor të piktorit Pjerin Sheldija nder mbledhjet që organizoheshin në shtëpinë e kulturës: Gjithmonë i matun, i pjekun nder mendime dhe asnjëherë randues i shokut kjoftë mik ose edhe jo. Pjerin Sheldija ruente korrektesen me fanatizem.

Askush nuk besoj se ka pasë rastin me u randue nga ky Burrë fisnik i yni. Ai ishte i brumosun me cilsitë e moralit Shkodranë ku ishin ma fisniket dhe ma të çmueshmet, që ruheshin e trashigoheshin me kujdesin ma të madh.

Dij me thanë sot që Pjerini nuk jeton ma, i kishte të rrallë Shkodra Burrat si Pjerin Sheldija, po gjithmonë me shpresë se i ka trashigue Virtytet e veta.

E gjithmonë nder këto rasa i drejtohemi shoqeve të jetës së tyne, ku shpresa nuk venitet kurr si tek Zonja  Maria e Pjerinit tonë të dashtun.

Pjerin Sheldija me veprat e veta t’ artit ka hy në galerinë e Pavdeksisë n’art!

Ai do të kujtohet gjithmonë si artist i madh, po edhe si një Shkodranë i Nderuem dhe gjithmonë i pranishem per Fisnikinë e Tij në pikturë e n’ jetë.

Pjerin i dashtun, jam shumë larg sot, kur duhet me kenë shumë afer Teje, po Ti e beson se unë sot, jam ma pranë se asnjëherë me Ty!  Ishim miq!

E largësia nuk paska të bajnë aspak nder këto ditë! Ashtu si dikur nder ata ambjente të bukra të Kështjellës Rozafat, ku Gurt e Saj i shifshim me andje.

Ashtu si Ata, do të kujtoj gjithmonë edhe ty Mik i dashtun Pjerin Sheldija!

I perjetshem asht kujtimi i Portretit Tand Fisnik e Burrnor!

Melbourne, 31 Gusht 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok